Fshati Gllarevë i komunës së Klinës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë 17 dëshmorë e 14 martirë, dhjetëra të plagosur rëndë e lehtë. Ky fshat gjatë luftës ka qenë një bastion i rezistencës së pandërprerë. Gjatë kohës së luftës, forcat serbe e kanë granatuar pa ndërprerë dhe kanë djegur e shkatërruar të gjitha shtëpitë e fshatit.
Famlja e Abdullah Tahir Çelës është një familje me tradita atdhetarie. Më 15 gusht të vitit 1956, bashkëshortja e Abdullahut, Faza, lindi djalin të cilin e pagëzuan me emrin Habib.
Më vonë lindën edhe Mejremja, Ademi, Jaha, Mehedini, (dëshmor i kombit) Naseri e Luani.
Habibi shkollën fillore e kreu në Ujmirë të Klinës. Të mesmen e ka mbaruar në Gjimnazin, “Luigj Gurakuqi” në fshatin Kijevë. Kishte vazhduar studimet n Universitetin e Prishtinë dhe kishte diplomuar në fakultetin Juridik.
Në këtë familje atdhetare, qysh në vitet 80, të shekullit të kaluar ishte aktivizuar edhe një grup ilegal në krye me Shaban Shalën, më vonë epror i lartë ushtarak i UÇK-TMK-së. Në krye të grupit ishte Shaban Shala me emrin ilegal, Dërguti, pastaj Kamer Raci,
(Dritani), Mejreme Morina, (Meli). Grupi kishte bashkëvepruar me Jakup Krasniqin, Rexhep Malën, Nuhi Berishën e veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare.
Në vitet 90, në kohën kur regjimi serb i Beogradit kishte pezulluar autonominë e Kosovës dhe kishte mbyllura shkollat e Fakultetet për shqiptarë, Habibi punoni mësimdhënës në fshat me qëllim për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe. Ai po ashtu mbante kontakte dhe bashkëvepronte me dajën Shaban Shala e veprimtarë të tjerë.
Ishte edhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Njeriut në Klinë.
Policia serbe disa herë e kishte maltretuar por ai nuk ishte dhënë, sepse e dinte se dita për t’ i dalë përballë pushtuesit po afrohej.
Me daljen publike të UÇK-së, Habib Morina ishte në rrjedhë dhe në korrent të ngjarjeve përmes, veprimtarit të burgosurit politik dhe pjesëtarët të hershëm të Lëvizjes, Shaban Shala.
Habi me tërë familjen iu kishte bashkuar luftë së UÇK-së që në fillimin e krijimit të pikave të para.
Pa vonuar kthehen nga Perëndimi edhe dy vëllezërit e Habibit, Mehedini dhe Naseri, të cilët sistemohen në frontet e luftës. Luftës, përveç Shaban Shalës, që ishte në rrjedha që nga fillimi, me kohë iu kishin bashkuar edhe dajallarët e Habibit, Bedri Shala dhe Elmi Shala.
Në kohën e intensifikimit të luftimeve në verë të vitit 1998, gjatë luftimeve në Dukagjin në zonën e Junikut kishte rënë dëshmor, Bedri Shala së bashku me luftëtarin emblematik të luftës, Bekim Berisha. Po ashtu kishte rënë dëshmor, në Gexhë të Anadrinit edhe Mehedin Morina, vëllai i Habibit, i cili ishte kthyer nga mërgimi për t iu bashkuar luftës.
Habib Morina ishte sistemuar në radhët e Brigadës 113, Mujë Krasniqi të Zonës Operative të Drenicës. Rënia dëshmor e vëllait, Mehedinit dhe dajës, Bedriut e kishte goditur rënë por ai nuk ishte thyer, i bindur se liria nuk fitohet pa gjak, të cilin ishte i gatshëm ta jete edhe vetë. Ishte vazhdimisht në frontet e luftës, në radhët e para të saj deri në mbarim, në qershor të vitit 1999.
Pas luftës, u bë pjesë e ndërtimit të institucioneve të para, të lira të Kosovës. Ishte kthyer në komunë si nëpunës i Gjykatës Themelore në Klinë, por nuk e reshti aktivitetin e tij shoqëror e organizativ.
Fillimisht ishte angazhuar në sigurinë e vendit dhe ishte emëruar komandant i Policisë së Rendit në Klinë.
Pastaj ishte emëruar kryetar o Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Përveç në familje dhe në punë, Habibi ishte prore me angazhime vullnetare në dobi të kombit e të atdheut.
Habibi ka lënë, bashkëshorten, Tahiren dhe bijtë e bijat: Elbasanin, Durinën, Taulantin, Qëndrimin, Albanën, Vlorën, Besën dhe Marigonën, që e përkujtojnë me mall por edhe me krenari të ligjshme si prind, i cili ishte angazhuar tërë jetën për ta, me qëllim që me bashkëluftëtarët e tij t’ ua sjellë edhe lirinë, të cilën e gëzojnë familja por dhe tërë Kosova.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Habib Morinës, në shërbim të kombit e të Atdheut.