Më 24. 12. 2015, në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, u përurua monografia ‘‘Dhjetë vjet Kolegji BIZNESI’’, e hartuar nga profesorët e këtij Kolegji. Në këtë mënyrë Kolegji BIZNESI, po përmbyllte një cikël të punës dhe veprimtarisë mësimore, shkencore, kulturore dhe botuese gjatë këtyre dhjetë vjetëve të punës së tij.
Monografia paraqet punën dhjetë vjeçare të Kolegjit BIZNESI, rrugën që ka kaluar ky institucion privat i arsimit të lartë në Kosovë, si dhe idenë e madhe të themeluesit të tij, që t’i bëhet krahë arsimimit të rinisë shqiptare.
Në hapje të përurimit, trupa artistike nga Vushtrri, okteti KODA deklamoi, poezinë e njohur të Gjergj Fishtës, ‘‘Porsi fleta’’, që është një himn lirisë dhe atdhedashurisë. Mënyrë e këtillë e këndimit, gati si një këngë korale u pëlqye shumë nga të pranishmit.
Pastaj në foltore doli Dekani i Kolegjit BIZNSI, Prof. dr. Shqyeri Kabashi. Duke theksuar se përurimi i një libri, është moment gëzimi, sepse vepra, libri që del nga shtypi, është një lindje e ngjashme me lindjen e një fëmije, andaj në raste të këtilla, tha ai, nuk flitet për hallet e jetës, nuk flitet për politikën e ditës, nuk flitet për ngecjet në ekonominë e tregut, edhe pse kjo është një fushë e rëndësishme e studimeve në Kolegjin BIZNESI.
Më tutje ai ka kujtuar rrugën dhjetë vjeçare të rritjes së Kolegjit, pronar i të cilit është, por është edhe Dekan i tij, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë të dilemat e mëdha që ka secili njeriu kur fillon një punë të madhe, sidomos në fushën e arsimit të lartë në Kosovë. Por, krahas këtyre dilemave, ai foli edhe për rritjen e numrit të studentëve, për rritjen e Programeve të akredituara dhe të licencuar, për numrin e madhe të mësimdhënësve që punojnë në këtë Kolegj, duke filluar nga akademikët dhe deri të kuadrot e reja, që janë ligjërues shumë të çmuar për studentët.
Prof. dr. Musa Limani, që në të njëjtën kohë është edhe Kryetar i Këshillit Redaktues i Monografisë ‘‘Dhjetë vjet Kolegji BIZNESI’’ theksoi disa aspekte të organizimit, jo vetëm të punës pedagogjike, pra të procesit të mësimdhënies, por edhe të organizimit të tërësisë së procesit mësimor në këtë institucion privat të arsimit të lartë në Kosovë. Çështje që kishte vënë në spikamë në fjalën e tij shpalonin të gjitha periudhat e rritjes së Kolegjit BIZNESI, duke theksuar sidomos punën e palodhshme të personelit akademik, pa e lënë anash edhe administratën e përgjegjshme të këtij institucioni. Në fjalën e tij, Prof. dr. Musa Limani theksoi edhe çështje të rritjes së programeve të Kolegjit, duke rikujtuar se përballimi i një konkurrence të këtillë të arsimit privat dhe atij publik në Kosovë, shpesh ndiqet nga paqartësi, ai shtoi se Kolegji BIZNESI i ka kapërcyer me sukses të gjitha pesat dhe paqartësitë, falë në radhë të parë punës këmbëngulëse të themeluesit të Kolegjit, prof. dr. Shyqeri Kabashit si dhe profesorëve dhe ligjëruesve të angazhuar në këtë Kolegj, të cilët me punën dhe ngritjen e tyre shkencore sot janë një bërthamë e vlerësuar jo vetëm në Kosovë, por edhe me gjerë.
Në përurimin e Monografisë “Dhjetë vjet Kolegji Biznesi”, një fjalë interesante dhe të argumentuar e ka mbajtur edhe prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në rezervë i Armatës shqiptare. Profesor Lama, që është në të njëjtën kohë edhe udhëheqës i Programit shumë të kërkuar dhe ndër më të veçantit jo vetëm në arsimin e lartë në Kosovë, por edhe na rajon, foli fjalë miradije për botimin e Monografisë, duke theksuar rëndësinë që ka ajo, jo vetëm për rrugën dhjetë vjeçare të zhvillimit të Kolegjit, por edhe për brezat e ardhshëm të studentëve dhe të profesorëve që do të punojnë në këtë institucion privat të arsimit të lartë. Në këtë mënyrë, theksoi Prof. dr. Kudusi Lama, ne ruajmë gjurmët e punës dhe veprimtarisë së Kolegjit, siç bëhemi shembull i angazhimit të secilit prej nesh në të mirë të ngritjes diturore të studentëve, që është detyrimi themelore i Kolegjit BIZNESI.
Në fjalën e tij, Profesor Lama preku edhe çështjet e zhvillimit të programeve krejt të veçanta të këtij Kolegji, siç janë Menaxhimi i emergjencave dhe Menaxhimi i politikave të sigurisë, të cilët përgatisin kuadro të aftësuar jo vetëm për nevojat e Kosovës, por edhe të rajonit, sepse këto programe nuk janë në asnjë vend të rajonit dhe në asnjë institucion tjetër në Kosovë.
Të pranishmit, me një fjalë rasti i përshëndeti edhe profesoresha Nexhmije Kabashi, e cila, përveç tjerash përmendi rrugëtimin në punën jo të lehtë të saj dhe profesor Kabashit gjatë këtyre dhjetë vjetëve duke mos harruar të përmend edhe të arriturat dhe sukseset e Kolegjit Biznesi.
Duke e mbyllur përurimin e Monografisë ‘‘Dhjetë vjet Kolegji BIZNESI’’, udhëheqësja e përurimit, dr. Fatbardha Jashari, ftoi edhe një herë në skenë trupën artistik, oktetin KODA nga Vushtrria, të cilët kishin përgatitur një këngë krejt të veçantë, interpretuar me lahutë, kushtuar Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.
Në fund, Kolegji BIZNESI për të pranishmit dhuroi nga një ekzemplarë të Monografisë ‘‘Dhjetë vjet Kolegjit BIZNESI’’.