leoni

Gjimnazi në Skenderaj shënon dy përvjetorë: 52 vjetorin e themelimit dhe ditëlindjen e 69-të të heroit tonë kombëtar Hamëz Jashari

Aktivitete të ndryshme janë organizuar në Skenderaj, me rastin e 52 vjetorit të themelimit të Gjimnazit dhe datëlindjes së 69-të të heroit tonë kombëtar, Hamëz Jashari, ideologut dhe strategut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëllait të Komandantit Legjendar Adem Jashari. Aktivitetet kanë nisur me homazhe dhe një minutë nderim te busti i Hamëz Jasharit para Gjimnazit, nga delegacioni i komunës së Skenderajt i udhëhequr nga kryetari Bekim Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku, drejtorët komunalë, drejtoria e shkollës, profesorët dhe nxënësit. Nderime zyrtarët e lartë të Komunës së Skenderajt kanë bërë edhe te dëshmorët e kombit, në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari, në shenjë respekti për sakrificën e tyre. Ndërkaq, në sallën e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” në qytet, ku ishte i pranishëm edhe Baci Rifat Jashari, vëllai i madh i Hamzës dhe Ademit, është mbajtur një program artistik, organizuar nga drejtoria e shkollës “Hamëz Jashari” dhe nxënësit e saj. Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, duke uruar për ditën e shkollës, ka kujtuar babanë e tij, Hamëz Jashari, duke u shpreh falënderues, për, siç tha kryetari, vlerat e larta njerëzore të mësuara prej tij.  “Ti dhe vëllai yt, që më vonë do të njihet si Komandant Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkërisht ideologë të saj, u bëtë mësim për gjeneratën Tuaj dhe të tjerat që do t’iu pasojnë, për atdhedashurinë. Ti më mësove mua dhe të tjerët se sa e vlefshme është liria, si mund të sakrifikohet për liri, sa shumë duhet të angazhohemi për të ndërtuar vendin, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Për çdo ditë, mua më shumë më lartësohet personaliteti yt, i papërshkrueshëm për mirësinë dhe thellësinë e mësimeve me shembuj personal. Do të jem përgjithmonë mirënjohës ndaj Teje, që ma mundësove të vazhdoj gjurmëve tua në rrethana të reja, të ekzistoj dhe të shkruaj për Ty, në atdheun tonë të dashur! Urime Baba ditëlindja e 69-të!”, ka thënë kryetari Jashari, nën duartrokitjet e publikut të pranishëm. Ndërkaq, drejtori për Arsim, Bekim Latifi, mes tjerash ka thënë se, mbajtja e emrit “Hamëz Jashari” për shkollën e gjimnazit, sa është krenari, është edhe përgjegjësi e madhe, sepse, ashtu siç krenohemi me figurën e heroit tonë kombëtar, ashtu është dëshira të krenohemi edhe më të arriturat e shkollës. Komuna e Skenderajt dhe Drejtoria e Arsimit janë të përkushtuara në afrimin e kushteve sa më të mira, në pajisje me mjete të konkretizimit, laboratorëve dhe kushteve tjera që mundësojnë shumë në arritjen e rezultateve të dëshiruara, si në mësimdhënie ashtu edhe në mësimnxënie. Drejtori i Arsimit ka thënë gjithashtu se, pas angazhimit të kryetarit Jashari, në çështjen e objektit të ri të gjimnazit, shumë shpejt do të përfundohet ky objekt, në mënyrë që procesi edukativo-arsimor të zhvillohet në kushte sa më të mira. “Më lejoni të citoj dy thënie; E para nga kryetari i Komunës, Bekim Jashari, i cili thotë: nëse dje ishte patriotizëm çlirimi i vendit, sot është patriotizëm ndërtimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit, e të cilin mund ta arrijmë vetëm me një arsimim të mirëfilltë. Dhe thënia e dytë nga njëri prej presidentëve të Amerikës, Abraham Linkoln: “T’i mësojmë fëmijët, në mënyrë që të mos kemi nevojë t’i mësojmë të rriturit”. Rreth historikut të shkollës, ka folur drejtori i Gjimnazit “Hamëz Jashari”, Hajdar Beka, i cili përveç tjerash ka thënë se kjo shkollë sot kremton dy përvjetorë: 52 vjetorin e themelimit dhe 69 vjetorin e lindjes së ideologut dhe heroit tonë kombëtar, Hamëz Jashari, emrin e të cilit e mban me krenari dhe respekt të përhershëm shkolla. Në fund të fjalimeve, është shfaqur programi artistik, me këngë e valle nga vetë nxënësit e Gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …