Edhe një monografi për Azem Galicën ku kryetrimi i Drenicës trajtohet, “kaçak mali”

Folkloristi, dr. Mehmet Rukiqi ka nxjerrë në dritë monografinë e titulluar,  “Azem Galica”, në të cilën, ashtu sikur rëndom në pjesën dërrmuese të historiografisë sonë, kryetrimi i Drenicës në vitet 1912-1924, Azem Bejtë Galica trajtohet  “kaçak i maleve”, madje si “Komandant i Lëvizjes Kaçake”, Shote Galica po ashtu si kaçake, ndërsa bashkëluftëtarët e tij, “kaçakë mali”, të tillë sikur i ka emërtuar  dhe i emërton aktualisht  historiografia serbe, por edhe një pjesë e historiografisë shqiptare, e cila nuk shkëputet dot nga shkolla, frazeologjia dhe politika e metodologjisë specifike  jugosllave.

Interpretimi i tillë i realitetit historik nga pozita e mendjeve të mbetura rob të historiografisë serbe, të cilët përkthejnë terminologjinë fjalë për fjalë nga gjuha serbe në gjuhën shqipe, vazhdon  ta dëmtojë historiografinë shqiptare, e cila nuk po lirohet dot nga “kaçakizimi” i historisë, ose po lirohet vetëm nga historianë dhe shkrimtarë të caktuar.

Një diferencim nga emërtimi kaçak, për çlirimtarët e Kosovës, të kohën e robërisë jugosllave, me kohë  e  ka bërë historiani i mirënjohur, Marenglen Verli, pastaj 10 vjet më parë, profesor doktor, Jusuf Bajraktari, ndërsa ka hequr dorë nga përdorim i emërtimin “kaçak” studiuesi i zellshëm,  Bedri Tahiri.

Është për keqardhje kur një vepër e tillë, sikur ky libër  i dr. Mehmet Rukiqit, lejohet të botohet me këtë terminologji të deformuar, madje  edhe nga recensuesit: dr. Adem Zejnullahu dhe dr. Lush Culaj dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Pavarësisht se vepra përshkohet me një lëndë të brumosur, me të dhëna relevante, me folklor e burime gojore, ajo është dëmtuar shumë në emërtimin e Azem Galicës si “kaçak mali”, një interpretim i deformuar duke u bazuar në terminologjinë serbe, e cila në mënyrë konstante ka qenë dhe po mbetet,  gjithnjë antishqiptare.

Ta trajtosh Azem Galicën si “cub”, “kaçak apo komit”, nuk është vetëm një lëshim i rastit as një lëshim më tepër, nuk është vetëm një lëshim gjuhësor, por është një “non sens” i llojit të veçantë. Sipas kësaj logjike,  edhe lufta e legjendarit Adem Jashari, paska qenë luftë terroristësh, vetëm sepse  në historiografinë e sotme serbe interpretohet si luftë e një terroristi shqiptar, ndërsa UÇK-ja si organizatë terroriste. E tillë ishte interpretuar nga historiografia serbe edhe lufta titanike e Azem Galicës dhe e qindra luftëtarëve të lirisë, të cilët nuk ishin “kaçakë mali” e as cuba të “bajkave” serbe, por luftëtarë besnikë të këtij populli, të cilët nuk pranuan poste të “posllanikëve”, “kmetëve”,  apo të “presednikëve”, nën regjimin serb, por luftuan dhe qëndruan për më shumë se 12 vjet duke luftuar me armë në dorë kudo  në Drenicë, kudo  në  trojet e Kosovës së pushtuar nga regjimin barbar dhe fashistoid të Serbisë.

Vazhdimi i trajtimit të Azem Galicës si “Komandant i  çetave kaçake” ( dr. Mehmet Rukiqi: Azem Galica, f. 113)  është jo vetëm turp për të gjithë ata që bëjnë, me apo pa qëllim gafa të tilla, por edhe zhvlerëson çdo vepër të këtij lloji pavarësisht se kush është autori apo botuesi.

Instituti i Albanologjisë dhe përgjithësisht institucionet tona të arsimit e kulturës, duhet të lirohen nga mendësia e trashëguar e shkollës së Beogradit, duhet të lirohen nga interpretimit serbe, antishqiptare, sepse Kosova është çliruar nga Serbia dhe nuk vendos dot Beogradi për mënyrën si i qasemi ne historisë sonë kombëtare, si “Lëvizje kaçake”, apo “Lëvizje çlirimtare”, ashtu sikur veprohej  para çlirimit dhe ashtu sikur edhe ishte trajtuar, pothuajse zyrtarisht  kjo Lëvizje çlirimtare.

Prania në folklorin tonë dhe në këngët e trimërisë e fjalës “kaçak”, nuk është fakt që duhet të përfillet, edhe pse  në folklor gjendet ndonjë emërtim i tillë, por në asnjë këngë të kënduar për Azem Galicën nuk gjendet dot emërtimi që e barazon  Azem Galicën me “kaçak mali”.

Mendjet e robëruara pacifiste duket se do të mbesin robër të së kaluarës derisa të jenë gjallë. Lëvizja kaçake për ta  nuk është turpi i vetëm tyre, por është një duhmë e keqe e Beogradit që ende vazhdon të përhapet me helmet e moçme dhe të tanishme nga shpirt vasalët.

Është e pafalshme, që një studiues, qoftë i folklorit, i historisë apo i gjuhës, dhe jo vetëm i këtyre  lëmenjve, mbështetet verbërisht në terminologjinë politike të Beogradit, pa asnjë sens kritik lidhur me emërtimin e një lëvizje, kohe apo epoke.

Fjala kaçak, dihet se ka prejardhje turke dhe më të njëjtin kuptim është ngulitur edhe në gjuhën serbe. Në përkthimin shqip do të thotë, “kap dhe ik”,  Kaç-ak, thjesht “hajn”, “rrëmbyes”, “plaçkitës”.

I kuptoj historianët e shkollës jugosllave deri në vitin 1990, kur nuk kanë guxuar ta madje as të ëndërrojnë ndërrojnë terminologjinë zyrtare të LKJ-së apo LSPPJ-së, apo edhe nuk u ka bërë fare përshtypje ajo, por sot, pas shpërbërjes totale të ish Jugosllavisë, pas çlirimit të Kosovës nga robëria shekullore serbe, të përdorët terminologjia politike, shoviniste dhe antishqiptare serbe, kjo është e pafalshme.

Azem Galica nuk ka qenë “kaçak mali”, por prijësi i Lëvizjes së armatosur kundër pushtimit serb të Kosovës. Kishte në radhët e tij edhe ndonjë kaçak, që kishte vjedhë apo kishte vrarë ndonjë fqinj, por të tillë sapo zbuloheshin largoheshin nga radhët. Të tillë jo vetëm njëherë edhe e denoncuan Azem Galicën dhe bashkëpunuan me regjimin gjakatar serb.

Është koha e fundit të Instituti i Historisë, i Albanologjisë dhe përgjithësisht institucionet shkencore e arsimore të vendit tonë të mos lejojnë përdorimin e terminologjisë serbe, nëpër tekste shkollore, ku fyhet Lëvizja çlirimtare e shqiptarëve duke e quajtur “Lëvizje kaçake”, “Lëvizje të hajnave e plaçkitësve”.

Ahmet Qeriqi

  1. 5.  2014

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …