leoni

RKL: Pranimi i “neutralitetit” të serbëve ndaj statusit legjitimon shtrirjen e sovranitetit të Serbisë në Kosovë

Nxjerrja në sipërfaqe e të ashtuquajturit “neutralitet” të serbëve ndaj statusit të Kosovës, nënkupton  faktin se  çdo institucion që do të krijohet nga Marrëveshja e 19 prillit, përfshirë komunat dhe asociacionin, apo bashkësinë, nuk do të jenë institucione të  shtetit të Kosovës, ndërkohë që nuk saktësohet se a do të jenë institucione të Serbisë, apo institucione paralele, por tashmë të legjitimuara si nga Qeveria në Prishtinë ashtu edhe nga ajo në Beograd. Paqartësitë, dykuptimësitë dhe mungesën e definicionit të qartë të pikave të marrëveshjes i kanë kritikuar edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që për këto lëshime dhe interpretime kanë shkruar edhe shumë analistë.


Tani kemi ardhur në një pozitë kur paqartësitë dhe dykuptimësitë duhet të zbërthehen në vepër, fillimisht në dizajnimin e fletëvotimeve të 3 nëntorit  nga KQZ-ja, e cila pretendon të jetë e pavarur nga politika dhe si zakonisht thirret në Kushtetutën e vendit.


Duke folur për këtë “kopil”, të cilin e ka prodhuar Marrëveshja e 19 prillit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka nuk ka komentuar mundësinë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për mënyrën e hartimit të fletëvotimeve neutrale, sa i përket statusit të Kosovës. Ajo ka thënë se KQZ-ja do të veprojë vetëm sipas Ligjit dhe nuk do të përzihet në çështjet politike. Ne do të veprojmë vetëm sipas ligjit dhe Kushtetutës ka saktësuar ajo për mediet, por nuk ka sqaruar asgjë më shumë. 


Ndërkohë, Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, po ashtu ka pranuar  se për fletëvotimet do të vendosë KQZ-ja. Ai ka sqaruar se deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, ku komentohet se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “status neutral” dhe për rrjedhojë edhe zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë duhet të mbahen pa simbole shtetërore të Republikës së Kosovës, janë deklarata të parëndësishme dhe janë bërë nga zyrtarë, që nuk kanë as njohuri elementare për përmbajtjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në të gjitha parimet e marrëveshjes që ndërlidhen me gjyqësinë, policinë, zgjedhjet e të tjera, saktësohet qartë se të gjitha këto çështje do të rregullohen në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo është e vërteta e marrëveshjes. Askush në Bashkimin Evropian dhe Bashkësinë Ndërkombëtare nuk është aq naiv që të manipulohet nga deklaratat dhe interpretimet e tilla të zyrtarëve te Serbisë, ka theksuar Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit, Hashim Thaçi.


 


Deklaratat tërësisht kundërthënëse të palëve në bisedime në lidhje me po thuajse të gjitha pikat e marrëveshjes, janë bërë pjesë e procesit të bisedimeve, proces i cili tregon nivel të ulët të seriozitetit si nga palët në bisedime e më shumë nga komisarja për Politikë të Jashtme të BE-së,  zonja Ketrin Ashton, e cila është ndërmjetësuesja dhe menaxhuesja kryesore e tërë këtij procesi.


 


Interpretimi dualist i përmbajtjes së Marrëveshjes së 19 Prillit, mbase është bërë me qëllim, që palët të kenë mundësi manovrimi dhe interpretimi sipas pikëpamjeve dhe qëndrimeve të tyre politike, për t’ i hedhur hi syve qytetarëve të painformuar.


 


Jemi dëshmitarë të shumë deklaratave politike të krerëve tanë të përfshirë në procesin e bisedimeve, të cilët në vazhdimësi kanë interpretuar qëndrimin “e fortë politik”, – duke u zotuar se kurrë nuk do të ketë bisedime politike me Serbinë, se kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranohet fusnota e rezolutës së OKB-së në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, se kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk do të hapet çështja e veriut, sepse kjo është pjesë integrale e territorit të Kosovës. Është thënë decidivisht se  me Serbinë mund të ketë vetëm bisedime teknike për energjinë, listat e kadastrave e çështje të tjera, krejtësisht të natyrës teknike. Këto deklarata i kemi dëgjuar me dhjetëra e ndoshta edhe qindra herë, por të gjitha këto janë përmbysur një nga një nga pjesëmarrësit e Kosovës në bisedime me Serbinë.


 


Realisht ka ndodhur ndryshe. Është biseduar me Serbinë, madje edhe janë arritur marrëveshje që kanë dëmtuar rëndë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, janë arritur marrëveshje, të cilat lejojnë krijimin e sovranitetit të Serbisë, jo vetëm në veri, por në të gjitha enklavat serbe në vend. Është pranuar Marrëveshja, e cila nën formulimin “Asociacion i Komunave Serbe në Veri” parasheh një autonomi të lartë dhe substanciale për serbët e veriut dhe të mbarë Kosovës, madje shumë më tepër sasa nënkupton edhe vetë termi autonomi. Pala e Kosovës në bisedime me Serbinë është  mjaftuar me faktin se autonomia substanciale të quhet “Asociacion”, pavarësisht nivelit përfaqësues dhe substancës që realisht nënkupton kjo “bashkësi e komunave”, të cilën nuk e zhbëjnë dot institucionet e Kosovës, Qeveria, Kuvendi as Presidenca. Ky fakt lë të kuptohet se “Asociacioni..” nuk është thjesht një “Asociacion” nuk është një OJQ, as një “Asociacion vullnetar i komunave të Kosovës” por është “Shteti i Serbisë në Kosovë”, është gangrena që ka përfshirë pavarësinë e vendit.


 


Në kohën kur po bëhen përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit, (datë të cilën e ka propozuar vetë kryesuesi i Serbisë në bisedime, Ivica Daçiq, e ka mirëpritur  Ketrin Ashton, ndërsa për hir të partneritetit dhe gjentilesës e ka pranuar edhe Hashim Thaçi ),  ka nxjerrë krye edhe çështje serioze e “neutralitetit”. Duke qenë se serbët në bisedime kanë fituar shumë më shumë sesa kanë pritur, ata nuk do të ndalen me ato të kanë fituar,  sidomos kur ndodhin përballë një pale, e cila lëshon pe në çdo propozim të tyre. Tani, ata i kushtëzojnë edhe zgjedhjet e 3 nëntorit, duke u mbështetur në atë që quhet “neutralitet”, madje edhe duke e akuzuar Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre, nuk po i përmbahet marrëveshjes së 19 prillit, për të cilën nuk na është thënë se përmbajtja e saj është ndërtuar mbi parimin e neutralitetit, edhe pse në parim një kërkesë e tillë është pranuar, qysh me pranimin e bisedimeve me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas verdiktit  pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë.


 


Fitorja e Serbisë në bisedime me Kosovën, në radhë të parë është rezultat i angazhimit të fuqishëm në këtë drejtim të një segmenti pro serb të bashkësisë ndërkombëtare, i kreut të Bashkimit Evropian dhe i shteteve që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, sikur janë: Spanja, Rumania, Greqia, Rusia, Kina e të tjera. Po ashtu fitorja e Beogradit  në bisedime ka të bëjë edhe me përfaqësimin tejet të dobët të delegacionit të Kosovës, në bisedime me ndërmjetësimin e Brukselit,  si dhe mungesën e interesimit të politikës së Tiranës zyrtare, e cila vazhdon të mbetet krejtësisht indiferente sa i përket Kosovës dhe trojeve shqiptare të mbetura jashtë tërësisë tokësore  të Atdheut, qysh nga viti 1912.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …