Frank Shkreli

Frank Shkreli: Po shtohet rezistenca botërore ndaj udhëheqësve autokratë

Organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, “Human Rghts Watch” me qëndër në Nju Jork, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, botoi para disa ditësh në Berlin raportin e saj vjetor për 2019. Siç dihet, kjo organizatë, si mbështetëse e të drejtave të njeriut, ka si mision të vetin ushtrimin e trysnisë ndaj qeverive, politikanëve dhe shkelësve të ndryshëm të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke u kërkuar atyre që të prononcohen dhe të denoncojnë abuzimin e të drejtave të njeriut, kudo që ndodhë. Po vihet re një prirje botërore, gjithnjë në rritje, për të rezistuar abuzimet e të drejtave të njeriut nga ana e udhëheqësve autokratë, deklaroi organizata Human Rights Watch, duke paraqitur raportin e saj vjetor, për vititn 2019. “Në radhët e Bashkimit Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, koalicione shtetesh, të mbështetura nga grupe civile dhe nga protesta popullore, po rezistojnë politikat e udhëheqësve populistë, të cilët ndjekin politika që nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut”.

Në raportin vjetor prej 674 faqesh të Human Rights Watch, flitet për “anën e errët” të politikave të udhëheqësve autokratë dhe mbi gjëndjen dhe praktikat e zbatimit ose jo të të drejtave të njeriut, në më shumë se 100-vende. Kosova përmendet shkurtimisht, por Shqipëria nuk përmendet në raport, por ndërkaq theksohet se mungesa e shumë shteteve në raport nuk do të thotë se ato vende nuk kanë probleme me të drejtat e njeriut dhe me qeverisje autoritare, por thjesht, është bërë për mungesë burimesh financiare dhe personeli në vendet që nuk pasqyrohen në raportin vjetor të Human Rights Watch.

Në parathënien e raportit, Drejtori Ekzekutiv i Human Rights Watch, Z. Kenneth Ross thekson se lajmi më me rëndësi për vitin që kaloi është në të vërtetë rezistenca popullore ndaj prirjeve autoritare, duke i kundërshtuar politikat e tyre anë e mbanë botës. Kjo rezistencë ndaj sulmeve kundër demokracisë nga udhëheqës të caktuar autokratë, sipas tij, vihet re sidomos në Evropë, në përpjekjet për të ndaluar gjakdherdhjen në Siri, në protestat për të sjellur para drejtësisë personat që po kryejnë spastrime etnike kundër myslimanëve në Myanmar, kundërshtimet e politikës saudite në Jemen, protestat kundër armëve kimike si dhe kërkesat për një hetim të gjithanshëm për vrasjen e gazerit sauidt, Jamal Khashoggi, e të tjera.

Të njëjtit udhëheqës populistë, të cilët po përhapin urrejtje dhe mos tolerancë, po nxisin një rezistencë mbarë popullore, rezistencë e cila është duke shënuar fitore kundër tyre”, u shpreh Z. Ross, duke shtuar se, “Fitorja kundër tyre (atuokratëve) nuk është siguruar ende, por sukseset e shënuara vitin që kaloi, sugjerojnë se abuzimet e qeveritarëve autoritarë, janë duke shkaktuar kundër sulme të fuqishme ndaj tyre, nga mbështetsit e të drejtave të njeriut”. Në Evropë, për shembëll, gjatë vitit që kaloi, mbështetja për të drejtat e njeriut u shpreh në forma të ndryshme, me protesta nepër rrugë si dhe mbrenda institucioneve. Në një demokraci perëndimore, nuk është i lehtë sundimi autoritar dhe tolerimi i tij. Kjo u vu re në Hungari dhe në Poloni, ku populli polak dhe hungarez reaguan ndaj atyre që ata i shikuan si kufizime të lirive të tyre bazë duke protestuar politikat e Kryeminstrit hungarez, Z. Viktor Orban dhe të Presidentit polak Andrzej Duda. Ndërsa raporti përmend si shembëll edhe zgjedhjet e nëntorit që kaloi këtu në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur fitoren e demokratëve të opozitës, të cilët tani kontrollojnë Dhomën e Përfaqsuesve — si një reagim të votuesve amerikanë ndaj asaj që raporti e cilëson si politikë, “frikësimi” e Presidentit Trump, një reagim ky, sipas Z. Roth, nga poshtë lart.

Në parathënien e raportit të Human Rights Watch thuhet se Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare të saj u treguan mbështetse të forta të drejtave të njeriut, madje edhe përtej kufijve të tyre. Kancelarja e Gjermanisë, Angel Merkel dhe ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas kanë kritikuar publikisht Presidentin e Rusisë, Z. Vladimir Putin, Presidentin kinez, Z. Xi Jinping dhe Presidentin e Turqisë, Z. Recep Tayyip Erdogan, si abuzues të të drejtave të njeriut dhe shtypës të opozitës politike, të gazetarëve dhe aktivistëve të drejtave civile, thuhet në parathënien e raportit vjetor të Human Rights Watch.   Por, megjithë sukseset e shënuara kundër autokratëve vitin që kaloi, aty thuhet se jo të gjitha prirjet ishin pozitive në fushën e të drejtave të njeriut.  Raporti thekëson se autokratët e sotëm politikë, po përpiqen të fajësojnë grupe të shoqërisë që mund të jenë kundër tyre, me qëllim për të shtuar mbështetjen popullore për ndaj tyre dhe partive politike që ata përfaqësojnë.  Këta autokratë, thuhet aty, po dobësojnë ato që në anglisht cilësohen si “checks and balances” të një shoqërie, ose balancimi dhe kontrolli i detyrave dhe i përgjegjësive midis degëve të ndryshme të qeverisjes, duke përfshirë gjykatat e pavarura, legjislativin, median e lirë dhe grupet civile.   “Autokratëve u përshtatet shkelja e të drejtave të njeriut, sepse kështu ruajnë pushtetin dhe mbushin xhepat. Në këtë mënyrë ata shpërblejnë miqtë. Këto janë arsyet pse qeveritë duan të shkelin të drejat e njeriut”, thekson raporti vjetor i Human Rights Watch.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Z. Roth përfundon duke thënë se, “Përpjekjet dhe terreni në mbrojtje të të drejtave të njeriut po ndryshojnë për nga forma dhe për nga pjesëmarrësit, ndërkohë që disa mbështetës të vjetër të këtyre të drejtave nuk janë më të tillë… por nga ana tjetër, koalicione të forta dhe efektive janë themeluar për të kundërshtuar qeveritë të cilat nuk janë përgjegjëse ndaj popujve të tyre dhe të cilët njëkohësisht nuk respektojnë as të drejtat e tyre bazë të njeriut.”

Sfidat ndaj respektimit të drejtave të njeriut mbeten anë e mbanë botës, megjithë sukseset e arritura vitin që kaloi, sipas raportit. Megjithëse tani standardet ndërkombëtare për të respektimin e të drejtave të njeriut janë bërë pjesë e rëdnësishme e vlerësimit se si qeveritë trajtojnë shtetasit dhe të drejtat e tyre – të drejtat bazë të njeriut vazhdojnë të jenë të kërcënuara nga politikanët autoritarë të cilët shohin gjithnjë përfitime politike dhe ekonomike për veten dhe të tjerët kur shkelin dhe abuzojnë me të drejtat e njeriut, thekësohet në raport.  Por u takon mbrojtësve të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut që të bindin qeveritë dhe udhëheqsit autoritarë se do të paguajnë një çmim të lartë për sjelljet e tyre dhe se nuk ia vlen të ndiqet një politikë e tillë nga qeveritarët autoritarë. Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch premton se vitin që vjen do të shtrijë hapësirën e një veprimi më energjetik në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, nga abuzimi dhe shkelja e këtyre të drejtave bazë, prej qeverive dhe udhëheqësve politikë autoritarë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …