(Arif Bozaxhi, “Flutura në grila”, përmbledhje me poezi frëngjisht-shqip , Prishtinë 2006)
“Flutura në grila”, është një përmbledhje me poezi e autorit kosovar Arif Bozaxhi, njëherit edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, përplot figura stilistike dhe metafora, krahasime, nëpërmjet të cilave poeti shpërfaq botën e tij imagjinative, përballë fenomeneve, realitetit dhe mjedisit ku jeton. Me një gjuhë të pastër, stil të veçantë dhe varg karakteristik, autori me sukses thur vargun e tij, duke i dhënë kuptim secilit tregim, që e preokupon. Por, për dallim prej poetëve tjerë, për ta thënë dhe përmbyllur mendimin dhe preokupimin e tij, Bozaxhiut herë-herë i mjafton një strofë për të thënë shumë. Këtë thënie më së miri e ilustron strofa e titulluar “Fëmijët”, që i paraprinë përmbledhjes, nëpërmjet te të cilës autori, pos që shpreh dashurinë e tij për fëmijët, ai në të njëjtën kohë prezanton edhe dashurinë dhe kujdesin e fëmijëve, që kanë për pëllumbat, të cilët nuk kanë dëshirë t’ua shqetësojë askush, madje as aeroplanët që fluturojnë nëpër qiellin e kaltër, ndaj, që të mos tremben pëllumbat e shtëpisë, fëmijët hipin sipër kulmit dhe me dy gishtërinjtë e tyre të brishtë, përpiqen t’i ndalojnë aeroplanët të mos ua prishin qetësinë pëllumbave të tyre. Ndërsa buzëqeshjen e fëmijës te poezia “Buzëqeshja e fëmijës”, autori e krahason me një “peizazh dashurie”, që ka një “shpirt horizonti”.
Autorin lë përshtypjen se e kanë shqetësuar shumë masat represive të pushtetit të ndërmarra në Kosovë, pas viteve të ’90, ndaj në mënyrë simbolike përshkruan një realitet me të cilin u përball popullata në Kosovë, në radhë të parë fëmijët. Në poezinë e shkruar në maj të vitit 1991 me titull” Kukullat nën pranga” autori shkruan se si fëmijëve u mbyllen çerdhet , apo siç thotë vetë ”ua përzunë fëmijërinë nga ëndrrat,…” madje ata zunë edhe t’i vrasin në rrugë “dy pika gjaku në asfalt”, nga ata që “sytë i kanë të mbushur me fishekë”, fjalën e ka për vrasësit e pushtetit serb. Një vit ma vonë, autori do të përshkruan realitetin ku fushata represive kundër intelektualëve kishte marrë përmasa, dhe këtë e thotë te poezia “Korbi”, ku siç thotë edhe vet, edhe nëpërmjet telefonit ia “përgjonin vetminë”, kurse Korbi, që në këtë rast personifikon keqbërësin, ia hap dosjen për t’ia shënuar edhe ëndrrën e fundit, si në kohën e Mesjetës. Me një fjalë poeti , më 1992, pushteti e kohës e krahason me atë të Mesjetës. Këtë realitet e përshkruan mirë të poezia “Nata”, shkruar në Frankfurt, në mars të vitit 1995, në valën e represionit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Në këtë rast, autori, personazhin e saj Natën e krahason me një ujkonjë të verbër (këtu nënkupton pushtetin serb), policët e të cilës ,” … kërkojnë plumbat e humbur në trup të shqiptarëve”, që dëshmon për vrasjet e asaj kohe që bëheshin mbi shqiptarët.
Poeti preokupohet edhe me fenomenet natyrore. Te “ Ëndrra e shiut” autori në mënyrë figurative shpjegon se fara e hedhur nga bujku në arë, në një periudhë thatësire, priste shiun i cili pasi pikoi në tokë, ndikoi që ajo të mbetej „shtatzënë“, me një fjalë nisi procesin e mbirjes.
Ndërkaq, nëpërmjet dy vargjeve, te poezisë „Dashuria“, Bozaxhiu dashurinë e krahason me një „Këmishë të ndezur, me një zjarr të padukshëm“, një krahasim i bërë në stilin e poetëve të mëdhenj. Kjo nënkupton se Bozaxhi, sikur edhe shumë poetë tjerë nuk i ikën fushës së dashurisë. Kjo dëshmohet edhe në rastin kur bën një krahasim ndërmjet detit dhe gruas, nëpërmjet hiperbolës. Te poezia “Deti dhe gruaja”, duke u arsyetuar se këtë sekret e ka vjelë nga Napoleoni (Napoleon Banaparta, prijës dhe luftëtar i njohur francez) , thotë: “Deti për ta shuar etjen e tij, për një pikë uji del nga shtrati, kurse “Gruaja për ta shuar epshin, …gjithë dashurinë det në shtrat e derdh”, madje duke mos përfillur as perënditë. Se sipas poetit gruaja ka fuqi magjike, dëshmon poezia “Syri yt”, në të ciklën thotë: “Syri yt, oqean ku digjem unë”. Pra, fuqinë e saj, të padukshmen, e krahason me atë të oqeanin.
Bozaxhiun e shohim tek preokupohet edhe me fenomenin e shpërnguljes. Ai, nuk lëshohet në analizimin e shkaqeve të tij, por, mërgimin e krahason me një termet, që siç thotë: “Mi shkuli zogjtë dhe hijen e trupit”. Me një fjalë, edhe pse nuk e deklaron publikisht, autori, në mënyrë simbolike dëshmon se është shumë i lidhur për truallin ku lindi, kurse mërgimin e sheh si një plagë, me pasoja. Meqë, një periudhë kohore edhe vet ka jetuar në mërgim, te poezia “Syrgjyni”, jetën më mërgim e përshkruan më të rëndë se vdekjen në atdhe.
Një preokupim i tij, që përkon me dashurinë për vendlindjen, për të qenë i lirë, e hasim edhe te poezia “Një qiell pa zingjir”, botuar në vitin 1996, në periudhën e një represioni të madh të pushtetit serb mbi Kosovën. Siç thotë edhe vet, “kur bërtita: Dua një qiell pa zingjir”, po atë ditë 52 policë serbë hynë në shtëpi, duke i kërkuar armët e Nazim Hikmetit (një poet disident turk, i përndjekur, i burgosur për shkak të orientimit të tij komunist), por në vend të armëve thotë: “Hasen në dhoma përplot me flutura”, sigurisht se fjalën e ka për fëmijët. Në këtë rast, përmes kësaj simbolike, Bozaxhi zbulon bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve inteligjente, për të vërtetuar, nëse autori mos rastësisht, ishte ithtar apo mos kishte qenë bashkëpunëtor i Hikmetit, që në kohen kur është shkruar vjersha, ai nuk ishte në mesin e të gjallëve?!
Sikur pjesa dërmuese e krijuesve në shpirt e kanë lirinë pa kufi, për të gjithë njerëzit njësoj pa dallim. Edhe te Bozaxhiu e shohim një frymë të internacionalizmit te poezia “Për një planet pa urrejtje”, ku thotë se me zemër pëllumb, tremb pluhurin e urrejtjes nga kishëxhamitë e planetit”. Ai në këtë rast na paraqitet si një njeri i paqes , si pëllumb (e pëllumbi është simbol paqeje), që zbulon fillet e urrejtjeve shekullore të njerëzimit , që sipas tij gjenden te kishëxhamitë anekënd planetit .
Bozaxhi, në vitin 1997, për herë të parë ka shkruar një poezi në gjuhën shqipe te titulluar “Plisi”. E veçanta e kësaj poezie qëndron në realitetin që prezanton autori, duke e krahasuar Plisin, si një lis që me shekuj qëndron në malet e kohës”, që nënkupton shqiptarët dhe lashtësinë e tij. Veç kësaj, Plisin autori e krahason edhe me Abetaren dhe Dritaren në ballin e Ilirit, djaloshit shqiptar, që mban emrin e lashtë Ilir.
Përmbledhja “Flutura në grila, botuar, më 2006 i ka 180 faqe, 5 cikle me poezi, të përkthyera edhe në gjuhën frënge.