leoni

Zenun Elezaj: Flakadanët e Janarit dhe të gjithë të tjerët do të mbesin emra të përjetësuar të kombit

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në ambientet e shtëpisë së kulturës “Jehona e Dukagjinit” është mbajtur  manifestimi kulturor-artistik e tradicional “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet për nder të  tre  Heronjve te Kombit: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, po ashtu edhe në nderim të Dëshmorëve të Kombit,  Ilir Merturi, Naim Gashi dhe Vesel Avdyli, të rënë së bashku me 21 dëshmorë të tjerë dhe më 9 martirë në Rogovë të Hasit, në fundjanarin e  vitit 1999.

Në këtë manifestim morën pjesë Kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetari i Komunës, prof. Besim Hoti, përfaqësues të familjes Gërvalla, të familjeve Merturi, Gashi, Veseli, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Policisë së Kosovës, mysafirë nga Komuna e Vushtrrisë  dhe  Mitrovicës.

Manifestimi u fillua me intonimin e  Himnit Kombëtar.

Kryetari i Komunës, Prof. dr. Zenun Elezaj në fjalën e tij theksoi se këto figura të ndritura të historisë e të kombit tonë, kryen një mision të madh  para historisë dhe  ndërgjegjes sonë kombëtare, duke u bërë zjarr e Flakë e Janarit; zjarr mbi acarin e robërisë shumëshekullore, së cilës po i vinte dhe i erdhi fundi patjetër, derisa Kosova kishte figura të tilla si këta Pishtarë të Janarit, si shumë figura të tjera dhe bashkëluftëtarë të tyre, të cilët Kosovën dhe popullin e saj e frymëzonin me akte trimërie, duke e përgatitur për vazhdimin e luftës, për Luftën finale që bëri UÇK-ja në krye me Komandantin historik e legjendar, heroin e kombit, Adem Jasharin.

“Përpjekjet e popullit shqiptar për çlirimin e trojeve etnike janë të hershme sa edhe vetë lufta e këtij populli për liri dhe pavarësi, përpjekje këto që u sublimuan më Luftën e UÇK-së dhe ndihmën e miqve ndërkombëtarë, që u kurorëzua me  lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  Pra, Lufta e fundit e UÇK-së, ishte vazhdimësi e  të gjitha  përpjekjeve të vazhdueshme të të gjitha  kohërave dhe falë luftës së saj heroike dhe gjakut të derdhur neve sot na është krijuar mundësia  që veprat madhore  të të gjithë dëshmorëve të kombit t’i përkujtojmë dhe nderojmë me pietet.  Lëvizjeve tona të mëhershme për faktin se ishin përpjekje me përmasa kombëtare për çlirim, u bënë paraprijëse  dhe pararendëse të  një zgjimi kombëtar, po ashtu bënë të mundur  vazhdimësinë e proceseve të mëdha historike, në përmirësimin padrejtësive historike që janë bërë në  dëm të popullit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe copëtimin e  hartës së gjeografisë së tij kombëtare.

Kjo ditë na bën të ndihemi më krenarë, më të privilegjuar, më të detyruar ndaj veprës së këtyre dëshmorëve, si dhe më të përkushtuar për punë dhe angazhim, me qëllim të sendërtimit dhe finalizimit të idealit për të cilin ata edhe e dhanë jetën e tyre.  Lavdi dhe përjetësi e përjetshme për Jusufin, Bardhoshin, Kadriun, Ilirin Veselin, Naimin dhe për gjithë heronjtë  dhe dëshmorët të tjerë  të kombit, që jetën e tyre e dhanë për ditën e sotme – Lirinë e Kosovës”, a konstatuar kryetari Elezaj.

Me kumtesat e tyre rreth  figurave të ndritura, Jusuf, Bardh e Kadri Zeka, si dhe të dëshmorëve  të kombit Ilir Merturi, Naim Gashi dhe Vesel Avdyli, folën prof. dr.  Asllan Krasniqi dhe prof. Prend Buzhala.

Një pjesë e këtij manifestimi ishte konceptuar me një orë letrare, ku poezitë e tij i lexuan krijues nga Klina, Peja, Istogu, Gjakova etj.

Manifestimin ka madhështuar  pjesëmarrja me interpretimin e disa pikave artistik të  ansamblit të këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” nga komuna e Vushtrrisë. (Adem Lushaj)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …