Monografia “Rexhep Malaj, zjarr lufte që nuk shuhet” e autorit, Agim Sylejmani përurohet sot, në orën 15.00 në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Kjo monografi përurohet sot rastin e 30-vjetorit të rënies së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. Këta dy dëshmorë kanë rënë në Altarin e Atdheut, në Kodrën e Trimave, natën e 11-12 janarit të vitit 1984, në një përleshje krejtësisht të pa barabartë me inspektorët dhe milicët e regjimit pushtues jugosllav. Po kjo monografi do të përurohet nesër, në orën 13.00, në ambientet e Gjimnazit, “Zenel Hajdini”, në Gjilan.
Shkrimtari e publicisti, Agim Sylejmani, ka nxjerrë në dritë monografinë dokumentare: “Rexhep Malaj, zjarr lufte që nuk shuhet”.
Monografia përurohet në 30-vjetorin e rënies së dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.
Autori, pas një pune të gjatë dhe sistematike në gjurmim të dokumenteve e të dhënave relevante ka arritur të nxjerrë në dritë një monografi të dokumentuar për heroin e Kosovës, Rexhep Mala. Duke qenë shok burgu dhe ideali me heroin, ai nuk është mjaftuar me botimin e romanit, “Rrugëtimi i një vigani”, që ka po ashtu për temë jetën dhe veprën e heroit Rexhep Mala, por meqë ndërkohë ka zbuluar fakte, dëshmi shkrimore e dokumente relevante, pas një pune të suksesshme, ka arritur të nxjerrë në dritë edhe monografinë:“Rexhep Malaj, zjarr lufte që nuk shuhet”, ku ka sistemuar po thuajse të gjitha të dhënat e zbuluara deri tani, duke i ilustruar me fakte, faksimile, foto të shumta dhe duke i pasuar me të dhëna deri edhe të hollësishme të jetës së dhe veprimtarisë së njërit ndër militantët më të spikatur të Kosovës në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar.
Rexhep Malaj së bashku me militantin, Nuhi Berisha ka rënë në Altarin e Atdheut, në Kodrën e Trimave, në Prishtinë, në natën e 11-12 janarit të vitit 1984, në një përleshje krejtësisht të pa barabartë me inspektorët dhe milicët e UDB-së titiste e rankoviçiste.