Ministri Gashi: Përkrahja për federatat e sportistët për këtë vit është rritur

Në bazë të rregulloreve 04/2018 për kategorizimin e sporteve dhe asaj 05/2018 për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar vendimet të cilat caktojnë vlerën financiare të pikëve. Nëpërmjet dy vendimeve ministri ka caktuar vlerën financiare për poentimin e pikëve për Sportet Kolektive dhe Individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe: A,B,C dhe D. Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sportet Kolektive kanë vlerën e pikëve 3400 euro; Federatat të cilat merren me Sportet Individuale kanë vlerën e pikëve 2000 euro. Ndërkaq për grupin B vlera e pikës është 1600 euro. Për grupin C vlera e pikës është 1200 euro. dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro. Ndërsa për vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët është caktuar në vlerë prej 150 euro për pikë për të dyja kategoritë. Në konferencën e organizuar për media, ministri shpjegoi se këto vlera si për sportet, ashtu edhe për sportistët dhe trajnerët, bën të mundur qysh në fillim se sa do të paguajë MKRS-ja këto kategori, ngase përmes këtyre akteve nënligjore, kush punon më shumë, me meritë përkrahet më shumë financiarisht. “Të gjitha këto rritje që kanë ndodhur të cilat janë paraparë për vitin 2019, për mbështetje të federatave, sportisteve, trajnerëve edhe sportet kolektive dhe ato individuale kanë një objektiv të vetëm që Kosova të jetë sa më e pranishme garat ndërkombëtare, të sjellin sa më shumë medalje e çmime dhe po ashtu të këtë një mbështetje të fuqishme që të gjithë sportistët tanë të përgatiten edhe për lojërat olimpike Tokio 2020”, tha mes tjerash ministri. Ai tutje shtoi se Ministria që udhëheq ai është e interesuar në përmirësimin e cilësisë së sportit në përgjithësi dhe kjo rrugë e përkrahjes financiare është një nxitje për sportistët, trajnerët si dhe federatat që të punojnë edhe më shumë si në prezantim të suksesshëm në gara vendore e ndërkombëtare si dhe në korrjen e rezultateve. Ministri Gashi veçoi se “duke pasur parasysh se sportistët kosovarë i kanë sjellë rreth 100 medalje gjatë viti 2018 dhe duke e konsideruar këtë sukses të madh sportiv, ne kemi vendosur që buxhetin për federatat, për sportistët ta rrisim për 100%.”

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …