Pak ditë më parë, e përditshmja franceze Libération botoi një manifest të hartuar nga filozofi mediatik francez, Bernard-Henri Lévy dhe të nënshkruar nga 30 shkrimtarë europianë, mes tyre disa shkrimtarë nobelistë dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare. Nënshkruesit e atij manifesti deklarohen kolektivisht si “patriotë europianë”, për të përçuar idenë se Europa është atdheu i tyre i përbaskët, ose “atdheu i dytë” i tyre. Teksti i tij, që titullohet “Europa është në rrezik”, i bën thirrje publikut europian për t’u ndërgjegjësuar mbi rrezikun iminent që përfaqëson përhapja e populizmit në kontinent dhe për të marrë në dorë fatet politike të Bashkimit Europian në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, që do të mbahen në maj këtë vit.
Narrativa e këtij manifesti është e shkëlqyer; fryma e tij, gjithashtu. Me të nuk ka se si të mos solidarizohesh, edhe pse ne, shqiptarët, kudo që jetojmë në këtë gadishull juglindor të Europës, të lënë deri më sot jashtë fortesës së BE-së, nuk do të mund të shprehim me anë të votës—as këtë herë dhe ndoshta askurrë—vullnetin tonë kolektiv, si komb, për të sotmen dhe për të ardhmen e kontinentit tonë të përbashkët.
Por, ajo që më ka bërë përshtypje dhe më shqetëson në këtë dokument është fryma pesimiste e fataliste e tij dhe, sidomos, hipokrizia me të cilën një pjesë e firmëtarëve të tij i trajtojnë shqetësimet e sotme të europianëve. Manifesti tingëllon si një këmbanë alarmi për qytetarët e vendeve të Bashkimit Europan, të cilëve u “kujton” se, nëse në zgjedhjet europiane të majit ata nuk u rezistojnë presioneve populiste dhe forcave politike të djathta e ksenofobe, rezultati i atyre zgjedhjeve do të jetë fundi i Europës dhe “fitorja e shkatërruesve [të saj], poshtërimi i atyre që ende besojnë në trashëgiminë e Erazmit, të Dantes, të Gëtes, dhe të Komeniusit; përçmimi për inteligjencën dhe kulturën; shpërthimet e ksenofobisë dhe të antisemitizmit; një shkatërrim”.
Shekspiri, më i madhi gjeni i kulturë humaniste europiane dhe asaj botërore, është harruar të përmendet! Ndoshta për shkak se ai ishte nga përtej Lamanshit, pra jo një european i kontinentit! Por, Erazmi, Danteja dhe Gëte, me idetë dhe frymën e tyre humaniste e iluministe, nuk janë të rëndësishëm e të dobishëm vetëm për europianët, ose vetëm në kontekstin europian. Idetë dhe fryma e tyre kanë vlerë universale dhe duhen mbrojtur kudo e prej kujtdo që synon t’i shkelë e t’i përdhosë ato.
Sa masakra, të ngjashme me ato të nazistëve, u kryen në Bosnjë e në Kosovë, pra në një pjesë të Europës, në vitet 1990, dhe ku ishin “patriotët europianë” që ta denonconin e ta ndalonin dhunën?! Ku ishin disa nga këta “patriotë europianë”, firmëtarë të manifestit në fjalë, kur ushtarë europianë bënin sehir masakrën sërbe në Shrebenicë para syve të tyre dhe nuk e ndalën atë?! Bosnja dhe Kosova provuan se, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Europa është mjerisht e paaftë që t’i kundërvihet tiranisë, madje edhe në “oborrin e pasëm” të saj, duke mos mundur të shkojë dot më larg dialogut me diktatorët dhe vrasësit.
Ku ishin dhe ç’bënë tetë vitet e fundit këta “patriotë europianë”, që sot flasin për Erazmin, Danten dhe Gëten, kur disa nga qytetet më të lashtë të njerëzimit dhe shumë monumente kulturorë të jashtëzakonshëm në Siri u shndërruan në skena apokaliptike shkatërrimi prej një regjimi diktatorial dhe nga një luftë civile, që Europa dhe Amerika nuk mundën—dhe as u përpoqën—që ta ndalojnë?
Ku kanë qenë dhe ç’kanë bërë këta “patriotë europianë” gjatë dy dekadave të fundit, kur qeveritë e disa prej vendeve të tyre, pasi e njohën Turqinë si një vend që gjeografikisht bën pjesë në Europë dhe si një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin European, vazhdojnë t’i mbajnë mbyllur dyert e BE-së për këte vend të madh?
Ku ishin dhe ç’bënë këta “patriotë europianë” humanistë, kur qeveritë e disa prej vendeve të tyre nisën të ngrënë mure për t’i penguar qindramijëra refugjatë sirianë, shumë prej të cilëve fëmijë të mbetur pa prindër, pa strehë e pa atdhe, jo terroristë, që të gjenin strehë në vendet e tyre? A nuk tingëllon thjesht si hipokrizi dhe demagogji pohimi i atij manifesti se “Europa mbetet atdheu i dytë për të gjithë njerëzit e lirë të botës”, kur, në të vërtetë, portat e saj janë të mbyllura edhe për qeniet njerëzore më në nevojë?
Mos vallë vetëm afrimi i zgjedhjeve të majit ka zgjuar “patriotizmin europian” të këtyre intelektualëve dhe evokimin e vlerave humane të korifejve të kulturës europiane?
Nënshkruesit e këtij manifesti thonë se janë “ndër ata që nuk dorëzohen” para rrezikut që kërcënon Europën kur, në fakt, ata i referohen një Europe feminine, që asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk pati guximin t’u dilte zot fateve të veta, por e kërkoi shpëtimin dhe mbrojtjen e saj nga përtej Atlantikut. Dhe tani, ata qahen se ndihen “të braktisur prej përtej La Manshit dhe Atlantikut, nga dy aleatët e mëdhenj që e kanë shpëtuar [Europën] në shekullin e njëzetë dy herë nga vetëvrasja”. Por, ku ishin disa nga këta “patriotë europianë’ kur Franca e De Golit nuk e donte Anglinë si anëtare të Komunitetit Europian dhe dy herë vuri veton për ta penguar anëtarësimin e fqinjit të saj përtej Lamanshit në atë Komunitet, që sot është Bashkimi European?! Pse tani, që Anglia ka vendosur të dalë nga BE-ja, këtë e konsiderojnë “braktisje”?
Pse ndihet Bernard-Henri Lévy i braktisur nga Amerika kur, pothuajse të gjithë presidentët francezë, qysh nga përfundimi i luftës me Algjerinë—Charles de Gaulle, Georges Pompidou, Valéry Giscard d’Estaing, François Mitterrand dhe Jacques Chirac—vazhdimisht ua kanë kushtuar energjitë më të mëdha në politikën e tyre të jashtme pengimit të objektivave të politikës së jashtme amerikane. A nuk ishte Mitterand, presidenti francez më pro-amerikan pas Luftës së Dytë Botërore, ai që deklaroi se Franca është “në luftë me Amerikën”? Dhe, a nuk ishte presidenti Chirac ai që, në mënyrën më cinike, thoshte se, në politikën e jashtme, ai kishte këtë parim: “Unë shoh se ç’bëjnë amerikanët dhe bëj të kundërtën”?
A nuk ishte po një filozof francez, Jean Baudrillard, ai që, vetëm pak javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në një mënyrë edhe më cinike se presidenti i vendit të tij, deklaroi se “çdonjëri prej nesh, francezëve, e dëshiruam vdekjen e Amerikës”?. “Kjo”, shprehej Baudrillard në atë kohë, ishte “kënaqësia jonë e fshehtë prej vuajtjes së të tjerëve—një vuajtje, e domosdoshme dhe e justifikuar, sepse Amerika vërtet e meriton këtë”. Sipas tij, “gëzimi i shumë intelektualëve francezë për tragjedinë dhe traumën që pësoi Amerika më 11 shtator” të atij viti ishte “në proporcion të drejtë me imagjinatën e tyre terroriste”. Baudrillard deklaronte se shkatërrimi i kullave binjake në Nju Jork përmbushi përfundimisht “ëndrrën e Perëndimit”, që është “urrejtja jonë ndaj çdo rendi botëror përfundimtar e të përjetshëm”, duke përfunduar me këto fjalë makabre: “Ne e dëshiruam këtë ngjarje; çdonjëri nga ne e dëshiroi që ajo të ndodhte, sepse është e pamundur të mos dëshirosh shkatërrimin total të një superfuqie të tillë hegjemone. Edhe pse kjo është krejt në kundërshtim me vlerat morale të Perëndimit, ky është një fakt dhe ky fakt evidenton pikërisht dhunën patetike të çdo përpjekjeje për ta mohuar atë”.
* * *
Nëse vlerësojmë rolin dhe kontributin e Amerikës dhe ato të vendeve europianë anëtarë të NATO-s në forcimin e paqes, të sigurinë e të mirëqenies së popujve të kontinentit european, kuptohet se nuk është Amerika ajo që e ka braktisur Europën. Fatmirësisht, Amerika nuk mund të personifikohet me Presidentin Trump dhe ky i fundit nuk është Amerika.
Ishte në saje të ndihmës amerikane që Franca, e rrënuar nga dy luftëra botërore dhe nga depresioni i viteve 1930, vetëm në fillim të viteve 1950 mundi të arrinte atë nivel të ardhurash për frymë të popullsisë që kishte pasur në vitin 1914. Ishin prania ushtarake amerikane dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe mbrojtjes së Europës ato që krijuan mjedisin e nevojshëm dhe mundësitë për rindërtimin e Europës Perëndimore pas Luftës, si dhe për integrimin e saj ekonomik e politik. E mbrojtur dhe e sigurt nën mburojën së NATO-s, Europa Perëndimore ishte në gjendje që të “kopjonte” arritjet e jashtëzakonshme të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një klasë të mesme numerikisht të gjerë dhe duke financuar një sistem arsimor e të mirëqenies për të gjithë. Për afro gjysmë shekulli, Europa Perëndimore u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane, duke përfituar çdo të mirë që i siguronte përfshirja në aleancën transatlantike, pa bërë vetë sakrificat e domosdoshme për ruajtjen e sigurisë së saj. Çdo hap drejt integrimit ekonomik e politik të Europës—duke filluar me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut më 1957—gjithashtu, u hodh nën mbrojtjen e fuqisë amerikane dhe të NATO-s. Edhe vetë Bernard-Henri Lévy, në librin e tij American Vertigo (2006), pohon se Europa e ka humbur “një pjesë të memorjes, apo një pjesë të shpirtit të saj?”.
“Parajsa” e paqes dhe prosperiteti që europianët vazhdojnë të gëzojnë sot është bërë e mundur edhe për shkak të fuqisë amerikane dhe aleancës me të. Duke qenë se sigurinë e saj e ka mbrojtur Amerika—dhe në një masë të madhe vazhdon ta mbrojë edhe sot—Europa ka qenë dhe vazhdon të jetë një spektator thuajse pasiv dhe nuk ka mundur—madje as ka dashur—që të investojë sa duhet për mbrojten dhe sigurinë e vet. Është një “ironi e historisë”, nëse përdor këtë shprehje të Hegelit, që, e mbrojtur nga ombrella amerikane, Europa edhe sot gënjen veten e vet duke besuar se forca nuk është më e rëndësishme dhe se fuqia ushtarake amerikane dhe kultura strategjike e saj kanë dalë “jashtë mode” e janë bërë “të rrezikshme”.
Shumë intelektualë europianë—edhe ata “patriotë europianë”—dhe një pjesë e elitës politike të Europës, besojnë se epoka e luftrave dhe e konfrontimeve ushtarake ka mbaruar dhe se tashmë është bërë e mundur të evitohet historia dhe të dilet nga një “botë hobesiane e anarkisë” në një “botë kantiane të paqes së përjetshme”. Përfaqësuesit e tyre në institucionet e BE-së në Bruksel dhe diplomatët e Bashkimit Europian, shkruan Victor Hanson, “sillen si filozofët e dikurshëm të Greqisë së Lashtë në agora, pasi ata e dinë se janë të mbrojtur nga amerikanët, të cilët luajnë rolin e legjioneve romake”.
Ka madje intelektualë dhe politikanë të tillë në Europë, të cilët mendojnë se sot jetojnë në një botë habermasiane “post-historike”, “post-westfaliane” dhe “post-moderne”, në të cilën lufta është shndërruar në një kujtim të historisë për shkak të triumfit të një “ndërgjegjeje morale” ndërkombëtare dhe se problemet e sotme, ashtu si dhe dallimet e rëndësishme që ekzistojnë mes aktorëve ndërkombëtarë, mund të zgjidhen, të paktën në parim, përmes mendimit racional kritik dhe veprimit komunikativ, si dhe përmes bashkëpunimit të tyre në një “mënyrë të orientuar drejt qëllimit” për arritjen e një mirëkuptimi mbi atë se si duhet të organizohet bota e sotme dhe ajo e ardhshme.
* * *
Nuk mund të mohohet se, megjithë problemet që ka shoqëria e tyre, amerikanët, më shumë se “kushërinjtë” e tyre europianë, për breza me radhë kanë besuar dhe besojnë se e ardhmja do të jetë një botë më e mirë se e sotmja. Madje, siç ka ndodhur edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, qindra milionë europianoperëndimorë dhe njerëz në të katër anët e globit kanë jetuar e do të vazhdojnë të jetojnë një të ardhme, dizenjua e së cilës mban markën amerikane. Kinematografia amerikane dhe muzika pop e saj, artet vizuale dhe letërsia e saj, pikëpamja e saj gjerësisht e përhapur se diploma universitare duhet të jetë një normë për këdo, si dhe insistimi i saj në komfortin e jetesës familjare kanë marrë në ditët tona një përhapje shumë të gjerë përtej klasës së mesme, e cila ka qenë gjithashtu një krijim amerikan, duke u bërë nevoja të domosdoshme për një klasë të mesme globale në çdo vend dhe rajon të globit, e cila rritet numerikisht përherë e më shumë. Dhe bashkë me të gjitha këto, Amerika ka përhapur në mbarë globin elementët themelorë të besimit të saj: lirinë e shtypit, tregtinë e lirë, lirinë e tregut dhe zgjedhjet e lira.
Dallimin që tradicionalisht ka ekzistuar dhe ekziston mes vizionit pesimist të europianëve mbi botën dhe të ardhmen e tyre dhe vizionit optimist të amerikanëve e kanë shprehur më së miri dy shkrimtarë të njohur. Në librin e tij tashmë klasik, 1984, George Orwell shkruante se: “Nëse dëshiron të kesh një ide mbi të ardhmen, imagjino një çizme të stampuar mbi një fytyrë njerëzore―përgjithnjë”. Në dallim nga një vizion i tillë pesimist, filozofi amerikan Daniel Boorstin thotë se Amerika gjithnjë ka qenë “një vënd i ëndrrave, një vënd në të cilin aspiratat e njerëzve të ardhur nga shoqëri ku sundojnë aristokratët dhe të kaluarat ideologjike mund të arrijnë gjithshka që më parë u dukej e paarritshme”.
Sidoqoftë, lidhjet mes Europës dhe Amerikës janë të vjetra e të thella. Europa është burimi më i hershëm dhe rezervuari më i thellë i traditës kulturore perëndimore, ose i atij fenomeni, të cilin, në gjuhën e përditshme, e quajmë qytetërim perëndimor. Themelet e tij gjenden në Akropolin e Athinës dhe në Pantenonin romak. Librat e famshëm që ushqyen imagjinatën dhe mendimin perëndimor u shkruan nga europianët e mëdhenj—Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Loku, Volteri, Rusoi, Kanti, Hegeli, Marksi, Gëte, Balzaku, Tolstoi, Frojdi, Raselli—ashtu si arti dhe shkenca perëndimore nuk do të mund të kuptoheshin dot pa gjeninë krijuese të Fidias, Praksitelit, Da Vinçit, Mikelanxhelos, Van Gogut, Mozartit, Bethovenit, Dekartit, Njutonit apo Ajnshtajnit. Idetë e mëdha të Perëndimit mbi demokracinë, kapitalizmin dhe të drejtat e njeriut, origjinën e tyre e kanë gjithashtu, në kontinentin europian.
Vetë amerikanët e dinë se Kushtetuta e tyre dhe idetë e themeluesve të Republikës amerikane, të cilat janë themeli i qytetërimit të sotëm amerikan, janë mbështetur në idetë që transformuan Europën e shekullit të 18-të (idetë e Monteskjësë, të Rusoit e të Xhon Lokut) dhe nuk do të mund të përfytyroheshin e të kuptoheshin dot pa to. Kjo origjinë e përbashkët dhe vlerat që lidhen me të krijojnë një afinitet të tillë kulturor e shpirtëror mes amerikanëve dhe “kushërinjve” të tyre europianë që i bën më të shumta e më të rëndësishme ato çka i bashkojnë Europën dhe Amerikën nga ato çka i ndajnë.
* * *
Ashtu si në të kaluarën, edhe sot—por më shumë akoma në të ardhmen—Europa dhe Amerika kanë e do të kenë nevojë për njëra-tjetrën. As Amerika (dhe as Anglia post-Brexit) s’mund ta braktisin e nuk do ta braktisin Europën, as kjo e fundit nuk mund t’i braktisë dhe s’do t’i braktisë aleatët e saj përtej Lamanshit dhe përtej Atlantikut, siç pohojnë të shqetësuar Lévy dhe firmëtarët e tjerë të manifestit mbi rrezikun në Europë.
Në analizë të fundit, as Europa dhe as Amerika nuk mund të gjejnë partnerë dhe aleatë më të mirë për veten e tyre, të cilët të mbështeten mbi të njëjtat tradita e të jenë të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera e ideale politike. Nëse Europa dhe Amerika bien dakort mbi atë se cilat duhet të jenë rregullat dhe institucionet e rendit ndërkombëtar, është plotësisht e mundur që ato të kontribuojnë në krijimin e një rendi ndërkombëtar të drejtë e të qëndrueshëm.
Europa e sotme, sigurisht, ka problemet e veta dhe shqetësimet që shprehen në manifestin e shkrimtarëve europianë janë reale e iminente. Ato kërkojnë vigjilencën, vëmendjen dhe angazhimin e qytetarëve europianë dhe të të gjitha forcave progresiste të kontinentit për të ruajtur arritjet e derisotme në realizimin e Projektit Europian. Ndërsa shqetësimi për rreziqet që i vijnë këtij projekti të madh—më i madhi projekt i inxhinierisë sociale në historinë e njerëzimit—është real, nuk ka vend për panik dhe s’duhet të ketë vend për hipokrizi. (Dita)