Arton Musliu

Arton Musliu: Marrëveshjet ndërkombëtare të ish- Jugosllavisë nuk duhet të ratifikohen

Çështja e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës, të cilat i ka bërë Jugosllavia është mjaft komplekse dhe si e tillë duhet trajtuar duke u bazuar në dispozitat e të drejtës ndërkombëtare. Marrëveshjet të cilat i ka dekretuar Presidentja e Kosovës, e që kanë të bëjnë me aspektet suksesive të marrëveshjeve ndërmjet ish- Jugosllavisë dhe Hungarisë, pavarësisht se nuk dëmtojnë interesin tonë publik e politik, për mendimin tim nuk është dashur të dekretohen, apo të ratifikohen. Siç dihet formacioni politik i quajtur Jugosllavi është shpallur inekzistent jo vetëm nga Komisioni i Badinterit por edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara nw fund të shekullit të kaluar. Ky Komision për ish- Jugosllavinë në vendmin numër 8 të tij theksoi se “Komisioni në mendimin 8, të datës 4 korrik 1992,  duke rikujtuar mendimin numër  1 se RSFJ është në procesin e shpërbërjes,  se ekzistenca apo zhdukja e shteteve është çështje fakti, se Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia janë njohur nga të gjitha shtetet anëtare të Komunitetit Evropian dhe janë pranuar anëtarë në Kombet e Bashkuara me 22 maj 1992,  duke iu referuar rezolutave 752 dhe 757 te Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të cilat RSFJ- së iu adresohet si “ RSFJ e dikurshme”, duke iu referuar Rezolutës 757 se “ kërkesa e Republikës Federale të Jugosllavisë  (Serbia dhe Mali i Zi) për të vazhduar automatikisht anëtarësinë e ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (në Kombet e Bashkuara) nuk është pranuar gjerësisht”,  thekson se procesi i shpërbërjes së RSFJ- së, duke iu referuar Mendimit 1 të datës 29 nëntor 1991, është kryer dhe RSFJ nuk ekziston më.

Çështja e suksesionit të Jugosllavisë është trajtuar si barrë e Republikave të saj, siç ishin Serbia, Sllovenia, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia. Kosova atëbotë ka qenë njësi federale, por jo Republikë, në kuadër të shtetit jugosllav dhe njëkohësisht njësi autonome në kuadër të Serbisë. Në këtë drejtim, në qershor të vitit 2001, në Vienë të Austrisë, Sllovenia, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, nënshkruan Marrëveshjen mbi Trashëgiminë e Jugosllavisë. Kjo marrëveshje e cila ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2004, konfirmonte prishjen e Jugosllavisë nga e cila dolën 5 shtete sovrane të cilët ishin trashëgimtare të barabarta të Jugosllavisë. Kësisoji, duke qenë se Kosova është shtet i pavarur, i cili është pavarësuar nga Serbia, ajo nuk ka ndonjë obligim ligjorë ndërkombëtar për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat i ka lidhur ish- Jugosllavia. Shtetet e reja nuk mund të kenë obligime të vjetra. Këtë problematikë e rregullon edhe Konventa e Vienës mbi Trashëgimin e Shteteve, e 23 gushtit të vitit 1978 dhe e hyrë në fuqi me 6 nëntor të vitit 1996. Në bazë të kësaj Konvente shtetet e reja të cilat, në mënyrë eksplicite në momentin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare nga shteti prej të cilit ndahen, nuk kan obligime ndërkombëtare, nuk mund të ngarkohen me obligime të tilla.

Një gjë e tillë ka ndodhur më rastin e shkëputjes së Pakistanit nga India pas Luftës së Dytë Botërore. Kësisoji, Sekretariati i Kombeve të Bashkuara në vitin 1947, duke diskutuar për pozitën e Pakistanit në këtë organizatë, theksoi se Pakistani është shtet i ri dhe nuk mund të ketë të drejta apo obligime nga marrëveshjet të cilat i ka lidhur shteti i vjetër, r India. Ky qëndrim ka edhe mbështetje të autorëve eminent të së drejtës ndërkombëtare. Autori Malcolm N. Shaw përkitazi me trashëgimin e shteteve të reja të cilat dalin si entitete të pavarura si rezultat i secesionit nga shteti paraardhës, thekson se “në rast të ndarjes apo secesionit nga një shtet i pavarur, për të krijuar një shtet të ri, ai shtet, pra shteti i vjetër, vazhdon të ekzistoj pavarësisht se me territor të reduktuar, me të drejta dhe obligime të paprekura ndërkombëtare. Shteti i ri i cili formohet si rezultat i ndarjes nga shteti i vjetër, fillon jetën e re ndërkombëtare i lirë nga të drejtat apo obligimet e marrëveshjeve të cilat aplikohen në shtetin e vjetër.” Këtë qasje e mbështetë edhe autori tjetër i së drejtës ndërkombëtare, O’Connell. Kjo mbështetet edhe nga praktika ndërkombëtare e secesioneve gjithandej nëpër botë. Pavarësimi i Belgjikës nga Holanda në vitin 1830 ka bërë që Belgjika të filloj subjektivitetin e saj në të drejtën ndërkombëtare me ‘dosje te pastër’. E njëjta mund të thuhet edhe për secesionin e Kubës nga Spanja në vitin 1898 dhe atë të Panamasë nga Kolombia në vitin 1903. E pse të mos jetë e njëjta qasje edhe për shtetin tonë? Pra, marrja e obligimeve ndërkombëtare nga shteti i Jugosllavisë nuk duhet të vihet në diskutim, pra nuk duhet të ndodhë, përveç nëse parashihet shprehimisht, përderisa ratifikimi i obligimeve të cilat dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat Kosova ka obligime eksplicite, marrëveshje këto të cilat i ka nënshkruar Serbia, mund të marrin trajtë juridike duke u bazuar në parimin e përgjithshëm juridik Pacta Sunt Servanda.  Prandaj, bartësit e institucioneve të Kosovës duhet të kenë kujdes në ushtrimin e funksionit të tyre politik për shkak se veprimet dhe vendimet e tyre mund të prodhojnë efekte tejet negative për shoqërinë dhe shtetin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …