Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se këshilltar të tij për çështje rajonale ka emëruar, Shkëlzen Maliqin, titistin e përbetuar të jugosllavizmit, djalin e ish-sekretarit Krahinor për Punë të Brendshme të Kosovës në kohën e demonstratave të vitit 1981, shqiptar-vrasësin, Mehmet Maliqi-Cikuli. Edi Rama, ashtu sikur Sali Berisha, që kishte zgjedhur këshilltar, Damir Fazliqin, nipin e kriminelit dhe shqiptar-vrasësit, Stanishiq, duket se nuk mund të lirohen nga nostalgjia për regjimin titist jugosllav, përderisa fshehin me kujdes nostalgjinë për regjimin e Enver Hoxhës, nga i cili e kanë prejardhjen nga gjaku, gjuha, politika, dredhia dhe ideologjia. Në arsyetimin e tij për këtë përzgjidhje Rama shpreh besim se Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkëlzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë dhe fisnik, ka saktësuar Edi Rama, i cili së shpejti merr qeverisjen në vend.
Ky lajm, nuk është edhe aq i befasishëm, sepse asnjë Qeveri e deritanishme e Shqipërisë, prej vitit 1991 nuk ka treguar me vepër se ka qenë imune ndaj Jugosllavisë dhe jugosllavizmit. Çuditërisht, përderisa shumica e politikanëve shqiptarë në Tiranë, luftojnë ideologjinë dhe politikën e sundimtarit komunist, Enver Hoxha, nga ku e kanë prejardhjen, ku janë shkolluar, arsimuar “emancipuar”, ata as e kanë fshehur as po e fshehin nostalgjinë e tyre për mbetjet ideologjike të politikës së dikurshme të bashkim-vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve me serbët dhe me sllavët përgjithësisht.
Edi Rama e di mirë se Shkëlzen Maliqi është një titist e përbetuar, i cili tërë orientimin e tij intelektual e shoqëror, në të kaluarën ia ka kishte kushtuar regjimit komunist jugosllav, duke qenë edhe vetë pjesë aktive e atij regjimi, sidomos në vitet 80, të shekullit të kaluar, kur kishte filluar fushata antishqiptare kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe kur RSFJ-ja kishte vënë në jetë programin për pezullimin gradual të autonomisë së Kosovës. Pikërisht në atë kohë, Shkëlzen Maliqi, djali i Mehmet Maliqit, shqiptarë-vrasësit të njohur të Kosovës, komunistit të tipit të Ali Shukriut, Xhavit Nimanit, Kolë Shirokës, Rrahman Morinës e sojit të tyre, shkruante dhe botonte në gazetat e revistat më antishqiptare jugosllave, ku dënonte ashpër kërkesat e popullit të Kosovës për liri, drejtësi e barazi dhe kërkesën programatike për krijimin e Republikës së Kosovës. Ne, që asokohe kemi qenë të prangosur nëpër burgjet e Jugosllavisë kemi pasur rast të lexojmë komentet antishqiptare të Shkëlzen Maliqit, Veton Surroit, Hilmi Sylës, Rrahman Dedës, Sinan Hasanit, Azem Vllasit, Agim Zatriqit e shumë të tjerëve, të cilët na etiketonin herë si bijë ballistësh, herë si enveristë, herë si marksistë leninistë e herë si irredentistë, por asnjëherë nuk na quanin me emrin e vërtetë, sepse atij emri dhe asaj aspirate i frikësoheshin, meqë parandienin se fundi i tyre do të mbaronte me turp.
Lufta e pa kompromis e Shkëlzen Maliqit, Veton Surroit dhe stafit të besnikëve të jugosllavizmit kundër militantëve të lirisë së Kosovës, kundër idesë së krijimit të Republikës së Kosovës dhe kundër mundësisë së bashkimit të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare me Shqipërinë, ka qenë lufta më e ndyrë dhe më bastarde që është shënuar ndonjëherë në historinë më të re të Kosovës. Ajo ishte jo vetëm klithma, por vetë lufta e puthadorëve të regjimit, e drejtuar kundër interesave dhe të drejtave të shqiptarëve. Ky soj nostalgjikësh i jugosllavizmit, pretendonte të mbronte idenë se shqiptarët i kishin të gjitha të drejtat dhe nuk kishin nevojë për Republikë, meqë krijimi i një republike me shqiptarë, qoftë edhe brenda Jugosllavisë ishte i papranueshëm dhe i rrezikshëm për Jugosllavinë. Edhe sot e kësaj dite, në të gjitha analizat e shkrimet e Shkëlzen Maliqit, Veton Surroit dhe mohikanëve të tjerë të jugosllavizmit të ngordhur, vërehet po ajo ideologji, po ai përcaktim politik, po ajo mendësi totalitare, po ajo vartësi nga Beogradi, ku këta kanë kaluar një pjesë të mirë të rinisë së tyre noprane e perverse.
Nuk mund të akuzohet Shkëlzen Maliqi për krimet që ka kryer kundër shqiptarëve babai i tij, Mehmet Cikuli, por është turp, mbi të gjitha turp i pafalshëm për një njeri që i thotë vetes, filozof dhe intelektual të mos iu kërkojë falje viktimave shqiptare, që i ka pushkatuar pa gjyq, babai i tij, sikur është rasti i pushkatimit të intelektualit të njohur shqiptar, Ibrahim Lutfiu, pastaj vënia e pritave dhe likuidimi i Hasan Remnikut, Emrush Miftarit, militantit të luftës së Spanjës, Rifat Berishës e shumë të tjerëve. Të gjitha këto i di mirë Shkëlzen M. dhe asnjëherë deri tani nuk është diferencuar të paktën verbalisht për krimet e babait të tij, sepse ai mendon dhe është i bindur se babai i tij ka vepruar drejt dhe nuk përse t’iu kërkojë falje qindra familjeve shqiptare, pjesëtarët e të cilëve janë likuiduar pa gjyq e me gjyq, janë persekutuar dhe janë ndjekur nga regjimet jugosllave deri në qershor të vitit 1999, kur nga Kosova u dëbua antihistoria-Jugosllavia e Serbia, por jo edhe mbetjet e shumta të jugosllavizmit në Kosovë.
Pse Rama zgjodhi pikërisht Shkëlzen Maliqin, kur në Kosovë ka edhe titistë pak më të moderuar dhe të tillë, të cilët nuk i kanë përlyer duart me gjakun e bashkëkombësve, por kanë mbrojtur regjimin, i cili i ka mbështetur dhe i ka ngritur dhe ua ka ngopur të gjitha orekset.
Pse nuk zgjodhi për këshilltar ndonjë nga ish viktimat e regjimit kriminal të Milosheviqit, pse nuk zgjodhi ndonjë nga intelektualët e njohur që kanë marrë pjesë apo që e kanë ndihmuar luftën e UÇK-së?
Ka shumë pyetje të tilla për Edi Ramën, ndërsa ai zgjedhjen e Shkëlzen Maliqit e ka arsyetuar me rikthimin e paqes dhe sigurisë në rajon, me rikthimin e kohës së artë kur këndej e andej kufirit sundonte ideologjia komuniste, edhe pse dy regjimet ishin në luftë dhe armiqësi të thellë mes veti.
Rama shpreh besim se Marrëveshja e Kosovës me Serbinë, (është fjala për marrëveshjen e 19 prillit 2003, të arritur në Bruksel mes Thaçit dhe Daçiqit), ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe kjo marrëveshje, ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t’i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor, rajonal, pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë dhe fisnik. Nga ky koment i Ramës kuptohet fare lehtë se Shkëlzeni i Mehmetit atij i duhet për të rivendosur marrëdhëniet me serbët, sepse ai beson me të drejtë se këshilltari i tij i ardhshëm jo vetëm që e njeh gjuhën serbe më mirë se shqipen, por e njeh edhe kulturën, traditën, historinë, politikën, nëntokën, mbi tokën e Serbisë, e çka jo.
Çuditërisht, Edi Rama beson se Marrëveshja Thaçi-Ashton-Tadiq paska shënuar fundin e konflikteve ( jo luftërave) dhe paska hapur perspektivë për afrimin e serbëve dhe shqiptarëve. Për një lidhje të re, apo për rikthim të epokës së bashkim-vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, Edi Ramës i duhet Shkëlzen Maliqi, i cili me siguri se nuk do të hezitojë t’i bashkohet kryeministrit të ri të Shqipërisë, në qeverinë e të cilit bën pjesë edhe i majti i djathti, Ilir Meta, miku i njohur i Beogradit, i Tadiqit, i Daçiqit dhe i të tjerëve.
Me përzgjedhjen e Shkëlzen Maliqit për këshilltar, Edi Rama do të marrë lavde nga Brukseli e nga Beogradi, por do ta humb përkrahjen e një pjese të socialistëve të vërtetë Kosovës, të cilët me shumicë gjendën në PDK, në LDK, në Vetëvendosje dhe po thuajse në të gjitha partitë politike të vendit, pavarësisht se ata nuk vetëquhen socialistë dhe që të gjithë pretendojnë të jenë të djathtë, të qendrës apo të periferisë.