Dje u nda nga jeta bashkëshortja e shkrimtarit Dritëro Agolli, Sadije Agolli.
E veja e shkrimtarit të madh shqiptar, u nda nga jeta në moshën 76 vjeçare.
Mësohet se ajo ndërroi jetë në spital ku ishte shtruar pas një hemorragjie cerebrale. Kam patur fatin e madh që me çiftin Dritëro dhe Sadije Agolli të kem patur qindra takime. Tek shtëpia e tyre thuajse shkoja njëherë në muaj. Por gëzimin më të madh e kam patur kur organizova në qershor të vitit 1996 ardhjen e tyre në Athinë. Aty pashë dhe mësova se ata nuk ndaheshin kurrë. Kudo bashkë. Ideja e parë për një vizitë të mundshme në Athinë, jo për turizëm, natyrisht por për të pakësuar mallin e emigrantëve, na u dha në muajin maj 1996. Qe ndodhur këtu gazetari dhe juristi Spartak Braho dhe ne, një grup adhuruesish të letërsisë biseduam me të për Dritëroin. Diçka na premtoi zoti Braho. Nuk duheshin shumë çka për t’u ndezur eshka e mallit. Lajmet e para nga Shqipëria ishin inkurajuese. Lajme nga “qiraxhinjtë e Grebenesë” që vinin duke kaptuar malet. E dija që zoti Dino Kubati shkrimtar e publicist arvanitas ishte gjithashtu i interesuar shumë për vizitën e Agollit. Ai mori përsipër nxjerrjen e vizave, ndërsa unë e disa shokë përgatitjet për sallën e lajmërimin e emigrantëve. Salla, natyrisht duhej paguar.
Më pas, kur gjithçka kishte mbaruar, disa “diplomatë” do të tregonin haptazi koprracinë e tyre për ca mijëra dhrahmi. Nejse, u detyrova t’i paguaja vetë, i bindur se do të më ndihmonin edhe emigrantët e tjerë, sikundër dhe bënë. Por më mbeti peng se nderi i kombit siç qe poeti i madh dhe aktiviteti për nder të tij, ishte diskutuar e barazuar apo numëruar me ca të holla…
Lajmi mori dhenë
Nuk e di se cila gazetë kishte shkruar diçka për këtë përgatitje dhe telefonatat e emigrantëve nisën të binin pa pushim. Kur, ku si do të mbërrinte poeti i madh? Si mund të sigurojmë një ftesë? Në ç’orë mund ta takojmë në mënyrë që pronarit t’i themi … e kupton? Nuk merrnim dot frymë nga telefonatat. Dhe ja, ai erdhi ashtu, papritur, por i mirëpritur. Jo i vetëm. Me dy të tjerë: E shoqja Sadija dhe poeti tjetër Moikom Zeqo. Qe një alarm që përshkoi gjithë “pjesën” shqiptare të Athinës. Poeti i madh kishte bredhur mjaft nëpër Shqipëri dhe kishte pasur shumë miq. Miq që nga ndonjëherë nuk i mbante mend, sepse u kishte bujtur vetëm një natë në shtëpi. Por ata atë natë e konsideronin gjithë jetën një nder të madh dhe tani, të emigruar në Greqi, natyrisht jo midis 3 milion shqiptarëve, por midis 300 000 emigrantëve, ngjante se shansi për t’u bujtur edhe një herë poeti në shtëpi ishte 10 herë më i madh.
Nga ana tjetër ishte e para herë që njëri nga intelektualët më të mëdhenj të vendit, njëherësh edhe për pozitën e tij të qartë politike, e bënte njeriun e letrave dy herë më interesant për ikanakët. Ata donin të qanin hallet me të si me një kushëri të madh e të dëgjuar, me një ‘post” në ‘komitet”, sepse tani kishin mbetur pa shtëpi e katandi, pa punë për djemtë, pa dhëndurë për vajzat. Hallet ishin të rënda sa malet e Shqipërisë. Se mos erdhi më parë ndonjë ministër e qëndroi të llafosej me ta?! Se mos erdhi presidenti i vendit e t’i lironte sado pak nga vargonjtë e pikëpyetjeve? Se mos u tha njeri, se vuajtjet tuaja do të mbarojnë në këtë vit të këtij shekulli apo të atij tjetri dhe ata të mos flinin të qetë… Se mos…!!! Erdhi Dritëroi por edhe Sadija. Atë natë e gdhimë tek shtëpia e Artistidh Koljas. Gjithë ato ditë Sadije kujdesej për Dritëronë si për një fëmijë. Kujdesj se mos pinte raki sa se përballonte. Kujdesej për veshjes, kujdesej se mos pinte shumë duhan, kujdesej se mos kishte shtrembër kollaren. Kujdesej për ushqimin. Kurrë nuk kisha parë një përkujdesje të tillë. Kurrë. Edhe kur Dritëroi e tepronte në të pirë ajo me takt i thoshte Dritëro e kalove. Epo jemi mes miqsh Sadije, ja priste Agolli. Sadija qeshte. Se besoj se mund të ketë grua në botë të kujdeset kaq shumë për burrin e vet. Kur e pyeta për këtë përkujdesje të tepruar ajo më tha: Albert, ka zemër të gjerë. Mund të sjellë në shtëpi çfarë gjen në rrugë jashtë.
Por është shumë bujar dhe i sinqertë dhe çdo gjë e tepërt është e dëmshme. Harrohet me miqtë dhe pinë shumë. Ai i duhet kombit i duhet. Ka shumë për të bërë…. Ajo kurrë s’u zemërua me Dritëroin edhe kur pinte, edhe kur vinte vonë në shtëpi, edhe kur pinte duhan pa prerë në shtëpi, edhe kur sillte njerëz të panjohur në shtëpi, edhe kur harxhonte shumë para, edhe kur nuk zbatonte oraret familjare. Pas atyre ditëve në Athinë unë mbaja lidhje të vazhdueshme. Sa herë që i takoja Dritëroi shprehej hapur: Dua të iki nga kjo botë para se të iki Sadija. Ja si ka shkruar Dritëroi për të :
“E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë dhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia”…
Kur Dritëroi mbushi përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta, Sadija, e përkujtoi duke botuar letërkëmbimin e tyre shumëvjeçar. E titulloi “Dashuri në moshën e Krishtit”, duke iu referuar moshës së Dritëroit, kur ata u njohën. Në këtë përmbledhje janë përfshirë letrat që Sadija dhe Dritëroi i kanë dërguar njëri-tjetrit në vitet e para të njohjes, por edhe më vonë për të kujtuar kohë të vjetra apo për t’i thënë njëri-tjetrit gjëra që nuk i thoshin dot me fjalë. Si duket Sadija nuk e përballoi dot largimin në përjetësi të Dritërorit. Jo. Ndaj kur Dritëroi mbushi dy vjet në largimin në përjetësi edhe Sadije shkoi së bashku me të në gjumin e përjetshëm.