Kriza shumëvjeçare sociale në Kosovë ka filluar të marrë përmasa kaotike, meqë keqqeverisja, papunësia në rritje, injorimi i skamnorëve, lënia në mëshirë e veteranëve të vërtetë dhe e kategorive sociale, ka krijuar një sensibilizim tejet të shprehur, i cili ka filluar të shprehet me revoltë, organizime grevash, madje edhe me ndërprerje totale të arsimit, paralajmërime për greva të tjera sidomos nga veteranët dhe krejt kjo në kohën kur Qeveria ndodhet në momentin më kritik “të jetës” së vet.
Gabimet që ka bërë kjo Qeveri me rritjen selektive të pagave, madje një rritje jashtë logjikës për stafin qeveritar dhe kategoritë e tjera jo sociale, por zhvatëse të buxhetit, tani ka filluar të hakmerret në formën më të vrazhdë të mundshme dhe me pasoja në radhë të parë për vetë Qeverinë, por edhe për vendin në përgjithësi.
Kryeministri Haradinaj nuk ka arritur ta bind kreun e SBASHK-ut për ndërprerjen e grevës, as pas rritjes së pagave, në total, 20 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Sindikata nuk e ka pranuar këtë rritje, sepse kërkon më tepër, kërkon shumë më tepër, sepse bazohet në pagat e shoferëve të Qeverisë, këshilltarëve të kryeministrit, sekserëve të politikes dhe matrapazëve të ndryshëm, kabinetit më të madh qeveritar me numra zyrtarësh që nuk ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por rajoni apo Evropa.
Derdhja e parasë publike për përfitime afatgjate politike, për sigurimin e votave në zgjedhje, krijimi i mirëqenies për të gjithë sekserët e militantët e partive, ka krijuar një hendek të rrezikshëm social, i cili nuk mund të kalohet pa një tronditje të rrezikshme sociale, edhe pse kësaj më së paku ia kemi nevojën dhe nuk mund t i gëzohet asnjë njeri normal.
Në “pazarin” që Qeveria ka bërë me kreun e Sindikatës, parashihet që për 5.000 mësimdhënës në shkollat e mesme, të marrin nga 74.8 euro më shumë në muaj. 14.790 mësimdhënës në arsimin fillor, do të marrin nga 46. euro më shumë ne muaj Për 912 mësimdhënësit në arsimin parashkollor, rritja është 50 euro më shumë ne muaj, ashtu sikur edhe për 125 mësimdhënës në shkollat speciale. Do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë që do ta kenë një ofertë tjetër, u ka thënë atyre kryeministri Haradinaj. Kjo është oferta e Qeverisë, 20 milionë euro më shumë për arsim, ka saktësuar ai.
Kryetari i SBASHK-it, i trimëruar nga lëshimi pe i kryeministrit, ka deklaruar se nuk e ka pranuar “pazarin” sepse është shumë i ulet karshi kërkesës prej 30%, madje duke shtuar se kjo ofertë e Qeverisë nuk i ka përfshirë të gjithë mësimdhënësit. Jasharaj duke i besuar lakmisë së mësimdhënësve sidomos të atyre që më së paku meritojnë edhe pagën, që e marrin dhe të tillë ka me shumicë, shprehet sigurt në unitetin e tyre, sepse sipas tij greva është e drejtë dhe kërkesë legjitime edhe nëse ndërpritet shkollimi për disa muaj apo për tërë gjysmë-vjetorin. Ja deri ku ka arritur pangopësia dhe arroganca e këtyre arsimtarëve, të cilët a mund të mburren me vendin që kanë siguruar nxënësit e Kosovës në reflektimin e dijes së tyre në organizatat ndërkombëtare që vlerësojnë dijet, jo diplomat e super diplomat. Nuk është pa sukses total të jesh në listën e para fundit, në mesin e 70 shteteve. Me rëndësi është që pagat të bëhen 1000 e më shumë euro, atëherë mund të arrijnë cilësinë e arsimit edhe në vendin e tretë apo të katërt nga fundi.
Ja cila është ndërgjegjja e këtyre sindikalistëve dhe një numri shumë të madh të mësimdhënësve.
Ja cila është përgjegjësia e tyre, morale, kombëtare, njerëzore!
Ja ku i kanë katandisur shqiptarët, qeveritarët e deritanishëm, të cilët mendojnë se po e zhvillojnë dhe po e begatojnë kapitalizmin me forcimin financiar të Qeverisë, me fuqizimin sa më shumë të partive politike, të cilat i përfaqësojnë, me mundin dhe angazhimin që të zhvatin krejt atë që mund të zhvatet nga buxheti, gjatë një mandati qeveritar.
Kjo është filozofia e politikës së qeveritarëve aktualë dhe jo ajo e qytetarit të Kosovës, jo e atij që i ka dhënë krejt çka ka pasur kombit e atdheut. Ai jeton me remitenca, jeton nga mëshira e të vetëve, e familjarëve dhe mirëbërësve, meqë ka edhe të tillë, që madje ndërtojnë edhe shtëpi për skamnorët. Po të mos ishin remitencat, jeta e qytetarëve tanë, moti do të kishte marrë tatëpjetën. Po a ka menduar kush se të kujt janë këta qytetarët tanë, që nuk marrin as edhe një euro nga buxheti, por jetojnë nga ndihmat e të vetëve.
A janë të Kosovës këta njerëz?
Sa është numrin i tyre?
A janë krejt këta që nuk marrin pjesë në votime, sepse nuk kanë kujt, dhe, nuk kanë pse t’ ia japin votën.
2.
Çka bëjnë këshilltarët e Ramushi, a hanë fiq e kastraveca si dikur, apo diçka më të majme?
Të shpresojmë se kryeministri, Ramush Haradinaj, i di shumë më mirë punët sesa ne gazetarët, që shkruajmë e shkarravisim.
Kryeministri thonë se ka 35 këshilltarë, të cilët me siguri se i njeh dhe e njohin, të cilët për ditë e këshillojnë dhe i rrinë afër, sepse ka shumë e shumë probleme e ballafaqime, ka shumë të pritura e të papritura. Ai ka 22 ministra e 80-zëvendës-ministra, secili më i aftë se tjetri, secili me diploma e super diplomë, secili më trim e më supremen se tjetri dhe kjo nuk është pak, sepse ashtu sikur është kujtuar dhe i ka “sajdisur” kryeministri ata, ashtu edhe ata e nderojnë dhe e respektojnë kryeministrin, e çmojë dhe e tejçmojnë si njeri gjithnjë të ditur e të fortë, si dje në frontin e luftës çlirimtare, si sot në krye të Qeverisë.
Po a është kjo fuqi “njerëzore” qeveritare, garanci e vetme për të mbajtur timonin e Qeverisë, në kohën kur çdo gabim, apo veprim i bërë pa konsultim me BE-në dhe ambasadorët e huaj, që vlerësohen e nderohen sikur baballarë e shenjtorë, mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë, jo vetëm Qeverisë, por tërë popullit, madje edhe popullit mazhoritar të remitencave, të përjashtuar nga buxheti i Kosovës.
Pse shpura e madhe e këshilltarëve nuk e ka këshilluar kryeministrin, në kohën kur dy muaj më parë, “gjarprin serb” e ka shkelur në bisht, e jo në kokë dhe tani ai ka fituar “luftën”, duke bërë për vete edhe Amerikën, se për Evropën dihet tashmë, dhe këtë kanë filluar ta kuptojnë edhe shumë nga ata që janë të dashuruar marrëzishëm në BE dhe në Bruksel, ashtu si dikur gjysh-stërgjyshërit e tyre të dashuruar në ashikinë e Sulltanit e të Stambollit.
Dashuria e tepruar e ka edhe zhgënjimin e rëndë dhe të pariparueshëm dhe gjithherë ka qenë dhe mbetet e panatyrshme, sidomos kur nuk buron nga zemra, por nga interesi.
Ramushi e ka kuptuar se Evropa, gjithnjë e më shumë po i vardiset Serbisë dhe po i kushton një kujdes të veçantë, asaj Serbie, të cilën kishte qenë e detyruar ta bombardonte 20 vjet më parë, jo me dëshirë të vet, por sepse “nuk ka pasë çare”.
Tekefundit pse Evropa të mos e dashurojë një Serbi të krishterë, por një Kosovë, të cilën vetë qeveritarët dhe këshilltarët e tyre e kanë shpallur tokë të pëlleshme të ISIS-it. Askush në vendet e Evropës nuk ka thënë para sarhoshëve tanë se Kosova me dy milionë banorë është tokë e pëlleshme i ISIS-it, sepse nga ata dy milionë, 200 vetë po luftojnë në Siri.
Tani ka filluar “të korren” edhe ato që “nuk i ka mbjellë”, Qeveria Haradinaj.
Po bëhen afër 20 vjet keqqeverisje e egër e grupeve dhe klaneve politike, janë 20 vjet garë e tmerrshme për t’u pasuruar e për t’u super-pasuruar pa djersë por duke marrë kush sa mundet në “hambarin e Kosovës” që quhet Buxhet, tani 2. miliardë euro në vit, aq sa realizon një lojtar i njohur i futbollit në Evropë.
Dhe ky buxhet duhet të ndahet, në radhët të parë për Qeverinë, qeveritarët, presidencën Kuvendin me 120 deputetë, një pjesë e të cilëve shahen e fyhen me njeri- tjetrin me nënë e babë, pastaj me këtë buxhet paguhet arsimi, administrata, prokuroria, gjyqësia, shëndetësia, FSK-ja, Policia, agjencitë shtetërore dhe jo shtetërore, RTK-ja, dhe mediet pro-qeveritare, OJQ-të e shumta, individët me merita partiake. Pastaj Qeveria ndanë edhe shpërblime, atyre fermerëve e biznesmenëve që kanë dy e më shumë hektarë tokë, ndërsa ata që kanë më pak janë të përjashtuar nga grantet, që herë-herë janë më të shumta sesa prodhimet, sidomos kur janë në pyetje militantët e partive.
Nga Buxheti i Kosovës paguhen edhe veteranët e UÇK-së, por edhe dhe veteranët e partive politike. Dhe krejt këto e kategori të tjera mbulohen me paratë e taksapaguesve, ndërsa të përjashtuarit nga buxheti jetojnë si mundën e si dinë. Ka nga ata që i kanë djemtë të Evropë dhe në Amerikë dhe nuk kanë pse brengosen. Një ditë punë në Amerikë, mbahet një familje skamnore për një muaj, si mbijeton dhe si ia del, e di ai që e ka provuar dhe e provon për ditë.