Ahmet Qeriqi - Adem Demaçi

Ahmet Qeriqi: Atdhetaria dhe idealizmi i Adem Demaçit do të jetojnë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e idealistëve

Ditëlindjet e njerëzve që kanë bërë emër në historitë e kombeve, shënohen si ditë të veçanta për t’u ndalur pak dhe për të përkujtuar kohën, të kaluarën, prej nga u nisem e deri ku erdhëm, ku jemi dhe ku po vemi, me cilat vështirësi u ballafaquam dhe cilat janë ato që na presin…

Më 26 shkurt të vitit 1936 në një familje të varfër por të ndershme e bujare, në Prishtinë, u lind, Adem Demaçi. U lind shqiptari, i cili do të lërë gjurmët më të pashlyeshmet në historinë tonë kombëtare, në Lëvizjen e Rezistencës aktive si dhe në letërsi e publicistikë.

Jeta dhe vepra e tij lidhet me shqiptarët  e shumëvuajtur  dhe me aspiratat për liri e bashkim, ashtu sikur lidhet mishi me thoin. Veprimtaria e tij i përket kombit e atdheut, i përket pjesës më të  ndritur të historisë së rezistencës, por edhe  krijimtarisë së arrirë  letrare artistike.

Të flasësh e të shkruash për Adem Demaçin nuk është punë e lehtë.

Baca nuk i duronte fjalët e mëdha, nuk i duronte lavdet. Por  si mund të shkruhet për Adem Demaçin pa përkushtim, pa fjalët më të mira dhe pa sipërorët, të cilat, i ka shkruar vetë me jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare. Andaj të shkruash për Bacë Adem Demaçin, edhe kur të duket se e ke për detyrë, edhe kur mediumi në të cilin punon të kërkon një studim apo shkrim për përvjetorin e lindjes së tij, nuk del punë e lehtë. Dhe, nuk ka si të jetë e lehtë tërë kjo, kur Baca tërë jetën është sprovuar me të rëndat e vështirësisë e saj, është sakrifikuar për të vërtetën e të drejtën dhe është bërë zëdhënësi më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës, humanizmit dhe të vërtetës.

Duke qenë i çiltër si natyra pranverore në agim, humanist dhe i njerëzishëm deri në pakufi, i sprovuar në jetë nga forcat e errësirës sikur Prometheu, i rrahur me vaj e uthull nga të papriturat dhe rravgimet e jetës, Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet  mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, është vetë simboli i kësaj sakrifice, është alfa dhe omega e një drame kombëtare në shumë akte, një dramë në epilogun e së cilës ende nuk kemi arritur.

Në përpjekje për të përkufizuar më mirë dhe sa më realisht personalitetin e Adem Demaçit jam mbështetur në disa vlerësime të filozofëve të njohur, të cilët kanë shkruar për fenomenologjinë, tipologjinë dhe personazhet e veçanta të historisë së  qytetërimit njerëzor.

Adem Demaçi është emri i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen,  nga ai lloj, të cilin duket se  Krijuesi e ka përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit dhe  jo vetëm në dobi të kombit, ashtu sikur na pëlqen ta përkufizojmë. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve,  për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh.

Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste, zogiste  filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002,f. 74.) Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve në botën njerëzore nuk janë të pakta.

Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Profesor, doktor, Hakif Bajrami, njohësi ndër më të mirët  dhe ndër më të përkushtuarit e veprimtarisë atdhetare, filozofike dhe politike të Adem Demaçit shkruan: “Filozofia dhe gnoseologjia e veprës së Demaçit, janë një fushë, të cilën duhet ta hulumtojnë institucionet ose akademitë e shkencave. E them këtë, sepse një hulumtim  si ky, individual, nuk do të mund t’i përfshinte të gjitha sferat, që të mund të kënaqnin lexuesit në të ardhmen e largët. Po e them këtë, sepse nga kjo afërsi kohore, rëndësia historike e Adem Demaçit, si institucion kombëtar, që ka vepruar personalisht dhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare, jashtë burgut, me idetë dhe ndikimet e tij, në masat e reja të popullit, kjo disi nuk mund të përthekohet. (Dr. Hakif bajrami:“Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009, f.6.)

Në një publikim të tij, me rastin e vdekjes së Adem Demaçit, profesor, doktor, Rexhep Qosja ka shkruar: Ndarja e tij nga jeta pikëlloi gjithë shqiptarët kudo-qofshin ata. Adem Demaçi ishte dhe mbetet Baca Adem, i gjithëkohshëm në historinë e popullit shqiptar: i gjithëkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij. Në jetën dhe në historinë e popullit shqiptar ai ishte i veçantë me çdo gjë e me të gjitha. Ai e jetonte Idealin e tij; ai e jetonte Fjalën e tij; ai e jetonte gjithë Veprën e tij. Ideali i tij, Fjala e tij ishte, është dhe do të jetë përgjithmonë njëkohësisht, Ideal i Kombit shqiptar, Fjalë për Kombin shqiptar. Herët, në rini ai u bë Mësuesi historik, politik, kulturor, kombëtar e moral i rinisë shqiptare në Kosovë. Ai u bë Mësuesi i qëndrimit të drejtë, të papërkulshëm, të dinjitetshëm, që nuk e përkulnin levërditë, premtimet, kercënimet, burgjet ka shkruar mes tjerash, akademiku i nderuar, Rexhep Qosja. (RKL- 26 korrik 2018)

“Me humanizimin e tij, Adem Demaçi i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua. Kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai mbështet  mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste në fushatë kundër populizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët. Edhe kur Serbia merr shtyrjen e fundit ndërkombëtare, kur prej Demaçit dikush priste hakmarrjen e fundit kundër atij sistemi dhe atij populli që e kishte mbajtur tri dekada në burgje, ai u bë fryma e humanizmit dhe lirisë së Kosovës: përfaqësues i zyrës së UÇK-së, në të cilën bashkoheshin kërkesat e luftëtarëve të lirisë, ndërmjetësuesit e diplomacisë ndërkombëtare dhe madje kërkesat e qytetarëve serbë”. Myrvete Dreshaj-Baliu, Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij. “Fjala e lirë” 17. 4. 2012.

 

Ish kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit  ka shkruar se në tërë shekullin e jetës së tij, Baca ishte një idealist i klasit të parë! Vizionar largpamës i pashoq, besnik i idealeve dhe i vizionit politik për çlirimin e bashkimin e kombit të tij, KOMBIT SHQIPTAR! Sepse KOMBI SHQIPTAR për shumëçka kurrë nuk ka qenë më mirë e më afër realizimit të veprës jetësore të Adem Demaçit dhe Ademit legjendar, Adem Jasharit: ÇLIRIMI E BASHKIMI I SHQIPTARËVE! Dhe këtë mund ta realizojnë vetëm njerëzit e organizuar pikërisht siç qe jeta dhe vizioni idealist tashmë në masë të madhe i realizuar, ka shkruar mes tjerash, Jakup Krasniqi. (RKL-27.7.2018)

Koha e atdhetarëve  nuk mbaron  kurrë, ashtu sikur nuk vdesin kurrë të gjithë idealistët. Pavarësisht se bacë Adem Demaçi vdiq fizikisht, në moshën 82-vjeçare, (më 26 korrik 2018) patriotizmi dhe idealizmi i tij do të jetojnë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e atyre, që janë edukuar e frymëzuar me një idealizëm të tillë, sa real dhe i natyrshëm po aq edhe historik dhe vështirë i zëvendësueshëm.

Demaçi në vitet e pleqërisë kishte një ide tolstojane për ta vënë në shërbim të publikut, por sëmundja  bëri që atë të mos të mos e realizonte, edhe pse ideja e tij ka marrë rrugë dhe nuk do të ndalet. As Tolstoi i madh nuk arriti ta realizonte idenë e tij të madhe në shërbim të  përhapjes pa pengesë të ideve të humanizmit të tij, megjithatë vepra dhe jeta e  tij mbeti mesazhi më i mirë ndër shekuj, jo vetëm për atdheun e tij, por edhe për tërë botën përparimtare e demokratike, për idealizmin e vërtetë që ngrihet në ballë të universit njerëzor.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …