Sali Berisha

Adrian Thano: I pandëshkuari dhe i korruptuari

Gati 6 vjet pasi shqiptarët kërkuan me votë masive ndëshkimin e tij për vrasje dhe abuzim me pushtetin, i pandëshkuari rishfaqet përballë dyerve të Kryeministrisë.

Ai që vrau njerëz me duar në xhepa, sepse “nuk preken institucionet” udhëheq turmat që godasin e shembin dyert e së njëjtës godinë.

Madje sheh vëngër dhe gjithë zemërim thotë se ndihet i dhunuar dhe i provokuar.

Vrasësi vazhdon të na përqeshë. I lirë mbi të lirët. Tashmë jemi të gjithë pjesë e krimit nga mosndëshkimi i tij.

Ndaj ka të drejtë. Madje shumë pak bëri.

Pastrojeni mirë bulevardin. Kryeburri thotë që do rikthehet aty të enjten.

****

100-150 km më tej, në Vlorë, një tjetër kryeburrë – ai që u votua për të jetësuar ndëshkimin e të pandëshkuarit të Tiranës – reciton për veten.

Prekës si gjithmonë! Brilant! I paarritshëm!  “Shumë kam bërë, po ende shumë kam për të bërë…”

Po, patjetër.

Kryeburrë, kryeministër, kryefilolog.

Pas recitimit, shkëlqen edhe në Instagram. Fjalitë më të rrjedhshme,  më të goditura.

Ahhh, edhe një ndjesë për… KryeKërpudhën. Tani po! Bukur!

Do mjaftonte vetëm skandali i Unazës që kryeburri i Vlorës të mos ishte më kryeministër.

Jo se i ka bërë duart pis vetëm aty. Por aty u bë e qartë që vjedhja vazhdon. Rëndshëm. Që sistemi i rrjepjes është i fortë, në këmbë.

Ndaj vazhdon edhe pandëshkimi.

*****

Mijëra “demokratë” dje pas Të Pandëshkuarit. Mijëra “rilindas” dje pas Të Korruptuarit.

Mijëra… E çfarë pastaj?

Miliona janë të tjerët. Miliona janë shpresëhumburit e heshtur që nuk ishin dje as në Tiranë e as në Vlorë.

Miliona. Nga shtëpitë dhe nga të gjithë cepat e botës ku kanë marrë arratinë milionët e heshtur dje panë me dëshpërim të njëjtin teatër.

Të njëjtin teatër të dhunës dhe hipokrizisë. Që përsëritet e përsëritet pa fund. Prej 30 vjetësh.

Me të njëjtët barkpangopur, me të njëjtët shpirtzbrazur.

Çfarë turpi! Nuk ka fjalë. Nuk ka fjalë që e përshkruan tragjikomedinë tonë.

****

Ky shënim nuk është për tifozët e “kryeburrave”. Shumë prej tyre janë të mjerë. Të verbër. Dikur rronin në terr, tani vdesin në dritë. Të tjerët janë kodoshë.

Ky shënim është për milionët e heshtur.

Për ata që ndihen të tallur e të nëpërkëmbur përpara dhe pas “Rilindjes”;  që ndjejnë se ajo ishte mashtrimi i radhës; e rreme dhe e përciptë si një pikturë e dobët, një lojë bojnash të ndezura në sipërfaqe, por asgjë nga pas;  një fasadë dështakësh të pamoshë, të papjekur, të cekët, të korruptuar, eklektikë.

Milionët e heshtur e dinë që protestuesi që do t’i ndryshojë realisht gjërat nuk është ai që shkul pllakat e trotuarit përpara Kryeministrisë. Është ai që do shkojë t’u shkulë dhëmbët “kryeburrave”, njërit në vilën e tij në Lalz e tjetrit në Surrel.

Atje po, atje mund të shkulin gurë, tjegulla e tavane xhami, derisa t’u nxjerrin fundin. Atyre dhe gjithë të tjerëve si ata.

Por derisa kjo të ndodhë, “kryeburri” i pandëshkuar do udhëheqë turmat që t’i rikthejnë kullën e Tiranës.

Ndërsa “kryeburri” i korruptuar do vazhdojë nazeli të na qahet pse nuk e mban dot atë premtimin e 2013-s; nuk e gjen dot mënyrën se si ta ndëshkojë atë kryeburrin e pandëshkuar.

Nuk e dënoka dot “kryeburri-kryeburrin” sepse nuk është prokuror e gjykatës.

A përnjimend?

Atëherë si o kryeburrë? Si munde të ishe kryeprokuror, kryegjykatës, e kryetellall për hajdutët e vegjël të energjisë elektrike, disa prej të cilëve janë ende në burg?

Si mor kryeburrë nuk paske të njëjtin takat për kryehajdutët?

Si u bëre ta zemë, jo më larg se pardje, prokuror e gjykatës për ata gjykatësit që zbutën dënimin e një vrasësi?

E ke takatin, o kryeredaktor i kryeredaktorëve. Ta ka dhënë populli.

Të ka dhënë edhe Ligjvënien edhe Ezekutimin. Si askujt më parë.

T’i ka dhënë edhe numrat për të bërë ligje, edhe pushtetin për t’i ekzekutuar ato.

Timon e Tepsi siç i quan ti, kryefilolog.

Nuk ke nevojë të jesh prokuror e gjykatës. E thjeshtë, pse. Sepse je shumë më tepër se kaq.

Ai që – duke e patur në dorë – nuk e ndalon një të ligë, dëfton se e do atë.

Ti nuk e ndalove. As ti, jo. Madje shkove më larg. Jo vetëm ndëshkim ligjor nuk dëshiron për të pandëshkuarin, por ushqen oligarkët e tij me miliona e miliona si ti kishe ullinj Surreli.

Ato miliona janë paratë e milionëve të heshtur. Ato miliona janë arsyeja që veç lirisë, “kryeburri” i pandëshkuar ka ende edhe fuqinë financiare. E mban ti hapur atë rubinet.

Ato para gjenerojnë fuqi dhe dhunë. Edhe dhunën e djeshme.

Ti i ke paguar mercenarët që dhunuan dje Tiranën.

Ata që ulërasin në Tiranë dhe ata që duartrokasin në Vlorë ndoshta ende nuk e kuptojnë këtë.

Por milionët e heshtur e  kuptojnë. Edhe ti e kupton. Bën sikur nuk kupton, sepse je edhe vetë i korruptuar.

Ndaj derisa edhe brohoritësit ta kuptojnë… rroftë recitimi! Arti yt i fjalëve boshe.

Nuk ka gjë në botë që të shpëton nga vetvetja. Ndaj nuk do zgjasë shumë.

*****

Një vlonjat i njohur ka fjalën e duhur për “Kryeburrat” e Shqipërisë. I quan… Kryekurva.

Quhet Ali Asllani.

Shumë nga milionët e heshtur në arrati e lexojnë dhe e dëgjojnë përnatë “Hakërrimën” e tij.

Vandalët e Tiranës dhe brohoritësit e Vlorës bëjnë mirë ta lexojnë gjithashtu.

Shqipëria nuk “bëhet” shpejt. Por do ndryshojë. Studentët, ata të fillimit, e dëshmuan. Një klasë e re politike dhe një nivel tjetër i ndërgjegjës shoqërore do rriten bashkë.

Si fillim presioni duhet të jetë i fortë dhe i vazhdueshëm për të korrigjuar ndryshimet kushtetuese të  realizuara me marrëveshjen PS-PD të vitit 2008

Moikom Zeqo i quan “të kobshme” dhe arsyeja kryesore që “pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike”.

Pëllumb Xhufi i konsideron si  “atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit”.

Kanë të drejtë.

Kur duhet të zgjedhësh të keqen më të vogël, zgjedhja jote është gjithsesi e keqe.

Historia jonë ka treguar se një e keqe e vogël, sjell një të keqe tjetër të madhe, shumë shpejt.

Dhe se pandëshkimi na kthen përsëri te krimi.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …