D. Shefqet Krasniqi: Shteti që shpërfillë dijen


 Nuk do mend se arsimi dhe dija, edukata dhe morali janë bazat kryesore të formësimit një individi e familjeje e prej aty më pas edhe ndërtimit të shtetit. Ndaj absolutisht nuk ka mundësi të jetë i barabartë ai që dinë, mëson, lexon e studion, me atë që nuk e përfill shkencën dhe dijen, zaten fjala e parë e zbritur nga Zoti në Kur’an ishte mu kjo: “Lexo, mëso studio në emër të Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë”. (Alek, 1), andaj edhe i lavdëroi shumë Zoti ata që merren me dijen dhe janë të dhënë pas saj, ndaj pikërisht barabarësinë e vuri në pikëpyetje: “Thuaj:”A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”(Zumer, 9). Kjo për faktin se Zoti ka krijuar njeriun duke dalluar atë dhe privilegjuar nga çdo krijesë tjetër, duke e pajisur atë me aftësi për të ditur respektivisht për të mësuar. Kështu, Zoti kërkon që njeriu t’i shfrytëzojë këto mundësi që i ka, të lexojë, të mësojë e studiojë, dhe përmes këtyre shkathtësive të arrijë ta njoh Zotin e vet, ta njoh vetën, rrethin e tij, ligjet e kësaj natyre, etj, dhe kështu jo vetëm që do ngritët vet, por do ta ngritë e çoi përpara edhe shtetin dhe mbarë shoqërinë, e pse jo edhe mbarë njerëzimin. Mu për këtë, ato shoqëri që kanë punuar me këtë parim, respektivisht kanë investuar dhe kontribuar në zënien e dijës, gjejmë se kanë ecur shumë para jo vetëm sot por përgjatë gjithë historisë. Një gjë e tillë i ka përcjellë të gjitha civilizimet që nga ai kinez, indian, persian, egjiptian, grek, deri tek civilizimi islam dhe në fund ai perëndimor. Edhe sot gjejmë shtetet dhe qeveritë të cilat synojnë përparimin dhe ngritjen e vendit, investojnë me të madhe në arsim dhe në shkencë. Zaten ky është edhe faktori kryesor për përparimin dhe zhvillimin e atyre vendeve. Andaj, investimi në dituri është më i mirë dhe më dobiprurës sesa në çdo lëmi tjetër. Madje, unë konsiderojë se investimi më i qëlluar, më i dobishëm dhe më i rëndësishëm nga të gjithë lëmenjtë, është investimi në arsim, edukim dhe siguri të vendit. Është e vërtetë se kemi nevojë për investime në të gjitha institucionet, por arsimi, edukimi dhe siguria e vendit duhet medoemos të jenë primare.


Nëse kthehemi në vendin tonë, të cilin e duam më së shumti, gjejmë se Qeveria aktuale, respektivisht Ministria e Arsimit, pati shpallë dijen si objektivë kryesore. U dhanë premtime të mëdha. Thanë se Kosova do të jetë shteti i dijes. Hapën universitete dhe licencuan të tjera por rezultatet gjithmonë munguan. Madje tash së fundmi po duket se implementimi i këtij objektivi i është besuar profesorëve dhe menaxherëve të gabuar, të cilët po udhëheqin me institucionet tona të arsimit të lartë. Dalin dhe plagjiatura, kopjime e falsifikime. Sikur shteti i dijes ka tjetër qëllim, jo të avancimit me studentë, por me profesorë, dhe këtë, kuptohet, jo për hatër të dijes por xhepit. Mendoj se është për tu përshëndetur hapi për rishikimin e diplomave dhe avancimit shkencor të profesorëve, në veçanti të atyre të pas luftës. Nuk ka shkencë dhe dije të mirëfilltë pa profesor cilësor e kualitativë. Shkenca nuk njeh dallavere e hatër, ajo njeh vetëm seriozitet dhe punë, asaj duhet përkushtuar shumë, për të dhënë pak.


Problemet në Universitetin Shtetëror “Hasan Prishtina” janë në rritje e sipër, zaten atje moti janë vërejtur parregullsi dhe dallavere, që nga pranimi i studentëve fillestarë e deri tek përfundimi, deri tek avancimi i profesorëve, etj. Ah sikur të mbetej me kaq, do ishte shumë e lehtë, mirëpo mësimi dhe edukimi në vendin tonë është rrëmujë në të gjitha nivelet, që nga fillorja. Sot shkollat tona janë vend ku shpërndahet droga, pihet duhani e alkooli, përhapet imoraliteti, bile aty përdorën edhe armët, andaj nuk është për t’u çuditur kur prindi përcjell të birin për në shkollë në mëngjes, e ai i kthehet në mbrëmje në arkivol.


Pra, jo vetëm që ka probleme të mëdha në zënien e dijës, shkencës, por edhe atë të edukimit. Që të dyja këto ka mundësi të ndreqën e të rregullohen me emrin e Zotit, e para do kohë më shumë, ndërsa e dyta është më e lehtë dhe më e shpejtë. Futeni lëndën fetare nëpër shkolla dhe për pak vite mbi 50% të problemeve mes nxënësve do të pakësohen. Ky nuk është ndonjë çelës ‘magjik’ por përvojat e të tjerëve në këtë drejtim na e kanë dëshmuar këtë. Për këtë kam shkruar edhe më herët nda edhe nuk kam fare dyshim për këtë që po them. Por, përderisa qeveria jonë, shteti ynë i dashur e injoron plotësisht këtë faktor, edukimin fetar, të cilin e kanë parasysh pothuajse të gjitha shtetet e botës, atëherë kjo është bazë për dyshim se shteti nuk ka interesimin më të vogël për të çuar para proceset, për ta ngritur e avancuar vendin.  Zoti mundet, por me këta njerëz, me këta qeveritarë, vështirë se ka përparim dhe përmirësim, së paku në periudhën afatshkurtër. Zoti e bëftë hair, e ruajt këtë vend, e në veçanti këtë rini nga qëllimkëqijtë, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


Dr. Shefqet  Krasniqi: Kur të tjerët mundohen të ma mbajnë Protokollin


 


Kosova për çdo ditë po ndryshon, natyrisht, në disa segmente pozitivisht, por në të tjera, fatkeqësisht shumicën, negativisht. Padyshim gjendja ekonomike është mjaft e rëndë, avancimi drejtë integrimeve evropiane si duket ende është larg, jo se nuk e meritojmë, por për shkak se përgjegjësit tanë politikë ‘nuk kanë kohë’ të merren me punët e tyre e t’i plotësojnë kushtet dhe kriteret e kërkuara, ngase ata janë tejet të angazhuar me ‘ekstremistët islamikë’. Po të dëgjosh deklaratat boshe të disa prej politikanëve tanë gati sa nuk të mbushet mendja se vërtetë ‘ekstremistët’ qenkan fajtorët kryesorë pse politikanët tanë nuk tregojnë as më të voglin angazhim për t’i plotësuar ato kritere. Deklarata e zonjës Lunaçek, në lidhje me vonesën e liberalizimit të vizave, mendoj se është dëshmi e qartë dhe e mjaftueshme për këtë që po themi. Në mungesë të kryerjes së detyrave të shtëpisë, e pse jo edhe të të gjitha detyrave tjera, disa nga politikanët tanë mundohen akoma të qesin fall se ‘ekstremistët’ i kanë fajet, pra qytetarët e thjeshtë e të varfëruar nga papërgjegjësitë e pushtetarëve, të cilëve nuk u ka mbetur ndonjë shpresë tjetër vetëm se të thonë nga thellësia e zemrës, La Ilahe ila-Allah dhe o Zot merr hak!.


Andaj, të nderuar, muslimanët kurrë nuk kanë qenë e as që do të jenë pengesë për punë të hairit, ata janë pengesë vetëm për punë të sherrit, sepse besimi i tyre, bindja e tyre dhe mësimet e tyre fetare i mësojnë të punojnë vetëm për mirë dhe t’i shmangen çdo të keqe. Ata janë njerëzit më të urtë, më të dobishëm, më frytdhënës në shoqëri dhe kjo po dëshmohet çdo ditë e më shumë. Sido që të jetë, ka edhe gjëra tjera negative në shoqërinë tonë, për të cilat nuk mjaftojnë orë dhe libra për të shkruar, por ne mundohemi të kemi qasje pozitive ndaj dua të fokusohem në ndryshimet pozitive të kësaj shoqërie të cilat, falë Zotit, nuk janë pak.


Përderisa më herët, për shkak të ndikimit komunist-ateist, nuk ka pasur shans nëpër xhami t’i shohësh njerëzit me ndikim politik, arsimor, shkencor, ushtarak, të sigurisë etj, sot kjo gjendje ka ndryshuar tërësisht. Sot shtëpitë e Zotit frekuentohen nga të gjitha shtresat e njerëzve, e për studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, nuk po flasim fare sepse ata tashmë përbëjnë pothuajse mbi 90% e xhematit të xhamive. Pastaj struktura politike, në veçanti pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, ka ndryshuar goxha mirë. Kjo për faktin se në pushtet kanë ardhur njerëz të cilët jo vetëm që e donë këtë vend dhe punojnë për të mirën e tij, por ata edhe mbrojnë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ndaj, mendoj se populli ynë është këndellur dhe kështu u dha pozita atyre që i meritojnë ato. Deri para një kohe ka qenë e pamundur apo shumë e vështirë që lirshëm të bisedosh me krerët politikë, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë qendror. E tani kanë ndryshuar gjërat për së miri, falë Zotit. Tashmë kemi filluar të ofrohemi mes vete, të vizitohemi, të konsultohemi e t’i ndihmojmë njëri tjetrit që bashkërisht ta çojmë vendin para. Në pjesën dërmuese të komunave tona krerët politikë kanë një bashkëpunim shumë të afërt me këshillat e bashkësisë islame në ato vende.


Tashmë hoxhallarët së bashku me xhematin, e që fatmirësisht janë shumë, po japin kontributin e tyre edhe në zgjedhje e prijësit të tyre duke zgjedhë atë që është më bashkëpunëtori. Këtë bashkëpunim e kam vërejtur mirë gjatë disa vizitave të mia që u bëra disa krerëve komunal, kohëve të fundit, me ç’rast kam shfrytëzuar rastin t’ua urojë detyrën e të bisedojë miqësisht për atë që është në interes të atdheut, fesë dhe të shoqërisë sonë në përgjithësi. E di që ky bashkëpunim mes hoxhallarëve e politikanëve, ky ofrim i liderëve politikë me myslimanët, e në veçanti vizitat e mia, dikë po e pengon më të madhe. Ata që në zemrat e tyre ende e kanë partinë komuniste, e kanë bindjen se feja është opium, ata janë mësuar t’i shohin hoxhallarët të heshtur, gjersa gjithë të tjerët flasin. Të tillët, mjerisht, akoma vazhdojnë të jetojnë në shekullin e kaluar dhe atë në vitet e gjashtëdhjeta të kohës rankoviçiane. Vazhdojnë ta shohin vetën si pasardhës të majmunit. E çka presim prej dikujt që është në gjendje ta konsiderojë stërgjyshin e vet majmun?


Si duket nga stresi, mllefi e zilia ata as gjumi natën nuk po i zë, por ç’të bësh ‘plasni shoqe prej inati’, i thotë populli kësaj pune. Tek e fundja kështu e ka demokracia, populli e zgjedh kë do, e admiron kë do dhe e urren kë do. Po të ishin vetëm pak më largpamës, po të ecnin vetëm pak me kohën, do ta kuptonin se koha moniste ka kaluar, se feja në përgjithësi, e Islami në veçanti, për çdo ditë e më shumë po ngritet, po afirmohet dhe po i jap frytet e saj, në çdo shoqëri, përfshirë edhe atë perëndimore. Do ta kuptonin se nuk ka shoqëri pa fe, e feja jonë është kjo që është, ne tjetër fe nuk e kemi ndërmend të marrim. Atyre që nuk ju pëlqen le ta ndërrojnë apo le të jetojnë pa fe fare, por le të mos u shkoj as ndërmend të na pengojnë, se nuk e kemi ndërmend as t’i pyesim e as të ndalemi së vepruari. Të tillët shumë i pengoi edhe vizita ime tek akademiku i famshëm Rexhep Qosja, ashtu siç i pat penguar më herët vizita që i bëra dhe më bëri Akademik Nexhat Daci. Le ta dinë këta tipa, se llomotitjet, akuzat dhe shpifjet e tyre vetëm sa më ngritin si në raport me qiellin lart, po ashtu edhe me tokën.


Unë i urrej diktatorët dhe nuk dua të përdorë fjalinë e diktatorit Hoxha, ngase prapë kam respekt për njerëzit sado ngacmues e të paditur që janë, pra jam më i mirë se ata, por patjetër më duhet të potencojë se …Karvani do të ecë përpara. Unë do të vazhdojë, me emrin e Zotit, ta kryej detyrën time, ta çojë në vend misionin tim, të jem në shërbim të qytetarëve të mi, popullit të Kosovës, të gjitha shtresat janë xhemati/populli im, aty përfshihen si akademikët e politikanët po ashtu edhe biznesmenët dhe njerëzit e thjeshtë. Unë dhe të gjithë muslimanët në vendin tonë sot e kemi të qartë se ne po jetojmë në një kohë kur Islamit po i kushtohet një luftë speciale mediale më shumë sesa në kohën e komunizmit. Sot, individë, politikanë, deputetë e disa media, po shkelin të drejtat e mbi 96% të popullatës, po degradojnë dhe po fyejnë ata(o) në mënyrën më brutale. Thjeshtë, po luftojnë identitetin e shumicës absolute. Ndaj, këtë zullum nuk do ta duroj gjatë populli, nuk kam për qëllim të kundërsulmojë askënd sepse Ainshtajni i mençur tha ‘nuk zgjidhen problemet me të njëjtin mentalitet me ata që bënë ato, por dua të vë në pah se ‘pitja ishte pa krip’ siç ka thënë ai drenicaku i urtë. Ndaj, kjo luftë mediale, e atyre që kanë zell për gjëra negative, nuk është kundër një individi apo institucioni, por është luftë kundër tërë popullit tonë, është luftë kundër kulturës, traditës sonë, kundër vlerave tona shekullore. Te Zoti i Madh mbështetemi dhe nga Ai ndihmë kërkojmë. Zaten feja është e Tij, Ai ka për ta mbrojtur dhe për ta ruajtur, e ne jemi vetëm shërbëtorë, asgjë më shumë.


Për fund, u drejtohem të gjithë atyre që me urrejnë dhe po mundohen të ma mbajnë protokollin, ku të shkoj dhe ku jo, duke u thënë qartazi se nuk kam nevojë për ju, Allahu më ka nderuar me përkrahës, dashamirë e këshilltarë më të mirë dhe shumë më shumë sesa ju. Allahu na drejtoftë të gjithëve e na ruajt nga të ligat dhe intrigat e çdokujt. Amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Meteorologët gabuan edhe kësaj radhe në parashikimin e motit


 


Ndonëse na paralajmëruan për një dimër të rrezikshëm, pothuajse më të ftohtin në njëqind-vjetshin e fundit,


megjithatë, ndodhi e kundërta. Eh sa e sa herë po ndodhë e kundërta e asaj çka po pretendojnë meteorologët? Zaten ata nuk e dinë të ardhmen, sepse ajo është e fshehtë. Atë e di vetëm Ai që të ardhmen e ka nën kontroll, pra Zoti i plotfuqishëm dhe askush tjetër. Ai e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen,


Ai është absolut dhe sikur që edhe dija e Tij është absolute. Pastaj koha është krijesë e Tij, Ai e ka në dorë kohën, mu ashtu siç e ka në dorë klimën, shiun, borën dhe çdo gjë tjetër, por ja që shumica e njerëzve nuk e dinë. Nga ky këndvështrim, meteorologët gabuan edhe kësaj radhe në parashikimin e motit.


Evropa, jo si zakonisht, po përjeton temperatura pranverore. Në të vërtetë, globi është pushtuar nga gjendje të ndryshme klimatike. Në Amerikë po mbretëron acar i madh, bile bora këtë vit ka ‘vizituar’ edhe shumë shtete arabe si Egjiptin, Jordaninë, Palestinën, Sirinë etj. Në anën tjetër në Atlantik stuhi të fuqishme dhe acar kurse në Evropë temperatura të larta që nuk përkojnë me stinën në të cilën jemi.


Edhe Kosova, e cila gjeografikisht bën pjesë në këtë të fundit, po përjeton një pranverë, ani pse me dhëmbë. Kosova ishte lajm në më shumë se 100 medie botërore për thatësinë që po mbretëron dhe për shterjen gjithnjë e më shumë të liqeneve dhe lumenjve të saj. Kjo, përveç tjerash, bëri që thatësia në Kosovë të diskutohet edhe fetarisht, për shkak se shumica e qytetarëve të saj janë besimtarë dhe atë të besimit


islam.


Para pak ditësh kalova pranë njërit nga liqenet më të njohura të Kosovës dhe u ndala për ta shikuar për së


afërmi. U tmerrova kur pash sesa është pakësuar uji. Thash me vete: o Zoti im Ti je Ai që lëshon shiun, në dorën tënde është jeta jonë, a thua pse u shter apo është gati të shteret ky liqe? A mos për shkak të gjynaheve tona apo mos donë të na sprovosh me mungesë të ujit e thatësi?! La ilahe ilallah, i mërzitur e i shqetësuar u thash shokëve: kamë frikë se do vije koha kur në këtë liqe do kullosin bagëtitë. Po të nderuar, uji bazë e çdo gjëje, e çdo sendi, e çdo gjallese, për atë ka thënë Allahu: “Dhe ujin e bëmë bazë të jetës për çdo send”.  (Enbija:30). Me çka i Madhi Zot jo vetëm që tregon rëndësinë e ujit në krijimin e të gjitha gjallesave, porse edhe sinjalizon peshën e madhe që ka ky faktor për mbarë krijesat, gjë kjo e cila duhet ta bëjë njeriun shumë të kujdesshëm ndaj konsumimit të ujit. Zoti jo vetëm që bëri ujin bazë dhe faktor kryesor për jetën e njeriut, ashtu që njeriu pa ujë mundë të jetojë vetëm pak ditë, por atë e bëri edhe bazë të kryerjes së shumë adhurimeve dhe riteve fetare, si marrjen e abdesit, pastaj pastrimin e trupit, pastrimin e rrobave, ambientit, e kështu me radhë. Nëse kemi këtë parasysh, atëherë rëndom kuptohet se sa i kushton Islami rëndësi ujit, respektivisht ruajtjes së tij. Ai aq shumë çmon ujin sa që ndalon individin nga përdorimi i tepërt dhe harxhimi i tij pa nevojë, madje qoftë edhe në breg të lumit apo detit. Islami gjithashtu ndalon rreptësisht që të ndytët uji. Ai konsideron të gjithë njerëzit hisedar dhe ortak në ujë, andaj edhe ndalon në mënyrë të prerë që dikujt t’i mohohet e drejta e përdorimit të ujit, ndërsa të tjerët kanë mjaft. 


Sido që të jetë mendoj se të gjithë pajtohemi për rëndësinë e ujit, por nuk pajtohemi të gjithë se si dhe sa


duhet ta ruajmë e ta çmojmë këtë ujë. Ta falënderojmë Zotin që e zbret ujin nga lartë. Gjithashtu pajtojmë të gjithë se ne si popull jemi një krizë për këtë element jete, madje kriza ka gjasë të jetë edhe alarmante në muajt në vijim.


E di që shkenca i ka format e saja të shpjegimit të kësaj thatësie, duke filluar nga ngrohja globale, pastaj uzinat, tymtarët, industria e deri të qarkullimi i makinave të shumta etj, etj. por edhe feja na jap shpjegimin për këtë fenomen, madje na jap më qartë sesa çdo kush tjetër. Neve Kurani na mëson se shiu e bora është në


dorë të Zotit dhe se nëse njerëzit largohen nga rruga e Zotit ka mundësi të na sprovoj Zoti me lloj-lloj sprovash nga më të ndryshmet. Sa për ilustrim, Muhamedi (alejhiselam) ka thënë: “..Dhe nuk ndodh që njerëzit ta ndalin zekatin e pasurisë së tyre (të mos u japin njerëzve (të varfër) nga të mirat e tyre) veç se


Zoti do t’ua ndalë shiun dhe po mos të ishin bagëtitë atyre nuk do tu binte shi fare”. Unë që moti jam duke u frikësuar se qysh jemi bërë lajk Zoti ka me na sprovuar me diç të rëndë. Bile nganjëherë them: aq shumë jemi prishur ne saqë edhe po të bie gurë nga qielli, do të meritonim. Por, elhamdulilah, mëshira e Zotit është e madhe. Po të nderuar, të hamë e të pimë nga të mirat e Zotit, të ecim mbi tokën e Tij e të ndriçohemi nga dielli i Zotit, e të tallemi me Të dhe me fjalën e Tij dhe prapë të presim ditë të mira, kjo nuk mund të ndodhë! Këtë nuk e bënë asnjë shoqëri, asnjë popull, pavarësisht se çfarë besimi ka. Në tërë botën Krijuesi respektohet e përmendet më shumë sesa tek ne.


Apo thuaj ndash ndryshe: nuk dimë vend në Botë që luftohet Zoti më shumë sesa tek ne dhe atë nga liderët, nga paria. E paria janë e bardha apo e zeza e popullit, siç bëjnë ata ashtu bën edhe populli, zaten ata janë të ‘përzgjedhurit’ e popullit. Kjo për të cilën po flasim sot është vërtetë aq shqetësuese saqë po ta dinim saktë se çfarë na pret do të fillonim të qanim që tani. Andaj këshilla e ime për popullin tim është që të ktheheni në fenë e Zotit tuaj, që t’i lëni dukuritë negative dhe t’i luftoni ato. Që mos ta luftoni fenë, së paku lëreni myslimanët rehat, me hallet e veta, nëse vet nuk doni të pendoheni. Allahu na mëshiroftë, e shi e borë na lëshoftë, amin. Dhe deri javën e ardhme me një temë tjetër. Selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Debati i gabuar rreth fesë


 


Vitin 2014, siç po shihet, nuk e nisëm mbarë. Nuk janë vetëm ndryshimet atmosferike ato që po na shqetësojnë por kam frikë se Zoti po na dërgon shenja ndëshkimi. Natyrisht, për vendin tonë nuk është e natyrshme të jemi në mes të Janarit e të mos kemi shi e as borë. Çfarë do të bëjmë po të pakësohen rezervat e ujit deri në maksimum apo, ruana Zot, të humbasin fare. Kjo do të duhej të trokiste ndërgjegjen dhe mendjen tonë, por, ja që ndodhë e kundërta. Zhveshja nga feja i ka bërë njerëzit pa ndjenja, sikur të ishin robotë. Për pasojë, zhytja në mëkate vetëm sa vjen e shtohet çdo ditë. Çrregullimet vërehen kudo në shoqëri. Skandalet politike, ekonomike dhe shoqërore janë bërë lajme ditore. Ndërkaq feja, që thërret për vlera, sulmohet më së shumti. Sa i përket trajtimit të fesë padyshim ky është një fillim i mbrapshtë i vitit. Nuk kam për qëllim të alarmojë se feja është në krizë, absolutisht Jo.


Të gjithë janë të vetëdijshëm se Islami po përparon për çdo ditë. Por, disa bëhen sikur nuk e dinë e disa madje edhe i mundon ky fakt. Ajo çfarë na brengos më se shumti, në këtë rast, është forma se si po trajtohet Islami në shkrime dhe analiza të ndryshme. Kohëve të fundit, për fat të keq, është bërë rutinë që Feja Islame të jetë në shënjestër të disa intelektualëve mediokër dhe medieve spekulative. Dihen me emra dhe mbiemra kush janë këta intelektualë të vetëquajtur. Madje dihen edhe qëllimet e tyre tejet të ulëta. Duan përfitim klikimesh në kurriz të fesë.


Por, nuk janë këta të vetmit. Madje, sikur të ishin vetëm këta, nuk do ta bënim problem fare. Shqetësimi më i madh, i cili meriton një angazhim serioz, është fakti se si feja po sulmohet edhe nga qarqe me peshë shtetërore, ani pse të gjitha ligjet e miratuara thërrasin se feja duhet të mbrohet me ligj. Veprimet dhe deklaratat e disa pushtetarëve tanë na vendosin para një mori pikëpyetjesh:


Pse gjithë kjo urrejtje ndaj Islamit? Pse Islamin e shohin si problem, ndërkohë që faktet në terren dëshmojnë të kundërtën?


Pse kërkohet avancimi i shtetit duke mohuar traditën, kulturën dhe identitetin e popullit apo në dëm të vet popullit? Kush mund ta mohojë se ne shqiptarët me shumicë absolute jemi muslimanë dhe krahas identitetit kombëtar si shqiptarë kemi edhe atë islam nga aspekti fetar që nga lindja deri në varr?! Çfarë identiteti tjetër ka ky popull nëse jo atë Islam? Që nga lindja kur emërtohet me emër musliman, synetimi (rrethprerja), traditat familjare, kultura, muhabeti, ushqimi, martesa, lidhjet farefisnore e deri tek ceremonia e varrimit, kemi traditë islame. Më thoni, ju lutëm, si mund të përparojë një shoqëri kur luftohet identiteti i shumicës?! Si mund të përparojë një shoqëri e cila flet kundër vetvetes, kundër prindërve dhe të parëve të vet?! A nuk kemi qenë të shquar për kulturë dhe edukatë, respekt dhe tolerancë, ndërsa krejt këto kanë për burim fenë dhe shkollimin fetar. A nuk është e vërtetë se ishim analfabet dhe se universiteti, edhe ashtu i dobët për nga cilësia, në vendin tonë u hap tek në vitet e gjashtëdhjeta?!


Sociologët marrin për fakt se kultura dhe tradita paraqesin edhe identitetin fetar të një shoqërie. Çfarë vlere ka ai njeri i cili çmendet pas kulturave tjera ndërsa shanë kulturën e vetë? Ec e thuaj që Miroljub Jevtic e ka keq kur në librin e tij “Islami dhe Shqiptarët“ (Islam i Albanci) cilëson liderët shqiptarë si kundërshtarë të Islamit, ku mes tjerash thotë: “Të ashtuquajturit ‘liderë të shqiptarëve’ për shkak të kompleksit evropian e urrejnë popullin e vet dhe çdo gjë shpirtërore siç është Islami tek ta. Prandaj ne jemi fitues kur kjo ndodhë ngase çdo herë kur populli shqiptar pret me së shumti nga liderët e tyre, atëherë zhgënjehet nga ta sepse janë më se të gjithë pa moral shpirtëror dhe janë pjellë  e ateizmit që arrita personalisht t’ua imponoj në literaturën e tyre dhe krenohem me këtë gjë ngase janë patriot që si term, këta barinj me rrobe evropiane, e mësuan nga ne. Liderët laik shqiptar do të krenohen me ortodoksinë tonë apo kryqin katolik në Kosovë në kohën kur atje janë religjion minoritar dhe çdo gjë autoktone që i ruajti si shumicë nga sllavizmi ishte Islami…” Personalisht, kur serbët thonë qoftë edhe mirëdita unë shikoj dy herë anash për të verifikuar se është ditë por faktet dhe përshkrimi, në këtë rast, janë reale sikur Jevtic ta udhëhiqte qeverinë, e jo liderët që i votuam vet.


Çfarë faji i pati Islami qeverisë sonë e cila dështoi ta bëjë ndonjë hapë para drejt liberalizimit të vizave?


A dëgjuam ndonjëherë se Evropa u ankua nga shumica muslimane në Kosovë, apo mos na e tërhoqën vërejtjen për korrupsionin e lartë, mungesën e sundimit të ligjit, dallaveret e mashtrimet e shumta, krimin e


organizuar, e dukuri tjera negative, etj.


Pse fajin për dështim politik t’ia hedhin Islamit?!


BE-ja kurrë nuk ka dhënë madje as më të voglin sinjal rreth identitetin kombëtar apo fetar për tu pranuar si anëtar në familjen e madhe evropiane. Përkundrazi në zyrën e komisionarit Stefan Füle u pa edhe emri i Pejgamberit Muhamed, gjatë vizitës së Ilir Metës atje, siç raportuan shumë portale e rrjete sociale. Ndaj çfarë duan udhëheqësit tanë që po mundohen të zhveshën jo vetëm nga identiteti fetar, por edhe nga ai kombëtar. Evropa edhe po të na kushtëzonte një gjë të tillë ne nuk do duhej pranuar sepse me kushtëzime nuk arrihet asgjë. Ja dështimet e kushtëzimeve, liri me kusht, pavarësi me kusht – e mbikëqyrur, tash edhe ndarja e vendit do të bëhet me kusht. Me kushtëzime askush nuk ka arritur asgjë e në veçanti kur në pyetje është kombi, tradita, feja dhe kultura jonë. Ne nuk e humbim djepin, nuk e heqim sofrën, odën, xhaminë, nuk e ndryshojmë gjuhën shqipe e të flasim anglisht për tu dukur më të “emancipuar.” Ne kudo që shkojmë duam të jemi e të paraqitemi ata që jemi, nëse të tjerët kanë vlera, edhe ne i kemi vlerat tona, bile më të mira se shumë të tjerëve. Nëse i humbim këto vlera atëherë ne mund të kemi dhe të jemi gjithçka por jo më ata që ishim dikur dhe ata që i kishim prindërit, pra nuk jemi më vetvetja.


Mos të habitet dikush e të mendoj se mund të luaj me identitetin fetar e kombëtar, nuk ngritët kombi duke e luftuar fenë. Çdo kush që luan me fenë le ta dijë se vet do të digjet në atë lojë. Loja me fe, në veçanti me Islamin, është një kartë shumë e rrezikshme, fundi i të cilës mbase mund të jetë edhe hidhërim nga qielli dhe zbritje e dënimit. Ne jemi përcaktuar për një shtet dhe shoqëri multi-etnike dhe multi-kulturore. Andaj duhet të jetojmë si të tillë secili fenë e vet drejtimin e vet, ideologjinë e vet pa e penguar askush askënd. Zaten, çfarë vlere dhe kuptimi ka demokracia nëse nuk respektohet tjetri, nëse nuk pranohet tjetri ashtu siç është.  Inshallah ka hair pas gjithë këtyre sulmeve e provokimeve ndaj fesë! Allahu na drejtoftë e na udhëzoftë, në veçanti parinë tanë, por edh neve bashkë me ta. Amin dhe deri javën e ardhme me një temë tjetër. Selam alejkum!


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Absolutisht nuk synoj të përqeshë popullin tim


 


Varfëri dhe luks, është ky një kombinim paradoksal që Kosova ka preferuar të bëjë për Vitin e Ri. Shifrat alarmante të shpenzimeve për përgatitjet dhe manifestimin e kësaj feste ishin vërtetë për shqetësim. Komuna e Prishtinës, ndonëse ka të varfër në kushte ekstreme, ndau mbi 62.000 euro nga paraja publike për ta zbukuruar qytetin. Sikur këto para të jepeshin për të varfrit ata të paktën do të mund ta kalonin më lehtë këtë dimër! Është bërë disi si zakon që të vajtohet për varfërinë duke u zhytur edhe më thellë në të.


Kur njeriu shikon se si bëhen gazmendet, ahengjet e sidomos e ashtuquajtura “festë e vitit të ri” të mbushet mendja se ky popull ose nuk është i varfër ose nuk është fare racional. Kjo për faktin se po t’i thuash dikujt se Kosova është vend i varfër, ndërsa në anën tjetër sheh gjithë këto shpenzime vetëm për një natë, askush nuk do të besonte se një gjë e tillë është reale. Përkundrazi, do të mendonte se kemi një standard jetese të ngjashëm me ndonjë shtet skandinav.


Sipas të dhënave zyrtare të shërbimit doganor në Kosovë për këtë vit janë futur mjete piroteknike në vlerë mbi tre milion euro. A thua vallë sa para të tjera janë harxhuar për ushqime dhe pije?! Kjo sinjalizon se ne ose bëhemi se jemi të varfër ose vuajmë nga oportunizmi – çka bënë njëri, bënë edhe tjetri. E, padyshim, që të dyja këto janë gjeste dhe veti shumë të ulëta.


Absolutisht nuk synoj të përqeshë popullin tim, Zoti mos e bëftë! Unë vetëm po përpiqem ta këshilloj atë për faktin se e dua dhe më dhimbset. Nuk dua ta shohë popullin tim duke shpenzuar kot në gjëra të paarsyeshme; nuk dua ta shohë atë tek manipulohet nga të tjerët.


Kjo ‘festë’ le që na i zbrazi xhepat por shumë kujt ia nxiu edhe jetën, ia mbushi shtëpinë me lot, sepse të lënduarit arritën në dhjetëra, disa prej të cilëve edhe me lëndime të rënda e serioze.


Me gjithë stërmadhimin që iu bë kësaj feste, me gjithë reklamat nëpër programe të larmishme, megjithatë ata që me vetëdije iu larguan festimit nuk ishin pak. Çdo vit e më shumë po hasim në qytetarë të cilët nuk festojnë për shkak se llogarisin festimin si mëkat ose për shkak se nuk shohin ndonjë dobi nga kjo festë, ndaj edhe nuk donë të shpenzojnë kot e kot. Na mbanë shpresa dhe lutemi që numri i tyre të shtohet edhe më shumë në vitet që do të vijnë.


Konsideroj se, të paktën moralisht, shteti duhet të vihet para përgjegjësisë për viktimat e panevojshme të kësaj ‘feste’ si dhe për thellimin e varfërisë për çdo vit sepse, jo vetëm që do të duhej të kufizonte me ligj futjen e mjeteve piroteknike, por do të duhej edhe të ndërmerrte fushata vetëdijesimi për qytetarët që të kursejnë maksimalisht në mënyrë që të përballojnë dimrin, i cili ende këtë vit nuk ka filluar me acar e reshje dëbore.


Sido që të jetë, vitin që lamë pas ishte një vit shumë i rëndë, i mbushur me sfida, halle e parregullsi, në të gjitha rrafshet. Po e fillojmë një vit të ri të mjegulluar, do të thosha, të paqartë për shumë gjëra. Zoti e di, por mendoj se mund të jetë vit edhe më i rëndë sesa ai i kaluari, me më shumë sfida, varfëri, etj.


Natyrisht, e ardhmja për njerëzimin është plotësisht e fshehtë, njerëzit vetëm mund të parandiejnë e të planifikojnë ndërsa Allahu është Ai që vendos se çka do të bëhet. Nuk bën të jemi pesimist, por të shpresojmë, të lutemi e të punojmë për një vit më të mirë, më të suksesshëm, më të mbarë në të gjitha fushat!


Nga ana tjetër, viti që shkoi ishte vit mjaft agresiv me sulme të njëpasnjëshme kundër Islamit dhe muslimanëve në Kosovë. Shumë shpresojmë që politikanët të cilët edhe më tej kanë keqkuptime në raport me Islamin dhe muslimanët, ta korrigjojnë vetën e tyre, të mos paragjykojnë, ta lënë shekullin e kaluar, e të jetojnë me kohën, me të tjerët në shekullin XXI. Tani është koha e shkencës, koha e respektimit të lirive fetare dhe praktikimit të fesë, koha e rizgjimit shpirtëror, koha e paraqitjes së vlerave, secili veç e veç, koha e tolerancës dhe bashkëjetesës pa e dëmtuar dhe penguar asnjërin.


Kam shpresë të madhe në Zotin e Plotfuqishëm që çështja e shamisë të zgjidhet këtë vit njëherë e përgjithmonë dhe të mos vazhdojë më me këto zvarritje të pakuptimta e monotone. Allahu na ndihmoftë të gjithëve në punë të mbarë, na dhëntë suksese dhe të mira! Amin!


Deri në takimin e radhës, Selam alejkum!   

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …