Hapet në Ferizaj, Qendra Ditore për Fëmijët e Margjinalizuar

Në ambientet e Zyrës së Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ky i fundit, bashkë me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, priti një delegacion nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, të kryesuara nga Drejtoresha e SOS Fshatrave të Kosovës, Nezahate Ramadani Salihu me bashkëpunëtore. Qëllimi i këtij takimi, ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes këtyre dy institucioneve që ka rezultuar me hapjen për herë të parë të një institucioni të tillë të përkujdesit social në Ferizaj, siç është Qendra Ditore për Fëmijët e Margjinalizuar. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se politikat e qeverisjes lokale, si kurrë më parë janë të fokusuara në mirëqenien e qytetarëve dhe aq më tepër në përkujdesjen ndaj fëmijë. Ai tutje shtoi se qeverisja lokale ka bërë dhe po bën vazhdimisht përpjekje në reformimin dhe modernizimin e mekanizmave të kujdesit social në nivel lokal, në mënyrë që të mundësoj shërbime më të mira dhe prezencën e shtetit për çdo nevojë qytetare. Drejtoresha e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate Ramadani Salihu falënderoi të parin e Ferizajt, Agim Aliu për mbështetjen në hapjen e kësaj qendre të specializuar në përkujdesin për fëmijët e margjinalizuar në Ferizaj, duke shtuar se kjo është një ditë e veçantë shprese për mirëqenien sociale, veçanërisht fëmijët e margjinalizuar. Komuna e Ferizajt, ka vendosur këtë partneritet që ka për qëllim zbatimin e projektit Qendra Ditore për Fëmijët e Margjinalizuar i zbatuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, i financuar nga GIZ dhe i mbështetur nga Komuna e Ferizajt. Qendra Ditore për Fëmijët e Margjinalizuar është caktuar në rrugën “Ramadan Rexhepi” në një hapësirë prej 140m2, të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve dhe përkujdesit ndaj kësaj kategorie të cenueshme të shoqërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …