Tanimë zgjedhjet vendore u mbajtën në Kosovë, mbasi shumë muaj më parë, qenë paralajmëruar. U trumbetua me shumë bujë, se zgjedhjet lokale do të mbahen me 3 nëntor 2013. Menjëherë pas këtij përcaktimi, filluan paralajmërimet e negociatave me serbët për zgjedhjet, edhe pse bisedime me ta ka pasur, gjithnjë në kuptimin e shprehjes: “Qëllo e bjeri vetës.”
Zhurma propagandistike për zgjedhjet e 3 nëntorit ishte aq e bujshme sa mendjet e varfra kuptonin, se nuk ishte fjala vetëm për zgjedhjet, por edhe për gjoja“floririn që do të vishej Kosova me të”. Flisnin ndërkombëtarët, flisnin edhe vendësit, flisnin sikur këto zgjedhje do të ishin burimi i përparimit e zhvillimit të Kosovës. Por, pikërisht para këtyre zgjedhjeve në Kosovë do të duhej të ishin radhitur vepra madhore të zhvillimit dhe mirëqenies shoqërore, të një ekonomie që ecën me hapa të sigurt në drejtime, që i ka dhe mund t`i shfrytëzojë, vendi ynë në mënyrë të mrekullueshme.
Por zhvillimit, përparimit dhe mirëqenies së popullit ia ka zënë frymën babëzia, sëmundja, deliri e injoranca e liderëve apo drejtueseve të shumicës së partive politike dhe institucioneve, njerëzve të cilët nuk duan ta dinë kufirin, se deri ku mund të quhet mirëqenie pasuria e tyre dhe kur pastaj quhet korruptim, shëmti e zezonë. Janë pikërisht këta njerëz, të cilët nuk shohin e as që duan të shohin popullin e tyre, nuk ndjejnë dhe as që duan të ndjejnë dhembje për gjendjen e mjerë të vendit të tyre dhe të popullit të tyre.
Pse e quajmë Kosovën tonë të mjerë?
Nuk do të doja të futesha në probleme të largëta, por së pari duhet thënë se Kosova është pjesë e Shqipërisë së tërësishme, por ka një zë të mekur, nga plagët që ia kanë shkaktuar pushtimet e së kaluarës dhe nga plagët që po i thellohen gjithnjë me shumë si nga disa segmente të caktuara ndërkombëtare të UNMK-ut, EULEX-it, BE- ës, Serbisë e po ashtu edhe nga ata udhëheqës përbërjesh politike e institucionale të vetë Kosovës, që nuk kanë të ngopur me pasurinë dhe me rehatinë e të qenit të parë, për të cilat janë në gjendje t`i sakrifikojnë jo vetëm idealet më të shenjta shqiptare, por edhe të ndjellin zezonat kundër vetë këtij shteti të brishtë të Kosovës.
Është zë i mekur edhe për faktin se idealet për jetësimin e Shqipërisë së natyrshme nuk janë shtruar për t`u jetësuar me këmbëngulje, prandaj dihet se Kosova as edhe një hap të vetëm, të mbarë, nuk mund ta hedhë pa orientimin drejt ribashkimit të Shqipërisë së tërësishme. Fatkeqësisht, ka ndodhur e kundërta, gjendja rrëshqiti në terrenin e mjerimit, kaosit dhe lakmisë së fqinjëve serbo, malazezë e maqedonas për t`i zhvatur pasuritë e tokat tona, aq sa do të kenë mundësi , duke i mbajtur shqiptarët në tensionin politik e shoqëror.
Ato që skandalizojnë dhe që nuk kapërdihen fare, janë pikërisht këto bisedime me serbët, prej të cilave jo vetëm kanë fituar serbët, por janë bërë edhe shkeljet më të shëmtuara në kurriz të Kosovës. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për veriun e Mitrovicës, por edhe për enklavat serbe në Kosovë, të cilat janë bomba të kurdisura për të mos lënë asnjëherë të qetë Kosovën, për ta tronditur e për ta sfilitur atë. Mbi të gjitha këto bisedime dhe këto avantazhe, këto ndërhyrje dhe këto vendime në favor të Serbisë dhe serbëve janë e do të jenë pengesa kryesore në rrugët e frymëmarrjes shqiptare, duke e penguar aq sa do të kenë mundësi: jetësimin e ribashkimit të Shqipërisë së tërësishme.
Të bisedohet me kriminelët serbë, me përfaqësuesit e shtetit serbë për Kosovën, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në favorin e pavarësisë së Kosovës, të mos afishohen simbolet e shtetit të Kosovës në kufi me Serbinë, (edhe pse ne nuk pajtohemi me këto simbole, sepse i kemi shumë të pastra e të dashura simbolet shqiptare), të kenë të drejta marramendëse serbët në Kosovë, të lihen kriminelët e lirë, madje, për më tepër, të bëhen edhe policë e kryepolicë të Kosovës në rajone të caktuara, të bëhen kryetarë partish politike, ca të tjerë parlamentarë të shtetit të Kosovës, pa u distancuar nga krimet serbe, pa e pranuar shtetin e Kosovës etj., të sulmohen dhe të vriten policët shqiptarë, të vijnë nga Serbia mallra ushqimore të mykura e me baktere e me pasoja të vazhdueshme shëndetësore e sterile, madje edhe me pasoja të pashërueshme, të shfaqet një urrejtje antinjerëzore kundër shqiptarëve nga serbët, të pranohen propozime nga shteti serb, se ç`duhet të bëjë shteti i Kosovës, të vijnë udhëheqës serbë në Kosovë për të trumbetuar ëndrrën serbe, se gjoja Kosova është Serbi, e shumë e shumë të tjera shëmti ndodhin vetëm në Kosovë dhe kjo si pasojë e pajtimit të të gjitha partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.
Dikush mund të thotë, se ne jemi të pafuqishëm, udhëheqësve tanë po ju imponohet kjo, shteti i Kosovës është i brishtë etj etj., dhe se duhet të pajtohemi me këto mynxyra që po i bekon edhe Brukseli, madje edhe po ndërhynë me ndërmjetësen Ketrin Eshton dhe pastaj po realizohen vendimet në favorin e Serbisë.
Natyrisht kjo kështu është, përderisa ne kemi udhëheqës shtetërorë e partiakë, drejtues institucionesh e sektorësh të ndryshëm të administratës, apo liderë siç po quhen sot në zhargonin politik, që mbi çdo gjë i shohin interesat personale, grupore, partiake, që kanë pasuri të marramendëse, e që duan me çdo kusht t`i ruajnë pozitat e tyre, apo të tjerë që pretendojnë për të qenë të parët, e që të gjithë bashkë, pa e kthyer as njëherë kokën pas, për të shikuar popullin e vendin e tyre se në ç`gjendje e kanë katandisur. Natyrisht kjo kështu është, sepse këta liderë nuk pranojnë të sakrifikohen aspak, nuk përbëjnë hiç fare, para partnerëve ndërkombëtarë dhe nuk kanë vendosmëri për të mbrojtur shqiptarizmin në këto troje. Nuk paraqiten seriozë dhe këmbëngulës për t`ia treguar secilit kufirin, qoftë ky ndërkombëtarë a fqinj, në kuptimin, se kundër vullnetit të popullit dhe qëllimeve për të cilat ranë dëshmorët e heronjtë shqiptarë, nuk mund të veprohet.
Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë, do të kishin përballë udhëheqës të vendosur, të dinjitetshëm në rrugën e lirisë, përparimit e zhvillimit dhe mirëqenies shoqërore e ekonomike, do të kishin përballë njerëz e politikanë që nuk bëjnë kompromis me fatet e vendit, që i mbrojnë qëllimet shqiptare për të cilat sakrifikuan në burgje shumë djem e vajza shqiptare, që ranë shumë dëshmorë e heronj, kurrë nuk do të ndodhnin këto shëmti, kurrë nuk do të ndodhnin këto situata tragjike shqiptare. Por, do të ndodhte ajo që është e natyrshme, do t`i pranonin bisedimet miqësore me ndërkombëtarët e jo imponuese drejt një nënshtrimi të pështirë, të turpshëm.
Përveç problemeve që u shtruan më sipër mund të rendisim mjerimin e masave të varfra popullore, të cilat jetojnë sot për nesër, apo thënë më qartë: sot kanë një kafshatë bukë e nesër nuk dihet a do ta kenë një tjetër.
T`i marrim me radhë:
Kosova është një vend shumë i përshtatshëm për bujqësinë, tokat e saja pjellore të rrafshëta, por edhe kodrinore japin prodhime të mjaftueshme jo vetëm për territorin e saj, por edhe për shumë vise të tjera shqiptare.
Kosova ka kushte të përshtatshme për mbajtjen e blegtorisë dhe bagëtive të trasha, nga të cilat do të ishte e mjaftueshme, të sigurohej qumështi dhe nënproduktet e tij, pastaj mishi, leshi, lëkura etj.
Në Kosovë ka mundësi të hapen vende të reja pune në sektorët e prodhimtarisë zejtare. Ka mundësi të mëdha për krijimin e kushteve të përshtatshme industriale, duke hapur fabrika qofshin edhe të vogla, por pa përjashtim edhe të mëdha, p. sh nga prodhimet bujqësore e blegtorale mund të hapen shumë fabrika, përveç fabrikave të tjera me prodhime të tjera teknike etj
Ka mundësi të mëdha të përmirësohet shëndeti i njerëzve në ambiente të pastra dhe të gjelbëruara.
Ka nevojë të ngutshme që qyteteve t`ju lirohet frymëmarrja nga ndërtimet skandaloze pashije dhe të shëmtuara, ka nevojë të ngutshme të lirohen rrugët ndërmjet shtëpive nga babëzia e egër e disa njerëzve, që kanë dëshirë për të përfituar nga interesi shoqëror, një pëllëmbë tokë për oborrin, apo një metër vend pranë shtëpisë.
Malet tona përveç pasurive nëntokësore mund të shfrytëzohen fare mirë për turizëm qoftë dimëror, qoftë veror.
Mërgata paraqet një rëndësi të madhe, duke ju krijuar shqiptarëve mërgimtarë kushte e rrethana të përshtatshme për investime në atdhe.
Ka shumë e shumë mundësi të mëdha, por duhet përkushtim atdhetar, së pari, nga institucionet dhe administrata shtetërore etj.
Kaosi, tymrat, ambienti, ajri i ndotur është skandali i radhës.
Të gjitha këto e shumë e shumë të tjera mund të trajtohen në vështrime të veçanta, por edhe mund të gjejnë zgjidhje të drejtë.
Dikush mund të thotë, po ja nuk leverdisë të punojmë tokat, sepse po vjen malli nga Serbia e Maqedonia shumë më lirë, qeveria nuk na krijon kushte e rrethana lehtësuese, nuk investon. Po atëherë si paska mundësi të ketë njeriu margaritarë e të mos e të mos dijë t`i çmojë?! Tokat, pasuria që na lanë të parët tanë, atdheu ynë janë margaritarë. Nuk është aspak mençuri të hajë shqiptari mykun e bakteret, apo edhe helmin e Serbisë e të mos i punojë tokat e tij. Në këtë kuptim barra e përgjegjësisë dhe e fajit të madh bie tek shteti, institucionet e Kosovës e te partitë e organizatat dhe përbërjet e ndryshme politike e shoqërore që nuk shqetësohen fare, që heshtin dhe e futin kokën si struci dhe në fund lejojnë të futen mallra të tilla, por edhe nuk e stimulojnë bujkun e blegtorin shqiptar, nuk investojnë në perspektiven ekonomike për t`ju krijuar mundësitë e lehtësirat investuesve për çeljen e fabrikave dhe prodhimit të gjërave ushqimore të vendit. Por, është edhe faji i bujqve e blegtorëve, i qytetarëve që nuk i kërkojnë me këmbëngulje të drejtat nga qeveria dhe institucionet shtetërore e shoqërore në Kosovë.
Sipas mendimit të disa mjekëve, lindshmëria e foshnjave në Kosovë ka rënë dukshëm edhe si pasojë e ushqimeve të ardhura nga Serbia. Kjo është shumë e besueshme, kur kihet parasysh se barbarët, çetnikët serbë mbasi nuk arritën të na zhdukin nga faqja e dheut, pas gjithë atyre krimeve çnjerëzore, tani bëjnë ç`është e mundur të ndikojnë sa më shumë në mos-perspektivën tonë, në këtë kuptim është e fare e qartë se bëjnë përpjekje të ndikojnë edhe në sterilitetin e shqiptarëve, meqë gjithmonë atyre ju ka penguar lindshmëria e lartë e fëmijëve shqiptarë.
Ka rëndësi të dorës së parë, të theksohet se invalidët e Luftës, veteranët, familjet e dëshmorëve të UÇK-së, njerëzit të tjerë, që i janë përkushtuar atdheut do të duhej të kenë trajtim të veçantë, si dhe t` ju krijohen të gjitha mundësitë për plotësimin e nevojave e të tyre njerëzore, shoqërore e shëndetësore. Varrezat e dëshmorëve të jenë të mirëmbajtura, të bëhen përmendore e shtatore të tjera në Prishtinë e në qytete dhe vende të tjera. P. sh, në Prishtinë do të duhej të ishte patjetër përmendorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari pranë tij përmendorja e Komandantit tjetër Zahir Pajaziti e heronjve të tjerë të UÇK-ës.
Rëndësi të madhe ka shkolla, nivelet e saja, përvetësimi sa më i mirë i gjuhës letrare shqipe dhe kultura e të shprehurit, niveli i edukimit dhe vetëdijes shoqërore, shkencore e kombëtare, meqë të gjithë jemi të vetëdijshëm se aq dobët janë këto drejtime sa do të duhej të gjithë të alarmohemi, madje do të thoshim se gati sa nuk po shkohet drejt humnerave të paditurisë, apo thënë më qartë një pjesë e madhe e njerëzve, për të mos thënë pjesa më e madhe, dalin nga shkolla me diplomën e injorancës.
Për të gjitha këto do të duhej të kishte zgjidhje dhe të paktën të kanalizoheshin mbarë e mirë, nismat dhe veprimtaritë para zgjedhjeve që sapo kaluan.
Këto zgjedhje u mbajtën e do të vijnë të tjera, por mbi të gjitha ka rëndësi për ne ribashkimi i atdheut, zhvillimi e përparimi i tij, arsimi, kultura, ekonomia dhe bujqësia, blegtoria e bagëtia, industria e minierat, bregdeti, malet e fushat, ka rëndësi ballëlarta Shqipëria e ribashkuar, të lulëzojë e të begatohet.
Prandaj Kosova dhe Shqipëria e tërësishme ka dhe do të ketë djem e vajza, bij e bija të dëshmuar, siç ka pasur gjithmonë në rrugët e mundimshme atdhetare, por krenare dhe të lavdishme për ta jetësuar bërjen e Shqipërisë në kufijtë e saj të natyrshëm. Ky është pikësynimi ynë, kjo është rruga e çdo atdhetari e liridashësi në të gjitha trojet shqiptare.
8 nëntor 2013