Dr. Shefqet Krasniqi: Shkollat tona: Edukim apo dhunë?


Dhuna që shpërtheu në mes të filloristeve, ku “Duda” rrihte pamëshirë shoqen e saj, mori dhenë dhe pothuajse tronditi mbarë opinionin. Në fakt një dhunë e këtillë nuk do të dihej po të mos bëhej publike nga vet agresorja pasi që dhunën e ushtruar me krenari e incizonte dhe më pas ajo skenë famëkeqe u publikua në rrjetet sociale si youtube dhe facebook.


Sikur për çdo lajm tjetër, që postohet në këto rrjete, edhe për këtë rast u fol e u përfol thuajse u derdh gjaku deri gju. Ndoshta pse ‘beteja’ ishte në mes vajzash e jo në mes djemsh, apo se dikujt iu dashtë ta zhvendos vëmendjen e publikut, për qëllime të caktuara si shpesh më parë, e pse jo edhe për të shfrytëzuar këtë rast për fushata parazgjedhore, pro-et-contra, që po e zhvillohen këtyre ditëve. 


Shikuar më ndryshe, në krahasim me problemet reale më të cilat ballafaqohen shkollat tona, fillore dhe të mesme, mendoj se rasti i “Dudës” mbetet ndër më të voglat dhe më të thjeshtat. Rastet e rrahjeve për vdekje, therjeve me thikë, gjuajtjeve me armë, madje edhe vrasje të nxënësve mes veti janë jo të rralla në shkollat tona, e sidomos në kryeqytet. Dikush mund edhe të vë në pikëpyetje këtë konstatim apo të konsideroj të stërmadhuar, por nëse i shtrojmë vetës vetëm një pyetje do ta kuptojmë se deri në ç’masë ka arritur pasiguria në shkollat tona. E ajo pyetje është pse shkollat tona, ato të kryeqyteti në veçanti, ruhen nga policia?


Fatkeqësisht, asnjëherë nuk është arritur ndonjë zgjidhje konkrete gjerë më tani. Gjendja mbretëron po ashtu siç ka qenë, madje niveli i edukimit të nxënësve, si duket, po pëson rënie e degradim për çdo vit. Nxënësit po lazdrohen e rebelohen çdo vit e më shumë, kurse ne, me ose pa dëshirë, po ua japim krahun. Sa për ilustrim po marrim rasti i fundit, pra rasti i “Dudës”. Imagjinojeni gjithë atë poshtërim, nënçmim e abuzim që i bën ajo shoqes së vet dhe atë duke incizuar për ta parë bota, megjithatë, asnjë ligji nuk e kap, policia nuk e merr në pyetje, drejtoria e arsimit nuk ka të drejtë ta përjashtojë nga shkolla. Pra, konkretisht, asgjë nuk ndërmerret dhe ajo vazhdon të mbetet e pandëshkuar.


Ndaj, më thoni për hir të Zotit, pse mos të lazdrohen fëmijët tanë, e të mos ngrehin kokën lartë e të ju shesin trimëri jo vetëm kolegëve të tyre por edhe mësimdhënësve. Ata(o) edhe ashtu janë në fazën e pjekurisë që u duket vetja të fuqishëm mbi çdo gjë.


Ndaj, mendoj se duhet të jemi shumë më konkret dhe real sepse nuk jemi askund në tokë të bukës, siç thotë populli. Ne jo vetëm që po ua hapim dyert banditëve për të vjedhur, korruptuar e plaçkitur pasurinë shoqërore e individuale, por ne po ua hapim dyert edhe ‘banditëve të vegjël’. Këta ‘banditë të vegjël’, sikurse ata të mëdhenjtë, frikësojnë e shantazhojnë kolegët e tyre të sinqertë, të urtë e të zellshëm, ashtu që tu tregojnë se në këtë vend rregull vendos kush është më ‘banditi’ e jo kush është më i zellshmi e më i suksesshmi në mësime. Pra, në kundërshtim me të gjitha normat mësimore ku më i disiplinuari dhe më i


arsimuari duhet të jetë ai që udhëheqë. Aq më keq kur në këtë rast agresori është ‘bandite’, pra femër, e përpiqet t’i bëjë shoqet e saj që t’ia kenë frikën. Prandaj, si arsyetohet mos ndëshkimi i ‘mini-kriminelëve’ nëpër shkolla fillore e të mesme? Me arsyen se janë të vegjël, pa pyetni njëherë viktimën e ‘Dudës’ si ndihet nëse mendoni se ato ishin të vogla?


Është për të tu dhimbsur fakti se askush realisht nuk merret me këto probleme kaq serioze për të ardhmen e rinisë, e njëherazi edhe të vendit. Madje as kandidatëve për kryetarë komunash sikur nuk u bënë ndonjë përshtypje dhuna nëpër shkolla, ndaj edhe nuk ofrojnë asnjë sugjerim apo reagim të planifikuar përkitazi me parandalimin e kësaj dukurie tepër të dëmshme për shoqërinë. Ah sikur të kishim vetëm këtë dukuri!, do të ishte lehtë, por mendoj se ato janë të shumta saqë ndoshta nuk ka ndonjë dukuri negative e që nuk është prezent në shkollat tona, fillore e të mesme, duke filluar nga dhuna e abuzimi, rrahjet e therjet me thika, e deri të alkooli, prostitucioni e droga.  Së këndejmi, të rrallë janë ata prindër sot që nuk shqetësohen për fëmijën e vet kur ta dërgojnë në shkollë derisa të kthehet, se mos po ia zë belaja me dikë. Shkollat tona janë bërë sikur një ‘xhungël’ ku gjen lloj-lloj bishe a egërsire që nuk kanë ndonjë qëllim tjetër, vetëm se ta shqyejnë dikë. Tashmë edhe shkollat tona, për fat të keq, duket sikur ngjajnë me shkollat e Kolumbisë, Meksikës apo Brazilit, ku njeriu del shëndosh e mirë nga shtëpia, por ka mundësi të kthehet në arkivol. Allahu na ruajt.   Nuk ka fare dyshim se për t’i luftuar këto dukuri kaq të rrezikshme e shqetësuese për shoqërinë tonë duhet një mobilizim i përgjithshëm i qeverisë, administratave shkollore, prindërve dhe mbarë opinionit, secili në fushën e vet. Gjithsesi gjykatat duhet ta bëjnë punën e vet, ligjet duhet të jenë më të ashpra edhe për nxënës, sepse ai që mësohet që nga fëmijëria me stilin ‘cawboy (lexo: loparë-çoban)’, ai edhe kurrë të rritet do të bëhet i tillë, madje ndoshta trimërohet edhe më shumë.


Po ashtu nuk ka fare dyshim se rol më rëndësi në këtë drejtim do luante edukata fetare, sikur të futej nëpër shkolla, sepse një fëmijë i edukuar mirë mbi baza fetare nuk ka mundësi të ushtrojë dhunë ndaj askujt. Nëse i hedhim një sy shkollave më të dhunshme në ShBA, si p.sh. shkolla e mesme ‘Strawberry Mansion’ në Fidelfi, shohim se personeli i shkollës, përfshirë edhe policinë shkollore, fillojnë ditën me lutje në mëngjes. Andaj, thirrja jonë e vazhdueshme për ta futur edukatën fetare nëpër shkolla nuk është e rastësishme dhe ajo shpreh vullnetin e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve. Megjithatë vazhdimësia e injorimit të kësaj kërkese, sikur të ketë hasur në vesh të shurdhër, mund të jetë edhe e kushtueshme për disa nga nxënësit tanë. Dikur do të ju bie ndërmend qeveritarëve tanë, ku ta di unë, ndoshta kur ndokush prej fëmijëve të tyre të ketë fatin e vajzës viktimë në rastin e “Dudës”, por atëherë do të jetë tepër vonë. Allahu na drejtoftë këtë qeveri, e na ruajt e udhëzoftë këtë rini. Amin … dhe deri javën tjetër me një temë tjetër. Es-selam alejkum.


 


Shefqet Krasniqi: Për një vit të suksesshëm akademik


 


Erdhi tetori, e me të erdhi edhe vjeshta. Kjo stinë edhe pse e zymtë, megjithatë e bukur, ia ndryshon tërësisht pamjen natyrës. I lartësuar qoftë Allahu që çdo gjë krijoi urtësisht dhe prej nesh kërkoi zbulimin e këtyre urtësive ku në secilën prej tyre fshihet një kod i lumturisë.


Vjeshta, stinë e cila prek emocionet e artistëve, poetëve, mendimtarëve, e kujt jo se. Thuajse të gjithë emocionohemi gjatë kësaj stine. Si të mos emocionohemi gjersa një botë e tërë ndryshon para syve tonë duke sjellë tek ne një atmosferë dhe klimë, aq të përshtatshme për studim e meditim, sa që me të drejtë është përcaktuar edhe si fillim vit akademik.


E, kur jemi tek viti akademik dhe muaji tetor, ky muaj i studentëve në kryeqytet na sjell çdo vit fytyra të reja. Mbi dhjetëmijë studentë të rinj, janë pranuar në vitin e parë të studimeve, potencojnë statistikat.


 


Kosovën ky tetor do ta gjejë me më shumë universitete shtetërore. Nuk është “Hasan Prishtina” i vetmi. Në Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, ose rreth 20 për qind e qyteteve të Kosovës tashmë janë bërë qytete universitare. Me letra dhe godina po të ecim shumë, por praktikisht kemi ngelur shumë prapa.


A thua vallë, kush është fajtori? Sigurisht, problemi nuk qëndron te mungesa e fakulteteve dhe objekteve për dije e shkencë, ani pse edhe ato nuk janë të ndonjë niveli shumë të lartë, por tek mungesa e cilësisë. Studimet akademike nuk janë thjeshtë fakultete, diploma e më pas edhe vende pune dhe kaq. Studimet akademike kanë synim ma të madh, ato ngritin dhe formojnë personalitetin e njeriut, ato formojnë një elitë intelektualësh nga të cilët më pas varet ardhmëria e vendit. Ato krijojnë edhe një shoqëri të re, të vetëdijesuar, të edukuar e të arsimuar. Prej tyre varet nesër politika, ekonomia, varet i tërë shteti. Andaj investimi në student në veçanti, e në nxënës në përgjithësi, është investimi më i mirë e më i bekuar, është më frytdhënësi e afatgjati.


Atyre duhet ofruar cilësi të lartë e të qëndrueshme në arsim. Ata duhet liruar nga çdo detyrë e obligim tjetër, pos kërkimit të dijes. Ata kanë nevojë të jenë larg problemeve dhe telasheve me të cilat ballafaqohemi ne të tjerët. Atyre duhet krijuar një klimë sa më të përshtatshme dhe të favorshme për dije e shkencë.


 


Mendoj se universiteteve tona ju mungojnë këto gjëra. Ato kanë shumë nevojë për reforma të mëdha në shumë sektorë. Nuk mund të ecët para me një staf akademik i cili ka më shumë se një vend pune, bile disa nga ta më shumë se dy e tri vende pune. Nuk mund të ecët para me profesorë të cilët studenti duhet t’i vihet pas, si qengji pas deles, me muaj vetëm sa për një nënshkrim apo për një notë. Nuk mund të ecët para me profesorë të cilët sa herë donë i shtynë provimet, i shëtisin e maltretojnë studentët si t’u teket. Nuk mund të ecët para me profesorë të cilët i diskriminojnë studentët, e në veçanti studentet, mbi baza fetare, vetëm pse janë vajza të mbuluara apo djem me pamje fetare, duke i ndëshkuar në notim.


Falë Zotit një përparim i përgjithshëm ekziston dhe dita-ditës po shihet një seriozitet dhe interesim më i madh, në veçanti në universitetin “Hasan Prishtina”, por rruga akoma është e gjatë dhe ka ende shumë punë për t’u bërë.


 


E ne nga zemra ua urojmë të gjithë studentëve vitin e ri akademik duke ju dëshiruar suksese në studime dhe në jetë në përgjithësi. Gjithashtu, duke ua përkujtuar se rruga e dijës është e gjatë, ajo as nuk fillon me fakultet e as nuk mbaron. Ajo fillon në djep dhe mbaron në varr. Andaj ende janë thuajse në fillim. Zoti ju ndihmoftë atyre neve dhe të gjithëve në zënien e dijes, e na bëftë shërbëtor të këtij vatani dhe të kësaj shoqërie dhe mbarë njerëzimit.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Papërgjegjësia në trafik përditë rrezikon jetën e njerëzve


 


Pa dyshim njerëzimi ka arritur të zbulojë e shpikë shumë gjera të cilave ua ka parë hairin dhe vazhdon t’ua shoh. Ndër to është edhe përparimi teknologjik, i cili, krahas dëmeve anësore, po i sjellë dobi njerëzimit në shumë sfera përfshirë edhe trafikun apo komunikacionin.


Këto të mira, fal Zotit, po i gëzojmë edhe neve sot duke pasur parasysh se pothuajse çdo shtëpi sot ka makinë, madje disa kanë edhe nga dy e më shumë. Sido që të jetë, teknologjia në përgjithësi, krahas të mirave dhe anëve pozitive, ka edhe anën e vet negative; jo pse makinat, në këtë rast, janë të dëmshme si makina por për shkak se ngasësit e tyre janë të pakujdesshëm dhe i keqpërdorin ato.


 


Nga këto pakujdesi dhe abuzime me makina thuajse për çdo ditë ndodhin aksidente madje jo rrallë edhe fatale. Rasti i fundit në zonën e Llapit, ku një polic mbyti dy vëllezër dhe lëndoi tre të tjerë, si rezultat i shpejtësisë së pakontrolluar dhe pakujdesisë në ngasje, kësaj çështjeje sikurse i vuri kapak. Për rastin u njoftova përmes mediave, ani pse nuk i njihja nuk munda të rri pa shkuar t’i vizitojë e tu shpreh ngushëllime. Por, më tregoni ju lutem, çka t’u thotë njeriu familjarëve në këso raste? Mos u mërzitni se ua ka shkelë polici djemtë?! E pse me i shkelë polici, kur ai është që vë rregull apo së paku duhet të ruaj rëndin në komunikacion.


A mos vallë nuk vlejnë rregullat për policë, pasi që ata i vendosin ato, ashtu siç nuk po vlejnë ligjet për qeveritarë?! Apo mos ndoshta së pari policët kanë nevojë për vetëdijesim, kanë nevojë për t’ua kujtuar se jeta e njeriut është shumë e shtrenjtë. Në fakt, nga përditshmëria po mësojmë se qeveritarët, biznesmenët, ‘komandantët’, policët dhe me një fjalë të gjithë ngasësit e veturave zyrtare janë më të pakujdesshmit në ngasje ose ngasin gjithherë me vrull. Nuk ka askush të drejtë ta anashkalojë jetën e askujt e as ta nënvlerësojë atë.


Njeriu i mirë dhe besimtari i ndershëm duhet të kujdeset edhe për zogj të mos i shkelë kur të kalojë nëpër vendbanime, e lëre më për njerëz. Shoqëria jonë me shumicë absolute jemi myslimanë, e ne e dimë fort mirë sesa shumë rëndësi i ka dhënë Allahu jetës së njeriut, kur krahasuar mbytjen e një njeriu me mbytjen e gjithë njerëzimit: “…se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit…” (Kur’ani: el-Maide:32)


 


Njeriu për çdo vepër që bënë në këtë dynja ka për tu pyetur për të në botën tjetër sado e vogël qoftë ajo vepër, e mos të flasim kur është në pyetje jeta e njeriut. Nuk ka krim më të madh që mund të bëjë njeriu sesa vrasja e qëllimtë, ani pse mbytja në komunikacion nuk konsiderohet e qëllimtë, por konsiderohet gjysmë e qëllimtë, apo që i përngjanë mbytjes me paramendim, në veçanti nëse ngasësi nuk respekton rregullat përkatëse. Madje nëse ai/ajo nget makinën me çmenduri, siç ndodhë jo rrallë herë dhe bënë ndonjë skandal, ai ka marrë në qafë vetën dhe të tjerët.


Fetarisht, nëse për mbytjet e kësaj natyre nuk parashihen dënimet e caktuara, dënimi me vdekje, megjithatë, një masë ndëshkimi ka. Përveç pagimit të gjakut, gjykatësi ka të drejtë që si masë vetëdijesuese ta dënojë dhe me dënime tjera. Por, nuk do të doja që trajtimi i kësaj dukurie të diskutohet vetëm nga ky këndvështrim juridik. Unë dua të di se çfarë përjetojnë ata që mbysin njerëzit në komunikacion, ç’ndërgjegje kanë, si ndihen?


 


Mendoj se është çasti i fundit kur shteti duhet të ndërmarrë diçka për ta parandaluar këtë dukuri. Ministria e Infrastrukturës respektivisht Departamenti i Komunikacionit duhet të bëjë të pamundurën të vendosë shenjat në çdo cep të rrugës. Dyshoj që ka ndonjë vend tjetër në Evropë që i mungojnë shenjat e komunikacionit sa Kosovës.


Si ka mundësi që të mos jemi në gjendje t’i vendosim vetëm disa vija të bardha në mes të rrugës e ca të verdha në skaje të saj, ndërsa paguajmë dyzetë euro në vit për çdo makinë në emër të taksave rrugore. Domethënë paraja nuk mungon, por interesimi i qeveritarëve dhe sinqeriteti i tyre. Pastaj patrullat e policisë duhet të jenë ma të shpeshta, në veçanti në vendet e populluara.


Policia duhet të vendos pika të cilat vërehen nga qytetarët, e jo të fshihen pas ferrave e drunjve. Ky veprim nuk është i drejtë e aq më pak njerëzor, sepse kështu nuk po ndalen aksidentet por vetëm po gjobitën njerëzit. Ndaj synimi i shtetit nuk guxon të jetë gjobitja dhe mbledhja e parave nga qytetarët, por synimi i tyre të jetë parandalimi i fatkeqësive. E kur njerëzit e dinë se ka pika policore të gjithë ngadalësohen dhe kështu evitohet rreziku.


Gjithashtu duhet sensibilizim i qytetarëve, duhet kujtuar njerëzve për vlerën e jetës së njeriut dhe rrezikun që ka makina. Sa shumë njerëz harrojnë se pikërisht makina më e avancuar mundë të jetë më vdekjeprurëse. Mbesim me shpresë që qeveria jonë dhe shoqëria në përgjithësi do të vetëdijesohen e t’i kushtojnë më shumë rëndësi jetës së njeriut, sepse ajo nuk është lule që qelë çdo pranverë. Allahu na drejtoftë të gjithëve, e deri javën e ardhshme selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Islami fe e mesatares, kjo është ajo që predikojmë ne


 


Edhe pse jemi këtyre ditëve në kohë fushate elektorale, ne nuk synojmë të bëjmë fushatë ani pse po shpalosim një program tonin universal. Po shpalosim programin dhe bindjet tona pikërisht për shkak se vazhdimisht jemi thumbuar, etiketuar madje edhe akuzuar nga “tolerantët” se gjoja qenkemi ekstrem e radikal.


Qëndrimet tona i kemi bërë publike disa herë, shpesh kemi shpjeguar se interpretimi ynë i islamit është i


bazuar, i argumentuar mirë, burimor, tradicional dhe i mbështetur thellësisht në Kuran dhe Sunet, por ja që, kësaj radhe, me shkas, na duhet t’i bëjmë publike edhe njëherë këto qëndrime.


Me ftesë të forumit rinor, Kandili Ndriçues, shoqatës Alb Tradita si dhe me mbështetjen e Myftinisë së rrethit Shkodër, më 15.09.2013, mora pjesë në një tribunë fetare në Shkodër. Temën që trajtuam ishte “Mesatarja e Islamit”, duke pasur parasysh jo vetëm rrethanat në të cilat gjendemi por edhe atë përbërjen fetare të Shkodrës, që paraqet një mozaik vlerash në vete, u binda se trajtimi i kësaj teme ishte gjëja më e qëlluar. Ishte një temë e përgjithshme, një koncept, një politikë, një vizion, dhe një shpjegim parimesh me të cilat ne si muslimanë mburremi shumë. Materiali u shpërnda në formë të video-incizimit, por, me insistimin e të pranishmëve të cilët u ndanë të mahnitur nga kjo temë vendosa të publikojë, për të dokumentuar qëndrimet e mia, në formë të shkruar.


 


Çfarë nënkuptojmë me mesin, me mesatari?


 


Islami në esencë është fe e mesatares në çdo gjë, të gjitha parimet e islamit bazohen në mesatare duke i ikur ekstremizmit qoftë në teprime e ngurtësi por edhe në lënie mangët e përbuzje. All-llahu i madhërishëm na mësoi e na urdhëroi të jemi të mesëm:


“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur).” (Bekare:143).


Imazhe të mesatarisë në Islam Islami ka ndërtuar të gjitha konceptet mbi bazën e këtij kriteri: mesatarisë. Kështu, kjo mesatare u reflektua tek Pejgamberi i Zotit në çdo gjë, në tërë fenë duke besuar në atë që ka urdhëruar Zoti, duke punuar për botën tjetër, por duke mos e harruar asnjëherë këtë botë.


“Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty mirë, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit” (Kasas: 77).


Mesatare në logjik: ashtu që islami nuk pajtoi me ata të cilët nuk pranojnë gjërat përtej kufijve të mendjes, duke pretenduar se vetëm çka percepton mendja njerëzore mund të pranohet dhe me këtë mohuan botën e fshehtë, të padukshme. Ashtu siç nuk pajtoi me ata të cilët mohojnë rolin e mendjes njerëzore, në kuptimin e realitetit, në zbërthimin e analizimin e fakteve, dëshmive etj.


Mesatare në adhurim: ashtu që islami nuk lejon t’i përkushtohet tërë koha adhurimit, si p.sh. islami nuk lejon muslimani gjatë gjithë kohës të rrijë vetëm në xhami, apo të agjërojë për çdo ditë, apo ta japë tërë pasurinë e tij si lëmoshë etj. por urdhëron mesataren, të gjitha nga pak dhe me masë.


Mesatare në etikë: ashtu që nuk pajton me ata që konsideruan njeriun si melaqe-engjëll që nuk bënë të gabojë dhe nuk bënë të jepet pas çështjeve të dynjas, por vetëm pas shpirtit. Ashtu siç nuk pajton me ata që anashkalojnë çështjen shpirtërore duke e ulur vetën në shkallë të shtazës duke u dhënë pas shfryrjes së epsheve në çdo formë a mënyrë, pa limit dhe pa kufizime e rregulla.


Mesatare në shijimin e të mirave të dynjas, siç na ka thënë Allahu: “Hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë ” (El A’raf: 31).


Këta ishim vetëm disa shembuj, ndryshe, mesataria është motor që vë në qarkullim Islamin. Islami vetëm me të rreh siç duhet.  Ndjekja e meshtarisë si rrugë shpëtimi:


Kjo mesatare të cilën Allahu ia zbriti Muhamedit alejhi selam dhe e urdhëroi atë dhe pasuesit e tij që


t’i përmbahen asaj: “Dhe ja kjo është rruga ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij” (El-Enam: 153). Mos e lëshoni këtë rrugë, këtë mesatare, sepse lëshimi i saj do të thotë kalim në ekstrem qoftë majtist apo djathtist, pra cungim-mangësi ose teprim në gjëra e dispozita. Lëshimi i kësaj mesatareje do të thotë devijim rruga e vërtetë. Zaten po mos të ishte kjo fe mesatare kurrë nuk do të kishte këtë jetëgjatësi. Falë kësaj mesatareje kjo fe arriti t’i përshtatet çdo vendi dhe çdo kohe, që nga koha kur filloi shpallja hyjnore në shkretëtirat e Arabisë, fillimisht te një shoqëri e cila nuk njihte tjetër pos shkretëtirës dhe devesë, e deri më sot kur njerëzit kanë arritur të shkojnë në hënë e ndoshta edhe në planete tjera. Islamit asnjëherë nuk i humbi vlera e as që iu pakësua, atë asnjëherë nuk munden ta mposhtin ideologjitë, kulturat e ndryshme të cilat lindën gjatë historisë njerëzore. Madje, edhe përkundër keqinformimeve e propagandave, njerëzit më së shumti të lumtur ndihen në islam, ndaj edhe kanë më së shumti nevojë për të. Kështu gjejmë njerëz nga më të ngriturit intelektualisht nga të gjitha anët e botës që përqafojnë këtë fe, për çdo ditë, duke ndjerë kështu vetën më të lumtur e më të qetë sesa kurrë më parë.


Kjo sa i përket bazave të fesë dhe rregullave të saj, sepse feja në tërësi është rrugë e mesme, zaten punët ma të mira dhe më afatgjate janë ato që kryhen në mënyrë konstante me një interpretim mesatarë.


 


Mesataria në kontekstin tonë


 


Se këndejmi, nëse kthehemi në vendin tonë respektivisht te shoqëria shqiptare dhe i hedhim një shikim të


shkurtër së kaluarës sonë gjejmë se kjo shoqëri ka pasur ngritje dhe rënie. Kam  parasysh fillimin e përhapjes së islamit kur këta njerëz me pranimin e islamit ndoqën tamam rrugën e Allahut dhe ishin të përkushtuar si duhet, ndaj edhe ishin të suksesshëm. Më pas, në veçanti me dobësimin e perandorisë osmane dhe fillimin e depërtimit të rrymave tjera, muslimanët shqiptarë filluan të dobësohen deri kur u paraqit komunizmi dhe muslimanët pësuan rënie drastike.


Periudha komuniste në pamundësi ta shlyej Islamin si tërësi dhe ta shpartalloi nga zemrat e njerëzve, arriti që ta dobësoi atë deri në atë masë saqë krijoi një shoqëri e cila ani pse me identitet mbeti muslimane, në realitet pak mbeti nga Islami i tyre për të mos thënë asgjë. Kjo gjendje, në fakt, është një ekstremitet apo ekstremizëm në vete e që mjerisht vazhdon të jetë edhe sot tek një numër i konsiderueshëm i shoqërisë sonë shqiptare. Pas rënies së komunizmit, dhe pas luftës sonë çlirimtare në Kosovë, njerëzit filluan t’i kthehen fesë me të madhe, por nganjëherë pak me eufori. Me qenë se jetojmë në kohë globalizmi, nuk mund të përjashtohen edhe ndikimet nga jashtë si rezultat i të cilave ndikime një pjesë e paktë e komunitetit kaloi mesataren dhe, me ose pa dashje në disa aspekte, doli në ekstrem. Ndaj ne sot jetojmë mes dy rrymave, ani pse ekstremizmi për t’i lënë gjërat mangët është shumë i më i theksuar sesa për t’i tejkaluar ato.  Apo, ekstremizmi minimal është shumë më i theksuar sesa ai maksimal.


 


Në çka thërrasim ne sot:


 


Duke e njohur natyrën e fesë, duke e kuptuar mesataren e kësaj feje dhe se ajo është e vetmja rrugë që duhet ndjekur, mundohemi në maksimum që mesatares t’i qëndrojmë besnik. Andaj kurrë nuk e kemi shtrënguar fenë, por as nuk e kemi liruar jashtë kësaj mesatare. Vazhdimisht kemi thirrur në kthimin në bazë, kryerjen e


obligimeve-farzeve të fesë, si namazin, agjërimin etj. pastaj largimin nga ndalesat-haramet, si alkooli, amoraliteti, vjedhja etj, dhe kjo është mesatare, sepse lëshimi pe nën këtë nivel nënkupton ekstremitet kundër fesë ndërsa shtrëngimi i tepërt nënkupton ekstremitet ndaj njerëzve. Ja kështu pra disa njerëz në emër të civilizimit bashkëkohor, demokracisë, globalizmit e plotë e përplot ideologjive tjera, duke mos e njohur natyrën dhe esencën e kësaj feje dhe qëndrimet e saja mesatare na akuzojnë për ekstremizëm, duke mos vërejtur kështu se në fakt ata po tregohen ekstrem ndaj nesh. Ne jemi, në fakt, ata që e luftojmë çdo lloj ekstremizmi jo për shkak të ideologjive të përkohshme me të cilat jetojmë por për shkak se ekstremizmi atakon drejtpërsëdrejti natyrshmërinë dhe esencën sublime të fesë sonë të ndritur.


Deri në javën e ardhshme, Es selamu alejkum 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Përkëdhelje e sllavo-maqedonasve dhe pozita e dobët  e shqiptarëve


 


Kriza e ashtuquajtur Maqedoni-Kosovë vazhdon ta trazojë Ballkanin. Ajo që po ndodhë ditëve të fundit nga Sllavo-Maqedonasit duket si një vazhdimësi e presionit, maltretimit e keqtrajtimit të vazhdueshëm që qeveritë e ndryshme maqedonase janë mësuar tu bëjnë shqiptarëve, si gjatë periudhës titiste-komuniste po ashtu edhe më vonë.


Vuajtjet dhe persekutimet e shqiptarëve në Maqedoni pothuajse nuk u ndalen kurrë, ato herë-herë ndryshuan formën apo mënyrën por nuk u ndërprenë asnjëherë. Vëllezërit tanë shqiptarë, të shkëputur nga vendi amë, që patën fatin e hidhur të mbesin në Maqedoni, të projektuar nga Tito-ja e të miratuar nga Evropa, nuk ishin më pak të shtypur sesa vëllezërit e tyre në Kosovë. Armiku ishte tjetër por shtypjet e njëjta. Nga dhuna e tepruar vëllezërit tanë atje u detyruan t’i rrokin pushkët dhe t’ia mësynë maleve, luftë kjo që rezultoi marrëveshjen famëkeqe të Ohrit e cila u solli shumë pak të mira shqiptarëve në Maqedoni. Ato të ‘mira’ të premtuara e të nënshkruara nga vet udhëheqësit maqedonas, në të shumtën e rasteve, pothuajse nuk panë dritën e realizimit. Shqiptarët atje akoma trajtohen si shtresë e dytë, ata rrahën e shahen e besa edhe burgosen e vriten nga nacionalistët maqedonas sipas tekeve e dëshirave.


Qeveria atje vazhdon t’i nënvlerësojë shqiptarët duke i avancuar vetëm maqedonasit në çdo drejtim. Kjo qeveri nuk nguron që shqiptarët t’i diskriminojë edhe mbi baza fetare.


Dihet mirë roli i Kishës Ortodokse Maqedonase dhe qeverisë aktuale pro- ortodokse, në ndërtimin e Shkupit të ri, me plotë elemente ortodokse, pa asnjë element shqiptar e as islam. Ata në vazhdimësi i kanë provokuar muslimanët atje duke u ndërtuar kisha në zemër të myslimanëve, ndërsa në anën tjetër duke penguar dhe vështirësuar ndërtimin e xhamive.


Nacionalistët sllavo-maqedonas në pamundësi të përballën me grekët e bullgarët, nga të cilët dridhen, i tregojnë muskujt e tyre ndaj fqinjëve shqiptarë. Ata sikur e dinë mirë se vetëm me ne shqiptarët mund të luajnë, ngase ne gjithmonë i kemi përkëdhelur dhe vazhdojmë t’i përkëdhelim, zaten ne gjithmonë dimë t’i përkëdhelim vetëm të huajt, ndërsa mes veti bëhemi copë e copë.


Ata kur të donë e mbyllin kufirin, e lejojnë të hyjë kë donë dhe e refuzojnë kë donë. Vendosin kushte e rregulla për kalimtarë e makina si të donë. Ata vazhdojnë t’i maltretojnë kosovarët pa më të vocklin problem, pavarësisht se nuk janë shtetas të tyre. Maqedonasit mbajnë qytetarët tanë në kufi me orë të tëra duke i marrë në pyetje së koti, meqë janë të sigurt se qeveria jonë nuk do t’u dal në ndihmë qytetarëve të vet. E kur jemi tek çështja e kufirit, nuk mund të mos kujtojmë Bllacën dhe vuajtjet e mëdha që i përjetoi populli ynë, pleq, gra e fëmijë nga qeveria e policia maqedonase. Ngjarje ato të cilat nuk harrohen dhe nuk bënë të harrohen, ngase janë pjesë e vuajtjeve dhe sakrificës sonë për liri e pavarësi.


Qeveria maqedonase është e vetëdijshme se shqiptarët, sikur shpeshherë më parë, edhe në këtë rast do të lëshojnë pe ndaj as që është e interesuar të dëgjojë për përshkallëzimin e situatës në kufi. Kjo për faktin se i njohin politikanët shqiptarë mirë. Nuk dua të paragjykoj se cila palë ka faj kësaj radhe, por është e vërtetë e pamohueshme se ne shqiptarët në përgjithësi jemi treguar shumë të butë, tolerant, të mëshirshëm madje edhe të dobët ndaj sllavëve në përgjithësi, përfshirë edhe maqedonasit që nuk njihen për ndonjë fuqi politike, ushtarake apo diplomatike. Faj të madh pa dyshim kanë edhe politikanët shqiptar atje si aleat të pushtetit aktual, të cilët e dinë fortë mirë realitetin, e dinë se çfarë marrëzirash bëjnë maqedonasit ndaj bashkëkombësve të tyre shqiptarë dhe prapë nuk ndërmarrin asgjë. Zaten asgjë nuk kanë në dorë dhe nuk janë në gjendje, siç thotë populli, ‘ta trembin as macen nga përsheshi’.


Jam i bindur se kjo situatë do të tejkalohet dhe atë shumë shpejt, por nuk do të tejkalohen lehtë mosmarrëveshjet mes shqiptarëve e maqedonasve, përderisa mentaliteti i këtyre të fundit nuk ndryshon. E si duket kjo nuk do të ndodhë derisa ne të vetëdijesohemi e t’i vendosim interesat shtetërore e kombëtare mbi çdo interes tjetër edhe nëse kjo na kushton me jetë.


Dhashtë Zoti që qeveritarët tanë të vetëdijesohen më shumë dhe të ndërmarrin çdo hap për të mbrojtur interesat e popullit e të shtetit. Allahu na ruajt nga sherri i sllavëve, nga sherri i të cilëve kemi vuajtur shumë dhe gjatë. Amiin, e deri javën tjetër Eselamu- alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …