Botuar nga Radio-Kosova e lirë dhe financuar nga komuna e Junikut, doli nga shtypi libri: “Vështrime letrare” i dr. Zenun Gjocajt ( 1943-2013). Autori, këtë vepër e kishte lënë në dorëshkrim dhe nuk arriti ta botojë për së gjalli.
Vepra, “Vështrime letrare” përbehet nga një mori studimesh të temave të ndryshme si: kritika letrare, recensione, studime gjuhësore dhe vështrime për librat e lexuar të autorëve të ndryshëm.
Në pjesën e parë të librit janë prezantuar kritika letrare e studime të autorit për shkrimtarë dhe krijues të caktuar, ndërsa në pjesën e dytë janë prezantuar shkrime të autorëve të ndryshëm për krijimtarinë letrare artistike dhe shkencore të aurorit.
Dr. Zenun Gjocaj, ashtu sikur në krijimtarinë artistike edhe në kritikat letrare ka lënë gjurmë të një origjinaliteti të rrallë krijues, që dëshmon për seriozitetin, me të cilin në vazhdimësi iu kishte përkushtuar çdo pune të cilën e kishte filluar dhe e kishte mbaruar, gjithnjë me një përkushtim të veçantë dhe kurdoherë me sukses. Me një metodologji të avancuar shkencore dhe me kreativitet krijues, autori i këtij libri ka arritur të depërtojë thellë në veprat të cilat i ka marrë në shqyrtim, gjithnjë duke i dhënë përparësi aspketeve afirmative të librave, për të cilat ka shkruar…
Libri ka 266 faqe, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë
…Për nga natyra i heshtur dhe shumë i matur, i dashur për të gjithë, shumë solidar dhe i përkushtuar për shokun e mikun, i urtë dhe besnik, Zenun Gjocaj është prej atyre krijuesve shqiptarë që të përkujtojnë urtësinë, modestinë dhe thjeshtësinë e Ndre Mjedës, freskinë e mendimit militant të Gjergj Fishtës dhe kredon artistike të Kolë Jakovës.
Ndjenjën e tij të sakrificës për njerëzit e kishte pjesën më të fisnikëruar të qenies. Ai ishte i të gjithëve, i të afërmve dhe i atyre të tjerëve, me të cilët e lidhte puna, aktiviteti, komunikimi. Aq shumë ishte dhënë pas punës, mirë bërjeve, angazhimeve krijuese, sa dukej se e kishte harruar vetveten, e kishte harruar edhe sëmundjen, që mjekët e kishin evidentuar një vit para vdekjes, por që nuk kishin treguar përgjegjësinë në nivel të betimit, përveç njërit prej tyre. Zenun Gjocaj, nuk ankohej, nuk po arrinte apo thjesht nuk donte ta kuptonte seriozitetin e sëmundjes. Mbase donte ta përmbyllte jetën si spartan, ashtu sikur edhe kishte jetuar. Mbase e kishte kuptuar më mirë se unë dhe të gjithë ne se “Jeta është si treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe kurrë nuk kthen prapa”.
Tani që Zenuni nuk është më fizikisht në mesin tonë, fryma dhe shpirti i tij janë gjallë, në veprat e shkruara që na ka lënë pas, janë gjallë fjalët e tij të urta, anekdotat që i krijonte aty për aty, ose i rrëfente në mënyrë të modifikuar, janë kujtimet, zëri i tij i çiltër, fryma humane dhe mbi të gjitha shpirti i pastër si kristali. Kujrimi për Zenun Gjocajn mbtetet kurdoherë i freskët, sepse nuk ka si harrohet një qenie e tillë, nuk mund të harrohen veprat dhe madhështia e modestisë së tij, nuk ka si harrohet krijimtaria e veprimtaria e tij, nuk ka si harrohet Zenuni, sepse si Zenuni ka pak të tjerë!…