Një popull që jeton sot nuk mund ta ndërtojë të ardhmen nëse nuk ballafaqohet me të kaluarën. Për këtë arsye të gjitha shtetet që dalin pas konflikteve apo luftës domosdoshmërisht ballafaqohen me të kaluarën përmes procesit të lustracionit i cili e ndanë shapin prej sheqeri duke i vendosur akterët , qoftë ata negativ apo pozitiv në vendet që u takojnë, në përputhje me angazhimet e tyre. Madje, ky është detyrim ndërkombëtar! Të cilin e kanë nisur ose përfunduar të gjitha vendet e rajonit. Me këtë janë përcaktuar viktimat ndërsa dhunuesit janë detyruar të largohen nga postet që u kanë mundësuar të bëjnë krime. Në Kosovë ka ndodhë ky proces në drejtim të kundërt. Viktimat kanë mbetur viktima ndërsa ata që kanë kryer krime vet apo baballarët e tyre, ose kanë ndihmuar në mënyrë shumë aktive ngelën të virgjër, të paprekur! Madje, vetëm sa u forcuan! Duke kontrolluar të gjitha lëmitë e jetës në Kosovë! Nisma për procesin e lustracionit në Kosovë shkaktojë rrëmujë dhe reagime të ndryshme. Reagimet ishin nga viktimat pse ky proces po vonohej ndërsa rrëmuja përcillte ata që e kishin, jo mizën por buallin pas veshi! Të cilëve ende duart u pikonin gjak ! Ishte rrezik që të shkaktohej një përçarje e madhe dhe me pasoja të paparashikueshme në të cilën humbës më i madh do të ishte populli shqiptar. Aq më parë që dosjet ishin në Serbi ose në ndonjë nga republikat, tash shtete të ish Jugosllavisë. Apo në ndonjë shtet mik ose më pak mik! Duke u nisur nga fakti se Kosova është e vogël dhe të gjithë janë :” nipa e daja “ atëherë dihet mirë se kush çka ka bërë në kohërat kur pasuli është ngrënë “ kokërr – kokërr “. Dhe kush kujt i ka shërbyer. Pavarësisht kamuflimit të përkryer të kameleonëve politik dhe kombëtarë! Kjo ishte edhe arsyeja pse ai që në kohërat shumë të vështira, Adem Demaçi shkroi “ Gjarprinjt e Gjakut” duke e nisur me :” nuk është trim ai që e ngrehë këmbzën e krimit por ai që e shtrinë dorën e pajtimit” ishte kundër hapjes së dosjeve! Për këtë roman u arrestua dhe dënua nga shokët e Markut për të filluar një rrugëtim shumë të gjatë, të rëndë për të pavendosurit por të lehtë për ate që këtë e mori si detyrim ndaj kombit dhe Shqipërisë! Ishte pra Adem Demaçi , djali i vetëm i një Nëne të Madhe e cila, jo që nuk e pengoi në rrugën maratonike drejt çlirimit, lirisë dhe bashkimit me Shqipërinë por i tha se :” nëna Nazife vdes ndërsa nëna Shqipëri nuk vdes kurrë”! Pikërisht ky Adem Demaçi doli kundër hapjes së dosjeve duke marrë parasysh faktet që i ceka më lart. E la që për drejtësinë të vendosë Zoti ndonëse në tri gjykimet pas së cilave kaloi në llogoret e ish Jugosllavisë më shumë se 28 vjet burg të rëndë kishte shumë dëshmitarë shqiptarë që sot shetisin lirisht nëpër Kosovë me aureolën e patriotëve të devotshëm. Këtë e bëjnë duke ditur se Adem Demaçi është njeri që falë dhe nuk kërkon llogari nga fëmijët e tyre për horllëqet e etërve, biologjik, ideologjik dhe politik! Edhe unë kam qenë kundër hapjes së dosjeve. Për të njëjtat arsye që ka pasur Baca Adem! Në të dy dënimet e mia me gjithsej 15 vite kanë kontribuar mbi 30 dëshmitarë shqiptarë dhe shqipfolës të cilët sot, disa janë ( pa ) fytyra publike ndërsa disa shiten si autoritete morale apo fetare! I kam falur të gjithë sepse është njerëzore të kesh frikë. Me përjashtim të dy individëve , me siguri pjesëtarë të KOS-it apo UDB-së të cilët mbase i kanë përlyer duart me gjak duke kryer krime për këto dy shërbime të dhunës edhe në Kosovë, edhe në diasporë! Madhështia e Adem Demaçit ishte se ai nuk kishte dhe nuk urrejtje dhe se falë me zemër dhe jo për ndonjë interes apo publicitet! Falë sinqerisht sikur që e thotë të vërtetën sinqerisht dhe pa i hyrë askujt në hak. E vërteta e Adem Demaçit nuk i ka pëlqyer Jugosllavisë dhe Serbisë andaj nuk kam nevojë të shkruaj për rezultate. E vërteta e Bacës Adem nuk u ka pëlqyer dhe nuk u pëlqen sajuesve të miteve të rreme nën strehën e të cilit duan të mbijetojnë politikisht dhe materialisht duke i fshehur si gjarpri këmbët veprimet e tyre të dëmshme për kombin dhe luftën. E vërteta e Bacës i godet edhe alkimistët të cilët me gënjeshtra , falsifikime , trillime, shpërdorime bëjnë përpjekje që antivlerat t’i shndërrojnë në vlera, frikacakët dhe dezertorët t’i shndërrojnë në hero dhe antikombëtarët në kombëtarë! E vërtetat e Bacës i godet edhe ata që morën vendime të dëmshme në Rambuje sikur që edhe ata që dikur ishin shokë të Bacës në llogore dhe në luftë e që tash i kanë rënë taxhisë! Ata që i kanë rënë taxhisë e tash po vjellin nga para e nga prapa! Edhe të paqes , edhe të luftës! Po sa trim dhe hero ishte në të vërtetë ” presidenti historik “: 1. Alija Izetbegoviq ishte presidenti i fundit i Bosnjës dhe Hercegovinës para se të fillonte agresioni kriminal i serbëve të Bosnjës , ushtrisë së Serbisë dhe forcave paramilitare dhe policore të këtij shteti. Në përpjekje për t’i shmangur luftës ishte te Milloshqviqi në Beograd duke bërë sakrificë që edhe në kushte nënshtrimi të merrej vesh me Milloshin. Mirëpo Millosheviqi përveç se nuk e përfilli kërkesën e tij vetëm sa nuk e përzuri nga zyra . Me t’u kthyer në Sarajevë dhe pas provokimeve të serbëve në Pale, Izetbegoviqi doli para medieve të B dhe H duke thënë se u përula para Millosheviqit për të shmangur luftën dhe ruajtur paqen mirëpo tash jemi në situatë që të gjithë ata që e duan Bosnjën duhet të luftojnë me të gjitha mjetet që i kanë dhe t’i sigurojnë ato që nuk i kanë. 2.Ibrahim Rugova e sabotoi luftën me mjete që i pati duke bërë përpjekje që t’i gjej edhe ato mjete që nuk i kishte për ta penguar luftën. Kur në skenë doli UÇK –ë ai menjëherë e shpalli si dorë të zgjatur të Serbisë duke kërkuar hetime nga FBI. Gjithashtu e formoi një strukturë paralele ushtarake të quajtur FARK për ta rivalizuar UÇK-në dhe për ta sabotuar luftën. Asnjëherë nuk iu drejtua popullit kur nisi lufta por me deklaratat e tij se nëse çohemi kundër Serbisë na shfarosin për 24 orë mbillte frikë dhe defetizëm. Si udhëheqës nuk mori asnjë përgjegjësi për dallim nga Alia Izetbegoviq. Për këtë arsye Alia ishte trim ndërsa Rugova frikacak. Alia ishte në burg disa vite ndërsa Rugova as disa sekonda. Aq rrezik ishte ky për Serbinë! 3. Kur forcat serbe e arrestuan kryetarin e B dhe H në aeroportin e Sarajevës ata kërkuan nga ai që t’i drejtohej popullit që të dorëzohej dhe të mos vazhdojë luftën. Në bisedë me vajzën, Alia Izetbegoviq tha asaj se lufta duhej të vazhdohej edhe nëse ai vritej. Kurse Rugova në Beograd, së bashku me Millosheviqin , para gazetarëve me një buzëqeshje jonormale në kohën kur Kosova digjej në flakë dhe vërshohej nga gjaku i shqiptarëve kërkonte që NATO t’i ndërpresë bombardimet. Alia ishte i gatshëm të sakrifikohej si lider prandaj ishte trim ndërsa Rugova kërkonte të shpëtonte lëkurën e tij, familjarëve dhe rrethit të ngushtë. Populli nuk i interesonte fare. Prandaj ishte frikacak. Ai veproi si Zogu i cili pasi plaçkiti arin dhe pasurinë e Shqipërisë së varfër, me familjarë dhe oborrtarë iku në Itali duke e lënë popullin në mëshirë të Musolinit. Ashtu veproi edhe Rugova i cili iku në Itali për të shkuar në Gjermani nga e kthyen në Itali ku pamëshirshëm shpenzonte mjetet e 3%. Në Itali shkoi me lejen e Millosheviqit pas kërkesave të përditshme t’i lejohej largimi nga Kosova. Këtë ia tha Millosheviqi gjatë gjykimit në Hagë dhe Rugova nuk e hapi gojën fare. Mund ta kenë dërguar Rugovën në Beograd kundër vullnetit të tij mirëpo pse të kërkonte ndërprerjen e bombardimeve ?! Nga frika e madhe. Adem Demaçi kurrë nuk do ta bënte këtë edhe nëse Milloshi do t’ia rrepte lëkurën në qendër të Beogradit! Po nuk ishte hera e parë që Rugova u takua me Millosheviqin në Beograd. Ishte edhe më pare në krye të një delegacioni i përbërë nga ish politikanë të ish Jugosllavisë, avokatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të afërt me Beogradin. Aty Millosheviqi luante tope me ta. Ashtu siç e kanë merituar! Kur studentën organizuan demonstrata me 1 tetor për lirimin e objekteve Rugova bëri përpjekje t’i përçajë duke formuar FARK-un studentorë dhe duke deklaruar se studentët nuk janë për protesta! Nga frika e madhe e tij dhe bashkëpunëtorëve. Rugova bënte presion që Agani të nënshkruante Marrëveshjen për Arsim ( të ndërmjetësuar nga Shën Exhidio ) që siguronte autonomi kulturore për Kosovën duke i thënë :” nënshkruaje Fehmi se kjo nuk është asgjë. Një nënshkrim më! Të gjithë po e presin nënshkrimin tonë!” në ndërkohë që Agani e dinte se ky nënshkrim ishte i dëmshëm shumë për Kosovën! Pastaj, gjatë luftës i ndiqte bashkëpunëtorët duke i detyruar të bëhen pjesë e qeverisë së Krahinës Autonome të Kosovë dhe Metohisë. Disa lakej dhe qakej që sot po e mbrojnë me aq “ vendosmëri “ liderin historik të tyre , pas takimit me Millosheviqin në Beograd , para restorantit Arbi në Tetovë kërkonin që ai të shpallej i papërgjegjshëm dhe të çmendur sepse ishte frikacak ! Tash po heshtin. Kam dëgjuar mirë këtë sepse aty kam pasur një takim me znj. Meri Robinson , Komisionare e Lartë për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara. Rugova u kualifikua për Rambuje pas takimit me zotin Kuk pa e lexuar fare çka shkruante në dokument duke deklaruar se do të nënshkruante çdo gjë dhe pa e parë fare përmbajtjen. Demaçi nuk e bëri këtë. Rugova asnjëherë nuk ishte në rrezik nga Jugosllavia dhe Serbia. Ai kur nuk e zuri në gojë UÇK-në dhe luftën me përjashtim kur i quajti , sikur Gelbarti terroristë dhe agjentë të Serbisë. Për së gjalli kurrë nuk e vizitoi Prekazin, kryeqytetin e Lirisë së Kosovës ku u martirizuan duke luftuar 60 anëtarë të familjes Jashari dhe nuk nderoi asnjë dëshmorë në ndërkohë që llaskucët e tij, pas vdekjes bëjnë përpjekje ta paraqesin Rugovën si komandant të Adem Jasharit. Pafytyrësia dhe poshtërsia nuk kanë fund! Këto janë disa dëshmi që e bëjnë Rugovën frikacak i cili nuk merr përgjegjësi për asgjë dhe për askend! Prandaj Demaçi nuk e ka fyer fare por e ka treguar një të vërtetë! Rugova nuk ishte hero e as që do të bëhet ndonjëherë! Pavarësisht se ata që duan të mbijetojnë politikisht , me paratë e taksapaguesve i ngritën një shtatore si Kim il Sungut e cila nuk ka fare rrënjë që i garanton qëndrueshmëri por është vetëm një strehë e përkohshme për sorra dhe horra! Për së gjalli po e manipulojnë Rugovën e vdekur ! Jo nga respekti por nga interesi! Gjithashtu , duke shfrytëzuar euforinë, për arsye interesi politik dhe material e uzurpuan një hapësirë të madhe publike, pa pyetur askend për të ndërtuar një vendtakim politik për shfrytëzim për qëllime politike. Edhe Enveri kishte varrin në kompleksin Nënë Shqipëri, piramidën në qendër të Tiranës si dhe përmendoren në sheshin Skënderbeu në Tiranë. Ku janë këto tani? Kur përmendorja bëhet pa një vlerësim historik dhe faktik dhe kur dikush dëshiron të bëhet Faraon i varrosur në piramida , gjithashtu pa një vlerësim dhe debat, fundi dihet se cili mund të jetë! Llogori në Stara Gradishkë 1989 – 1990 : Kroacia u pavarësua prandaj bëhej gati t’i lironte të burgosurit politikë shqiptarë. Kroatët ishin liruar. Në oborrin e Burgut një numër i madh shqiptarë të dënuar politikisht. Mbi 50-të. Baca Adem fliste në mes rrethit i shoqëruar nga Fehmi Lladrofci, Hafir Shala, Tahir Hani, Basri Ibrahimi, Nuhi Ahmeti, Avdullah Dërguti, Idrizi, Rahimi, Sefa, unë dhe shumë të tjerë. Biseda bëhej se çka pas burgut?! Fehmi Lladrofci thoshte se a do të vijë ajo ditë të dalim nga burgu e t’i kthejmë pushkën shkaut. Fehmiu nuk kishte fare dilema! E kishte përnjëmend! Baca Adem iu drejtua të burgosurve me këto fjalë se:” kur të dalim nga burgu nuk do të bëhemi anëtarë të LDK-së sepse do të jemi në përcjellje dhe e dëmtojmë aktivitetin e kësaj lëvizjeje “. Edhe më e qartë ishte kërkesa e tij se duhet të përkrahet me çdo kusht dhe me çdo mjet Ibrahim Rugova pasi që për herë të parë doli dikush që duhej të përkrahej. Të gjithë u pajtuam. Dhe votuam për Ibrahim Rugovën. Bacës Adem nuk i ka interesuar fare posti sepse po të donim, pasi dolëm nga burgu me ndikimin që e kishim do ta bënim LDK-në lesh dhe li! Baca Adem ka votuar në Amerikë për Rugovën dhe e ka përkrahur ate deri në vitin 1994 deri kur ka besuar se Rugova do të bënte diçka. Kur u bind se prej tij ( Rugovës ) nuk ka asgjë ka kërkuar që ai të largohet. Adem Demaçi nuk e ka urrejtur Rugovën e as nuk e urren as sot por nuk e ka pranuar frikën e tij dhe frymën e kapitulimit që e ka shpërndarë sidomos pas vitit 1994. Asnjëherë nuk e ka fyer, as personalisht e as familjen e tij. Kritikat dhe kërkesat e Bacës kanë qenë parimore. Asgjë më tepër! Askujt në Kosovë nuk i është shkelur privatësia më shumë se Bacës Adem. Askush në Kosovë nuk është fyer më shumë se Baca Adem. Nga vetë shqiptarët. Nga “ mbrojtësit e jetës dhe veprës së presidentit historik Ibrahim Rugova “. Argumentet e Bacës po luftohen me sharje dhe fyerje personale dhe futje hundë në çështje familjare! Me asgjë nuk e keni demantuar ate që e tha Baca për Rugovën. E as që do të mund ta demantoni! Sa më shumë ta shprushni, më shumë do t’u vie era! Kur të hapen më vonë letrat , do të bindeni se kush është hero, kush ështç vlerë dhe se kush është bërlog kombëtar, njerëzor dhe historik! Nuk ka urrejtje ndaj askujt dhe 100.000 herë është në gjendje të vdes për kombin dhe lirinë! Duron ta shani, ta pështuni , ta përbuzni vetëm nëse kombi fiton nga kjo. Po të shkonte puna mirë jam shumë i sigurt se Adem Demaçi kurrë nuk do të përzihej në politikë! E ju që thoni se Adem Demaçi nuk ka qenë në burg por në ndonjë banesë në Serbi , të kishit qenë vetëm pesë minuta në kushte të burgjeve të Bacës Adem , do t’u vinte keq për ate që e thoni. Pavarësisht sa të poshtër dhe të pafytyrë që jeni! E akuzoni Bacën pse thotë se Tahir Zemaj nuk ka qenë hero por agjent i KOS-it! Është e vërtetë kjo. Pse nuk pyetni neve që jemi dënuar në gjyqet ushtarake të ish Armatës jugosllave deri më 20 vjet burg të rëndë. Ka pasur ushtarë të dënuar me qindra. Gjithashtu edhe ushtarë shqiptarë të vrarë! Në ushtri na kanë marrë në pyetje Tahir Zemaj, Enver Krasniqi etj. agjentë të KOS-it. A i doni aktgjykimet tona për t’u bindur se këta “ heronj “ na kanë arrestuar, rrahur, dënuar dhe vrarë?1 Mos na detyroni të flasim dhe përmendim emra të tjerë. Çmojeni vullnetin tonë për falje dhe për mos-hakmarrje! Bëni përpjekje që së paku t’i ruani fëmijët tuaj nga punët e pista që i keni bërë! Mos u mundo o Mark Krasniqi ta mëshehësh nënshkrimin tënd në Prizren në vitin 1945 me të cilin u pajtove që Kosova e përgjakur dhe e mbuluar me shqiptarë të vrarë që nuk mendonin sikur ti , t’i bashkohet Serbisë dhe Narodna Republika Jugosllavisë. Ky ishte vullneti dhe përcaktimi yt moral, kombëtar, njerëzor dhe shtetëror! Bashkimi me Serbinë dhe Jugosllavinë. Ke qenë dhe ke mbetur vetëm një postier i një Poste të Porositur të dikujt tjetër! Ti e dëshiron vdekjen e Adem Demaçit sepse vet je shndërruar nga kufoma politike në fantazmë të Kuvendit të Prizrenit ku e vure firmën tënde në kundërshtim të së cilës u desh të arrestohen dhjetra mijra shqiptarë, të vriten po aq dhe të vuajnë edhe më shumë. Firma jote në Kuvendin e Prizrenit e ka mbajtur në burg Adem Demaçin më shumë se 28 vjet. Por, megjithatë ta kemi parë hajrin sepse duke e mohuar nënshkrimin tënd për Serbinë dhe Jugosllavinë , e fituam lirinë. Të cilën edhe ti po e shijon! Le ta vlerësojnë lexuesit se a e ke merituar!
Behxhet Shala: Tërë koha po na shkon duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit
Pas zgjedhjeve të fundit lokale e kemi një pamje më të qartë. Po bëhen llogaritë se kush fitoi, kush humbi, e kush do të shkojë në trekëmbëshin për ekzekutim politik. Interesant është fakti se nuk kemi fare humbës, por të gjithë paskan fituar! Si ndjenë apo si perceptim është i mirë, kurse si realitet i shndërruar në numra për dikën do të duhej të jetë i hidhur!
Po ne jemi si llamarina, shpejt nxehemi, por shumë më shpejt ftohemi! Analistët që u morën me rezultatet e zgjedhjeve në të njëjtën kohë ishin edhe parashikues të këtyre rezultateve. Duke ia futur si kau elefantit! Ata që dikur goja e tyre shërbente si furrik, ngrohës, për vezë të Titos dhe Millosheviqit, e pas luftës shërbyen si furrig për vezë të UNMIK-ut apo EULEX-it i cili është fëmijë i të parit, u gëzuan që humbi krahu i luftës të cilin e identifikonin vetëm me SHIK-un. Kjo nuk është fare e vërtetë, sepse luftën nuk e kanë nisur, as nuk e ka bërë vetëm një parti apo një shërbim, por kontributi ka qenë gjithëpopullor! Dhe, që fitoi qytetaria përballë mentalitetit fshatar dhe kriminal.
Për të gjitha të zezat e këtij vendi pas përfundimit të luftës po akuzohet krahu i luftës apo SHIK-u, ndonëse pas luftës pushtetin e patën “ushtarët e Himë Govës” me të cilët varianti kosovar i Cecës, së Arkanit e pati filluar dhe e pati fituar luftën! Dikur për SHIK-un flitej me shumë kujdes dhe me zë të ulur, që më shumë ishte pëshpëritje, ndërsa tani flasin me zë që do t’u kishte lakmi edhe Luçano Pavaroti i ndjerë!
Nuk më kujtohet se për UDB-në flitej me një negativitet aq të madh sa flitet sot për SHIK-un! Si çdo shërbim informativ edhe SHIK-u mund të ketë bërë punë të këqija, mirëpo përgjithësimi nuk është masë vlerësuese objektive! Unë njoh njerëz të mirë që kanë qenë idealistë e që kanë qenë strukturë e SHIK-ut, por njoh edhe të tillë që jo që nuk kanë pasur përgatitje profesionale apo se kanë qenë të denjë, por nuk i kanë plotësuar as kushtet elementare për roje stani.
Adem Demaçi, siç e quajnë politikanët tanë, si njerëz jashtëzakonisht të mençur që janë apo Baca Adem siç e quajmë ne, injorantët idealistë, menjëherë pas përfundimit të luftës në hotelin Grand, një dyzine komandantësh të vërtetë dhe atyre nga Bllaca u pati thënë se “askush nuk do të mbetet pa u koritë, pa u bërë horë” dhe se do të vije një kohë që “ju që keni mbetur gjallë do t’ua keni lakmi atyre që janë vrarë në luftë si luftëtarë”!
Nuk e besoj se Baca Adem mburret sot me profecinë e tij, ndonëse në kohën kur e tha këtë pati reagime nga disa komandantë se “mosha e bënë të veten dhe koha e gjatë e kaluar në burgjet jugosllave e bënë Bacën të papërgjegjshëm dhe se nuk i prehet dëm”. Këtë kanë mundur ta thonë vetëm të pafytyrët dhe horrat që pastaj nuk lanë të zezë pa bërë, nga haraçi, rrëmbimi, uzurpimi, dhunimi, plaçkitje dhe vrasje, qoftë nën siglën e UÇK-së apo edhe të SHIK-ut.
Pas luftës, Kosova u bë strehë e horrave, të luftës dhe të paqes! Kosova u bë vend ku vepronin së paku 30 shërbime të huaja informative dhe kundër-informative. UDB-në e llogarisin si strukturë vendore, sepse ata që i shërbyen dikur, i shërbenin edhe tani. Të strukur dhe sistemuar mirë materialisht në UNMIK, OSBE, UNHCR, OJQ të huaja dhe vendore, si aktivistë për të drejtat qytetare dhe gazetarë të pavarur! Në këtë arenë spiunimi, SHIK nuk ka qenë kurrë faktor relevant. Nuk kam dëgjuar kurrë që peshku i vogël e ka gëlltitur balenën! Por, gjithashtu nuk kam dëgjuar se patkoin e kalit ia kanë mbathur miut në këmbë!
Nuk dua të bëhem e as që do të bëhem kurrë mbrojtës i askujt për të palarat që mund t’i ketë bërë, mirëpo nuk do të pajtohem që këta që kurrë send të mirë nuk kanë bërë për vendin dhe popullin të më përcaktojnë një standard moral, politik, demokratik dhe kombëtar! Bijtë e atyre që dikur na kanë thyer dhëmbë dhe dhëmballë, na kanë vrarë, izoluar, diferencuar, burgosur, dënuar me burgje të rënda për shkak të aktivitetit armiqësor kundër bashkim-vëllazërimit, Titos, Jugosllavisë dhe Serbisë, sot po e vazhdojnë traditën e etërve të tyre. Në fund të fundit, një pjesë e kriminalizuar skajshmërisht e krahut të luftës sot po e korrë atë që e ka mbjellë. Po u vinë faturat që nuk po janë në gjendje t’i paguajnë e as t’i përballojnë. As ato materiale, morale, njerëzore e lëre më ato kombëtare!
Nuk e humbi garën në Ferizaj Agim Aliu shkaku i SHIK-ut dhe Elmi Reçicës, por shkaku se shumica e themeluesve të degës së PDK-së në Ferizaj ishin të përçarë dhe, jo që nuk e ndihmuan kandidatin Aliu, por e penguan atë. Në fund të fundit nëse SHIK-u apo Elmi Reçica e paska zgjedhur Agim Aliun kryetar të Ferizajt një vit më parë, pse nuk do ta zgjodhën përsëri?
PDK e ka humbur Ferizajin shkaku i përçarjes brenda degës së partisë dhe shkaku se nuk janë bërë përpjekje serioze për tejkalimin e kësaj përçarjeje. Edhe në Lypjan e kemi të njëjtën situatë, kur një muaj para zgjedhjeve u bë një përçarje e madhe midis Shukri Bujës dhe Fitim Selimit. Mos të flasim për Vitinë ku në degën e PDK-së vetëm sa nuk shpërtheu lufta e armatosur. Gjilani gjithashtu ishte i përçarë dhe vet votuesit e PDK-së nuk e votuan kandidatin Mustafa. Në Prishtinë, pikërisht për shkak të përçarjes dhe mosmarrëveshjes në degë, hyri nga korneri, kandidati, Agim Çeku. Në Besianë shikisti Gashi e rriti numrin e votave për PDK-në.
Duket se as në Mitrovicën e Jugutm dega e PDK nuk ka qenë unike dhe e fortë si guri. Dikush nga ish shikistët ia ka pirë duhanin tinëz Kadri Veselit që ka penguar fitoren e PDK-së pa balotazh, ndërsa në balotazh ka fituar LDK-ja e jo Agim Bahtiri. Në rrethana normale Agim Bahtiri më lehtë do të bëhej kryetar në Tokio të Japonisë ku e ka mbjellë farën për kërpudha, sesa kryetar i Mitrovicës.
PDK-ja ka ndasi edhe në Kuvend. Edhe në disa degë të tjera! Ka ndasi në kreun e saj! Megjithatë, këto humbje janë të kthyeshme nëse partia reformohet dhe pastrohet nga disa elementë gangrenoz, dyfytyrësh, injorantë, parapagues të posteve dhe shpërdorues të pronës publike. Ose, këto humbje bëhen të pakthyeshme nëse edhe më tutje ia fusin gjumit dhe sillen si kërpudhat e Agim Bahtirit apo sikur kjo ngjarje të ketë ndodhur në Somali e jo në Kosovë!
Në të gjitha shtetet e fuqishme të botës njerëzit e fortë të shërbimeve informative , kundërzbuluese dhe të tjerë hyjnë në politikë duke u ngjitur në majat e saj. Kjo ndodhë në SHBA, Angli, Gjermani, Francë , Izrael etj. Dhe, krejt në fund, nëse 700 spiunë shqiptarë të Milosheviqit sot veprojnë lirshëm në Kosovë dhe janë të infiltruar në Presidencë, Qeveri, Kuvend, media, subjekte politike, biznese etj. të cilët kanë punuar dhe punojnë kundër shqiptarëve dhe Kosovës dhe për të cilët askush nuk shkruan apo organizon “gjah të shtrigave”, pse kaq shumë urrejtje kundër një shërbimi i cili ka përfunduar misionin dhe i cili në radhët e saja ka pasur atdhetarë që janë burgosur, dënuar, vrarë gjatë dhe pas përfundimit të luftës së fundit për lirinë e këtij vendi dhe për lirinë e këtyre llaskucëve që godasin çdo gjë që ndërlidhet me luftën dhe sakrificën?! Ata që kanë bërë krime, qoftë nën siglën e UÇK-së, SHIK-ut, Sigurimi i Atdheut, Shqiponjave të Zeza, le të burgosen dhe dënohen. Por, ata koha i ka dënuar dhe nuk do t’i shpëtojnë dënimit!
Tërë koha po na shkon duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. Dikush Hashimit, Isës, Albinit, Kadrisë, Beh- Gjetit, Ramushit etj. Po kërkojmë shkarkimin e tyre, sidomos të kryetarëve të komunave që ende nuk kanë filluar punën. Nuk ka problem. Lehtë e kemi me ta. Kur të duam i shkarkojmë. Po, le të dali një zog kosovari qoftë ai edhe vet Lil Toshi opo Nexhmedin Legjionari e ta shkarkojnë Krstimir Pantiqin, apo bosin e Graçanicës, Ranillugut, Parteshit, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit, Shtërpcës apo Kllokotit?!
Na pështynë dhe na shanë. Na kërcënuan dhe politikisht na vranë. Na quajtën injorantë, trutharë dhe tradhtarë! Na quajtën qakej dhe zagarë! Sepse, pavarësinë po e zbehin, ata që po lehin. Të gjithë ata që flasin se po formohet Republika Srpska Kosova i Metohije, janë injorantë dhe hafije. Të gjithë ata që nuk po hanë fiq, nuk e duan shtetin e Kosovës dhe Listën Srbska – Ivica Daçiq. Të gjithë atyre që bëjnë krahasime midis Bosnjës dhe Kosovës, duhet t’u fryjnë në vesh dervishët e Jakovës! Të gjithë ata që flasin për zhvillime dramatike, duhet të shkojnë në kurse elementare të njohurive politike, tolerancës dhe shkathtësive demokratike! Kosova është unike, e pavarur, sovrane dhe territor i pandarë, o ju të paditur dhe me tru të shpëlarë! Në Kosovë nuk do të ketë as Tirol e as Birol, e as Tajvan o ju hajvanë, as Serbi e as Rusi, po besa as Shqipëri e lëre më Republika Srbska në zemër të kosovarisë, por thjesht do të ketë integrim, prosperitet, zhvillim, përparim sipas modelit të Etiopisë!
Vërtetë nuk na kanë pranuar disa shtete si Greqia, Qipro, Spanja, Rumania dhe Sllovakia, por na ka pranuar Nigeria! Për bonus do të na pranojë edhe Etiopia! Edhe unë mendoj se kanë plotësisht të drejtë kur thonë se Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe se është e pandarë dhe e paparë. Për nder të Berluskonit, pafajësisë të Al Kapones, buzëqeshjes të baroneshës, sinqeritet të Xhentilinit, modestisë së Zezditës dhe për punë krejtësisht vullnetare të Blerimit. Si dhe për vizion për integrime evro-atlantike dhe në BE të Hashimit! Në emër të bisedimeve teknike, lëshimeve të vogla taktike për fitore të shkëlqyera strategjike.
E titujt në gazeta si: “Duhet të jemi të kujdesshëm që në Kosovë nuk do të krijohet Republika Srbska”, “Nuk duhet të lejohet Republika Srbska në Kosovë” dhe se “Janë përralla se në Kosovë do të formohet Republika Srbska” etj., si duhet të kuptohen?! Disi, thuaja në çdo titull po përmendet Republika Srbska në Kosovë! A është kjo e rastit apo…?!
Këta tituj në fakt janë marrë nga intervistat e diplomatëve me ndikim vendimmarrës për proceset në Kosovë, prandaj nuk mund të konsiderohen vetëm tituj, por edhe qëndrime për realitetin aktual në vendin tonë i cili u krijua me dhunë dhe shantazhe nga Serbia, por edhe disa “miq” tanë ndërkombëtarë.
Djallit i janë rritur shumë brirët për t’u mbuluar me një ble flokësh! Në Kosovë kutia e Pandorës ka qenë gjithmonë e hapur dhe askush nuk ka bërë përpjekje ta mbyllë atë. Tash do të merremi me pasoja që nënkupton Kosovën si shtet jofunksional, ku Serbia po e firmosë tapinë për të gjitha proceset. Provë ishin zgjedhjet lokale në komunat serbe dhe “nevoja për ndryshime” duke votuar 90 për qind për “Lista Serbska – Ivica Daçiq”. Edhe partisë nacionalsocialiste të Hitlerit i është dashur më shumë kohë për t’u kacavjerrë majave të pushtetit! Por, siç thotë Baca Adem, edhe ashtu jemi në fund të pusit dhe nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm se të dalim nga pusi.