Deklaratat paushalle të diplomatit amerikan, Xhejms Rubin, dikur përkrahës i luftës sonë çlirimtare dhe ambasadorit gjerman, në Prishtinë, Peter Bolemejer, pavarësisht tonit të butë dhe elokuencës së rezervuar diplomatike kanë për qëllim diskreditimin e luftës sonë çlirimtare, duke mbështetur për qeverisje ish-klasën komuniste pacifiste, të kohës së robërisë si dhe aktivitetin e vetëm të EULEX-it në gjuajtjen e shtrigave. “Gjuajtja e shtrigave” ka qenë specialitet i njohur i Evropës së kohës së Inkuizicionit dhe nuk ka si hiqet lehtë nga mendja dhe logjika e disa qarqeve moderne evropiane.
Se duhet apo nuk duhet ta gëzojnë lirinë çlirimtarët, se duhet apo nuk duhet të merren me politikë krerët e luftës, kjo kurrë nuk do të duhej të ishte çështje për diskutim, sidomos nga ata që e kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por ja që edhe kjo po ndodh, meqë kreu politik me prejardhje nga lufta e UÇK-së, që na ka përfaqësuar dhe po na përfaqëson në botë, kurrë nuk ka treguar vendosmëri, as përgjegjësi për mbrojtjen me çdo kusht dhe në çdo rrethana të vlerave të luftës sonë çlirimtare, ashtu sikur kanë bërë të gjithë politikanët e vendeve të botës, sapo janë liruar nga robëria dhe të cilët pa asnjë përjashtim janë angazhuar politikisht.
Diplomatët” Rubin dhe Blomejer kanë mbështetur idenë se çlirimtarët u dashka të tërhiqen nga pushteti me qëllim për ta ruajtur kredibilitetin dhe për t’i lënë të qeverisin ata, që kanë pasur merita në qeverisjen e vendit gjatë kohës së Titos, Rankoviqit dhe Milosheviqit, edhe pse klasa e tillë politike aktualisht është kudo në qeverisje madje në edhe tani moshën e pleqërisë.
Sipas kësaj logjike, nëse bëjmë një analogji, pas luftës së Dytë Botërore duhej të kishin qeverisur bashkëpunëtorët e Hitlerit e të Musolinit, nëse fitimtarët do të rezervoheshin nga qeverisja, me qëllim për ta ruajtur kredibilitetin dhe simpatinë e tyre në popull.
Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend të Evropës. Disa diplomatë të huaj, duke parë e duke kuptuar se politikanët e Kosovës mund të manipulohen, mund të shantazhohen dhe mund të deformohen politikisht deri në skajin ekstrem, natyrisht se kanë vënë në lëvizje edhe teza të tilla, antikombëtare, antihistorike dhe krejtësisht anti logjike.
Të deklarosh në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovës se u dashka të mos fitojnë çlirimtarët, se nuk u dashka, që në Drenicë të fitojë Sami Lushtaku që ka marrë 88 për qind të numrit të votuesve, se nuk u dashka të fitojnë në zgjedhje PDK-ja dhe AAK-ja, por ish partitë pacifiste LDK-ja, AKR-ja dhe ndonjë akronim tjetër i së kaluarës, ky është thjesht një konstatim i papërgjegjshëm, që nuk mund të arsyetohet me asnjë segment shqyrtimi, me asnjë logjikë të shëndoshë, përveç me logjikën e arbitrit, të sunduesit, manipulimit e mujsharit politik.
Po ku e kanë hallin diplomatët Blomejer, Rubin dhe të tjerët si këta?
Duke parë dhe duke kuptuar mirëfilli se pjesa dërrmuese e klasës së sotme politike është krejtësisht poltrone, krejtësisht nën ndikimin e huaj dhe pa asnjë fije përgjegjësie, shumë diplomatë të huaj, sidomos gjermanë, italianë, francezë por edhe amerikanë, me qëllim të ruajtjes së “status qosë”, në Kosovë dhe në Ballkan, po bëjnë përpjekje t’ i bindin politikanët tanë se vetëm kthimi në të kaluarën e sprovuar të bashkim vëllazërimit të popujve në ish Jugosllavi, qenka perspektivë e ardhmërisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Jo rastësisht po këta diplomatë, sidomos nga regjimenti i BE-së, preferojnë të krijohet një si Union ballkanik ku Serbia do ta kishte rolin primar, si shteti më i zhvilluar ekonomikisht dhe për qëllime të paqes afatgjate u dashka të krijohet një lloj federate sikur ka qenë dikur Jugosllavia e Titos dhe e Milosheviqit.
Natyrisht se politikanëve tanë të prejardhur nga lufta nuk u ka pëlqyer aspak ky propozim, për më tepër u ka shkaktuar edhe humbje në balotazh, por nuk kanë shprehë as një pikë guximi politik e qytetarë t’ i kundërvihen propozimeve të tilla, me një krah dëshmi dhe me dëshminë numër një, se qytetarët tanë nuk janë të verbër, dhe nuk ka nevojë që në prag të zgjedhjeve të vinë e të na thonë se kush u dashka të fitojë e kush u dashka të humbasë. Një praktikë e tillë është tejet e dënueshme në Amerikën e Xhejms Rubinit dhe në Gjermaninë e Blomejerit. Por nuk është thënë kot se “Çka i lejohet Jovit, nuk i lejohet Bovit”, apo çka i lejohet Bajlozit Janxhangjonivan, që gjithnjë vjen nga përtej deteve, për të na mësuar si duhet qeverisur, nuk u dashka t’ i lejohet një Gjergj Elezi me nëntë plagë në shtat, por do të mjaftonte për të na qeverisur një “Bov” ( një buall) politik nga ish nomenklatura komuniste, Groteska e tillë nuk do koment.
Rubin, Blomejer, Ashton dhe diplomatë të tjerë të lartë, të cilët nuk i durojnë çlirimtarët, qofshin ata edhe të thyer e të përkulur, po bëjnë përpjekje ta rikthejnë Jugosllavinë e dikurshme, të cilën e kishin themeluar me kontribut të jashtëzakonshëm ushtarak, ekonomik, politik e diplomatik mbi kurriz të popujve jo sllavë të Ballkanit. Dhe krejt kjo bëhet me qëllim që edhe në rikomponimin e një Unioni, apo Federate të tillë, kryexhandari të jetë Serbia, ashtu sikur kishte qenë për 87 vjet, me mbështetjen e pa rezervë dhe me bekimin e Evropës. Arsyeja për themelimin e mundshëm të këtij Unioni të vendeve ballkanike, ku përveç Serbisë do të përfshiheshin edhe Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje- Hercegovina dhe Kosova, ka për qëllim krijimin e një dige kundër depërtimit ekonomik apo diplomatik të Turqisë dhe kundër lirisë së popujve me fe islame. Edhe pse një krijesë e tillë politike, tash për tash duket iluzore, politikanët tanë si Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Ali Ahmeti, do ta pranon një union të tillë, por t iu propozonte vetëm njëri nga ambasadorët e Amerikës në Prishtinë, apo në Tiranë.
Kjo është edhe arsyeja pse disa diplomatë të huaj po bëjnë përpjekje ta shuajnë sa më parë trashëgiminë kombëtare të UÇK-së, e cila gjithmonë paraqet pengesë për afrimin e shqiptarëve liridashës me serbët kolonizatorë dhe të përkëdhelur gjithnjë nga Evropa. Me krijimin e një Unioni të tillë, të dominuar nga serbët Evropa do ta pastronte “ndërgjegjen e vet të tradhtuar” si pjesëmarrëse në sulmin ajror të NATO-s, kundër makinerisë së krimit serb. Evropa historikisht ka ndërgjegje të rënduar me krime e masakra kundër njerëzimit, si me Kryqëzatat, ndjekjen e shtrigave dhe inkuizicionin në mesjetën e zezë sterrë, fashizmin, antisemitizmin… Janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato që ruajnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Evropë, përndryshe nuk do të përfundonte kurrë historia e krimeve sllave në Ballkan.