RKL: Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit sprovë e Be-së dhe Beogradit për rikthimin e Serbisë në Kosovë

Marrëveshja e ashtuquajtur e 19 prillit, e arritur  mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësim jo parimor të “sheficës” së BE-së,  Ashton, i ka hapur dyert rikthimit të Serbisë në vendin tonë, kësaj radhe jo me fuqinë e armës vrastare, sikur ka bërë Serbia në vitet: 1912, 1918 dhe 1945, gjithnjë e përkrahur nga Rusia dhe Evropa, por me pajtimin e delegacionit të Kosovës, edhe pse ky delegacion nuk e përfaqëson as një të katërtën e shqiptarëve të Kosovës. Serbia po rikthehet në Kosovë pikërisht ashtu sikur ishte rikthyer në gusht të vitit 1945, kur ishte shfuqizuar Konferenca e Bujanit e 31 dhjetorit të vitit 1943 dhe 1 e 2 Janarit të vitit 1944, kur Kosova iu kishte bashkuar Serbisë, me gishtat e delegatëve shqiptarë, serbë e malazezë të Kosovë-Metohisë. Krahasimi mbase duket paksa i tepruar dhe jo i goditur sa duhet, por esenca e marrëveshjes mbetet e njëjtë.


 


Rezoluta e aprovuar në Konferencën e Bujanit, ishte shfuqizuar më 10 gusht të vitit 1945, në Prizren, me arsyetimin se  duke qenë se të dyja vendet, Shqipëria dhe Serbia i përkisnin bllokut antifashist dhe  kishin vendosur pushtetin popullor, nuk shihej e nevojshme që Kosova t’ i bashkohej Shqipërisë, sepse ishte vendi më i varfër në rajon dhe ishte shkatërruar krejtësisht nga lufta. Kosova do t’ i bashkohej Serbisë, sepse kjo ishte një republikë më e zhvilluar dhe Kosova do të mund të zhvillej më shpejtë. Po ashtu shqiptarët e Kosovës do të bëheshin urë e bashkëpunimit të mirë në mes të popullit shqiptar dhe atij serb, duke kalitur bashkim vëllazërimin dhe përbashkësinë e popujve të Jugosllavisë. Kjo ishte në esencë përmbajtja e rezolutës, e cila shfuqizonte rezolutën e të drejtës së popujve për vetëvendosje, të arritur gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në Bujan,  mes PKSH-së dhe PKJ-së.


 


Natyrisht se tani në dukje kemi një proces tjetër, më të sofistikuar dhe shumë më dinak. Tani  është veriu i Kosovës, ( i pjesës kryesisht të banuar me serbë)  që po pretendohet t’ i bashkohet Kosovës, jo sepse Kosova është më e zhvilluar se Serbia, por sepse veriu do të jetë piemont i bashkimit të serbëve dhe i rikthimit të segmentit të sovranitetit të Serbisë, fillimisht vetëm në veri, por që me kohë pretendon të  zgjerohet në tërë Kosovën.


Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, së cilës i ka paraprirë, plani antishqiptar i Ahtisarit, rregullon çështjen serbe brenda Kosovës, apo thënë më troç, rregullon rivendosjen e Serbisë brenda vendit tonë, përmes veriut. Dhe kjo po ndodh në të gjitha segmentet, madje lëshimet që i ka bërë Kosova Serbisë janë shumë  më të favorshme për serbët, sesa kanë parashikuar Daçiqi dhe Nikoliqi.


Serbët e veriut, me marrëveshjen e 19 prillit, jo vetëm kanë fituar autonominë substanciale, por ata kanë fituar të drejtën të organizohen si entitet shtetëror përbrenda kufijve të Kosovës dhe në asnjë segment  nuk varen nga institucionet e vendit tonë, ashtu sikur asnjë institucion i Kosovës nuk ka të drejtë t’i qortojë se lërë më t i pezullojë. Në organizmin e tyre politik dhe administrativ, serbët lidhen në mënyrë horizontale me të gjitha enklavat në Kosovë dhe në mënyrë vertikale lidhen me institucionet e Beogradit. Edhe pse një popullatë minoritare me 6 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve të Kosovës, ata do të kenë qeverisje autonome në  13 komuna, përballë 27 komunave me shumicë shqiptare.  Kjo mënyrë e qeverisjes së Serbisë brenda vendit tonë, shtetin e Kosovës e vë  pozitë inferiore dhe e bën të pa aftë për ta shtrirë sovranitetin  në tërë territorin e saj. Marrëveshja e 19 prillit, jo vetëm që nuk e obligon Serbinë ta njohë shtetin e Kosovës, por nuk i obligon as qytetarët serbë ta njohin shtetin, në të cilin jetojnë fizikisht, por nuk e njohin ligjërisht e juridikisht.


Nga do që studiohet kjo Marrëveshje, arrihet në përfundimin se Kosova jo vetëm që nuk ka përfituar në asnjë segment, por ajo ka rrezikuar skajshëm funksionimin e shtetit dhe ka “vrarë” çdo perspektivë për të qenë një shtet me ardhmëri stabile. Serbia, duke u mbështetur në një marrëveshje, e cila nuk e obligon njohjen e Kosovës,  gradualisht do të infiltrohet në të gjitha poret e jetës shoqërore dhe politike, për t’i ngulfatur nga brenda institucionet tona, në të cilat serbët do të përfaqësohen jo në saje të numrit, por në majorizimin ekstrem dhe krejtësisht jo normal që e njeh Pakoja e Ahtisarit dhe Marrëveshja e 19 prillit.


 


Prononcimet e kota dhe krejtësisht të deplasuara të Qeverisë së Kosovës, se gjoja vendi ynë po e shtrin sovranitetin në tërë territorin, s’ janë veçse një retorikë bajate e përsëritur për efekte propagande, një si përrallë e sajuar ngjashëm në filmat vizatimorë, përderisa dihet mirëfilli se serbët në veri dhe kudo në Kosovë de facto as de iure nuk e ndiejnë veten si qytetarë të Republikës së Kosovës, por si qytetarë të Serbisë që jetojnë në “pokrahinën” e Kosovës e Metohisë.


14 vjet pas luftës dhe fitores mbi Serbinë fashiste të Milosheviqit, Marrëveshja e 19 prillit i mundësoi Serbisë ta fitojë në paqe atë që e kishte humbur në luftë, duke i lënë hapur dyert për restaurimin e hegjemonisë dhe kolonializmit, sidomos në aspektin ekonomik, kur dihet se politika aktuale e Kosovës tërë tregtinë dhe marrëdhëniet ekonomike i ka lidhur, trashur e përforcuar me Beogradin. Bosët më të njohur të Kosovës tërë kapitalin e tyre e kanë fituar e kanë rritur e qindfishuar  në bashkëpunim me Serbinë dhe me biznesmenët e saj të suksesshëm jo vetëm në Kosovë por  edhe në Shqipëri.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …