Ministri Bytyqi priti një delegacion nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim një delegacion nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, të prirë nga kryetari Shukri Ymeri, me të cilët bisedoi për shumë çështje që kanë të bëjnë me mërgatën shqiptare, në veçanti për arsimimin e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë. Ministri Bytyqi falënderoi Lobin për punën që po bën, duke i forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe duke i shfrytëzuar këto lidhje për të mirën e përbashkët në shumë segmente të jetës dhe punës. Duke folur për rëndësinë që ka ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, Ministri theksoi nevojën e një bashkëpunimi edhe më të madh, në mënyrë që të kyçen sa më shumë fëmijët shqiptarë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe të mos vijë deri te asimilimi i gjeneratave të reja. Në këtë drejtim, ministri Bytyqi përmendi si hap të rëndësishëm Marrëveshjen Kosovë-Shqipëri për kurrikula të përbashkëta për mësimin në gjuhën shqipe në diasporë, si dhe tekstet falas që jepen për fëmijët që ndjekin mësimin plotësues. Në këtë takim, u diskutua edhe mundësia e organizimit të një shkolle verore për fëmijët e mërgatës gjatë pushimeve verore në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …