Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: VETMINI

Ndalova në autostradën e lagjes Nea Zmirni (Athinë), përballë një dyqani të madh e të bukur, ku në vitrinë të prishnin sytë paisje qelqi e porcelani me artin e bukurisë brenda…

– Zotin Dhimitër dua, pronarin, ju luta një mesoburri që rrinte tek dera në pritje të klientëve.

– Ja tek është, më tregoi ai me dorë një burrë të shëndoshë e mbi 70 vite mbi supe.

– Eca me kujdes se mos rrëshqisja nga shkëlqimi i qelqeve, që ndjeja sikur më shikonin mua dhe iu prezantova pronarit:

– Zoti Dhimitër, jam miku i Janit, erdha për atë punën.

– Oh shumë mirë,- dhe më dha dorën pastaj vazhdoi.

– Nga je mor djalë?

– Jam nga Shqipëria – dhe e pashë në sy pronarin, që do më punësonte.

– Shqiptar safi ? – më foli ai me një shqipe disi të deformuar .

– Shqeto, pa sheqer …-ia kthej unë duke qeshur para fytyrës së tij babaxhane.

Ai u kënaq nga përgjigja ime dhe foli :

– Edhe unë rrënjën andej e kam, dhe nisi të më tregojë greqisht, për të folur më rrjedhshëm. – Stërgjyshi im ka ardhur këtu para 200 vjetësh. Është histori e gjatë ajo e stërgjyshit tim, por unë do ta them shkurt se do punojmë apo jo ?!

– Po.

– Stërgjyshi im ishte djalë i ri atëherë – Nuk i kishte bërë të njëzetë vjetët. Donte të ikte në kurbet siç i thonë të ikurit. Priti një javë në skelën e Durrësit sa erdhi një vapor nga përtejdetet. Vapori ishte nga Spanja, por se ku vente nuk dihej. E le të vente ku të donte, stërgjyshi im djalë ishte e donte të vente matanë botës. Priti sa u ngarkua vapori dhe fshehur e fshehur, iu ngjit si kërmill. Kur iu mbush mendja se duhej të delte, doli në guvertë. Shqyen sytë ata të vaporit. Ca donin ta mbanin në vapor, ca ta hidhnin në det. Por kapiteni nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. “Nuk është barbar ky, jo- tha kapiteni – është djalë i bukur dhe nuk e tregoi atë që kish vendosur në trurin e tij.

Sa erdhi anija në molin e Pireut e zbritën “djalin e bukur”. Anija vazhdoi rrugën e saj ai mbeti i vetëm në Pire. Punën e donte. Hop këtu e hop atje deri sa erdhi në këtë vend e nguli themelet. Kjo lagje ka qenë ferra, gurë e baltë e kuqe. Erdhën të ikurit nga turku, që e donin jetën dhe kush e do jetën e bën që të jetohet. Edhe stërgjyshi im ishte i vetëm pa nënë e pa baba, pa motra e pa vëllezër (ndaj vuri atë mbiemër). Por halli të bëhet shok … Dhe bëri familje stërgjyshi im, e bëri fëmijë, e ja tek jam unë tani pas kaq brezash. Nga ajo kohë e deri më sot ne mbajmë emrin e fisit VETMINI. Edhe mua Dhimitër Vetmini më thonë. Edhe dyqani VETMINI e ka emrin, e sheh?- më tërhoqi nga krahët deri tek sytë e dyqanit, ku shkruhej me gërma të mëdha VETMINI. Hë do punojmë apo jo ?- foli pastaj miqësisht dhe më tregoi se ku do të punoja.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …