Smajl Latifi: Kriza e thellë e qeverisjes dhe nevoja për ndryshime

Qeverisja në Kosovë karakterizohet me degradim dhe cenim serioz të vlerave fondamentale të qeverisjes së mirë. Në vijim, do të përpiqem të jap disa argumente.

Së pari, Kosovës ende i mungon qeverisja që ju jep mundësi për jetë normale qytetarëve të vet. Shpresa e shumicës së qytetarëve për një jetë normale në Kosovën e re është zbehur shumë. Qeveria e Kosovës bën shumë fjalë, por mungojnë faktet që qytetari ynë të besojë se  po ndodh zhvillimi ekonomik dhe  po hapen vende të reja të punës. 

Së dyti, Kosova po paguan një çmim të lartë në agjendën e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Qytetari dëgjon lajme të këqija vazhdimisht, ngase  favore të shumta po ju jepen serbëve të Kosovës. Në këtë rast roli i Serbisë vazhdon të jetë i madh dhe po dikton me agjendën e brendshme të vendit. Për pasojë, Kosova po lëngon nga udhëheqja shtetërore, që në prioritet e ka pushtetin dhe jo funksionalitetin, dinjitetin dhe progresin e shtetit.   

Së treti, Kosova ka një qeveri anemike,  pa vullnet dhe plan të qartë zhvillimor. Mjerisht, mungojnë edhe përpjekjet konkrete për ndryshim të kësaj gjendjeje. Faktet që kemi përpara flasin,  se të drejtat e punëtorëve nëpërkëmben, pensionistët nuk gëzojnë të drejtat që ju takojnë (nuk ka ende as ligj për ta), spitalet janë me plot pacientë e pa barna e plot defekte në shumë sektorë, e kur e shohim shtimin enorm të të papunëve,  mungojnë përgjigjet, fatkeqësisht, ka fjalë dhe vetëm fjalë. Por, nuk  shihet qartë përparim as në çështjet e tjera. Nuk janë pak ata që kanë parë e shohin se si kryeministrit dhe njerëzve të Qeverisë së Kosovës, ju mungon kultura e sjelljes normale si udhëheqës publik të një vendi me probleme të mëdha, mos të flasim për kulturën e punës dhe përkushtimet e tyre, ato nuk shihen as në embrion.

Së katërti, në Qeverinë e Kosovës është instaluar ose mospuna ose puna jo e mirë, korrupsioni real dhe të këqija të tjera, por edhe  paraqitjet e shumta të një lufte mediale shumë të zhurmshme, kinse të luftimit të pa kompromis të dukurive të këqija legale. Në mes të realitetit faktik dhe asaj çka dëgjohet e thuhet nga bartësit e institucioneve është një hendek i thellë. Në këtë mes, ka shpërfytyrim,  por ka edhe dyfytyrësi, nuk ka dinjitet njerëzor dhe institucional, ka servilizëm dhe sabotues, ka keqpërdorime dhe keqpërdorues, ka gjyqësor, por nuk shihen rezultatet e tij në luftën ndaj të keqes, ka luks të tepruar dhe qeveritarët nuk çajnë kokën për kursime, ka shpenzime pa kritere dhe lulëzim të krimit. Shteti me të tilla probleme të mëdha, kërkon pushtet të vlerave, që është në luftë të pa kompromis me të keqen.  Pushteti shtetëror nga një faktor përcaktues për ecje normale (siç duhet të jetë) është shndërruar në shkaktarin kryesor të ngecjeve, ndërprerjeve dhe dështimeve në disa rrafshe, ku ne si qytetarë të Kosovës, nuk mund të krenohemi. Ne  krenohemi  me Kosovën, por jo edhe me bartësit e institucioneve të saj, të cilët janë përgjegjës për ta bërë Kosovën vend të mundësive të mira dhe për të siguruar jetë dinjitoze të qytetarëve të vet.

Së pesti, të lë shije të hidhur me  plot helm, kur sheh se si  në Kosovë qeveritarët janë njerëzit më të pasur, kurse qytetarët e saj po i rrah fort varfëria. Vetë ministrat punësojnë, shkollojnë  njerëzit e tyre që ua mbajnë ison dhe  japin mesazhe të këqija, se si në këtë vend mund të jetojnë mirë vetëm qeveritarët dhe besnikët e tyre. Sa për ta, qytetarët mundësisht duhet të pajtohen dhe të mos ngrihen në këmbë, ata le të jetojnë si të munden, për më keq, nuk harrojnë të “kujdesen” që t’i mbajnë me shpresë, se qeveria po kujdeset për ta. Në Kosovën e sotme po përfitojnë qeveritarët, të cilët mashtrojnë dhe bëjnë makinacione, thurin plane dhe bëjnë gjithçka që është e mundur, që populli t’iu shkojë pas qerres së tyre. Kjo është ironia e shpërfaqur  ndaj një realiteti të hidhur.

Së fundi, të gjithë e pamë se sa e pasur na vjen fushata. Qeveria me sejmenët e vet, krijon një mal premtimesh dhe jep zotime të fuqishme, se si menjëherë pas saj, do të fillojë uragani i pandalshëm i ndryshimeve që harrohen posa merren përgjegjësitë. Qytetari rron me shpresë se po vijnë ditë të mira dhe sikur e kalon me lehtësi ballafaqimin e çdoditshëm, duke u mësuar me mungesën  e ndryshimeve që me të drejtë i pret. Pa dashje  ngushëllon veten duke shpresuar, se e nesërmja do të jetë më e mirë se sotmja. Logjika e shëndoshë thotë, se ka  ecje përpara, por ajo në fakt po mohohet nga logjika e ngecjes dhe vendnumërimit, për mungesë vullneti politik dhe mungesë vizioni nga qeveritarët.   Kjo do të thotë se,  qeveritarët e Kosovës, e injorojnë realitetin e rëndë dhe reflektojnë mendjemadhësi në situata të tilla. Por, jo kur vjen puna edhe për marrje besimi nga qytetarët, zgjohen të gjithë dhe “punojnë” si bleta për pushtet.  Ata duan që kudo ta shtrijnë ndikimin, në mënyrë që përfitimet të jenë edhe më të mëdha. Duan edhe më shumë që të përvetësojnë dhe të pasurohen vetë, pavarësisht se në këtë mënyrë e mohojnë zhvillimin normal në Kosovë.

Ndryshimet e përgjithshme në Kosovë vijnë, vetëm nëse qeverisjes ia japim tiparet, cilësitë dhe të gjitha ato që i mungojnë qeverisjes së sotme. Ndryshimet në Kosovë do të jenë të pandalshme dhe sukseset në këtë drejtim janë të mundshme, vetëm duke përdorur forma, mënyra dhe metoda të reja në qeverisje. Mbetet të punojmë që të vijmë në shkallën e aplikimit të praktikave të tjera, në mënyrë që përfitues të vetëm i gjithë asaj që ndryshon për të mirë, të jenë Kosova dhe qytetari i saj. Përballë këtyre nevojave dhe në interes të ndryshimeve që qytetari i pret, mendoj se detyra jonë është më se e qartë. Secili prej nesh, mund të paraqes vlerë reale duke u bërë pjesë e përpjekjeve të mëdha që qeverisja nesër të reflektojë ato ndryshime që i shërbejnë Kosovës  dhe popullit tonë. 

(Autori  është ish-kryetar i komunës së Rahovecit )

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …