Qeveria Haradinaj do të mbahet mend për rritje pagash, katërfishim të stafit qeveritar, punë për të gjithë militantët e partive, trefishim të numrit të veteranëve, pensione vjetore për ish partiakët dhe ish-sportistët e ish regjimeve, grante për firmat që mbështesin Qeverinë dhe përgjithësisht për stimulim enorm financiar të atyre, të cilët gjendjen ekonomike e kanë mbi mesarën e vendit.
Por Qeveria Haradinaj nuk ka treguar as edhe një pikë respekti për skamnorët, për veteranët e vërtetë të luftës, për të burgosurit politikë, madje as për autoritete të njohura atdhetare, jo vetëm në planin kombëtar.
Rasti i fundit e ilustron më së miri këtë Qeveri dorëlirë për të pasurit dhe dorështrënguar për të varfrit. Mbytja gjatë skijimit e Arian Dacit në Brezovicë ishte një tragjedi familjare, që nuk kompensohet me 15.000 euro, as me dhjetëfishin e saj, por Ariani nuk ka vdekur në detyrë, edhe pse ishte zëvendës-ministër. Mirëpo kjo shumë në krahasim me derdhjen e papërgjegjshme të parasë publike, nuk është as për t’ u përmendur, kur të kihet para sysh fakti se sa familje të ish zyrtarëve në Kosovë marrin nga 1000 euro në muaj nga Qeveria, veturë dhe shofer gjatë tërë jetës. Por edhe këto duken imtësira po të krahasohen me stafin qeveritar të pesëfishuar, të afërmit e akrabatë e tyre, rokerët e paderët që ndyjnë e përdhosin moralin publik të shqiptarëve, madje edhe gjatë festave, sikur ishte shënimi i 11-vjetorit të pavarësisë.
Qeveria e Kosovës shpenzoi 500.000 euro për ditën e Pavarësisë, ndërsa ka kontraktuar për ta argëtuar publikun e rrugëve të Prishtinës, këngëtarë majmunë, reperë e pederë të cilët promovojnë seksizmin, drogën e alkoolin. A i bën nder kjo pavarësisë së Kosovës, dhe kush janë ata politikanë, apo sekserët e tyre që lidhin kontrata me grupe të të droguarve, pikërisht në datën më të rëndësishme të Kosovës, ku përjashtohet kënga për pavarësinë, apo për Adem Jasharin. Kështu ndodhi edhe një vit më parë me rastin e 20-vjetorit të rënies së legjendarit, Adem Jashari e të jasharëve, në manifestimin qendror që u mbajt në Sheshin e Prishtinës, kur qeveria kontraktoi me 300.000 euro këngëtaren angleze, që nuk di asnjë fjalë shqip, Rita Ora, e cila argëtoi shqiptarët e rrugëve të Prishtinës, me vithe gjysmëlakuriq dhe me skena të shëmtuara, që fyejnë jo vetëm moralin kombëtar por edhe atë njerëzor.
Kush janë këta qeveritarë patriotë të cilët me koncerte të tilla duan ta mashtrojnë Evropën se janë më të evropianizuar se vetë ata?
A mos është kjo gara e njëjtë me atë të Vuçiqit, i cili për t’ i bërë qejfin Evropës ka zgjedhur ne krye të Qeverisë, një serbe biseksualiste, për t’ i treguar Evropës transparencë morale dhe të drejta njerëzore.
Me rastin e vdekjes së albanologut të mirënjohur shqiptar, studiuesit, intelektualit dhe politikanit, Idriz Ajeti, një i afërm i tij ka shpjeguar për mediet se familja nuk pati para të marrë një lokal me qira për ta mbajtur të pamën, dhe për këtë shkak u detyruan që tri ditë të ngushëllimeve t’i presin qytetarët në banesën e të ndjerit. “E pamja ose ato tri ditë që ne i kemi hapë për ngushëllime kishte me qenë më dinjitoze sikur të ishin mbajtur diku tjetër. Ne kemi qenë dakord që të marrim një lokal me qira, por shuma ka qenë enorme, të cilën familja nuk ka mundur ta përballojë”, ka thënë ai.
Muajin e kaluar humbi jetën tragjikisht Arian Daci, djali i kryetarit të ASHAK-ut, Nexhat Daci. Qeveria, përveç organizimit të ceremonisë mortore, ia ndau familjes 15 mijë euro.
Ndërsa për akademik Idriz Ajetin, Universiteti i Prishtinës mbajti mbledhje komemorative një javë pas vdekjes së tij.
Edhe një rast tjetër si ky madje edhe më i rënë ka ndodhur me rastin e vdekjes së të burgosurit politik, profesor doktor, Muhamet Tërnava, në shtator të vitit 2017, të cilit regjimi i RSFJ-së ia kishte nxirë ardhmërinë duke e goditur fizikisht gjatë vuajtjes së burgur, sepse ai shkencërisht kishte dokumentuar praninë e shqiptarëve në Kosovë, para, gjatë dhe pas Mesjetës.
Atë ditë me 6 shtator tre kryeparët e Shtetit të Kosovës, ishin ftuar për të marrë pjesë në një përvjetor të punës së gazetarit, nipit gjenetik dhe politik të Esad pashë Toptanit, Blendi Fevziu, dhe sipas informatave të asaj kohe në atë “maskenball gazetarucësh”, kishin marrë pjesë, Hashimi, Ramushi dhe Kadriu. Për një gjë jam më se i sigurt se asnjëri nga këta tre, nga qindra këshilltarët apo “qatipët” e tyre nuk i ka dërguar as edhe telegram ngushëllimi familjes së martirit për së gjalli, Muhamet Tërnava, me rastin e vdekjes.
Nuk ka marrë asnjë ngushëllim institucional familja e Idriz Dvoranit, nga Tersteniku, baba i pesë dëshmorëve të kombit, (Hysni Dvorani, Avni Dvorani, Veli Dvorani, Lumni Dvorani dhe Haki Dvorani), me rastin e vdekjes tri vite më parë. Mbase nuk është në praktikën e shtetarëve e qeveritarëve të ngushëllojnë çdo familje dëshmori, por një familje që ka dhënë pesë dëshmorë, duhet të trajtohet me meritë e dinjitet, si shembull i veçantë, sepse është ndër më meritorët.
Qeveria lavdërohet se zyrtarëve u ka dyfishuar pagat, por nuk flet si jeton me një mëshirë sociale 110 euro në muaj, familja me gjashtë anëtarë e Zymer Krasniqit, i burgosur politik i viteve 80, asnjëherë i zënë me punë në jetën e tij. Natyrisht ku e di Kadriu se kush është Zymer Krasniqi, të cilit kurrë nuk ia ka dëgjuar emrin edhe pse, Zymeri, ka mbajtur 7 vjet burg politik në vitet 80, sepse me shokët e tij ka ndaluar forcat rezerviste serbe të futen në Kosovë, në prill të vitit 1981, madje ka qenë i dënuar edhe gjatë vuajtjes së dënimit, në Slloveni, për afishim brenda lokaleve të burgut, të kërkesës, “Kosova Republikë”, bashkë me Abedin Balën e Korraticës, i mbytur mizorisht në burg, në vitin 1985. Është krejt e natyrshme që Kadri Veseli e Ramush Haradniaj nuk kanë dëgjuar as emrin e Isuf Dragaçinës, i burgosur politik i viteve 80, po ashtu i papunë prej vitit 1990 e deri tani dhe qindra të tjerë si ky. Por e di mirë dhe besoj fort se Ramushi, Kadriu dhe Hashimi e dinë mirë kush është, Hysen Gega, luftëtari më konsekuent i lirisë, i cili ka mbajtur 14-vjet burg, në kohën e regjimit kriminal serb, ka luftuar në vijat e para frontit të UÇK-së dhe kurrë deri sot nuk iu afrua asnjë punë në Kosovën e pavarur e sovrane, për të cilën ka luftuar në vijat e fronit, pa e qëndisur uniformën me gradën e komandantit, por vetëm me emblemën e UÇK-së.
Nuk i bën fare përshtypje këtij zotëri, Kadriut, që e çan gjoksin duke e rrahur dhe duke na treguar se ka marrë pjesë në të gjitha luftimet në Kosovë (!), mbase na ka rënë ta shohim ndonjëherë, në luftime, por nuk i gjen një vend pune luftëtares së lirisë, profesoreshës së gjuhës shqipe, Elimije Plakiqi, e cila sapo filloi lufta në Drenicë, la postin dhe nga vendi ku kishte punuar, mori vetëm nofkën e ‘drejtoreshës’ pastaj luftoi me armë në dorë në frontet e luftës. Tash e njëzet vjet Elmija, e burgosur politike, veprimtare, luftëtare e lirisë, profesoreshë, nuk gëzon asnjë vend pune.
E them me përgjegjësi kombëtare, intelektuale, njerëzore se Elmije Plakiqi ka marrë pjesë në luftime shumë me tepër se Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por këtë nuk e them për Ramush Haradinajn. Po të ishte bërë vegël e përdorshme politike, Elmija, mund të ishte edhe deputete, pse jo edhe ministreshë.
Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, nuk e dinë ku jeton dhe a punon apo nuk punon fare veprimtarja, ndër më të dalluarat e çështjes kombëtare, luftëtarja e lirisë, poetja, shkrimtarja, intelektualja, e burgosura politike, Shefqete Gosalci. Nuk kam të dhëna se e di apo nuk e di Ramush Haradinaj se ku ndodhet dhe a ka fare punë, luftëtarja e lirisë, Hyrije Veliu, me të cilën ishte krenuar gjatë kohës së luftës.
Është e gjatë, për të mos thënë e pakufishme fleta e luftëtarëve dhe luftëtareve të lirisë, e të burgosurve politikë dhe e shumë liridashësve e liri-bërësve të Kosovës, të cilëve kurrë nuk ju kanë ofruar asnjë punë, por kanë mbijetuar me ndihmat e familjarëve, miqve dhe të njohurve, jetojnë nga remitencat, me të cilat gjallon pjesa e shqiptarëve të varfër e të papunë të Kosovës, që nuk mbulohet me buxhetin e Ramushit, Kadriut e Hashimit.
Nuk ka hall Qeveria me skamnorët, sepse ata nuk paraqesin rrezik për Qeverinë, pasi ata nuk kanë një organizatë apo një OJQ, si SBASHKU, që dridh Qeverinë duke ua ndërprerë dhunshëm shkollimin 400.000 mijë nxënësve e studentëve, për ta arritur qëllimin, dhe kur pyetet kreu i kësaj sindikate se a do të kompenzohen 20 ditë e humbura, përgjigjet tërë arrogancë, se ajo punë nuk i intereson fare. Natyrisht ky zotëria ka kaluar Drinin…, bashkë me sejmenët e tij, të cilët për të zhvatur sa më shumë nga buxheti, ashtu si po e zhvatin krejt kush sa po mundet, janë në gjendja ta varrosin arsimin kombëtar, edhe ashtu shumë “të avancuar”, që ka zënë në vendin e dytë, në botë, natyrisht, nga fundi.
Hashimi, Kadriu, Ramushi mund të krenohen, mund të rrahin gjoks se u kanë krijuar vende pune akrabave, të vetëve, militantëve nga të cilët ka edhe banditë të pacipë e të pafytyrë, krenohen se kanë zënë me punë bijtë e bijat e ish UDB-ashëve, në shenj respekti për baballarët e nënat e tyre dhe me qëllim që të tregohen të drejtë e parimorë para të huajve. Por ata nuk duhet të harrojnë se këta emra që i përmenda sot dhe shumë të tjerë që do t’i përmend në vazhdim, një ditë do të jenë emra tmerri për ndërgjegjen e tyre, por edhe të familjeve e trashëgimtarëve të tyre.