leoni

mediat

KPM reagon lidhur me formën e raportimit nga disa media për viktimën e abuzimit seksual në Drenas

Komisioni i Pavarur i Mediave reagon ndaj formës së raportimit të disa ofruesve të shërbimeve mediale audio-vizuele të cilët nuk kanë respektuar plotësisht rregullat dhe parimet etikës gjatë raportimit të abuzimit seksual të një miture në Drenas nga një mësimdhënës dhe një polic. KPM në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin e vet lidhur me çështje të ngjashme, si gjatë komunikimit individual me të licencuarit ashtu edhe përmes njoftimeve publike, me qëllim që t’u rikujtohen të gjitha mediave obligimet ligjore dhe etike karshi publikut e në veçanti ndaj të fëmijëve dhe të miturve si kategoria më e ndjeshme e publikut.

KPM u tërheqë vërejtjen të licencuarve se zbulimi i identitetit të të miturve që janë viktima të abuzimit është në kundërshtim me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale, përkatësisht me të drejtat individuale. Paraqitja e tillë e identitetit të fëmijëve dhe të miturve në programe paraqet shkelje të legjislacionit të KPM-së që mbron të miturit, më saktësisht Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM 2016/03 dhe Rregullores KPM 2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale.

Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM 2016/03 rregullon çështje që kanë të bëjnë edhe me mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve sa i përket përmbajtjes së dëmshme dhe fyese. Ashtu siç specifikohet në Nenin 9 të Kodit Etik, pika 1 ”E drejta e privatësisë së fëmijëve duhet të respektohet gjithmonë. Pasi që publiciteti i panevojshëm apo etiketimi i gabuar mund t’i dëmtojë ata, fëmijët dhe të miturit që janë viktima të abuzimit apo në konflikt me ligjin nuk duhet të identifikohen, drejtpërdrejt apo tërthortë. Nuk duhet të transmetohet asnjë informacion që mund t’i identifikojë ata”. Gjithashtu në Nenin 9 të Kodit Etik, pika 8 specifikon se “OSHM-të duhet të kujdesen për mirëqenien fizike, emocionale dhe dinjitetin e të miturve (nën moshën 18 vjeç) të cilët marrin pjesë në program apo janë të përfshirë në ndonjë mënyrë tjetër. Kjo vlen pavarësisht pëlqimit paraprak nga një prind apo një i rritur i cili është përgjegjës për të miturin”.

Ndërsa Rregullorja KPM 2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale, përcakton mënyrën e kategorizimit, sinjalizimit dhe kohën e transmetimit të përmbajtjeve të tilla, si dhe mbrojtjen dhe respektimin e identitetit të fëmijëve dhe të miturve në programe.

KPM ua rikujton ofruesve të shërbimeve mediale audio-vizuele se ata persona që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi, duke e respektuar të drejtën e plotë të privatësisë të tyre.

Komisioni i Pavarur i Mediave është duke monitoruar në vazhdimësi raportimin e të licencuarve lidhur me rastin e lartpërmendur, me qëllim që të sigurojë pajtueshmëri të plotë me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së.

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker do të vizitojë so Shqipërinë

Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit

Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …