Kosova shënjon vendet e trashëgimisë dhe ato turistike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar Udhëzimi Administrativ (MKRS) nr. 01/2019 për specifikat e shënjimit të trashëgimisë kulturore dhe vendeve turistike, akt nënligjor ky i cili ka për qëllim të përcaktojë llojet, kuptimin, formën, ngjyrën, dizajnin, madhësinë dhe fontin e shkronjave, dimensionet, materialin dhe karakteristikat teknike të shenjëzimit si dhe udhëzimet për standardet për vendosjen dhe instalimin e shenjave të trashëgimisë kulturore dhe atyre turistike në të gjitha kategoritë e rrugëve në Republikën e Kosovës. Këto shenja njoftuese/informuese, në bazë të udhëzimit, do të zbatohen në tërë territorin e Kosovës dhe janë të dedikuara për informim, gjegjësisht për të drejtuar shfrytëzuesin deri te potencialet/destinacionet e trashëgimisë kulturore dhe turistike. Shenjat sipas këtij udhëzimi janë: Shenja “shënim kulturo- historike”; Shenja “atraksion natyror”; Shenja “objekt për strehim”; Shenja “objekt hotelier”; Shenja “objekt publik”; Shenja “atraksione turistike”; Shenja “rrugë turistike”; Shenja “Mirë se vini” dhe “Lamtumirë”; Shenja “tabela turistike informuese, për komunikacion, turizëm dhe informacione të tjera turistike”. Format e këtyre shenjave do të jenë katrore, katërkëndëshe dhe në formë shigjete dhe kanë ngjyra të kafta, të kaltra, gjelbërta dhe të bardha. Gjithashtu, shenjat i kanë kodet e tyre të cilat ndahen në: E 1.x – simboli i trashëgimisë kulturore; E 2.x – simboli për shërbime; E 3.x – simboli për rekreacion. Ndërsa numrat do të shënohen prej 01 deri 99 për secilën kategori të sinjalizimit. Shenjat përmbajnë simbole të paraqitura në formë të piktogramit dhe tekste të shkruara sipas nevojës. Ndërkaq, dimensionet e shenjave sipas llojit të tabelave fillojnë nga min. 20 x 20 cm deri në max. 6 m². Me këtë rast, ministri Gashi vlerësoi se nëpërmjet këtij udhëzimi administrativ qartësohen shenjat orientuese për vendet e trashëgimisë kulturore dhe ato turistike. “Ky akt nënligjor mundëson dhe qartëson që Republika e Kosovës të shënjohet me simbole orientuese të trashëgimisë kulturore dhe për vendet turistike e që ua lehtëson turistëve vendor e ndërkombëtar që gjejnë më lehtë destinacionin që u intereson. Me këtë akt, ne kemi përmbushur edhe një standard për trashëgimi dhe turizëm dhe kjo bën që ne të afrohemi edhe një hap me standardet evropiane e ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ministri. Ai po ashtu u zotua që këtë vit do të hartohen e miratohen edhe akte tjera që përmirësojnë dhe konkretizojnë fushat përkatëse ashtu që qytetarët e Kosovës si dhe turistët e huaj ta kenë më të lehtë realizimin e nevojave dhe qëllimeve të tyre në vendin tonë konform rregullave e dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …