Fisnik A. Gashi: A po lind një ‘’Srpska’’ e re në Republikën e Kosovës?

Megjithëse pak kush e kishte pritur e besuar, me gjithë dëshirën e madhe, harta politike në Kosovë u ndryshua, të paktën ajo lokale. Pushtetarët e konsumuar dhe partitë politike pa dallim, u ndëshkuan me fuqinë e sovranit: votën e lirë. Ngritja e vetëdijes qytetare solli një termet për gjithë skenën politike, e cila pa përjashtim duhet të marrë mësim nga ky ‘’plebishit’’popullor, të këndellët dhe të punojë çdoherë, vetëm në interes të qytetarit dhe shtetit të Kosovës, sidomos para ‘’referendumit’’ të qytetarëve në zgjedhjet nacionale. Imagjinojeni se sa do të zhvillohej e  si do të dukej Kosova, po të punonin e angazhoheshin partitë politike e politikanët për qytetarët, sa interesohen në kohën e fushatave zgjedhore! Këto zgjedhje sollën edhe fundin e bastioneve të partive politike dhe shembjen e tyre, aty ku nuk ranë, ato u dobësuan. Për herë të parë në Kosovë një femër u zgjodh kryetare komune, madje fituan edhe kandidat të posa kthyer nga diaspora, triumfuan edhe të rinj entuziast e të shkolluar jashtë vendit dhe iniciativa të reja qytetare, madje edhe aty ku nuk pati ndryshim, pati të paktën rotacione të pushtetit.

Pas këtyre zgjedhjeve nuk ka pikë dyshimi se: zgjedhjet e lira e demokratike, parandalimi i parregullsive dhe ndëshkimi i cenuesve të votës së lirë të qytetarit të Kosovës nga ana e shtetit ligjor dhe institucioneve gjegjëse si dhe pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve në zgjedhje, po sjellin një kulturë të re politike dhe qytetare në gjithë Kosovën. Megjithatë ndryshimet e mëdha në vendin tonë lanë në hije një ndryshim jo të vogël që po ndodh pandalshëm në Kosovë: fatkeqësisht, jo rastësisht dhe ironikisht, në po të njëjtën kohë me fitoren historike të demokracisë dhe qytetarëve në po këto zgjedhje, në Kosovë lindi ‘’Srpska’’. Zoti i bekoftë SHBA-të që caktojnë ‘’vijat e kuqe’’ për ne dhe mbrojnë shtetin, popullin dhe sovranitetin tonë, se po të ishte për ne, si duket nuk do të dinim as vetë se ku do të përfundonim’’!.

Edhe pse thirren shpeshherë në emër të interesave të qytetarëve të Kosovë, interesave shtetërore mbi ato partiake, politike apo personale, si dhe jo rrallë para qytetarëve flasin me tone të zjarrta  nacionaliste dhe patriotike, partitë politike shqiptare pa dallim, nuk ditën të reagojnë, ndaj një mobilizimi të Listës ‘’Srpska’’, për ta mundur një kryetar komune shqiptar, siç ishte rasti në Komunën e Artanës, ish Novobërdë, e me bashkë me atë edhe vetë shtetin e Kosovës. Edhe nëse eventualisht thirremi në çfarëdo reagimi deklarativ apo simbolik, ai do të ishte absurd, i cekët dhe i pamjaftueshëm para një akti tashmë të kryer. Në këtë komunë sipas regjistrimit zyrtar të realizuar në vitin 2011, nga gjithsej, 6 mijë e 729 banorë,  54 % janë shqiptar ndërsa 46 % i përkasin komunitetit serbë, me tolerimin që i është bërë serbëve që nuk ishin banor rezident të Kosovës të votonin me çfarëdo dokumenti, u manipulua ‘’legalisht’’ vullneti i qytetarëve të kësaj komune dhe jo vetëm këtu. Një precendet i tillë mund edhe të përsëritet dhe të merr përmasa edhe më serioze në zgjedhjet nacionale, ku serbët mund të favorizohen nga një sistem elektoral i hartuar me lista të preferencave dhe nga kushtëzimet e tyre për të marrë pjesë në ‘’institucionet e Kosovës’’, të cilat mund ti ideojnë vetë ata dhe pastaj të mos i njohin apo bojkotojnë deri në kompromisin tjetër të radhës!

Përtej tejkalimit të kufijve shtetëror nga Republika e Serbisë për ti dhënë mbështetje kandidatëve të Listës ‘’Srpska’’, në përgjithësi dhe kandidatit të kësaj liste në Komunën e Novobërdës në veçanti, u tejkaluan edhe kufijtë e moralit të politikës dhe u cenuan rëndë interesat e shtetit të Kosovës: ministra serb të qeverisë së Republikës së Kosovës, dërguan kamionë me material ndërtimor për serbët, në këmbim të votës kundër kandidatit shqiptar dhe votës pro kandidatit serb që nuk e njeh shtetin e Kosovës: edhe atë e gjithë kjo ndodhi edhe gjatë ditës të zgjedhjeve! Për më tepër e gjithë kjo ngjau me paratë e taksapaguesve shqiptar të Kosovës. Qytetari i Kosovës pa dallim të etnisë, mund edhe të mos e ketë problem etninë e një kryetari komune, nëse ai punon për interesa të gjithë qytetarëve pa dallim, mirëpo për të kurrsesi nuk mund të jetë e drejtë, e tolerueshme dhe e përballueshme nëse ai kryetar komune punon kundër  shtetit të Kosovës dhe rrjedhimisht kundër vullnetit të popullsisë shumicë në Kosovë, si dhe dëmton  gjithë atë që është ndërtuar në këto vite nga populli i Kosovës, institucionet e saj dhe përkrahja e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.

Në kalkulimet e tyre për pushtet partitë politike si duket ‘’harruan’’ se Lista ‘’Srpska’’ e përkrahur fuqishëm nga Beogradi, në këto zgjedhje, fitoi hiq më pak se 9 komuna,  aq komuna sa ka fituar edhe partia e dytë shqiptare në Kosovë, si dhe u rendit e 6-ta në rang vendi, me gjithsejtë 21 mijë e 761 vota, me gjithë presionet për të dalë apo për të mos dalë në zgjedhje, presione këto të cilat vinin nga vetë serbët. Për dikë kjo edhe mund të mos jetë ‘’problem’’, por përveç se këto komuna bashkohen në një organizim nën petkun e pastër etnik (serb), në kohën kur Republika e Kosovës dhe institucionet e saj angazhohet për multietnicitet dhe ky organizëm synon të ushtrojë kompetenca ekzekutive, për më tepër kur jo vetëm se nuk e njeh Republikën e Kosovës, por edhe premton se do të punojë kundër interesave të shtetit të Kosovës.

Madje Krstimir Pantiç ish kryetar ilegal i komunës së Mitrovicës, tani i zgjedhur kryetar i Mitrovicës së veriut (pas skenarit të pengimit të procesit zgjedhor dhe përsëritjes së zgjedhjeve për të mos fituar kandidati shqiptar në Mitrovicë), bashkë me kandidatët tjerë serb, deklaruan hapur se: ‘’do të punojnë për Serbinë, kundër Kosovës’’, ‘’nuk do ti njohin institucionet e Kosovës’’, ‘’nuk do të njohin kurrë pavarësinë e Kosovës’’, si dhe se: ‘’do të punojnë çdo herë sipas udhëzimeve të Serbisë dhe Beogradit’’. Deklarime të tilla jo vetëm se nuk lënë vend për shpresë për ndryshim të kësaj qasjeje, por pasqyrojnë qartë skenarin që, Lista ‘’Srpska’’, bashkë me institucionet dhe Republikën e Serbisë synojnë ta realizojnë në Kosovë, më së voni në zgjedhjet nacionale në Kosovë, nëse jo ta ndajnë, të ‘’paktën’’ ta bllokojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës, në këmbim të plotësimit të kërkesave dhe qëllimeve të tyre. Kosova nuk duhet të lejoj në asnjë rrethanë të vetme që ‘’Srpska’’ nga një listë zgjedhore, të shëndrrohet gradualisht në një entitet juridik/politik dhe etnik, të veçantë nga sistemi kushtetues i Kosovës.

Si duket Kosovës nuk i ka mjaftuar, ndikimi i drejtpërdrejtë i Republikës së Serbisë, në procesin zgjedhor në Kosovë, caktimi i datës së zgjedhjeve, heqja e logos shtetërore nga fletëvotimet, shtimi i listave të reja me votues serbë të cilët nuk jetojnë në Kosovë, madje dyshohet nëse kanë jetuar ndonjëherë këtu dhe nëse i lidh gjë jo vetëm me vendit tonë, por as edhe me vetë bashkëkombësit e tyre në Kosovë. Në prag të vazhdimit të punës për përmbylljen e procesit të reformës zgjedhore, kur partitë politike janë duke analizuar nëse ju konvenojnë apo jo zgjedhjet e parakohshme parlamentare, i gjithë spektri politik pa dallim, duhet të shfrytëzoj mbështetjen e madhe të SHBA-ve që të mos ketë zgjedhje të reja parlamentare pa përfunduar reforma zgjedhore, që vendi ta ruaj sovranitetin e tij në gjithë territorin, pa marrë parasysh nëse do të ketë apo jo zona të reja zgjedhore, si dhe të njëjtën kohë, të mos e bëjë as edhe një lëshim të vetëm për ulëse tjera të rezervuara për komunitetin serb apo të mos ‘’shpikë’’ instrumente apo mekanizma, të cilët më shumë se integrues për pakicat, do të shfrytëzohen nga serbët e dirigjuar nga Beogradi për bllokim të progresit në Kosovë dhe eventualisht destabilizim edhe të Ballkanit.

Kur populli shqiptar në Shqipëri, përkundër përfitimeve dhe interesit strategjik, politik dhe ekonomik që ka mundur ta ketë pasur me pranimin për shkatërrimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, përmes protestës qytetare, demokratike të gjithë qytetarët pa dallim, i thanë: JO, kërkesë së bashkësisë ndërkombëtare, përkundër shprehjes së interesimit edhe të vetë Qeverisë Shqiptare për të pranuar demontimin e armëve kimike. Populli i Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve demokratike, duhet dhe mund të shfrytëzojë të drejtën e tij qytetare dhe të kundërshtojë çdo kompromis të radhës që mund të kërkohet nga Beogradi ose që del jashtë kornizës legale dhe legjitime të Kosovës, subjektivitet të pranuar dhe mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe spektri politik, që për më tepër populli i Kosovës përkundrazi nuk mund të ketë asnjë përfitim pos që rrezikon, progresin e arritur, sovranitetin e Kosovës, shtetin unitar dhe stabilitetin rajonal. Tashmë kur edhe ambasadorja amerikane shkëlqesia e saj Tracey Ann Jacobson e tha qartë: ‘’Mendoj që duhet të jemi shumë të vëmendshëm që të mos e kemi një situatë me një Republika Serbe’’,  askush nuk mundet më të thotë që ata që flasin për të pasur kujdes në këtë aspekt qenkan: ‘’kundër interesit shtetëror të Kosovës, perspektivës evropiane.. etj.’’ashtu siç jemi mësuar të dëgjojmë shpeshherë nga disa politikanë nga kjo klasë politike aktuale dhe për më tepër kur këtë e thotë një shtet mik i Kosovës i cili ka ndihmuar vendit tonë në këtë proces.

Qytetarët e Kosovës treguan pjekuri të lartë politike, me ndryshimet që sollën në këto zgjedhje, por nuk duhet harruar se populli ynë jo rrallë, është treguar shumë entuziast në fillim të një procesi dhe nuk ka arritur pa marrë parasysh rrethanat ose arsyet ta përmbyllin atë proces denjësisht siç e ka dëshiruar, ëndërruar apo merituar, çoftë edhe në emër të diçkaje që i është kërkuar nga spektri politik me terme si: ‘’interes madhor për vendin’’. Qytetarët e Kosovës nuk duhet që përgjegjësinë e tyre ta mbarojnë, vetëm me dalje në zgjedhje, që në fund të fundit, pjesëmarrja në procesin e votimit është obligim, moral, qytetar dhe politik ndaj vetës dhe vendit, por duhet që të zhvillojnë një qytetari aktive e cila çdo herë kërkon llogari nga pushteti lokal apo qendror dhe nuk tërhiqet derisa të realizoj kërkesat e saja legjitime, për më tepër kur ato kanë bazë legale dhe janë në përputhje të plotë me arritjen e standardeve demokratike të krahasueshme edhe me vendet e Bashkimit Evropian, anëtar të cilit synojmë të jemi, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerit strategjik dhe shtetit mik dhe aleat të Kosovës dhe popullit të saj.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …