Studimet e prezantuara në këtë libër të autorit, mr. Kadri Rexha i përkasin një periudhe gati dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, Kadri Rexha ndodhej në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Në studimet e tij ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale. Ai me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit. Edhe ky libër me studime ashtu sikur edhe libri paraprak “Pikëtakime letrare” është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës. Libri, “Thirrjet e kohës” ka 500 faqe, botori Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.
“Thirrjet e kohës”, ora e pandalshme drejt aspiratës së bërjes definitive të Shqipërisë
( Kadri Rexha, “Thirrjet e kohës, Studime, botoi Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2014)
“Sot përulemi me respekt dhe krenari para të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, ashtu si dhe para të gjithë dëshmorëve të Kombit, që në vazhdimësi ranë për mbrojtjen dhe bashkimin e popullit shqiptar dhe të trojeve të Atdheut tonë të ndarë…”, shkruan në hyrje të librit, “Thirrjet e kohës”, studiuesi, i burgosuri politik dhe veprimtari i njohur, Kadri Rexha. Respekti për të rënët, respekti për trimat e trimëreshat, të cilët me penë e pushkë e nxorën Shqipërinë nga bataku shekullor i katandisjes tragjike, jeta dhe vepra e tyre, synimet dhe aspiratat e tyre, fati i tyre i lidhur me kombin ashtu si mishi për thoin, janë tema të përhershme të Kadri Rexhës, janë një “perpetuum mobile” krijuese, vetë kredoja e angazhimeve të tij, për ta zbardhur dhe për të mos e harruar të kaluarën, për të nxjerrë prore mësime nga ajo, sepse jo vetëm një herë na u ka përsëritur historia.
Studimet e përmbledhura në këtë libër, i përkasin një periudhe gati dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, Kadri Rexha ndodhej në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Në studimet e tij ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale. Me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit.
Edhe ky libër me studime ashtu sikur edhe libri paraprak “Pikëtakime letrare” është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës.
Kadri Rexha, në të gjitha studimet e tij ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes, izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.
I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në studimet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, mjet në shërbim të edukimit të brezave, veprimtari jo vetëm korrektuese e kritike, me qëllim diskreditimi apo megalomanie, por më radhë të parë si kritikë e shëndoshë, mbështetëse e shpeshherë edhe inkurajuese.
Kritikat letrare të autorit datojnë qysh herët, qysh në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Asokohe profesori i letërsisë nuk kënaqej vetëm me shpjegimin dhe interpretimin e lëndës së letërsisë sipas teorive të aplikueshme dhe tradicionaliste, por rrugëtonte drejt interpretimit më të lirë, më frymëmarrës dhe më të kuptueshëm, sidomos për lexuesin, por edhe për studiuesin e letërsisë. Në përpjekje për të vlerësuar më ndryshe librin, duke qenë edhe në kontakt me metodat e njohura të kritikës letrare, Kadri Rexha ka krijuar një stil sintetik të vrojtimit letrar, andaj analizat e tij letrare janë origjinale, organike, si për nga qasja ashtu edhe rendimenti që sjellë në vlerësimin realist të veprave të ndryshme…
Libri me studime, analiza, komente, letërkëmbime, polemika, intervista, recensione e tema të tjera, titulluar “Thirrjet e kohës”, i autorit, Kadri Rexha, pa dyshim se begaton letrat tona, në kohën kur studimi i mirëfilltët, i thellë dhe shkencor i letërsisë, kulturës, publicistikës, nga një pjesë e studiuesve shikohet me skepticizëm, si diçka që u përket “shkollave letrare të kaluara”. Kjo vepër me përmbajtjen e begatshme dhe të llojllojshme imponohet për lexim, meqë secili lexues, gjen tema që i interesojnë, qoftë nga e kaluara apo e tanishmja, tema nga të cilat mësohet dhe edukohen brezat e ardhshëm.
I arsimuar dhe i edukuar në frymë të traditës realiste afirmative kombëtare, autori në librin e tij ka prezantuar tema të ndryshme duke filluar nga letërsia e vjetër shqipe dhe duke kaluar nga një shekull në tjetrin për të ardhur në kohën tonë, deri të Epoka e UÇK-së dhe periudha e shtet ndërtimit të rëndë të Kosovës, të pleksur me shumë probleme të pazgjidhura.
Një kapitull të veçantë në këtë libër paraqet prezantimi i letërkëmbimit të autorit me veprimtarin e mirënjohur të çështjes kombëtare, të burgosurin politik dhe militantin e lirisë, dr. Shaqir Shaqiri. Prezantimi i këtij letërkëmbimi hap një dimension të ri në angazhimet krijuese të autorit, Kadri Rexha, i cili nuk është thjesht një studiues katedre, por mbi të gjitha një personalitet i afërt me shokët, i cili jeton me hallet dhe problemet e tyre, me jetën dhe degdisjet e tyre nëpër botë, në kushte dhe rrethana tashmë të njohura nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët sidomos në kohën e fundit.
Në shtrirjen e temave në pothuajse tërë gjeografinë shqiptare, në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni, autori ka arritur të zbërthejë thirrjet e çdo kohe, të çdo epoke, thirrjet e përjetshme dhe të përhershme të zërave të ngritjes dhe kalitjes së vetëdijes kombëtare, të frymëzimeve atdhetare, thirrjet e përhershme për liri, barazi, bashkim kombëtar dhe unifikim të shqiptarëve të shkapërderdhur nëpër trojet e tyre stërgjyshore.
Duke qenë vrojtues i thellë i realitetit historik dhe i kontradiktave shoqërore, politike e kulturore, veçmas në rrafshin kombëtar, Kadri Rexha ka arritur që edhe në këtë libër, ashtu sikur edhe në veprat e botuara më herët, të kondensojë një materie gjithëpërfshirëse, mjaft të begatshme dhe reprezentative, meqë opusi i studimeve paraqitet shumëdimensional dhe i ngjeshur mirë nga të gjitha pikëpamjet krijuese.
Duke i rënë pash më pash trojeve të Shqipërisë, duke dëgjuar dhe duke i përfillur me besnikëri thirrjet e kohës që nga kambanat e Krujës së Gjergj Kastrioti e deri te thirrjet mobilizuese për kushtrim të legjendarit, Adem Jashari, autori i këtij libri me studime, ka arritur të sintetizojë thirrjen shqiptare, orën e pandalshme drejt aspiratës së bërjes definitive të Shqipërisë. Ky është edhe mesazhi më i fuqishëm i autorit, që i drejtohet lexuesit me qëllim që rruga e emancipimit kombëtar të kërkohet brenda vlerave të fisnikëruara të kombit, pa mohuar vlerat universale krijuese e humane, por fillimisht e përfundimisht në përpjekje për ta begatuar, ndriçuar dhe emancipuar kulturën tonë autentike, pjesën e saj më afirmative dhe më reprezentative.
Përmbledhje me studime, analiza e vlerësime, “Thirrjet e kohës” e studiuesit, Kadri Rexhës është një kontribut i çmuar për studimin dhe njohjen e lexuesit me tema të caktuara të letërsisë shqipe dhe me kritikën letrare në përgjithësi. Libri ka 500 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.
Ahmet Qeriqi