leoni

RKL: Evropa ka edhe faqen e vetë të zezë të së kaluarës dhe të tanishmes

Lajmi se Brukseli  zyrtar  injoroi edhe njëherë Shqipërinë dhe Kosovën, i ka goditur në mendjet e tyre të robëruara, iluzionistët, poltronët, servilët dhe shumicën dërrmuese të politikanëve tanë, që dikur luteshin e  faleshin drejt Stambollit, më vonë drejt Beogradit e tash falen e luten  drejt Brukselit. Evropa nuk është buka jonë e përditshme…,  që na falë i Madhi Zot, nuk është vendi ku buron qumështi e mjalti, nuk është kontinenti që u ka nda drejtësi shqiptarëve, nuk është kontinenti që i ka marrë në mbrojtje shqiptarët dhe BE-ja nuk është duke korrigjuar gabimet e baballarëve e gjyshërve të Evropës, por është duke ushtruar të njëjtën politikë kundër shqiptarëve, në kushte dhe rrethana të reja. Përderisa është kështu, nuk ka asgjë të keqe as blasfemuese nëse për pak çaste shfletojmë bëmat e Evropës Plakë, ato të së kaluarës në afërt e të largët, atë që i dinë të gjithë, madje edhe servilët e saj, të cilët nuk do të dëshironin të shfletoheshin bëmat e zeza të Evropës.

Gjatë tërë historisë se vetë të ekzistencës, “Kontinenti plak”, Evropa, dielli alegorik i politikanëve tanë pa kurriz, nuk ka arritur asnjëherë të zgjidh problemet e popujve, as ka arritur ta demokratizojë rajonin, sikur trumbetohet në Bruksel dhe në qendrat e saj të nën varura, as ka arritur të krijojë një qytetërim të qëndrueshëm demokratik, sikur fryjnë bulçitë e trumbetojnë politikanët tanë të dresuar të shkollës së Brukselit, ashtu si dukur etërit e tyre të shkollës së Kumrovecit.

Roma ka qenë Perandoria më e madhe dhe më gjakatare e botës. Evropa i ka ndjekur dhe i ka diskriminuar të krishterët e periudhës pas apostolike, ashtu sikur të krishterët e parë që masakruan paganët dhe popujt e Egjiptit.  Kryqëzatat në shekujt XII- XIII u bënë me nismën dhe bekimin e Kishës dhe aprovimin e të gjitha shteteve të Evropës, ku humbën jetën qindra mijëra njerëz të pafajshëm madje edhe dhjetëra mijëra fëmijë të popujve evropianë, që baballarët e luftës dhe pushtimit i dërguan ta çlirojnë varrin e Krishtit, sepse atë nuk po e çlironin dot muskujt e fortë të kalorësve me nam të Evropës, zemërluanët e mendjederrët, meqë ishin mëkatarë. Pikërisht  kjo mynxyrë unifikoi popujt e Lindjes, të cilët u bashkuan me flamurin e Perandorisë Osmane, e cila për 500 vjet rresht nuk e pushoi invadimin deri në zemër të Evropës. Kjo ishte hakmarrja e Turqisë për kryqëzatat, ndërsa tagrin ia paguan sidomos popujt e Ballkanit.

Evropa ka shpikur dhe ka mbajtur në jetë me shekuj të tërë inkuizicionin, djegien në turrë të druve të kundërshtarëve të kishës, djegien e qindra mijëra femrave duke i paragjykuar si shtriga. Evropa, apo Vatikani i Evropës me shekuj të tërë ka ngulfatur shkencën dhe mendimin e lirë, ka shpikur dhe ka zbatuar teori raciste si anti semitizmin, anti aziatizmin etj. Në Evropë është përçarë dhe është ndarë  në dysh krishterimi. Evropa e ka lindur, Neronin, Napoleonin e Madh, por edhe Hitlerin, Gebelsin, Musolinin dhe monstrumë të tjerë që i kanë kushtuar popujve me miliona të mbytur e të masakruar. Evropa ka bërë përpjekje të pareshtura për ta kolonizuar tërë botën dhe ka mbajtur nën robëri të gjatë popujt e Afrikës e Azisë.  Në Evropë janë shkaktuar dy luftëra të mëdha me përmasa botërore, ku kanë humbur jetën rreth 100 milionë banorë të Evropës dhe të botës. Nuk janë vetëm këto fakte të mirënjohura  të historisë së zezë të Evropës. Natyrisht se ka edhe shumë të tjera, gjithnjë të zeza e më të zeza.  Andaj, krenaria boshe e njerëzve tanë, të cilët verbërisht idealizojnë Evropën, qytetërimin dhe historinë e saj demokratike, është e ngjashme me ata që e kishin himnizuar pushtetin autarkik dhe despotik të sulltanëve, duke pranuar jo vetëm vasalitetin por edhe shkrirjen dhe bashkëngjizjen.

Natyrisht se Evropa ka pasur  shpeshherë edhe faqen e saj të bardhë, kur ajo iu ka kundërvënë territ të inkuizicionit, kur ajo iu ka kundërvënë autarkisë e despotizmit duke bërë edhe Revolucionin e parë Demokratik Borgjez në botë, në përpjekje për t’ u çliruar nga dhuna dhe despotizmi. Në Evropë ka lindur marksizmi, komunizmi, darvinizmi, antisemitizmi. Në Evropë kanë pësuar në mënyrën më barbare  hebrenjtë, por edhe shqiptarët, baskët, irlandezët, hungarezët, polakët… Nuk duhet harruar fakti se hebrenjtë janë ndjekur edhe para Hitlerit, kudo në vendet e Evropës, madje qysh nga Mesjeta e hershme. Shqiptarët janë i vetmi popull i Evropës që i strehoi, nuk i denoncoi dhe i ruajti  ata. Ky solidaritet i shqiptarëve me hebrenjtë nuk i bën fare përshtypje Evropës, përkundrazi…

Nuk është Evropa dielli i lirisë që i ngroh popujt e shtypur e të vegjël, por është përfytyrimi i gabuar  i njerëzve tanë, që u besojnë maskës dhe jo asaj që fshihet nën to,  ndoshta është edhe eufemizmi ynë historik, që ka për bazë frikën. Janë po këta njerëz dhe bijtë e tyre që e besuan fuqishëm të ardhmes komuniste të botës, botës pa kufi, botës me një gjuhë dhe ideologji të vetme, gjuhën universale të komunizmit, të proletariatit ndërkombëtar mbase edhe ndërplanetar. Këto ide lindën pikërisht në Evropë dhe pastaj u transferuan nëpër botë.

Propaganda e politikanëve tanë në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup, të cilët himnizojnë deri në fetishizim demokracinë evropiane, është thjesht propagandë e vasalëve shpirt e trup shitur,  për t’ u mbajt sa më gjatë në pushtet. Evropa  i ka sjellë në Kosovë dhe gjithandej në vendet e Ballkanit të gjitha trafiqet, prostitucionin, trafikimin e qenieve të gjalla, pedofilinë, e cila ka përfshirë edhe Vatikanin se lërë më kishat, homoseksualizmin, biseksualizmin, komunitetin lesbike dhe të gjitha shëmtitë amorale. BE-ja kushtëzon anëtarësimin e vendeve në rajon me pranimin e komuniteteve geje, lesbike e të tjera. Evropa lejon martesat me gjini të ndryshme lejon edhe adaptimin e fëmijëve nga homoseksualët.

Evropa na porosit që ta harrojmë historinë, të kaluarën, t’ i falim kriminelët serbë, që vranë masakruan e ndoqën qindra mijëra shqiptarë nga trojet e tyre, madje kërkon që  edhe t’ iu kërkojmë falje atyre, sepse vetë ne i paskemi provokuar. Evropa kërkon që shqiptarët, me shumicë të besimit islamë të rikonverohen, apo të asimilohen. Evropa nuk lejon bashkimin e shqiptarëve në një shtet, por i mban anën Serbisë për ta shkëputur një pjesë të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën.

Të shumta, të panumërta janë mëkatet e Evropës, nëse flasim për Kontinentin Plak, të cilit i takojmë gjeografikisht, edhe pse Ballkani vazhdon të mbetet në “tampon” zonë mes Lindjes aziatike dhe Evropës Plakë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …