Më 23 dhjetor 2015 në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare u përurua libri: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, i autorit Nusret Pllana. Për vlerat dokumentare dhe mesazhin e këtij libri ka folur Don Lush Gjergji dhe prof, dr. Ejup Sahiti
Don Lush Gjergji: Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë
Përgëzoj, autorin Prof. Dr. Nusret Pllanën dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës, si dhe bashkëpunëtorët recensentë dhe përkthyesit për punën e madhe dhe meritore të kësaj monografie, e cila dëshmon tmerrin dhe ferrin që kemi pësuar dhe mbijetuar me dekada dhe shekuj. Kjo, në një anë paraqet, dokumenton dhe dëshmon fuqinë e së keqes, frytet e urrjtejes, punë dhe dëshirën për asgjësim dhe shkatëriim të një populli që ka një “faj” të madh dhe të pafalshëm: “Jemi gjallë dhe jemi Shqiptarë”, prandaj duhet t’na asgjësojnë me çdo mjet, mënyrë dhe kohë.
Ana tjetër është “mrekullia e mbijetesës sonë”, e cila s’ka shpjegim tjetër përpos këtij: Zoti nuk e deshi zhdukjen tonë, populli qëndronte, pësonte, vuante, vdiste, masakrohej, por ishte i motivuar dhe me plotë vullnet për jetë, atdhedashuri, vëllazëri gjithëshqiptare. Pra, ndihma e Zotit, aty – këtu edhe e popujve miq, vëllazëria jonë ishte më e madhe dhe vendimtare për mbijetesën tonë.
Në këto dy “binarë” apo peshojë duhet ta masim këtë libër – testament, që na mundëson dhe dhuron Prof. Dr. Nuser Pllana, si qortim dhe klithje e së kaluares, si përcaktim që ne kurrë dhe me askënd mos të sillemi keq, si “Terrori i Sebisë Pushtuese..”, por ta përkujtojmë, nderojmë dhe çmojmë këtë histori dhe martirizim që është mbjellë dhe shkruar me shumë lotë, djersë dhe gjak, për ne dhe brezet pas nesh.
Kjo tokë e bekuar arbërore, në gjiun e saj ruan lashtësinë, autoktoninë, martirizimin, flijimin, dhurimin, atdhedashurinë, martirët e lashtë dhe të afërt, nga Shën Flori dhe Lauri dardan, nga Ulpiana historike, deri te martirët anonim dhe pa varr të fëmijëve, grave, pleqve, plakave, luftëtarëve për Liri dhe Pavarësi, në krye me Adem Jashin dhe shumë të tjerë, për Paqe dhe Pajtim, për bashkëjetesë dhe përparim njerëzor, kombëtar dhe gjithënjerëzor.
Për mua ishte dhe është vështirë shikimi i këtyre pamjeve rrënqethëse dhe tronditëse, leximi dhe meditimi i këtyre fakteve, e jo më përjetimi, përkujtimi, gjallërimi i tyre në mendjen dhe zemrën tonë. Ky kujtim na përndjek dhe shtron këso pyetje dhe qortime: Ne bëmë gjithça për ju, për mbijetesën tonë dhe tuajen, deri te asgjësimi, dëbimi, dhunimi, masakrimi, deri edhe tretja e gjurmëve tona, eshtrave tanë, pa varre, emra, shënime, vizitorë… E ju, a i dini dhe përkujtoni së paku këto ngjarje, apo na keni harruar dhe përjashtuar? Kjo do të ishte vrasja jonë e dytë, nga ju, pasardhësit tanë, më e rëndë se e para!
Shi për këtë urtia jonë popullore thotë: “Mos na nemshin të parët dhe varret tona”, sot po i them unë vetvetes dhe juve, populli ynë shqiptar!
Gjatë këtij promovimi, thënë të vërtetën, jam i hutuar dhe i shqetësuar shumë, sidomos për mospërfilljen tonë të jetës dhe flijimeve të tyre, për mungesën e njohurive, moskujdesin, harresën, deri te injorimi i gjithë këtyre ngjarjeve dhe personave, duke u nisur prej fëmijëve të vegjël, të pambrojtur dhe të pafajshëm, deri te gratë, pleqtë, plakat tona, mos të flasim për luftëtarët tanë në krye me legjendën Adem Jashari dhe flijimtarëve tjerë në stilin e tij.
Në kokën dhe ne zemrën time “bluajnë dhe vlojnë” disa mendime dhe përjetime, shqyrtime dhe përsiatje të pashmangshme.
Populli thotë: “I meçmi shkruan, i marri mban në mend”, që për ne mund të thuhet jo vetëm për të kaluaren tonë, por edhe për të tashmen e afërt dhe bashkëkohore.
“Pa histori nuk ka as ardhmëri”, sepse ka ndodhur vetëm ajo që është shënuar, siç tha dikush në stilin cinik dhe ironik, apo si thotë fjala e urtë latine: “Verba volant. scripta manent” që domethënë: “Fjalët fluturojnë, shkrimet qëndrojnë”.
Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë, sepse i shkel dhe poshtërson flijimet e të parëve, prandaj, në një mënyrë mund të themi se është “kriminel” dhe “bashkëkriminel” me ata që na kanë vrarë, dhunuar, djegur dhe përjashtuar, janë munduar të na shfarosin nga faqja e dheut, deri edhe na i kanë tretur varret, eshtrat, gjurmët në trojet tona iliro-arbërore. Mungesa e njohjeve sa më të sakta të këtyre ngjarjeve, është po ashtu edhe mungesë e nderimit dhe falënderimit ndaj të parëve tanë martirë, ndaj së kaluares tonë të përgjakshme dhe të lavdishme, ndaj djepit dhe rrënjëve tona të lashta burimore arbërore, martire, pa të cilat s’ka të tashme dhe të ardhme.
Prof. Dr. Nusret Pllana është munduar që ta “mbulojë” disi këtë zbrazëti dhe mangësi jetësore, duke bërë atë që është detyrë e institucioneve tona shtetërore dhe kulturore. Mos të harrojmë se mungesa e nderimit dhe falënderimit ndaj vuajtjes, flijimit, dhurimit, gjakut të të parëve , është “vetëvrasje shpirtërore dhe morale” e një populli, siç po ndodhë shpesh me ne sot dhe këtu, të robëruar dhe kufizuar, mos të them të vërbuar, pa pamje historike, perspektivë dhe ardhmëri.
Përfundimi im dhe ynë do të ishte ky, si një lloj betimi dhe përcaktimi jetësor: “Mos u harroftë dhe mos u përsëritë kurrë më ndër ne dhe askund në botë!”
Ky vëllim “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884 – 1999”, botimi i gjashtë i plotësuar, është një faktologji e pamohueshme, me fjalë, me të dhëna, me emra, mbi të gjitha me fotografi rrënqethëse dhe tmerruese, që doemos prekin mendjen, trondisin zemrën, mjegullojnë arsyen dhe shtrojnë shumë pyetje pa ndonjë përgjigje. E vetmja përgjigje për ne është kjo: kush udhëhiqet nga e keqja, jeton vetëm për të bërë keq, tejkalon çdo kufi dhe shndërrohet në çmenduri dhe fatkeqësi për ne dhe për të tjerët. Dhe e keqja, sado që duket e fortë dhe, sunduese, është gjithmonë më e dobtë se e mira, e drejta, e vërteta, jeta dhe dashuria. Shi për këtë ne jemi të përcaktuar për vlera dhe virtyte dhe në asnjë mënyrë nuk e pranojmë logjikën dhe sfidat për të keqe, urrejtje, hakmarrje. Mos-harresa dhe kujtimi është parakusht për pastrimin e memorjes historike dhe aktuale.
Prishtinë, 23 dhjetor 3015
Prof. Dr. Ejup Sahiti: Harresa e të kaluarës historike rrezikon të na përsëritet
Të nderuar studentë, …
Sot po promovohet botimi i VI-të i plotësuar i librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës, me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Në këtë libër Prof. Pllana si asnjëherë më parë, detajisht dhe bindshëm i argumenton krimet monstruoze të Serbisë të kryera për një peridhë kohore më shumë se një shekull e gjysmë.
Libri i Prof. Pllanës trajton në një masë masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit dhe dëbimin nga trojet e tyre. Pastaj u referohet masakrave të shumta që nga okupimi i Kosovës me 1912 e tutje. Vëmendje të posaçme i kushton masakrave të regjimit të Millosheviqit. Libri ka pak tekst, por në të prezentohen shumë fotografi tmerri, të cilat argumentohen me datë dhe vend të saktë të krimeve si dhe me emrat e të masakruarve, e herë herë edhe të masakruesve. S’ka dyshim se fotografitë e të torturuarve dhe të masakruarve e shprehin shumë më bindshëm gjendjen faktike se sa përshkrimi me fjalë.
Libri i Nusret Planës, i përkthyer në shumë gjuhë(anglsiht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht, maqedonisht, japonisht e suedisht), mundëson njohjen e të vërtetës për barbarizmat e Serbisë në Kosovë. Në të përshkruhen dhe dokumentohen torturimet, dhunimet, djegëjet, vrasjet pa gjyq, deportimet masive, dhe vrasjet masive të popullsisë civile të pafajshme. Ndër të vrarët kishte nxënës, arsimtarë, studentë, bujqë, zejtar dhe me atë rast nuk kurseheshin as fëmijët, gratë, as pleqtë.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me vendosjen e masave të dhunshme në Kosovë, pushteti i Serbisë e kishte pushtetin apsolut në Kosovë. Atë botë me të madhe propagohej se po zbatohej shteti i të drejtës, mirëpo realiteti ishte krejt tjetër. Shumë persona u vranë dhe u masakruan pa gjyq. Gjatë viteve 1998-1999 u shfarosën 175 familje. Shteti ligjor nënkupton që, për rastet kur dyshohet se një person (personat) kanë kryer vepër penale, të zhvillohet procedurë penale ku do të vërtetohej nëse vërtetë është kryer vepër penale dhe kush është kryerësi i saj. (Ne e dimë se gjatë viteve të 90-ta janë zhvilluar shumë procese gjyqësore politike të montuara. Në mungesë të provave në proceset e tilla janë bërë torturime të llahtarshme për t’i detyruar të akuzuarit që ta pranojnë veprën penale që u ngarkohej. Pastaj pohimi i imponuar me dhunë përdorej si provë pë fajësinë e tyre. Në gjithë fatkeqësinë e këtyre proceseve gjyqësore të montuara, nëse mund të thuhet, kishte një fat – të akuzuarit mbetën gjallë).
Vrasjet masive pa gjyq bëheshin me qëllim që të nxitnin frikën dhe tmerrin tek popullata shqiptare, në mënyrë që ajo ta braktisë Kosovën, sepse Serbia e donte Kosovën pa shqiptarë.
Librit që po promovohet, veç tjerash, ia shtojnë vlerën të dhënat faktografike konkrete për më shumë se 1.300 fëmijë të vrarë, bile një numër i konsiderueshëm i tyre ishte i moshës nën dy (2) vjeçare. Dihet se fëmijët janë e ardhmja e kombit. Konform të drejtës ndërkombëtare fëmijët gëzojnë kujdes të posaçëm, ndërsa në aspektin penalo juridik gjithashtu gëzojnë trajtim të posaçëm. S’ka dyshim se vrasja është akt i rëndë pavarësisht se kush është viktimë e saj. Mirëpo, vrasja e fëmijëve, pastaj vrasja e grave dhe e pleqve, e posaçërisht vrasja e fëmijëve, siç ndodhi në Kosovë, atakonte pikën më të ndjeshme të qenies kombëtare. Me këto vrasje pushteti i Serbisë kreu krime kundër të drejtës humanitare ndërkombëtare.
Siç u tha, promovimi është organizuar me moton “Mos – harresa në shërbim të kujtesës historike”. Prof. Pllana me librin e tij opinionit botëror dhe neve këtu në Kosovë (duke u nisur nga klasa politike deri te çdo individ) na ka ofruar material faktografik të konsiderueshëm për masakrat e bëra. Kurrsesi nuk bën të harrohet e kaluara, sepse harresa e të kaluarës rrezikon që të këqijat të përseritën. Këtë fakt të gjithë duhet ta kemi parasysh vazhdimisht.
Duke e përgëzuar autorin, i urojmë suksese në punën e tij të mëtejshme.