leoni

RKL: Vdiq Mandela i Afrikës, është gjallë e i fortë Mandela i Evropës

Vdekja e jugo-afrikanit, Nelson Mandela, në moshën 95-vjeçare, e ktheu kujtesën e botës përparimtare demokratike drejt këtij personalitet me rëndësi botërore, për shkak të idealeve të tij çlirimtare e humane, për shkak se për bindjet e tij vuajti rreth 30 vjet burg në kohën e kolonializmit dhe Aparthejdit në Afrikën e Jugut. Vdekja e Mandelës kudo në botën demokratike u prit me dhembshuri e pikëllim, sepse u nda nga jeta njëri  prej yjeve ndriçues dhe shembull-dhënës i lirisë.

 

Përveç Afrikës, po thuaj se  në të njëjtën kohë edhe në Evropë, në Kosovën e pushtuar nga Jugosllavia e Titos, Rankoviqit e Milosheviqit, do të shquhet një emër i fortë i rezistencës kombëtare, i humanizmit dhe i paqes,  Mandela i Evropës, Adem Demaçi, i cili për shkak të aktivitetit të tij çlirimtar, për shkak të bindjeve, për shkak të kërkesave për liri, barazi e vetëvendosje u mbajt në burg plot 27 vjet, po aq sa ishte mbajtur nëpër burgjet e Afrikës së Jugut edhe Nelson Mandela.

 

Jo rastësisht   historia e Rezistencës shqiptare në Kosovë e më gjerë lidhet me Adem Demaçin, i cili për shkak të bindjeve dhe kërkesave të tij të hapura për liri e barazi , për herë të parë u burgos nga regjimi policor i RSFJ-së  55 vjet më parë, më 19 nëntor të vitit 1958.  Më vonë do ta burgosin  edhe dy herë dhe të dyja herët do të dënohet me nga 15 vjet burg.

Kanë kaluar 55 vjet që nga burgosja e parë  dhe Adem Demaçi rron si gjithnjë, vertikalisht dhe me dinjitet, i bindur se një pjesë e programit kombëtar, të cilin kishte synuar ta realizonte tashmë është realizuar edhe pse ka mbetur shumë punë për t’ u bërë. Tani kur Baca po brengoset për fatin e lirisë së Kosovës, tani kur hyzmetçarët e ish regjimeve okupatore iu kanë qepur institucioneve të Kosovës dhe shansin e tyre të humbur me luftën fitimtare të UÇK-së e shohin në rikthimin e Serbisë në Kosovë, jo rastësisht kanë filluar edhe sulmet verbale kundër Bacë,  Adem Demaçit, i cili asnjëherë në jetën e tij nuk është përkulur para vështirësive, dhunës, linçimit dhe etiketave të poshtra e të liga të UDB-ashëve, bijve dhe bijave të tyre.  Madje nuk është përkulur as atëherë kur mercenarët shqipfolës të  jugosllavizmit kishin kamxhikun, revolverin, pushkën e tankun e Beogradit, ndërsa tani kanë vetëm  dhëmbë e dhëmballë të rënë, dhe nuk mund të na kafshojnë sikur na kanë kafshuar deri në 11 qershor të vitit 1999, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ndihmuar nga NATO-ja dëboi  përgjithmonë nga Kosova, forcat kriminale ushtarake e policore serbe. Natyrisht se sundimi i gjatë e Serbisë në Kosovë  ka lënë prapa mbetjet dhe jashtëqitjet e veta, të cilat herë-herë dalin në sipërfaqe ashtu sikur mbetjet mbi syprinën e lumenjve, herë-herë edhe trimërohen dhe  turren  për të kafshuar, duke harruar se dhëmbët ua kemi shkulur kaherë.


 

Kështu ndodhi edhe në ditët e fundit kur Bacë, Adem Demaçi doli hapur me analizën e tij lidhur me humbjen e LDK-së, në Prishtinë dhe humbjen e PDK-së në disa komuna të Kosovës. Ai u përkujtoi  të rinjve në Prishtinë  se liria dhe pavarësia e vendit nuk është rezultat  i politikave kolaboracioniste, as i përpjekjeve paqësore të Ibrahim Rugovës dhe pasuesve të tij, por është rezultat i luftës së pareshtur për liri, të të gjithë brezave çlirimtarë, që u kurorëzuan me fitoren e luftës  së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, i kishte bërë me dije Isa Mustafës, kryetarit të LDK-së dhe ish-kryetarit të Prishtinës  se pikërisht ngritja e Përmendores së Ibrahim Rugovës në kryeqytet, duke derdhur miliona euro të taksapaguesve të vendit, ishte edhe një shkak më shumë për të humbur zgjedhjet. Natyrisht, se Adem Demaçi nuk do të ishte ai që është, po të mos kishte sjellë në kujtesë bëmat e pacifistit, Ibrahim Rugova, po të mos kishte treguar botërisht se ai nuk ishte as është hero, sepse askund në botë nuk shpallen heronj njerëzit si ai, duke përkujtuar kohën kur Rugova kishte shtrënguar duart dhe ishte përqafuar me kryekriminelin e Serbisë, Milosheviq dhe kishte kërkuar nga NATO-ja që ta ndalonte bombardimin e bazave ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe gjithandej në Serbi e në Mal të Zi.

 

Demaçi tha një të vërtetë që e di tërë bota, por që nuk e pranojnë disa nga ata anëtarë të LDK-së, që u bënë trimoshë pas luftës, nuk e pranojnë as ish dhe tani instruktorët dhe inspektorët e Serbisë, KOS-istët e UDB-ashët e dikurshëm e të sotëm. Ata, kanë jetuar dhe pretendojnë të jetojnë nën hijen e Rugovës, sepse kanë qenë dhe kanë mbetur të tillë, mjeranë e hyzmetçarë të çdo të huaji, sepse për bëmat e tyre të liga nuk u dënuan as u ndëshkuan, por u mbështetën dhe u shfrytëzuan  madje edhe nga një segment i kreut të luftës së UÇK-së dhe kjo iu dha zemër. Ata u  futën në Polici, në FSK, në Administratë, në Gjykata, në Prokurori , në Presidencë, në Kuvendin e Kosovës  dhe në tëra institucionet e vendit.

Fushata që këta mendjerobër kanë ndërmarrë kundër Demaçit, është po ajo fushatë e dikurshme e UDB-së, por tani në kushte dhe rrethana të reja. Tani këta “pobratimët” e Serbisë nuk kanë më forcë as pushtet ta nxjerrin para gjyqit dhe ta dënojnë Adem Demaçin, për shprehjen e mendimeve të tij. Atyre u kanë mbetur nëpër gojë sharjet, fyerjet, lehjet dhe ato nuk kanë nevojë të merren seriozisht, sepse tekefundit njerëz janë, nganjëherë kanë nevojë biologjike të shfryjnë  valvulat e ligësisë, sikur bëri Mark  Krasniqi, i cili Adem Demaçin do ta donte vetëm të vdekur, por jo të gjallë. Dhe, ky miku më i ngushtë i Serbisë, “posllanik” i Konferencës së Prizrenit, në gusht të vitit 1945, dhëndër i Serbisë, instruktor i UDB-së, njeri që kishte ndjekur për ta burgosur Gjon Serreçin, shokun e dikurshëm të klasës, ky është njeriu që i ka ndërtuar varrin vetit për së gjalli, sepse ditën kur të vdesë nuk i vijnë dot në varrim bijat e nipat nga Beogradi, as vëllai me të vetët nga Nishi e Kragujevci. Tani ky lugat me një këmbë në varr, pretendon ta mbrojë Rugovën e vdekur nga Adem Demaçi i gjallë, nga Mandela i Evropës, vetëm sepse Demaçi ka përsëritur një konstatim historik, u ka kujtuar bashkëkombësve se Ibrahim Rugova nuk është hero, se ngrehja e një përmendore, qoftë edhe në kryeqytetin e vendit, nuk e bën heroin, se përmendoret e tilla ngulen por edhe shkulen, ashtu sikur ka ndodhur jo vetëm njëherë, dhe, jo vetëm në një vend.


Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …