leoni

Mbahet mbledhja e parë e Kuvendit Komunal të Gjakovës për vitin 2019

Në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës së  Gjakovës për vitin 2019, kryetari Ardian Gjini ka dhënë raportin mbi gjendjen ekonomike financiare të Komunës së  Gjakovës për vitin 2018, ku rezulton se në vitin që shkoi janë realizuar dhe janë në proces në tërësi projekte në shumë totale prej 21,481,322.98 euro. Në fjalën e tij para këshilltarëve, kryetari Gjini ka theksuar se në vitin që shkoi buxheti është realizuar tetëdhjetë e dy për qind, që krahasuar me një vit paraprak është me i lartë, ngase ai i vitit 2017 rezultonte të ishte shtatëdhjetë e tre për qind. Ndërkohë, të hyra të larta dhe inkurajuese kanë qenë në vitin 2018 pasi ato kanë shkuar deri në tetëmbëdhjetë për qind më tepër nga planifikimi. Nga këshilltarët komunal është shqyrtuar edhe raporti i progresit të adresimit të rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm sipas planit të veprimit të ekzekutivit komunal, ku nga prezantimi i saj nga Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, është thënë se nga nëntëmbëdhjetë të gjeturat, njëmbëdhjetë janë implementuar ndërkohë që në procedurë të implementimit janë tetë sosh. Pas prezantimit nga Kristë Gjokaj, komandant i stacionit policor në Gjakovë të draft-planit të punës së  KKSB-së për vitin 2019, nga Kuvendi Komunal është miratuar një draft i tillë prej njëzet e tri pikave, apo objektivave. Po nga të njëjtit është miratuar edhe kërkesa për shpalljen e interesit publik “Ndërtimi i rrugës tranzite në Rezinë”, pas paraqitjes që është bërë nga Afërdita Lama, drejtore e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, që ka të bëjë me vendimin për shpalljen e interesit publik në pronat e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të rrugës tranzite në Rezinë, tek lokacioni i quajtur “Pika e Zezë-Nakarade”. Gjatësia e rrugës është 3.4 kilometra ndërsa gjerësia 30 metra. Sipërfaqja që duhet shpronësuar është 12 hektarë, 93 ari dhe 30 metra. Gjithsejtë janë pesëdhjetë e shtatë prona, prej të cilave njëzet janë në pronësi të KBI “Ereniku”, ndërsa tridhjetë e shtatë prona janë private. Pas prezantimit në mënyrë të detajuar të ofruar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe e Mbrojtjes së  Mjedisit ku bëhet fjalë për zgjerimin e qytetit nga ana lindore e komunës, si dhe sqarimeve shtesë të dhëna nga kryetari Ardian Gjini për rëndësinë e planit rregullues të hollësishëm të kompleksit urbanistik “Rezinë” dhe “Petro Nini Luarasi”,edhe kjo pikë e rëndit të ditës ka kaluar si e tillë. Gjithashtu është votuar edhe propozimi i kryetarit Ardian Gjini për ngritjen e lapidarit për martirët e familjes Vejsa, ku gjatë luftës së fundit janë vrarë dhe masakruar njëzet e një civilë. Në mbledhjen e sotme është dhënë edhe raporti i punës së Drejtorisë së Arsimit për vitin 2018, si dhe raporti i Drejtorisë së Shërbimeve Publike për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në këtë sezon, ndërkaq nga Flamur Fetahaj, drejtor i Drejtorisë së Administratës për Punë të Përgjithshme është dhënë informatë për bartjen e arkivit dhe të administratës komunale nga objekti i Komunës në objektin e ish Bankkos-it., ku është potencuar se për asnjë moment nuk është ndërprerë shërbimi ndaj qytetarëve dhe se bartja ka qenë në mënyrë të organizuar ku janë përfshirë edhe shërbyesit civilë, me ç ‘rast edhe është mundësuar të kursehet buxheti komunal.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …