leoni

Gjokë Dabaj

GJOKË DABAJ: KATASTROFA NAVALE E NJERËZIMIT TË SOTËM

Se ç’është një katastrofë navale, vështirë se do ta kuptojnë mbi 90 për qind të njerëzvet të sotëm, që e kanë mbaruar një shkollë të mesme. Edhe në e kuptofshin si togfjalësh, ata do të jenë aq pak të interesuar, sa pak e ndokush prej të 7 miliardë njerëzvet, që aktualisht jetojnë mbi këtë planet, mund të ndalet e të vrasë mendjen:  Ç’po kërkon të thotë ky që i ka shkruar këto fjalë?!

Vetëm nëse u përmendet filmi „Titaniku“ dhe mbytja e një anijeje me atë emër, e ngadalët dhe e rrëmujshme, ndoshta dikujt do t’i duket ARGËTUESE të ndalet e të përfytyrojë ç’u ka ndodhur atyre njerëzve të dikurshëm. Por vetëm kaq dhe, askujt, ama askujt prej të 7 miliardë banorëvet të sotëm të këtij planeti, nuk do t’i shkojë mendja se planeti Tokë, i kohës në të cilën jetojnë këta 7 miliardë njerëz, i ngjan pikërisht një „Titaniku“, i cili po mbytet dalëngadalë.

Është kohë absurdesh! Mendja e njeriut të sotëm është zhytur në një avullnajë të atillë, që s’e shquan dot as fytyrën e bartësit të vet në pasqyrë, le më të kuptojë ç’po bëhet rreth saj.

Mua, si shqiptar, nëse do të isha i kthjellët, nëse nuk do të isha në mjegull, doemos do të më duhej të interesohesha ç’po ndodh me Kombin tim. Por kjo nuk është e mundur, të paktën për dy arsye: E para, sepse mendja ime ravgon e verbër nëpër errësirë dhe e dyta, sepse midis 100 gazetavet që botohen sot në gjuhën shqipe, rrallë e tek mund të shkruajë ndonjëra, dy a tri fjalë REALISTE, me këmbë në tokë, mbi çfarë po ndodh me Kombin, të cilit këto gazeta i përkasin.

Jo vetëm si shqiptar, por as si pjesëtar i një familjeje, shqiptari i sotëm, madje njeriu i sotëm në përgjithësi, s’është në gjendje t’i qeverisë, as veten, as familjen. Absurdi fillon qysh te çelja e ditës së re, në momentin kur largohet errësira natyrale e natës dhe vendin tenton ta ndriçojë drita e Diellit. Zgjohet njeriu dhe as që i shkon mendja se duhet ta rregullojë krevatn në të cilin ka fjetur. Më parë i shkojnë gishtat te celulari se te çarçafët e te jorgani, mbetur grumbull aty ku ka fjetur. Në korridorin e një familjeje mund të shohësh portmanto, mund të shohësh pasqyrë të madhe, mund të shohësh edhe vendin ku lihen ombrellat e lagura, por këpucët edhe pandoflat asnjëherë nuk do t’i shohësh të rregulluara. Këpucët dhe pandoflat, ato që ne shqiptarët i quajmë shapka, gjithë jetën do t’i shohësh të hallakatura andej e këndej! Kështu edhe librat e fëmijëvet. O grumbull në barkun e një çante të rëndë, o rrëmujë përsipër një tavoline.

Kam në raftin e rrobavet 20 këmisha. Ç’më duhen mua 20 këmisha?! Apo se i kanë tepruar industrisë?! Në oborrin e shtëpisë sime flënë 5 makina, nga të cilat 2 janë të prishura. Ç’i duhen familjes sime 5 makina?! Apo se edhe ato i kanë tepruar industrisë?! 6 thasë me rroba thuajse të reja që s’i vesh askush! 45 tiganë, pjata e tenxhere, vetëm për dy vetë! Ç’do të thotë kjo?! Kjo do të thotë që, mua dhe plakën time, na ka shndërruar industria në budallenj të PASHËRUESHËM.

Krejt vendi im është tejmbushur me vetura të demontuara. Krejt planetin Tokë po e mbulon industria e llamarinavet, industria e tekstilevet dhe industria e qesevet dhe e shishevet plastike, të cilat po ua shkurtojnë jetën jo vetëm njerëzvet, por edhe peshqvet. Llojet  e peshqvet po pakësohen përditë, ndërsa njeriu përditë e më shumë po i ngjan një peshku të pamend. Planetin tashmë e ka mbipopulluar njeriu- peshk, njeriu me mendje peshku.

Qindra mijë, në mos miliona, beqaresha e beqarë 50-vjeçarë, të cilët, mbasi vegjetojnë një gjysmë shekulli, kujtohen më në fund edhe për t’u martuar. Me ç’punë TË MËDHA janë marrë këta meshkuj, që, për 30 vjet (nga mosha 20 vjeç e këndej), s’e kanë parë të arsyeshme të krijojnë familje? Një pjesë e femravet e kanë prishur virgjërinë që në moshën 12-vjeçare dhe, megjithatë, nuk janë martuar. S’kanë mundur të martohen! S’kanë mundur të bëhen nëna! Në krahun tjetër, mijëra vajza të mira, punëtore të zellshme dhe zotëruese profesionesh nga më të pëlqyeshmit, plaken të virgjëra, pa e provuar dot mrekullinë e të fjeturit me një burrë dhe pa e provuar dot mrekullinë për t’u bërë nënë.

Puna më kryesore që bën një familje, sa kohë që gjendet në banesën apo në shtëpinë e vet, është …të shikojë TELEVIZOR. Por, si shikohet televizori në kohën e sotme? Televizori, kjo arritje kaq e madhe e kohës sonë, shikohet në mënyrën më absurde, të mundshme për t’u përfytyruar. Sapo del në ekran diçka interesante, ose gjysmëinteresante, ose aspak interesante, i teket njërit dhe ua fillon komentevet. Komentevet të tij u përgjigjet një tjetër pjesëtar i familjes dhe praktikisht aty askush nuk shikon televizor.

Prindërit shqetësohen për sjelljet e fëmijëvet, por nuk u del KOHA të lexojnë asgjë lidhur me edukimin e fëmijëvet. S’u del koha, sepse, o do të shikojnë televizor (kot fare), o do të komentojnë rreth ndonjë pasazhi që sapo e kanë parë kalimthi në televizor.

Ndodh pastaj që 12 adoleshentë abuzojnë seksualisht me një adoleshente. Është një e njëqindmilionta pjesë e majës së ajsbergut që po e mbyti „Titanikun“. Bëhet zhurmë mediatike, por askush nga zhurmëtarët nuk thotë që shkaktare të shkallimit mendor, seksual e të çdo lloj shkallimi tjetër të këtyre adoleshentëve, janë kofshët lakuriqe dhe gjokset lakuriqë të mijëra femrave që dalin, pa pikën e vetëdijes femërore, përpara kamerave. Adoleshentët janë problematikë, edhe po të mos shohin në ekran femra lakuriq, natë për natë e ditë për ditë. Është mosha e atillë që kërkon kujdes të madh. Le më kur s’të sheh syri qoftë edhe një gazetë pa një femër kofshegjinjpërjashta, mu në faqet e para.

Deti është i turbullt, mbushur tejendanë me mbeturina plastike, ajri i ngjeshur me tym e mjegull, ndërsa pasagjerët e Tokës-„Titanik“ ushqehen rregullisht vetëm me absurde OMGJ (organizma të modifikuar gjenetikiht): me zarzavate absurdë, me mish absurd, me bukë absurde, me pije absurde dhe me propaganda fund e krye absurde.

Në mes të këtij deti kaq të trazuar e të turbullt dhe nën një të këtillë qiell diellhumbur, burri vret gruan, djali vret të atin, fqinji vret fqinjin, nxënësi, në një shkollë amerikane, vret shokët e shkollës dhe profesorët e vet, mësuesi përdhunon nxënësen, polici abuzon me femrën e arrestuar, madje edhe me femrën që i ka ardhur për t’u ankuar, gjyqtari është shndërruar në kriminel, mjeku – “humanist” i shtirur. Zyrtarit mund t’ia “aktivizosh” shqisat vetëm me kartmonedha, ndryshe ai është një qenie pa sy e pa veshë.

Nëpër mediat nuk pushon së përsërituri shprehja „PARA TË PISTA“. Megjithkëtë, a e di njerëzimi cilat para janë të pista dhe cilat para nuk janë të pista ose janë më pak të pista? Për shembull, kur një kastë tregarësh, kastë milionëshe, e shet një mall 76% më shtrenjtë se ç’e ka blerë, a i quan shteti para të pista paratë që fiton kjo kjo kastë? A shkojnë në burg të tillë tregtarë?! Do të ishin mbushur burgjet, aq sa s’do të kish vend për t‘i mbajtur. Cilat janë para më të pista, ato që një shtet fiton nga shitja e avionëvet gjuajtës dhe bombardues, apo ato që fiton një individ duke shitur drogë nëpër qoshet e rrugicavet?! Nuk është fjala këtu për të nxjerrë të pastër tregtarin e drogës. Fjala është për të vënë në peshore shprehjen „PARA TË PISTA“.

Sërbia, një shtet që ka aq shumë armë, sa nuk gjen dot magazina për t’i depozituar e sistemuar, i thotë Kosovës: “Mos krijo ushtri, se ushtria jote shkakton destabilitet!” Bota e dëgjon këtë Sërbi dhe nuk e quan TË MARRË. Pse nuk e quajnë TË MARRË Sërbinë shtetet e Evropës dhe pse nuk vendosin embargo ndaj saj, për një të këtillë qëndrim absurd ndaj një fqinji të vet?! Sepse vetë kjo Evropë, Perendimore e Lindore, është E RRJEDHUR NGA MENDTË! Prandaj, një Sërbi e marrë i shkon më shumë për shtat kësaj bote, se një Kosovë normale.

Një gjykatë, një gjoja gjykatë, në një qytet gjoja të qytetëruar, që quhet Hagë, thërret e çon në gjyq njërin mbas tjetrit luftëtarët e Kosovës që luftuan për lirinë e vendit të vet, por nuk “kujtohet” të thërrasë mijëra sërbë, kriminelë të mirëfilltë, vrasës civilësh, përdhunues të mijëra femrave, bombardues dhe zjarrvënës të qindra fshatrave dhe zbatues të një genocidi dhe spastrimi etnik të pashembullt, të cilin e pa krejt bota! Një Hagë e tillë s’është tjetër, veçse fole brumbujsh, nga ata të plehravet!

Përballë një klase tradicionalisht kriminale popujpushtuese të Sërbisë, Shqipëria (ajo pjesë e Shqipërisë që quhet Republika e Kosovës), nxjerr për “negociata” ca individë që s’janë, as politikanë, as diplomatë e as të ditur. Dhe nuk janë as të moralshëm atdhetarisht, të paktën aq sa ç’ishin atdhetarisht të moralshëm katundarët tanë analfabetë të shekujvet XIX e XX. Këta “negociatorë” shqiptarë, këta përfaqësues tanë të turpit, nuk dinë t’ua thonë, Sërbisë, Evropës, SHBA-së dhe Rusisë, as aq sa dinte t’i thoshte në fillim të shekullit XX një lordi anglez një Isa Boletin pa asnjë klasë shkollë. Nuk dinë t’u thonë, Sërbisë, Evropës, SHBA-së dhe kujtdo tjetër: „Në qoftë se ju do të kërkoni lëvizje kufijsh, kufijtë mund të lëvizin vetëm drejt Veriut!“ As kaq nuk dinë t’ua thonë! As kaq nuk kanë guximin t’ua thonë! As kaq nuk kanë moralin t’ua thonë “negociatorët” tanë, negociatorëvet të pafytyrë të palës tjetër!

Ndërkaq, Kombi Shqiptar bën gjumin e mëngjesit nën mjegullën diellerrësuese të kësaj kohe popujasgjësuese, kaq të keqe e kaq të mbrapshtë!

Absurdet ndjekin njëri-tjerin. Ata s’kanë të mbaruar në këtë katastrofë navale (planetare) të pakundshoqe. Vendet e Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Afërt ishin në punë të vet. Popujt e atyre vendeve jetonin më mirë se kurrë më parë. U shkatërruan! U zhytën në mjerim që nga Libia deri në Irak e Siri, dhe tash po i përgatitet katastrofa edhe Turqisë, në mënyrë që flaka e saj të mund të përfshijë, në mos krejt, edhe të paktën gjysmën e gadishullit të dikurshëm të Ilirisë.

Një Paris i bukur, me imazhin e një parajse të  ëndërruar, ashtu si krejt Evropa Perendimore, mbulohet me javë të tëra me tym makinash të djegura. Një armatë e tërë, e quajtur „armata e jelekverdhëvet“, del nëpër rrugë dhe i duket sikur kërkon diçka, por nuk di as përafërsisht se çfarë duhet të kërkojë. Në anë tjetër, një qeveri franceze, e cila s’di tjetër, veçse të grumbullojë policë dhe t’ua bëjë mur turmavet. Mjerë kjo gjeneratë njerëzore, që e ka humbur mençurinë!

E njëjta lajthitje mendjetymosur mbizotëron edhe në pjesët e tjera të këtij „Titaniku“, të cilit po i futet uji nga të katër anët. Rusia po e gjen „shpëtimin“ te përsosja e armatimit bërthamor. Kina, si ata muzikantët që u binin veglavet të veta, ndërsa „Titaniku“ po fundosej, po bën punën e argëtuesit, në dukje përballë, por në të vërtetë, pjesë e gjithë kësaj zhganërie të pakundmend. „Po mbytemi?!“ „Haj, të mbytemi duke kënduar!“ Afrika dhe India po thonë: „Ne s’kemi ç’humbasim!“ Gati kështu edhe Amerika Jugore: „Në na e lënshi tregtinë e drogës dhe shtigjet për ta futur drogën në SHBA e në BE, gjë tjetër s’po ju kërkojmë!“ Mjerë kjo gjeneratë njerëzore, që e ka humbur kaq tragjikisht mençurinë!

Ç’po bën SHBA-ja në këtë mëngjes pa dritë?! SHBA-ja po ndërton GJERDHE me shufra hekuri! Ne nuk e dimë nëse dikush i quante të çmendur ata që dikur ndërtonin Murin e Madh Kinez, por e dimë që kjo punë e amerikanëvet të sotëm u ngjan aq shumë mullinjvet të erës të Don Kishotit, sa s’do të ish çudi që të shfaqej midis kësaj turme të çoroditur një Servantes i dytë.

Një Servantes i dytë!..

 Por ai nuk do ta armatoste heroin e vet me heshta e shigjeta. Ai do ta armatoste Don Kishotin e shekullit XXI me raketa e armë bërthamore, me thasë substancash kimike dhe me ca qese plastike mbushur me lloj-lloj bakteriesh. Ndërkaq, tufat e tija të bagëtivet do të ishin karvanët e “parajsëkërkuesvet” që i afrohen gardhit të Donald Trampit.

Në fund, s’na mbetet tjetër, veçse të pyesim: A do t’ia dalë dot pjesa e vetëdijshme e njerëzimit, për ta kthjelluar sadopak mendjen kaq keq të lajthitur të pjesës së  pavetëdijshme?!

9-12 shkurt 2019.

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …