RKL: Kryetarja, Jahjaga kërkon kthimin e besimit të dikurshëm mes serbëve e shqiptarëve(!)

Në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës, kryetarja e  Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se “është me rëndësi që serbët të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e ardhshme lokale, me qëllim për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë. Ajo shtoi se Ligji për amnistinë është miratuar dhe kjo u mundëson  edhe më shumë qytetarëve serbë të angazhohen në procesin zgjedhor. “Fjala është për kthim të besimit dhe një lloj të pajtimit politik, ka thënë zonja Jahjaga, pa treguar se në cilën kohë ka pasur  besim dhe barazi mes shqiptarëve dhe serbëve.  Ajo u bëri thirrje qytetarëve serbë, të cilët kishin ikur nga Kosova që të kthehen, sepse Kosova, sipas saj  është “shtet civil, që nuk bazohet në dallimet kombëtare dhe fetare dhe çështja e pronës dhe e kthimit është e drejtë e patjetërsueshme e çdo individi. Jahjaga mendon se brezi i ri është “urë e bashkëpunimit” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se  “të rinjtë nuk duhet të bëhen peng të së kaluarës sonë të dhimbshme”.

Sipas fjalëve të saj, për më shumë se 100 vjet në këtë pjesë të Evropës ishte politika hegjemoniste, (mbase është fjala për hegjemoninë serbe, meqë ajo nuk e ka specifikuar për hegjemoninë e cilit shtet ka menduar me këtë rast),  e cila rezultoi në histori të dhimbshme të vuajtjes. Hegjemonia kurrë nuk do të kthehet në këtë pjesë të Evropës  tha Jahjaga . Ajo ka hedhur poshtë aspiratat  e shqiptarëve për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke shtuar se ndryshimi i kufijve në baza etnike dhe fetare ka sjellë vuajtje në të gjithë rajonin. Prandaj idetë e ndryshimit të kufijve janë të papranueshme ka thënë mes tjerash, kryetarja, Jahjaga.

 

Konstatimet e kryetares Jahjaga, në intervistën e saj për TV-Vojvodinën  janë të paqëndrueshme historikisht por edhe politikisht. Duke mbajtur pozicion tejet të rezervuar në raportet e tanishme Kosovë-Serbi, zonja Jahjaga ka përfaqësuar dhe po përfaqëson një qëndrim jo vetëm të moderuar, por qëndrim tejet voluntar për rregullimin me çdo kusht të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke bërë edhe më shumë lëshime, sesa po bën delegacioni i Kosovë në bisedime me Beogradin zyrtar. Jahjaga ishte e para kryetare e Kosovës, e cila pa asnjë rezervë, pa asnjë kusht paraprak pranoi të takohet, të bisedojë  dhe të fotografohet me kryetarin e Serbisë, Nikoliq. Ai  nuk e anashkaloi në takim si një përfaqësuese  të Kosovës, por kurrë nuk e pranoi, as e pranon si kryetare të saj. Duke marrë para sysh profesionin e saj,  mungesën e shprehur të dijes historike politike e diplomatike,  të cilën ajo e “harrnon”  nga këshilltarët e shumtë të  stafit të saj,  me prejardhje nga ish-nomenklatura  komuniste-titiste e Krahinës Autorome të Kosovë-Metohisë, kryetarja Jahjaga ka bërë dhe bën gabime kapitale në intervista dhe në paraqitje publike, në mungesë të fjalimit të shkruar nga këshilltarët.

Jahjaga u bën thirrje të gjithë serbëve të kthehen në Kosovë, duke i siguruar ata se nuk do t’ iu ndodh asnjë e keqe edhe nëse kanë vrarë e kanë masakruar  shqiptarë para dhe gjatë luftës, sepse, “Ligji për amnistinë qenka miratuar dhe kjo u mundëson  edhe më shumë qytetarëve serbë të angazhohen në procesin zgjedhor”. Këtë thirrje ajo e bazon në rikthimin e besimit dhe pajtimit politik mes shqiptarëve dhe serbëve.

Paragjykimi naiv i rikthimit të besimit është pjesë e fjalorit të këshilltarëve të saj, që kanë qenë kuadro të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila në parim dhe në letra propagandonte barazinë e shqiptarëve me serbë e me popujt e tjerë sllavë, të atyre shqiptarëve,  të cilët e kishin pranuar Jugosllavinë si shtet të tyre dhe e mohonin kategorikisht mundësinë e bashkimit me Shqipërinë, madje ishin shprehur fuqimisht dhe tërë pezëm   edhe kundër krijimit të Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë.

 

Këshilltarët e Jahjagës, predikojnë rikthimin e asaj kohe, kur flasin për rikthimin e besimit. Politikisht dhe realisht mund të flitet për ndërtimin për herë të parë të besimit mes shqiptarëve dhe serbëve, por jo rikthimin e besimit, sepse besim  të tillë nuk ka pasur kurrë. Natyrisht se kryetarja rikthimin e besimit e nënkupton me kohën e regjimit të Titos e të Rankoviqit, kur shqiptarët me gjakun e tyre fituan disa të drejta, të cilat serbët ua morën sa herë që deshën dhe jo vetëm njëherë  i kthyen në robër e qytetarë të rendit të dytë. Kryetarja, sa do që e  re në moshë  edhe mund të ketë ndonjë nostalgji, sepse ka kryer shkollën në gjuhën shqipe, ku në çdo klasë ishte e vendosur fotografia e “Shokut Tito”, por ajo si duket ka harruar se për ta mbajtur gjallë  atë nivel të të drejtave elementare njerëzore e arsimore, prej vitit 1912 e deri në vitin 1999  burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë kanë qenë të mbushura përplot me shqiptarë liridashës.

Jahjaga, një nxënëse  tejet e dobët e historisë, si duket nuk e di se shqiptarët e serbët kanë 13 shekuj armiqësi dhe nuk kanë madje as një ditë të vetme miqësi mbi parimin e reciprocitetit, të barazisë, të shprehur sipas devizës shqiptare” miku-mik por secili zot në shtëpinë e vet”. Një miqësi e tillë kurrë nuk ka ekzistuar mes shqiptarëve dhe serbëve, një miqësi të tillë nuk e kanë lidhur, as e lidhin  dot Hashim Thaçi me Ivica Daçiqin, as Atifete Jahjaga me Nikoliqin, nuk e kishte lidhur as Fadil Hoxha me Titon dhe as Azem Vllasi me Milosheviqin.  Miqësia e tillë ka ndodhur individualisht mes shqiptarëve dhe serbëve. Miqësi e lidhje të tilla shqiptarët e serbët kanë pasur para luftë, gjatë luftës, madje kanë edhe aktualisht. Por këtu kemi të bëjmë me miqësinë apo interesat miqësore mes individëve pjesëtarë të dy kombeve dhe jo rikthim të besimit  mbi parimin e njohjes reciproke, sepse asnjë regjim serb i deritanishëm, asnjë parti sado e vogël dhe e parëndësishme serbe, nuk e ka pranuar as e pranon pavarësinë e Kosovës. Këtë të paktën e dinë këshilltarët e Atifete Jahjagës, të cilët kërkojnë rikthimin e besimit mes serbëve dhe shqiptarëve. Është krejt e natyrshme që ata besojnë se në kohën e tyre ka pasur mirëbesim, sepse kanë qenë pjesë e atij mirëbesimi, por ata e dinë se cila ka qenë pozita e tyre e mjerë në farkimin e atij besimi. Ata e dinë se për të lidhur një besim të tillë, është dashur të denoncosh dhe të dëshmosh në gjyq kundër Adem Demaçit dhe armatës së tërë të shqiptarëve liridashës, që kërkonin besim të mirëfilltë, mbi baza të reciprocitetit, barazisë, lirisë, drejtësisë e  vetëvendosjes.

Këshilltarët e Jahjagës i dinë mirë këto ‘muhabete” por ata kanë mbetur robër të kohës së bashkim vëllazërimit, por edhe pretendimet e tyre për ta rikthyer atë lloj mirëbesimi, nuk i përfillë Serbia zyrtare, por as ajo popullore.

Vetëm serbët e Kosovës janë ata që kërkojnë rikthimin e besimit sikur e kanë pasur dikur, në kohën ne Titos dhe të Milosheviqit. Kudo në intervistat e tyre për RTK-në e pavarur, apo për mediumet e tjera  ata thirren në rikthimin e besimit, në rikthimin e kohës së artë, kur pakica me 10 për qind serbë ka sunduar shumicën shqiptare me 90 për qind duke ia besuar pak pushtet  vasal një klase shqiptarësh pro serbë e pro-sllavë.

 

Në intervistën e saj, zonja Jahjaga shkon edhe më larg, sharron edhe më keq. Ajo thotë se kurrë nuk do të kthehet hegjemonia, mbase duke nënkuptuar hegjemoninë serbe, por pa e përmendur atë për hir kurtuazie. Ajo hegjemoni, sipas saj paska rezultuar në histori të dhembjes dhe të vuajtjes, duke lënë të kuptohet se në mbretërimin e asaj hegjemonie paskan vuajtur të gjithë, serbët edhe shqiptarët. Dhe, nuk ka sikur interpretohet ndryshe, derisa zonja Atifete nuk e thotë troç se nga hegjemonia serbe nuk kanë vuajtur serbët, por kanë vuajtur, janë vrarë e masakruar  shqiptarët, kroatët, boshnjakët myslimanë, hungarezët, dojçerët e Vojvodinës, sanxhaklinjtë, vllehët e Timokut, italianët e Trieshtës, dikur edhe bullgarët. Jahjaga nuk e kupton mbase edhe nuk e di se kthimi i Serbisë në Kosovë, me marrëveshjen e 19 prillit, është pikërisht fillim i zgjerimit të po asaj hegjemonie për të cilën ajo flet, mbase edhe pa e kuptuar mirë se si përkufizohet hegjemonia.

 

Gabim pas gabimi, zonja Jahjaga përmbyll intervistën e saj me gabimin e pafalshëm duke i siguruar serbët se kurrë nuk do të krijohet Shqipëria e Madhe, sepse ndryshimi i kufijve në baza etnike dhe fetare paska sjellë vuajtje në të gjithë rajonin. Prandaj idetë e ndryshimit të kufijve, sipas saj  janë të papranueshme. Që kufijtë janë ndryshuar me dhunë dhe mbi kurriz të disa popujve të Ballkanit, këtë e di kryetarja Jahjaga, por që ky ndryshim të iu ketë sjellë fatkeqësi të gjithëve, kjo nuk është e vërtetë dhe nuk mund të faktohet me asnjë argument. Ndryshimi i kufijve në Ballkan u ka sjellë mjerim shqiptarëve, hungarezëve, vllehve, myslimanëve boshnjakë,  por jo serbëve, grekëve e bullgarëve, të cilët kanë grabitur dhe kanë legjitimuar me bekimin e Evropës,  tokat e shqiptarëve, të hungarezëve, të myslimanëve boshnjakë  dhe të vllahëve, sidomos në një pjesë të Serbisë. Kur flitet për hegjemoninë, duhet të specifikohet se për cilën hegjemoni është fjala. Bota e di mirëfilli se i vetmi shtet xhandar dhe hegjemon i Ballkanit ka qenë dhe po mbetet Serbia. Ajo, kudo ku ka serbë, qofshin ata kolonë e hershëm apo të sotëm ka ngirtur nga një ngrehinë me elemente shtetërore, si në Bosnje, në Vojvodinë, e tash edhe në Kosovë, me  marrjen nën kontroll të veriut të Kosovës dhe shtrirjen horizontale në të gjitha enklavat serbe të vendit tonë. Kjo është politika tipike e hegjemonisë shtetërore serbe. Këshilltarët e zonjës Jahjaga, kanë për detyrë që për hir të realitetit dhe opinionit t’ i tregojnë zonjës kryetare,  se shteti i parë vasal serb i shekullit 19-të, i Pashallëkut të Beogradit, kishte vetëm pak më shumë se 20 mijë kilometra katrorë aq sa ka sot Vojvodina, ndërsa me luftërat pushtuese Serbia (ish Jugosllavia) u zgjerua 10 fish, në 270 mijë km.2. Mbase këto shifra e fakte nga historia nuk i bëjnë fare përshtypje zonjës kryetare, sepse edhe po t’ i dinte nuk do të kishte guxim t i përmendte, madje as në biseda jo zyrtare  me këshilltarët e saj, e lërë më në intervista për një medium serb.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …