Kuvendi komunal i Vitisë mbajti seancën e dytë të radhës

Këshilltarët e Asamblesë komunale të Vitisë, kanë mbajtur seancën e dytë të radhës, ku janë diskutuar shumë pika të rendit të ditës. Fillimisht, kryesuesi i Kuvendit njoftoi këshilltarët për konfirmimin e vendimeve nga ana e MAPL-së, bazuar në normat ligjore, ndërkaq më pas këshilltarët kanë parashtruar pyetje dhe interesimet e tyre, drejtuar udhëheqjes komunale, për të cilat u përgjigj zëvendëskryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu. Në mesin e pikave të rendit të ditës të parapara për këtë seancë, ishin edhe pasqyrat financiare për periudhën janar-dhjetor 2018, për të cilën pikë, drejtori i Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim Ibrahim Rama, ka prezantuar raportin e pasqyrave financiare. Ai bëri të ditur se buxheti komunal për vitin 2018 ishte 10.902.000 euro dhe ky buxhet është realizuar 99.40 %, kurse gjithashtu njoftoi edhe për ekzekutimin e shpenzimeve sipas kategorive shpenzuese, ndërkohë që për të hyrat vetanake kanë shënuar rritje gjatë 2018, duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprakë, për 3.13% apo për 24.000 euro. Në këtë mbledhje, u shqyrtuan dhe u miratua nisma e kryetarit të komunës së Vitisë për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me komunën e Velika Pisanicës – Republika e Kroacisë në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit dhe bashkëpunimit, si në nxitjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve ekonomike, institucioneve arsimore kulturore, sportive dhe shoqërisë. Po ashtu u miratua propozimi për ndryshimin e vendimit Nr.01-410/03-71 i datës: 08.02.2018 të KKSB-së me kërkesën e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këshilltarët miratuan njëzëri edhe propozimin për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendim për kompensimin e anëtarëve të Komisionit për zgjedhjen e kryetarëve dhe këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane, e gjithashtu edhe propozim vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pronat e paluajtshme të komunës Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti. Njëzëri u miratua edhe propozimi për caktimin e lokacionit për vendosjen e lapidarit kushtuar dëshmorit Safet Rexhepi nga Zhitia në Viti.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …