Libri i publicistit dhe analistit, Nezir Myrtaj, “Dëshmi të arkivuara” është një vepër e veçantë faktografike, ku autori ka prezantuar pesë shkrime, në formë ankesash, kërkesash e protestash zyrtare, drejtuar organeve relevante të regjimit jugosllav, në vitet ’80-të, të shekullit XX. Në mesin e këtyre ankesave është prezantuar edhe një satirë politike e llojit të vet, me të cilën ai kishte vënë në lojë strukturat politike të regjimit. Në akuzat e tij, Nezir Myrtaj ia kishte çjerrë maskën shtetit i cili verbërisht po shkonte rrugës drejt shkatërrimit, meqë ishte mbarsur me probleme të pazgjidhshme sociale, me kontradikta e diferenca të mëdha politike e ideologjike, të cilat më në fund quan në shpërbërjen e plotë, të pashmangshme.
Gjatë viteve ’80 të shekullit XX, konkretisht prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, nuk kemi evidentuar ndonjë shkrim apo analizë tjetër më të thellë, më domethënëse, më të fuqishme dhe më të argumentuar, sidomos jo nga mesi i të burgosurve politikë të asaj kohe, madje as në shtypin ilegal të kohës, por as në publikimet e “Zërit të Kosovës”. Ky libër është një kontribut i veçantë për historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe një dëshmi, për të parë dhe për t’u bindur përfundimisht se ajo Lëvizje kishte në mesin e vet intelektualë dhe revolucionarë të mirëfilltë, idealistë të farkuar nëpër barrikadat e luftës, të cilët edhe në dekadat në vijim bartën mbi supe fatin e luftës për liri e bashkim, duke qenë edhe pjesë vitale e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Roli i Nezir Myrtajt në këtë lëvizje është i veçantë, por jo sa duhet i njohur për opinionin. Tani, opinioni lexues do të njihet edhe me një realitet, për të cilin nuk ka ditur tash e tri dekada. Vepra dokumentare, “Dëshmi të arkivuara” është kontribut për historinë e lëvizjes së Rezistencës shqiptare në Jugosllavi, është dëshmia më autentike e kohës, është një manifest i llojit të vet…
Libri ka 110 faqe, botoi Radio-Kosova e lirë, shtypi, Lena Grafik.
Analisti i mirënjohur, Nezir Myrtaj, veprimtar dhe ish i burgosur politik, (redaktori i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës së UÇK – së), pas shpalljes së aktgjykimit nr. 69/82 të datës 10. 7. 1982, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me çç rast ishte dënuar 12 vjet burg, në mesin e Organizatës (Grupit) Marksiste-Leniniste të Kosovës, kishte shkruar një ankesë, drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës, në të cilën, nga qelia e Burgut, ia kishte çjerrë maskën regjimit titist dhe argatëve të tij, gjithnjë poltronë. Ankesa e protokolluar është ruajtur në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe botohet për herë të parë, pas 32 vitesh. Edhe më vonë, deri në kohën e lirimit nga burgu, në vitin 1990, ai kishte shfrytëzuar të drejtën ligjore për të ushtruar parashtresa të ndryshme, si ankesa, kërkesa dhe protesta, duke shprehur revoltën e ligjshme kundër padrejtësive, dhunës dhe represionit sistematik shtetëror, që po ushtronte Jugosllavia kundër të gjithë shqiptarëve liridashës.
Kjo ankesë dhe ankesat apo protestat e mëvonshme, të shkruara gjatë viteve të burgut, nuk kishin të bënin me mbrojtjen e tij individuale, as me ankesa sa i përket shkallës së lartë të dënimit, as me dënimin si ndëshkim për veprimtarinë e tij dhe të Grupit Marksist – Leninist të Kosovës, të cilit i takonte, por në radhë të parë ishin akuza të faktuara e të dokumentuara në të gjitha segmentet, të shigjetuara kundër regjimit okupator jugosllav dhe kundër fushatës që ai regjim kishte ndërmarrë me qëllim, sikur thuhej zyrtarisht, të “shkatërrimit definitiv të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe çrrënjosjes së kërkesës për barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë”. Lexuesi, tani do të kenë rast të njihet jo vetëm me akuzën e parë të korrikut të vitit 1982, e cila është afishuar në fillim të librit, por edhe me katër akuza, ankesa e protesta të këtij lloji, të shkruara kohë pas kohe në qelitë e burgut dhe të ruajtura në rrethana të caktuara.
Nga leximi me vëmendje i këtyre shkrimeve, publiku lexues do të kuptojë se cili ka qenë niveli jashtëzakonisht i lartë i vetëdijes politike dhe intelektuale të disa krerëve të lëvizjes kombëtare të kohës, e cila ishte projektuar dhe përkufizuar si Grup Marksist – Leninist i Kosovës dhe që realisht ishte grupi më i organizuar, më i konsoliduar dhe më i fuqishëm në pikëpamje intelektuale, ideologjike dhe revolucionare, që e kishte mbrojtur me fakte e argumente Lëvizjen çlirimtare të Marsit e Prillit të vitit 1981, si dhe domosdonë e krijimit të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur mbi parimin e të drejtës së kombeve për vetëvendosje. Këto analiza të shkruara në formë ankesash, të cilat i burgosuri politik, Nezir Myrtaj ia kishte drejtuar organeve përgjegjëse të pushtetit në Kosovë, Serbi e Jugosllavi, përmes drejtorisë së burgut ku e ka mbajtur dënimin, paraqesin dëshmitë më autentike të kohës, të shprehura në formë akuze kundër regjimit shfrytëzues e shtypës jugosllav, kundër të gjitha intrigave që kishte kurdisur dhe po i zbatonte kreu më i lartë i shtetit, në Beograd, me qëllim për ta shtypur jo vetëm kërkesën për krijimin e Republikës së Kosovës, por edhe çdo përpjekje tjetër, që kishte të bënte me çlirimin, barazinë dhe bashkimin e shqiptarëve.
Tani, 32 vjet pas, në Kosovën tashmë të pavarur dhe të çliruar nga barbaria sunduese serbe, libri “Dëshmi të arkivuara” na sjell në kujtesë kohën kur disa atdhetarë dhe revolucionarë shqiptarë, edhe brenda qelive të burgjeve nuk e kishin ndërprerë për asnjë çast luftën për arsyetimin e kërkesës së ligjshme dhe të natyrshme, për liri, drejtësi, barazi e vetëvendosje. Ankesat e protestat e shkruara në burg, nga pikëpamja politike e ideologjike janë mbështetur në parimet e teorisë marksiste-leniniste mbi lirinë dhe “të drejtën e kombeve për vetëvendosje” dhe përgjithësisht duke u mbështetur në ideologjinë, të cilën në formë zyrtare e proklamonte edhe RSFJ dhe tërë blloku socialist-komunist i botës. Këto dëshmi autentike, kanë vlerat e tyre historike, të pacenueshme dhe të pamohueshme, pavarësisht nga këndi i interpretimit të sotëm ideologjik. Në to janë pasqyruar qartë kontradiktat e thella klasore në Jugosllavinë e kohës, dominimi i politikës jugosllave nga shovinizmi dhe nacionalizmi serbomadh, çështjet e brendshme të pazgjidhura, brenda republikave dhe në Federatën, e cila mbahej duke u arnuar dhe duke anuar herë nga Lindja herë nga Perëndimi, por pa një perspektivë të qartë dhe të fuqishme për të mbijetuar.
…
Pasi kisha lexuar me kujdes këto akuza, protesta e ankesa të Nezir Myrtajt, nuk kishte si të mos më shkonte në mend mbrojtja që i kishte bërë shkrimtari dhe intelektuali i madh jo vetëm i Francës por i mbarë Evropës, Emil Zola, kapitenit Drajfus. Me rastin e këtij konstatimi krahasues kam pasur parasysh faktin se Nezir Myrtaj, gjatë kohës sa po mbahej i prangosur, ashtu sikur mijëra të burgosur të tjerë shqiptarë në vitet 80-të të shekullit XX, kishte marrë përsipër të bëhej mbrojtës dhe zëdhënës moral i të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, në ish-Jugosllavi, por në veçanti i të drejtave të të burgosurve politikë nga Kosova, të cilët regjimi diktatorial i Beogradit i kishte katandisur nëpër qindra burgje anembanë Jugosllavisë. Neziri ndodhej në burgun më famëkeq të ish-RSFJ-së, në Zabellë të Pozharevcit, burg i njohur për vrasjen, trajtimin dhe torturimin mizor të shqiptarëve. Brenda në qelitë e burgut, nuk iu kishte nënshtruar fatit dhe nuk e kishte pranuar rezignatën ashtu sikur rëndom bëjnë shumë nga të burgosurit.
Duke qenë intelektual i formuar, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtën e shqiptarëve për liri, barazi e vetëvendosje, duke mos u lëkundur për asnjë çast nga pozita e fortë dhe e shëndoshtë kombëtare, pse jo edhe ideologjike, kur kemi parasysh kohën, ai revoltën e tij të ligjshme ndaj padrejtësive e kishte shprehur hapur, dhe e mbronte po aq hapur, pa kursyer asnjë fjalë, pa e dobësuar pozicionin politik-kombëtar për asnjë milimetër.
I vendosur dhe i bindur në domosdoshmërinë e fitores, edhe pse brenda mureve të qelive të burgut kishte vazhduar luftën edhe pse nën pranga, edhe pse në dukje ishte luftë krejtësisht e pabarabartë.
Realisht, në mbrojtje të pozitave të tilla, ai ishte fitues moral i asaj lufte. Duke qenë se nuk e kishte në mendje të kërkonte mëshirë, falje, duke qenë se nuk e kishte ndërmend ta pushonte luftën deri në fitore, pavarësisht sa kohë të zgjaste ajo, Nezir Myrtaj si asnjë i burgosur tjetër i viteve ‘80, kishte shprehur publikisht revoltën e tij, jo në emrin e tij individual, jo në emër të shokëve, me të cilët ishte dënuar, por në emër të të gjithë të burgosurve shqiptarë, pse jo edhe në emrin e të gjithë shqiptarëve liridashës nëpër burgje, por edhe në burgun e madh të popujve sikur ishte Jugosllavia e kohës, e veçmas Kosova, e cila ndodhej në qelinë më famëkeqe të atij burgu.
Nezir Myrtaj në qenien e tij ndiente një obligim kombëtar, njerëzor për ta mbrojtur të vërtetën, të cilën e mbronin edhe mijëra të burgosur të tjerë, por jo në nivelin në të cilin e kishte mbrojtur ai, jo në përmasën intelektuale me të cilën e kishte arsyetuar këtë mbrojtje, jo me pozitën aq të fuqishme për t’ia hedhur në surrat padrejtësitë organit më të lartë juridik të Jugosllavisë, sikur ishte Sekretariati Federativ i RSFJ-së për Jurisprudencë dhe Administratë të Përgjithshme në Beograd, apo Kryesisë së Shtetit, të cilave ua kishte adresuar, protestat, ankesat e revoltat.
Një mbrojtje të tillë të veçantë e kishte bërë para trupit gjykues, Simboli i rezistencës Kombëtare Adem Demaçi, i cili gjatë tri dënimeve të shqiptuara kishte mbrojtur me konsekuencë aspiratën e shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ja si fillojnë akuzat e Nezir Myrtajt, nën petkun e protestës, ankesës dhe kërkesës:
“Protestë kundër politikës shtetërore të terrorit politik, ushtarako-policor dhe fizik, që po ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme, e sidomos në kohët më të reja mbi popullin shqiptar, që jeton në trojet e veta në Jugosllavi”…
Si pjesëtar i popullit shqiptar, si individ i ndërgjegjshëm, nuk mund të qëndroj indiferent para krimeve të kësaj politike antishqiptare dhe antinjerëzore; para fyerjeve, përndjekjeve politike, sakatosjes fizike, materiale dhe shpirtërore; para vrasjeve; para fatit të këtij komuniteti, ashtu siç nuk mund të qëndrojë indiferent asnjë njeri i ndershëm para shtypjeve raciale, kombëtare e klasore, gjinore e fetare në çdo kënd të botës…
Ose: I drejtohem këtij organi më të lartë të drejtësisë në RS të Serbisë me këtë ankesë dhe ngre zërin kundër të gjitha akteve të padrejtësisë që po ushtrohen ndaj ne të burgosurve politikë shqiptarë në “Zabelë” të Pozharevcit. Këto akte, i dini apo nuk i dini ju që thirreni në politikën dhe në formulimet e paragrafëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, që dënojnë dhunën dhe krimet, janë veprime të drejtuara kundër ekzistencës së një populli të tërë…
Ose: Si organit më të lartë të drejtësisë në Jugosllavi, njëkohësisht ju drejtohem edhe me kërkesën, që në mbështetje të kompetencave dhe obligimeve tuaja, të ndërmerrni hapa konkretë për respektimin e ligjshmërisë dhe si rrjedhim, ndërprerjen e diskriminimit ndaj të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët e vuajnë dënimin në këtë shtëpi ndëshkuese, edhe si të dënuar politikë, por edhe si pjesëtarë të popullit shqiptar, i shpallur nga politika zyrtare jugoserbe si kolektivitet terrorist. Konkretisht plotësimin e të drejtave, të garantuara me Ligjin jugosllav mbi zbatimin e sanksioneve penale, të drejta që kanë të bëjnë me sigurimin e kushteve të domosdoshme jetësore, siç janë: 1) Shëtitja e lirë (ose qëndrimi në ajër të pastër) e paraparë sipas ligjit; 2) Ajrosja e përditshme e lokalit (qelisë) ku banojmë; 3) Heqja e rrjetës në formë shoshe nga dritarja e qelisë; 4) Zgjatja e kohës së vizitës dhe ndërprerja e kontrollit të saj…
Edhe pse në mungesë të institucioneve, apo të ndonjë shoqate, që do të merrte përsipër hulumtimin e lëndës së përmbajtjes së tillë faktografike, të mijëra të burgosurve shqiptarë, edhe pse në mungesë të të dhënave të plota në këtë segment të jetës së të burgosurve, duke u mbështetur në gjurmimet e mia të deritanishme dhe të qindra ish të përndjekurve politikë, me të cilët kam komunikuar dhe komunikoj, nuk besoj se ndonjë i burgosur tjetër shqiptar të ketë manifestuar me shkrim tashmë të faktuar, një kundërvënie të tillë intelektuale, sikur Nezir Myrtaj. Një mbrojte të tillë para “trupave të gjykatësve” e kanë bërë edhe disa të burgosur, por deri tani kemi pak të dhëna konkrete dokumentare.
Është fat i madh që kjo lëndë e arkivuar i ka shpëtuar dhëmbit helmues dhe inkuizicional të kohës. Po të mos ishin ruajtur dhe të mos ishin publikuar këto shkrime, kot kishte folur për to, Nezir Myrtaj. Shumica nesh do t’i kishim besuar por sa para bën, kur publiku lexues nuk do të kishte pasur mundësi të njihej me to. (Në këtë rast, shpreh keqardhje për të gjithë ata të burgosur të cilët, në rrethana të caktuara nuk kanë mundur t’i ruajnë ankesat, letrat, shkrimet, të cilat zakonisht u janë marrë nga organet e burgjeve, gjatë kontrollimit me rastin e lirimit nga burgu dhe nuk janë kthyer më. Një fat të tillë, të keq ka pësuar edhe një pjesë e shkrimeve dhe përkthimeve të mia në burgun e Suboticës dhe Novi Sadit, në mesin e tyre edhe përkthimi i romanit “Ararat” i shkrimtarit, Llajosh Zillahi njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës).
Në librin “Dëshmi të arkivuara” janë prezantuar pesë shkrime, në formë ankesash, kërkesash e protestash zyrtare drejtuar organit relevant. Në mesin e tyre edhe një satirë politike e llojit të vet, me të cilën ai kishte vënë në lojë tërë regjimin. Është një satirë po aq fshikulluese sa edhe satira që ia kishte drejtuar regjimit serb të Pashiqit, shkrimtari i madh serb, Radoje Domanoviq, por jo nga burgu, jo nga pozita e një shqiptari të burgosur padrejtësisht. Në akuzat e tij, Nezir Myrtaj ia kishte çjerrë maskën regjimit, i cili verbërisht po shkonte rrugës drejt shkatërrimit, meqë ishte mbarsur me probleme të pazgjidhshme sociale, me kontradikta e diferenca të mëdha politike e ideologjike. Ishte tamam si ai “prijësi” (Vodja) i Radoje Domanoviqit, të cilit i kishin vajtur prapa serbët, duke qenë të besuar se ai si babaxhan dhe njeri serioz, do t’iu gjente një parajsë në tokën e re që po e kërkonin për veten e tyre. Ata, pas shumë sorollatjesh, në fund e kuptojnë se prijësi nuk i kishte dërguar askund përveç se në një pyllnajë me thera e driza, sepse nuk shihte, meqë kishte lindur i verbër.
Myrtaj e kishte kuptuar me kohë se një regjim i tillë, një federatë e tillë që mbahej me paterica nuk mund të qëndronte gjatë. Duke qenë njohës brilant i realitetit, ai parashihte turpin e tmerrshëm dhe shkatërrimin e pashmangshëm të një shteti të tillë, që ishte bërë burg i popujve, shteti më i sëmurë në Ballkan, Jugosllavia, që nuk është dhe nuk do të jetë më kurrë. Në këtë drejtim, paralajmërimin e shkatërrimit e ilustron më së miri çdo rresht i këtij libri dhe të gjitha faqet origjinale, në faksimile, që shoqërojnë tekstin e tij.
Gjatë viteve ’80 të shekullit XX, konkretisht prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, nuk kemi evidentuar ndonjë shkrim apo analizë tjetër më të thellë, më domethënëse, më të fuqishme dhe më të argumentuar, sidomos jo nga mesi i të burgosurve politikë të asaj kohe, madje as në shtypin ilegal të kohës, por as në publikimet e “Zërit të Kosovës”. Ky libër është një kontribut i veçantë për historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe një dëshmi, për të parë dhe për t’u bindur përfundimisht se ajo Lëvizje kishte në mesin e vet intelektualë dhe revolucionarë të mirëfilltë, idealistë të farkuar nëpër barrikadat e luftës, të cilët edhe në dekadat në vijim bartën mbi supe fatin e luftës për liri e bashkim, duke qenë edhe pjesë vitale e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Roli i Nezir Myrtajt në këtë lëvizje është i veçantë, por jo sa duhet i njohur për opinionin. Tani, opinioni lexues do të njihet edhe me një realitet, për të cilin nuk ka ditur tash e tri dekada. Vepra dokumentare, “Dëshmi të arkivuara” është kontribut për historinë e lëvizjes së Rezistencës shqiptare në Jugosllavi, është dëshmia më autentike e kohës, është një manifest i llojit të vet, meqë përmbajtja e saj, edhe pse e shkruar në vetën e parë, njëjës, ajo sintetizohet në vetën e parë, shumës, duke u mishëruar me të gjitha forcat liridashëse të vendit, por edhe me të gjithë liridashësit kudo në botë. Një vepër të tillë me akuza drejtuar fashizmit dhe letra nga burgu dërguar familjes, me përmbajtje thellësisht revolucionare e ka shkruar edhe Antonio Gramshi (1891-1937), revolucionari i njohur italian me origjinë shqiptare. (Ahmet Qeriqi)