Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Shteti i Kosovës mes kujtimit të së djeshmes dhe ëndrrës për të pasnesërmen

 Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës ka kohë që miti, idealja, ia ka dorëzuar armët arsyes, andaj politika e cila kërkon të vërtetën e fundit duke e braktisur jetën e përcaktuar nga detyrimet e saj në këtë universalitet është vështirë të realizohet. Kultura e debatit duhet ndryshuar nga shikimi vetëm bardh e zi i gjërave.

 

Përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës të gjithëve na ndalë për një çast nga dinamika e jetës, na kthen në një të kaluar e cila ndërlidhet me të tashmen e që duhet të paraqitet po në këtë formë edhe më të ardhmen e këtij vendi. Duke e kujtuar këtë histori, mu kujtua edhe një anektodë e lexuar kaherë: “Një natë Nastradini, ndërsa flinte, shtyu me nxitim të shoqen dhe thirri, aman o grua, shpejt më jep syzet. Për çka i do në këtë orë o lum? – i’a pret gruaja. Po e shoh një ëndërr të mirë, mirëpo janë disa gjëra që nuk i dallojë mirë, prandaj i dua syzet që ëndërren ta shikoj siç është.” Anektoda tregon thelbin e politikës dalluese në Kosovë, pasi disa akterë të saj veprimin politik e nxjerrin nëpërmjet kujtesës dhe parashikimit siç do të dëshironin duke harruar realen e mënyrës së veçant të bërjes së shtetit të Kosovës. Ky fokusim të bënë ta humbasësh të sotmen. Po harrojn se petku për Kosovën qepej më herët, qepej tek numri i pamjaftueshëm i ushtarëve të lirisë dhe hyzmeti i saktë që i bëmë si popull. Petku sot për Kosovën është i veçant, kolorit, pasi ky ishte hyzmeti ynë gjatë bisedimeve të Vienës e i pasqyruar mjeshtërisht në dokumentin e ish – presidentit Ahtisari. Shikuar historikisht Kosova në vitet e fundit të perandorisë osmane ishte njësi e veçant administrative dhe se ky fakt përkundër përpjekjeve nuk ishte i mjaftueshëm për të arritur dhe bërë shtet ashtu siç bënë të tjerët. Vitet më pas njihen si vite ku jetonte një popull i shtypur në një territor të kontestuar. Në këtë gjendje Kosovën e gjeti edhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e që ish – jugosllavia i’a bashkoi territorit të vetë. Vite më vonë, hegjemonizmi serb në të tendencë për krijimin e serbisë së madhe, solli shpërbërjen e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Shqiptarët në Kosovë  e shihnin si mundësi për të ecur drejt realizimit të ëndërrës së tyre. Kriza e kësaj krijese për herë të parë u shfaq në demostratat e vitit 1981 dhe reagimi serb karshi kërkesave të shqiptarëve.

Orientimi pro-perëndimor i rezistencës civile dhe ushtarake në Kosovë krijoi kushte për shtetin e Kosovës

Kriza e Kosovës u rishfaq në vitet 1988 – 89, kur dhe u shfuqizua statusi juridik i saj nga hegjemonizmi serb. Shqiptarët në këtë kohë fuqishëm u përcaktuan në orientimin perëndimor për liri, demokraci dhe shtet të pavarur. Në aspektin e gjeo-politikës kishte lëvizje pozitive në realizimin të këtij synimi. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shfaqja e amerikës si superfuqi e vetme botërore, ishin rast i mirë në realizimin e aspiratave të shqiptarëve. Synimi i diplomacisë amerikane, për mbështetje të popujve që jetojnë në institucione të lira dhe demokratike përputheshin me kërkesat e shqiptarëve në Kosovë. Më parë kemi parasysh vitet e dështimit të politikës parandaluese të konflikteve nga diplomacia europiane dhe amerikane në Ballkan përgjithësisht, e në Kosovë veçanërisht karshi synimit të qartë të hegjemonizmit serb. Në këto vite, Serbia për t’i arritur objektivat e saja përdori aparteidin dhe gjenocidin ndaj popullit në Kosovë, gjë që rezultoi me luftën e armatosur. Drejtuesit e luftës nga shqiptarët arritën qartë ta drejtonin këtë rezistencë në vlerat pro-perëndimore. Tendenca e Serbisë që në Kosovë të bëjë spastrim etnik solli ndërhyrjen humanitare ndërkombëtare nga NATO dhe përzënien e trupave militare të Serbisë nga Kosova. Më 9 qershor të vitit 1999, u arrit marrëveshja ushtarake – teknike në mes të NATO-së dhe Serbisë për largimin e të gjitha forcave serbe. Kjo luftë mori fund pas 78 ditë bombardimi. Një ditë më pas, Këshilli i Sigurimi i OKB-së miratoi rezolutën 1244, që precizonte shumë kufizime për statusin e ardhshëm juridik të Kosovës. Kapitulli i veçantë në rrugëtimin e shtetit të Kosovës shënohet me fillimin e administrimit ndërkombëtar nga OKB-ja e më pas procesi i pavarësisë së mbikëqyrur dhe pavarësia e Kosovës si projekt i realizuar i politikës vendore dhe ndërkombëtare.

Në përvjetorin e pavarësisë kujtojmë kontribuesit e saj

Orientimi pro-perëndimor i rezistencës civile në Kosovë shënon një kthesë historike për të arritur mbështetjen e duhur politike nga drejtuesit e saj, dhe ky fakt konsiderohet të jetë kontribues në krijimin e shtetit të Kosovës. I tillë ishte edhe përkushtimi i rezistencës së armatosur, andaj lufta, dëshmorët e saj, konsiderohen kontribuesit kryesorë të lirisë. Rol të  veçantë të arritjes së mbështetjes në kërkesat politike të shqiptarëve të Kosovës pati shteti i shqiptarë e pastaj edhe mërgata e jonë. Në këtë përvjetor të pavarësisë s’ka se si të mos e kujtojmë kontributin e Kongresmenëve amerikanë si: Tom Lantos, Bob Dole, Eliot Engel, Joe Biden, John MeCain pastaj John Kerry William Walker etj. Kujtojmë diplomatin amerikan Holbrook e veçanërisht sekretaren Albright dhe rolin aktiv të saj në Konferencën për Kosovën në Rambuillet. Kujtojmë politikanin e rryer që konsiderohet se e rrumbullaksoi tërë këtë proces – Marti Ahtisarin. Kosova duke kaluar nëpër këto procese ka kufizimi të shtetësisë së saj, e të cilat mund të tejkalohen me politikë aktive vendore dhe në bashkëpunim me ata që ndihmuan në krijimin e këtij shteti.

Mesazhi politik për aktualitetin

Të mençurit thonë se e sotmja është kujtimi i së djeshmes, e nesërmja ëndrra e të sotme, mbase politika jonë, qëndrimet duhet t’i artikulojë për të pasnesërmen. Kosovën e pret një rrugë e gjatë, e vendosur dhe me vizion për ta pasur petkun e vet e që do t’i bije tamam. Ky përvjetor mbase duhet të na shërbejë për këndellje dhe qartësi në rrugën për të pasnesërmen. Kapërcimi me sukses i të tashmes politike dhe qartësimi i qëllimit të madh për të ardhmen e vendit është fusha politike për partitë në Kosovë. Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës ka kohë që miti, idealja, ia ka dorëzuar armët arsyes, andaj politika e cila kërkon të vërtetën e fundit duke e braktisur jetën e përcaktuar nga detyrimet e saj në këtë universalitet është vështirë të realizohet.

Kultura e debatit duhet ndryshuar nga shikimi vetëm bardh e zi i gjërave.

 

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …