Duket se asnjëherë më parë se sa tani kemi nevojë për filozofinë e Niçes në përgjithësi dhe pikëpamjeve të tij mbi vlerat dhe rivlerësimit të tyre në veçanti. Pavarësisht se 10 vitet e fundit i kaloj në çmendi, pesimizmi i tij mbi vlerat dhe për atë që e priste Evropën dhe botën u vërtetuan katërcipërisht. Ai shqetësohej dhe ishte i dëshpëruar që atë që meritonte mallkim njerëzit po e lartësonin ndërsa atë që duhej lartësuar poe përbuznin! Niçja shqetësohej se shoqëria njerëzore do të katandisej si mos më keq sepse ajo po lejonte që vlerat t’ia përcaktojnë mediokrët, injorantët dhe shtresa më e ultë e njerëzve. Nuk duhet mund i madh për të ditur se ku do të katandiset shoqëria dhe njerëzimi kur drejtohet nga të tillët. Niçja vlerësonte se përparimin e shoqërisë e përcaktojnë vlerat e saj dhe se shoqëria e ka të garantuar përparimin nëse ia del të vlerësoj në mënyrë meritore se çka janë vlerat dhe antivlerat dhe bartësit e tyre dhe se këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit fisnik – mbinjerëzit. Njerëzit fisnik, apo siç i quante Fridrih Niçe, mbinjerëzit, janë ata që nuk rreshtin së tejkaluari vetveten dhe nuk heqin asnjëherë dorë nga këto përpjekje. Ai na mësonte më tutje se ata pushojnë së qenuri mbinjerëz që në momentin e parë që janë të kënaqur me vetveten dhe me të arriturat e tyre. Sa shumë kërkonte Niçja nga njerëzit që donin ta drejtonin shoqërinë! Mbase kjo i solli edhe urrejtje dhe përbuzje nga të tjerët që e pandehnin veten mbi njerëz, nga të gjithë ata që kënaqeshin me pak, që kënaqeshin dhe nuk ndaleshin së rrahuri gjoks edhe nëse arrinin në maje të një kodrine por që pushonin ta dëgjonin thirrjen e Niçes për të bërë tutje dhe për të tërhequr prapa vetës të tjerët për t’iu ngjitur majave të thepisura që gërvishin qiellin, majave që shijonin të parat rrezet e diellit, ngrohtësinë dhe dritën e tij.
Këto ditë dëgjuam se disa kongresistë amerikanë kanë propozuar që çmimi “Nobel“ për paqe këtë vit të ju ndahet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe baroneshës, Keterine Eshton. Është e shquar fotoja e treshes, i pari me një qëndrim gatitu për të pranuar dhe zbatuar urdhra, i dyti me dukjen e tij muskulore dhe urdhërdhënëse ndërsa zonja e rëndë e Bashkimit Evropian në mes tyre, Keterine Eshton, e buzëqeshur dhe e gatshme për të ofruar përqafime të ngrohta.
Me tërë qenien time uroj që ky çmim të mos i jepet asnjërit, sepse ky çmim do të devalvohej si mos më keq dhe në vend që të jetë një ideal do të shndërrohej në mjetë apo maskë për të maskuar ujkun me lëkurën e qengjit. Kryeministrit tonë, Hashim Thaçit uroj të mos i jepet për shkak se konsideroj se në këmbim të këtij çmimi mund të bënte edhe kompromise të tjera që do të ishin të dëmshme për Kosovën dhe qytetarët e saj liridashës. Por kjo ka pasoja vetëm për vendin tonë ndërsa vendimi i kongresistëve amerikanë për ndarjen e çmimit Nobel për Paqe për kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq do të ketë pasoja negative për mbarë njerëzimin!
Është për keqardhje se ku janë katandisur ata kongresmenë amerikan me propozime të tilla! Athua e kanë pasur ata parasysh të kaluarën e Ivica Daçiqit i cili vite më parë ishte pionier i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit dhe zëdhënës i politikës së tij që shkaktoi shumë luftëra nga të cilat humbën jetën dhe u masakruan e u dhunuan qindra mijëra njerëz të pafajshëm të të gjitha moshave dhe u dëbuan miliona të tjerë!? Është fat që Serbia, kryetari i saj, kryekrimineli Sllobodan Millosheviq dhe pionieri dhe zëdhënësi i tij, Ivica Daçiq, i përfolur për kandidat për çmimin Nobel, nuk e kishin fuçinë e Gjermanisë dhe Hitlerit se shkatërrimet që do t’ia bënin njerëzimit do të ishin të njëjta vetëm se do të kishim më shumë masakrime të fëmijëve, grave e pleqve dhe shumë më shumë dhunime të vajzave të reja. Athua si do të ndjehej kryeministri, Hashim Thaçi nëse do të ndaj çmimin me një person që vite më parë ishte në ballë të luftës kundër popullit të tij, luftë gjatë së cilës u vranë dhe masakruan mbi 15 mijë civil, u dhunuan mbi 20 mijë vajza, u dëbuan rreth një milion me të vetmin shkak- se ishin shqiptar dhe dëshironin të jetonin të lirë dhe pavarur sikur popujt tjerë të përparuar? Athua a ka menduar kryeministri ynë, Hashim Thaçi, për një gjë të tillë!? A ka menduar ai se cila vlerë bëri që ai t’i arrijë majat e tij, paqja apo liria!? Ishte rreshtimi pas vlerës së lirisë që e nxori atë në ballë të luftës për liri dhe udhëheqjes së saj sikurse ishte rreshtimi pas vlerës së paqes që bëri që ai që nuk është më në mesin tonë të mbetet prapa tij.
Angazhimi për jetësimin e idealit të lirisë bëri që ai të vendoset në ballë të luftës për liri e kjo bëri që të trajtohet si lider i një populli që po luftonte me vet mohim për të jetuar sikur të gjitha kombet e civilizuara, të lira dhe zot të vetvetes. Mbase kryeministri, Hashim Thaçi mund të ketë harruar një gjë të tillë por është mirë ta dijë se këtë nuk e harrojnë qytetarët liridashës. Para se t’i gëzohej lajmit për mundësinë e kandidimit të tij për çmimin Nobel për paqe, ai do të duhej të mendonte se në një pjesë të konsiderueshme të territorit të Kosovës nuk ka liri të lëvizjes për qytetarët shqiptar dhe se përpjekjet për vendosjen e rendit dhe ligjit pasuan me vrasjen e policit të njësisë speciale, Enver Zymberit. Ai u vra nga strukturat serbe të kontrolluara dhe dirigjuara nga Qeveria e Serbisë kryeministër i së cilës është, Ivica Daçiqi- i përfoluri tjetër për kandidat të mundshëm për çmimin Nobel për paqe. Por kjo nuk është më e keqja. E keqja do të na vije nga porosia që do të jepej nëse i dhurohet ky çmim kryeministrit të sotëm të Serbisë, Ivica Daçiq i cili vite më parë ishte dora e djathtë e kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Është normale dhe e admirueshme dëshira e njerëzve për të fituar çmimin Nobel për Paqe por është shqetësuese rruga që po provohet të trasohet për të arritur deri te ky çmim.
Dihet se cila ishte rruga e Sllobodan Millosheviqit dhe Ivica Daçiqit, vrit, masakro, dhuno, dëbo dhe kur nuk mundësh të bësh më këtë aktro paçebërësin por kurrë mos kërko falje për atë që ke bërë!!! Kryekrimineli, Sllobodan Milosheviqi dhe pasuesi tij, Ivica Daçiqi kurrë nuk kërkuan falje për masakrimet, vrasjet dhe dhunimet e mijëra shqiptarëve liridashës të Kosovës dhe për dëbimin e një milion të tjerëve. Krime të tilla ata kanë bërë edhe kundër popullit liridashës kroat dhe boshnjak. Nëse ky çmim i jepet të tillëve pse të mos i jepet edhe disa kriminelëve të tjerë që janë pakrahasimisht më të vegjël se këta!? Kuptohet nevoja e Serbisë dhe kryeministrit të saj, Ivica Daçiq për të aktruar paqedashësin por njeriu nuk arrin t’i kuptoj ata që propozojnë të tillët për kandidat të mundshëm për këtë çmim. Profeti më paqësor, Jezu Krishti na porosiste që të jemi të kujdesshëm nga hipokritët. Ruhuni nga profetët e rremë të cilët vijnë te ju duke u shtirë sikur dele por që brenda tyre janë ujqër grabitqar ( Bibla sipas Mateut, kap. VII – vargu 15), na porosiste profeti paqësor, Jezu Krishti. Ai na porosiste gjithashtu që të mos ju ofrojmë qenve gjëra të shenjta e as derrave margaritar sepse ata do të kafshojnë dhe gëlltisin ato si gjëra të pavlera. Profeti, paqe dashës, Jezu Krishti, kurrë nuk bëri paqe me kriminelët por i luftoi dhe demaskoi ata deri në frymën e fundit. Njerëzimi kishte edhe profetë të tjerë që proklamonin paqen dhe u angazhuan me tërë qenien e tyre për jetësimin e saj por jo edhe kur përballeshin me kriminel. Edhe feja islame kishte profetin e saj Muhamed që shprehja e tij është “Paqe mbi njerëz” por që nuk u ndal asnjëherë së luftuari kriminelët deri në mundjen e tyre dhe shkatërrimin e idhujve të tyre në Mekë, prej nga vite më parë e kishin dëbuar dhunshëm horrat dhe kriminelët. Këta dy profetë paraqesin personalitetet më të respektuara anekënd botës jo pse bënë paqe me kriminelët por se bënë luftë të pakompromis kundër atyre, të keqes dhe autorëve të saj.
Athua a kanë menduar ata kongresmen amerikan se sa do të devalvohej çmimi NOBEL për Paqe nëse nuk do të ju jepej atyre që ndoqën shembullin e profetëve të përmendur por atyre që hiqen sikur profetë liridashës, atyre që fytyrën e ujkut e mbulojnë me maskën e qengjit sikur është kryeministri i Serbisë, hipokriti, Ivica Daçiq!? Po kryeministri ynë, Hashim Thaçi, si do të ndjehej nëse do të futej në një thes me kriminel të tillë? E kemi parasysh nevojën që ndjen ai për të fituar pikë te faktori ndërkombëtar dhe për të na hedhur neve pluhur syve me çmimin e fituar por mbase do ta ketë parasysh se ishin qytetarët liridashës që i dhanë peshë atij para faktorit ndërkombëtar. Kujtoj se kryeministri, Hashim Thaçi e dinë sikur e dimë ne të tjerët se ishte lufta çlirimtare dhe deklarimi i tij për luftë të pa kompromis për liri dhe pavarësi që e faktorizoi atë e jo angazhimi për paqe me pushtuesit dhe regjimin shqiptar vrasës të Serbisë. Por nuk thonë më kotë se kolltuku i butë të zbutë gjuhën, qëndrimet, bindjet e mbase të ndërron edhe idealet. Ka vite që kryeministri, Hashim Thaçi është duke qëndruar ulur në kolltuqe të buta dhe butësia e ka bërë të veten. E kemi parasysh që të mos e duash paqen kur je i lirë, sovran dhe i pacenuar është çmenduri por që të bësh paqe me kriminelë dhe pushtues është marrëzi e shkuar marrëzisë ndërsa marrëzi edhe më e madhe dhe e patejkalueshme është dhënia çminimit NOBEL për PAQE dorës së djathtë dhe zëdhënësit të kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiqit.
Kur njeriu dëgjon për kandidatët e përfolur për çmimin NOBEL për PAQE, nuk ka se si të mos i kujtohet shkrimtari i jashtëzakonshëm i cili u nda nga kjo botë vite më parë, Erik Segal dhe romani i tij “Çmimet”. Subjekt qendror në këtë libër të tij është dhënia e çmimit NOBEL në fusha të ndryshme të shkencës. Nëpërmjet romanit të tij “Çmimet”, shkrimtari, Erik Segal, na tregon se nganjëherë faktor përcaktues i nominimit për çmimin NOBEL nuk është krijimtaria apo zbulimi por lobimi që bëjnë qarqe të caktuara për të ia dhënë këtë çmim personave të caktuar. Nga libri i përmendur gjithashtu mësojmë se njerëz të paskrupullt ia dalin që të kandidohen për këtë çmim duke ia atribuuar vetes së tyre të arritura të cilat janë arritur me shumë mund dhe sakrifica për vite dhe dekada të tëra nëpërmjet punës ekipore!!!
Po jetojmë në një botë ku ka aq shumë çudi sa një ditë do të mësohemi me ato sa më nuk do të habitemi por le të shpresojmë se nuk do të dëgjojmë lajme të tilla nga të cilat mësojmë se nxitësit e luftërave të përgjakshme dhe dora e djathtë e kryekriminelëve të përfliten për kandidatë të mundshëm për çmimin Nobel për Paqe. Lus Zotin që nëse ndodhë një lajm i tillë ky të ishte çudia e çudive, lajmi i pabesueshëm por që do të ishte një e vërtet skajshmërisht e hidhur. Le të shpresojmë dhe t’i lutemi Zotit që ata që e ndajnë këtë çmim para se ta marrin një vendim të tillë në mendjen e tyre të kumboj paralajmërimi i profetit, Jezu Krisht: Ruhuni nga profetët e rremë të cilët vijnë te ju duke u shtirë sikur dele por që brenda tyre janë ujqër grabitqar. Është interesant një shkrim i studiuesit, Ahmet Qeriqi për emrat më të preferuar të popujve të caktuar. Ai ka konstatuar se emri më i pëlqyer për serbët është emri Vuk – Ujk, ndëkohë që ka sjellë shembuj të shumtë të këtij derivati etnopsikologjik, tipik serb. Janë të shumtë edhe liderët serb që kanë këtë emër. Ky mund të jetë edhe një fakt tjetër që hedhë dritë mbi mendësinë e lidershipit serb dhe flet për një prejardhje të lashtë të agresivitetit dhe që demaskon maskën e tyre të rolit të qengji.