Gjatë muajit të fundit, lexuesit të interesuar për historinë e Luftës sonë Nacionalçlirimtare i jepet në dore libri: “Ideale dhe iluzione”, i autorit Manxhat Taka.
Autori, përmes këtij libri na bind se ai i ka studiuar me themel të gjitha vlerat e asaj lufte heroike çlirimtare, sikur të ishte një historian profesionist, ku spikat kuptimi i thellë prej tij i asaj ngjarjeje të madhe në historinë e kombit shqiptar. Risia që na sjell Manxhari me këtë libër është ajo se si, dy të rinj fshatarë, pa kaluar ende moshën e adoleshencës, marrin një vendim të jashtëzakonshëm për jetën e tyre, duke mos e kursyer atë për lirinë e gjithë popullit shqiptar. Përmes atyre, autori na tregon se, edhe pse ajo rini ishte e pa arsimuar, e tregoi veten se nuk ishte rini e pakulturuar. Në sajë të atij angazhimi, ajo rini e kulturuar, ku bëjnë pjesë edhe dy heronjtë tanë, arriti pjekurinë politike dhe atdhetare, sikur kishim të bënim me një popull të tërë të arsimuar. Gjë që lë të kuptohet se ajo luftë u fitua, ngaqë tërhoqi pas vetes tërë rininë shqiptare, të fshatit dhe qytetit, të shkolluar e të pa shkolluar. Duke qenë një rini e kulturuar, e cila u arsimua duke luftuar, u maturua shumë shpejt, ndaj dhe ndoqi instinktet e veta të natyrshme, duke zgjedhur rrugën më të drejtë. Gjë që bën një përjashtim mjaft të rrallë në histori. Si rrjedhojë, duke luftuar e arsimuar njëkohësisht, ajo rini, ku bënin pjesë edhe Sadushi me Mejdiun, e pati të lehtë të ecte në një hap me zhvillimin e Lëvizjes Revolucionare Antifashiste të gjithë botës. Pse ekzistonte ky përjashtim i rrallë, ndaj asnjë nihilist nuk ka guxuar ta quajë atë si një luftë fshatarësh, edhe pse në masën gati 90% të pjesëtarëve të asaj armate çlirimtare vinin nga fshati. Këtu qëndron një nga madhështitë e forcës politike që organizoi dhe udhëhoqi atë luftë, ku një prej atyre udhëheqësve, heroi, Mustafa Matohiti, ishte bërë simbol i shoqërisë së ardhshme edhe për dëshmorët Sadush e Mejdi. Ajo rini u ngrit në luftë me idealin e barazisë shoqërore dhe jo që, pasi të largohej pushtuesi, të fillohej lufta mes veti.
Braktisja prej idealit për barazi shoqërore fillon në fund të viteve ’60, pas 25 vjet çlirim, kur partia-shtet vendosi të zhvillonte me ashpërsi luftën e klasave, madje luftë klasash edhe brenda në parti! Këtu fillon devijimi nga idealet dhe iluzionet e asaj lufte, dhe kjo u bë me qëllimin e vetëm që pushteti të trashëgohej nga një kastë e caktuar, e cila përbëhej prej bijve të përkëdhelur, dhëndurëve, nuseve, vajzave, krushqit, krushkat dhe miqtë besnikë të një pjese të udhëheqësve të partisë-shtet, që patën vendosur të përjetësonin pushtetin; kastë, e cila brenda gati dy dekadash, 1966-1983, “pushtoi” gjithë institucionet kryesore të partisë dhe të shtetit, duke eleminuar gradualisht, përmes alibish të ndryshme, gjithë politikanët dhe ushtarakët e lartë që parashikohej se do të qenë pengesë për këtë lloj strategjie: devijimin nga idealet e luftës. E gjithë kjo strategji u zhvillua duke përdorur një praktikë shumë larg fjalëve që thuheshin për idealet e luftës. Përmes këtij fakti u vërtetua katërcipërisht ajo çka thotë Makiaveli: Pushteti, po u mor, duhet me çdo kusht të trashëgohet; të cilin e trashëgojnë edhe sot. Prandaj me të drejtë autori i vendos librit titullin “Ideale dhe Iluzione” të tradhtuara, do të shtoja unë. Historia tregoi se ajo luftë klasash që u zhvillua në vitet 1966-1990, nuk ishte e nevojshme, pasi: ishte bërë transformimi rrënjësor i shoqërisë sonë; ishte eleminuar shfrytëzimi barbar i njeriut nga njeriu; qe eleminuar analfabetizmi; ishin krijuar tre prona konkuruese (ajo personale, e grupit dhe ajo shtetërore) dhe shoqëria shqiptare ishte emancipuar në një nivel shumë të lartë. Në vend që partia-shtet t’i përshtatej atij zhvillimi, që e kish përgatitur vetë, dhe të lejonte krijimin e forcave politike përfaqësuese të të tre atyre pronave, pasi “zhvillimi i lirë i secilit, thuhet në Manifestin Komunist, është kusht për zhvillimin e lirë të të gjithve,”,(Tiranë,1968,f.33), si dhe partia komuniste nuk është e vetmia forcë politike përfaqësuese e masave të shtypura; PPSH-ja bëri të kundërtën, u shndërrua në pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë sipas atyre idealeve, për të cilët populli flijoi me ndërgjegje 28.000 bij dhe bija nga më të devotshmit.
Më tej mendoj të ndalem në të vetmen vërejtje që kam për librin dhe autorin.
Z.Manxhar porsa e fillon së shkruari librin e tij, e nis atë me një përfundim politik tepër paqësor, që unë do ta quaja një lapsus të tij. Dhe ky lapsus besoj se ka ndodhur si pasojë e zhgënjimit që ai ka pësuar, si rrjedhojë e braktisjes që bëri shoqëria e jonë nga ato ideale dhe iluzione që fola më lartë.
Dhe cili është ai përfundim politik paqësor i z. Manxhar në këtë libër? Atë e gjejmë në paragrafin e parë, në f. 21, ku thotë: “Në periudhën e partisë shtet që patëm për 45 vjet pas Luftës NÇ…, ngjarje dhe individë, shpesh herë janë zmadhuar, shtrembëruar ose glorifikuar. Fatkeqësisht kjo u kthye në një boomerang, duke cenuar heroiken e vërtetë të asaj lufte dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të saj për fatet e Shqipërisë së pasluftës.” Ky përfundim shpjegon plotësisht edhe zemërimin e tij kundër devijimit nga idealet e iluzionet e asaj lufte.
Pse nuk jam dakort me këtë përfundim? Sepse, së pari, sot është shkruar dhe shkruhet në favor të asaj lufte shumë e më shumë herë në mbrojtje të vlerave dhe ngjarjeve të saj, pavarësisht se jo nga institucionet dhe organet shtetërore. Por kam bindjen se autori ka dalë në këtë përfundim edhe si rrjedhojë e atmosferës mbytëse e propagandës intensive që kanë bërë e bëjnë pasardhësit neokolaboacionistë kundër asaj lufte çlirimtare. Deri diku unë e justifikoj z. Manxhar, pasi propaganda agresive 25 vjeçare, mohuese e asaj lufte, për fat të keq, vijon ende të bëhet, ka qenë dhe është ku e ku më e fuqishme se “zmadhimet, shtrembërimet dhe glorifikimet” që mund t’i janë bërë asaj lufte gjatë 45 vjetëve të shtetit socialist. Kjo edhe për faktin e vendit ku autori e ka shkruar këtë libër.
Pse është më e fuqishme propaganda e organizuar dhe e paorganizuar kundër vlerave të asaj lufte? Është më e fuqishme, së pari, për vetë faktin e zhvillimit që kanë marrë teknologjia e mjeteve elektronike të propagandës, të cilat, pasardhësit e kolaboracionistëve i zotërojnë me shumicë falë ndihmës së të huajve, sikundër janë: radiot, televizorët, kompjuterët, interneti, fejsbuku, si dhe pajisjet offset të shtypshkronjave, të cilat prodhojnë sot në një ditë, aq kopje librash sa prodhohej në një vit gjatë shtetit monist. Po t’i shtojmë këtij zhvillimi të madh tekniko-shkencor të mjeteve të propagandës, edhe faktin që në këta 25 vjet pushtetin dhe këto mjete i ka kategori njerëzore nihiliste e asaj lufte, (bashkë me kastën trashëguese të pushtetit të partisë-shtet, që i shtrembëroi idealet për të cilët u ngit shumica e popullit në luftë), del që, jo në atë “periudhën 45 vjeçare të partisë shtet”, por në këta 25 vjet të periudhës pluraliste janë shtrembëruar faktet dhe janë zmadhuar në një shkallë të paimagjinueshme raste të shkëputura të ndonjë akti terrorist të partizanëve, të cilat i citon në libër edhe vetë z.Manxhar.
Së dyti, propaganda mohuese e asaj lufte, gjatë këtyre 25 vjetëve, është pompuar dhe pompohet edhe nën mbështetjen e gjithë shteteve perëndimorë, madje edhe e vetë shteteve të atij koalicioni antifashist, të cilët e ndryshuan pozicionimin ndaj Shqipërisë kur ajo, pas asaj lufte, u rreshtua me bllokun komunist, gjë që do të thotë, për inat të sime vjerre, vajta fjeta me mullixhinë fashist e kolaboracionist. Mirëpo janë dokumentet e po këtyre shteteve që z. Manxhar u referohet dhe i citon mrekullisht, sikundër janë: përfaqësuesi i lartë gjerman i Hitlerit në Shqipëri, Nojbaher; dëshmitë e oficerëve anglezë e amerikanë pranë Shtabit tonë të Përgjithshëm dhe formacioneve partizane si dhe pranë Abaz Kupit: Riginald Hibert, gjenerali Devis, Antoni Kuejl, Maklini e Smajli, Peter Lukas, sekretari i Ministrisë së Jashtme Britanike, Dixon; Sekretari i shtetit Amerikan Kordell Hull, si dhe presidenti Ruzvelt e kryeministri Çërçill, etj.
Së treti, nuk jam dakort me atë përfundim të autorit edhe për faktin që vetë autori e kundërshton kur u kundërpërgjigjet nihilistëve tanë me argumente të pakundërshtueshëm e asgjësues, duke u mbështetur në dokumente arkivore. Dhe, ajo që është edhe më e rëndësishme është fakti se këto argumente, të cilave u referohet z. Manxhar Taka, janë nga vetë burimet e shteteve që na pushtuan si dhe të shteteve perëndimorë të Koalicionit të Madh Antifashist.
Një nga këta argumente bindës, që z. Manxhar e ka sjellë, është pyetja asgjësuese e tij që ua drejton nihilistëve të asaj lufte, të cilët përpiqen ta përmbysin të vërtetën historike shqiptare, duke e quajtur atë luftë çlirimtare, “luftë civile”. Dhe ja dhe si e shtron pyetjen autori: “Atëherë shtrohet pyetja se kush i vrau 28.000 dëshmorët dhe viktimat në Shqipëri?” Dhe është po z. Manxhar që u jep edhe përgjigjen e kësaj pyetjeje këtyre bandillëve të Selfo Qorrit, duke u thënë: “Nëse neve kemi vrarë njëri-tjetrin, i bie që ballistët dhe legalistët të kenë bërë kërdinë në Shqipëri dhe historia duhet t’i gjykojë si të tillë. Sigurisht, vijon autori Manxhar, ballistët dhe zogistët, në mbështetje të të huajve, kanë vrarë partizanë dhe aktivistë, por ata mund të jenë me dhjetëra apo edhe me qindra, ndërsa të tjerët, midis tyre edhe dy dëshmorët e këtij libri, Sadush Çunaj dhe Mejdi Taka, padyshim që janë vrarë prej fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, fatkeqësisht të ndihmuar edhe nga ballisto-zogistët tanë”., (f.169-170).
Z.Manxhar e kundërshton vetë përfundimin e paraqitur prej tij qysh në rreshtin e parë të librit, edhe në vijim të përgjigjes-pyetje që ai u bën apogjetëve të Ballit e Legalitetit, duke u thënë: “Përveç sa sipër, shtrohet pyetja se kush i vrau mbi 8000 pushtues italianë dhe 7000 nazistë gjermanë në Shqipëri, përveç që u kapën robër 5.000 ushtarë gjermanë, shifër kjo relativisht e lartë, në raport me fuqinë luftarake që kishte Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore.”, (f.170). Dhe këto shifra autori nuk i ka as nga vetja dhe as nga historianët e periudhës së shtetit monist, por u është referuar dokumenteve britanike, deklaruar ato prej nëpunëses së lartë në Ministrinë Britanke të Luftës, gjatë LIIB, zonja Elizabet Barker, (f.151).
Si përfundim mund të themi me bindje se libri i z. Manxhar Taka “Ideale dhe Iluzione” është një prurje e re dhe tepër e rëndësishme, që u vjen në ndihmë historianëve dhe grupeve të punës për hartimin e teksteve shkollore e atyre historike, në interes të mbrojtjes së asaj lufte çlirimtare, të cilën mund ta quajmë pa asnjë dro: Kurora e Lavdisë e Historisë së Popullit Shqiptar.
Tiranë, 6 nëntor 2015