Letërsia e bejtexhinjve, tradita shqiptare me ngjyrime orientale, Orientalizmi shqiptar II

Letërsia e bejtexhinjve, tradita shqiptare me ngjyrime orientale, Orientalizmi shqiptar II

Dy fazat e epokës së bejtexhinjve

Letërsia e bejtexhinjve pati dy faza në zhvillimin e saj. Faza e parë shtrihet deri nga fundi i shekullit XVIII. Në veprat e kësaj faze më tepër gjeti shprehje fryma laike, kurse në veprat e fazës së dytë, që nis nga çereku i fundit i shekullit XVIII dhe tejkalon kufirin e shekullit XIX, mbizotëroi tema me karakter fetar. Në krijimet me tema laike, shumë poetë bejtexhinj, në frymën e poezive orientale, i kënduan dashurisë, bukurisë së natyrës e të gruas; lartësuan virtytin, punën, diturinë ose fshikulluan mburrjen e kotë për pasurinë e fisin, goditën ambicien, hipokrizinë etj. Të tillë ishin Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku etj. Parë nga ky aspekt, ky ishte një zhvillim i mirëfilltë, i cili u rrek të reformonte jetën e mentalitetin mbytës që ekzistonte në vilajetet shqiptare, pra gjithsesi në njërën ndër provincat osmane. Një hap i mëtejshëm u shënua me mjaft krijime të disa bejtexhinjve të tjerë, si: Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari e ndonjë tjetër. Ata pasqyruan elemente e ngjarje të jetës bashkëkohore dhe shtruan një problematikë të mprehtë shoqërore. Ata krijuan në qytete mjaft të zhvilluara për kohën, si në Berat, Elbasan, Shkodër, Gjakovë, Prishtinë, por edhe në vende më të vogla, si në Kolonjë, Frashër, Konispol e gjetkë.  (Letërsia e bejtexhinjve, tradita shqiptare me ngjyrime orientale, Orientalizmi shqiptar).

Bejtexhinjtë janë marrë pak si shumë nëpër gojë këto kohë, prandaj ca gjëra duhen saktësuar. Duam apo s’duam ne sot, këta janë po aq pjesë e kulturës dhe e letërsisë shqipe sa edhe Buzuku, Matrënga, Budi, Bogdani, Bardhi, Chetta e Variboba. Në kuptimin që tradita e bejtexhinjve është e trupëzuar në kulturën tonë të sotme, edhe pse në trajta që nuk shquhen aq lehtë.

Nga alfabeti krijimet e bejtexhinjve i përkasin letërsisë orientale që kultivohej brenda perandorisë osmane. Kjo ishte letërsi e mbështetur kryesisht në letërsinë klasike arabe dhe persiane. Studiues seriozë të bejtexhinjve shqiptarë, si Osman Myderrizi, Hasan Kaleshi dhe Armin Hetzer, kanë vënë re se këta afrohen më shumë me modelet arabe dhe me të ashtuquajturin stil “të mesëm” sesa me poezinë më të sofistikuar persiane.

Letërsia e bejtexhinjve konsiston në dorëshkrime në alfabet arab që kryesisht kanë mbetur të pabotuara. Vetë bejtexhinjtë nuk shkruanin me synimin që të botonin libra, por që t’i fiksonin në letër krijimet e tyre të destinuara për deklamim. Të shkruarit ishte praktikë mnemonike. Kontakti i kësaj letërsie me publikun kryhej në mjedise si teqe ose çajhane, ku mblidhej mileti të dëgjonte poetët të recitonin krijimet e tyre. Ky milet ishte zakonisht analfabet.

Për këtë arsye, fakti që këto krijime u shkruan me alfabetin arab është praktikisht irrelevant për natyrën e asaj letërsie; meqë publiku nuk i konsumonte në trajtë të shkruar, por i dëgjonte të deklamuara. Kjo duhet theksuar, sepse zakonisht nuk kuptohet mirë. Ne sot e asociojmë letërsinë me tekstin e shkruar dhe librin; por ky nuk është model universal, por historik dhe lokal.

Gjuha e bejtexhinjve, nga ana tjetër, është një shqipe e rënduar me fjalë orientale, kryesisht arabe e persiane. Shumë nga këto fjalë nuk përdoreshin fare në gjuhën e zakonshme të kohës kur krijonin bejtexhinjtë, por janë futur në tekste si mjete stilistike. Nga ana tjetër, ndonjë autor, si Nezimi, ka qenë i vetëdijshëm që ishte “i pari” që po e shkruante shqipen.

Bejtexhinjtë janë konsideruar edhe si të parët që shkruan letërsi laike në trojet shqiptare në Ballkan, madje ndonjëherë edhe satira sociale, çka nuk është pak, po të kihet parasysh se deri atëherë prodhimi letrar në katolikët kufizohej brenda komunikimit fetar, ndërsa ortodoksët shqiptarë nuk lejoheshin fare të kishin letërsi të tyren në shqipe…

Temat e trajtuara nga Nezimi me shokë ishin konvencionale, merreshin nga kanoni arabo-persian dhe përcilleshin nga një autor në tjetrin; po aq konvencionale sa ç’ishte, bie fjala, tema e “oxhaqeve të nalta” apo e “të rënëve” në lirikën realiste-socialiste shqiptare të viteve 60.

Sot bejtexhinjtë nuk i lexojmë dot, por vetëm ngaqë me Rilindjen e këtej kultura dhe letërsia shqipe erdhën duke iu larguar atij modeli kulturor: duke adoptuar alfabetin latin, duke e pastruar gjuhën nga orientalizmat, duke krijuar neologjizma e duke iu drejtuar letrarisht modeleve folklorike autentike, ose modeleve perëndimore. Te Fishta këto dy modele bashkëjetojnë.

Mirëpo bejtexhinjtë nuk mund të likuidohen lehtë nga tradita jonë kulturore. Pa bejtexhinjtë përnjimend nuk do të ekzistonte, bie fjala, Naim Frashëri, i cili kishte bejtexhinj edhe në familje, të tillë si Dalip e Shahin Frashëri. Nga pikëpamje formale e strukturore, Naimi ka aq shumë gjëra të përbashkëta me bejtexhinjtë, sa ndonjë kritik ka shkuar deri atje sa ta quajë “bejtexhi pa bejte”.

Ajo që bëri Naimi, në pajtim me frymën e Rilindjes, ishte ta merrte atë traditë e ta modernizonte duke e pastruar nga orientalizmat e deri diku nga tematika. Edhe të tjerë Rilindës vepruan njëlloj. Jani Vretoja, p.sh., përshtati një poemë të Muhamet Kyçykut, “Erveheja”, e cila më pas e në versionin e ri fitoi popullaritet të madh në lexuesit.

Thashë që pa bejtexhinj Naimi nuk do të ekzistonte. Pa Naimin, as Asdreni as Lasgushi nuk mund të mendohen. Pa Asdrenin e Lasgushin, Kadareja nuk do të ishte bërë ai poet që u bë. Birësimi letrar procedon pikërisht në këtë mënyrë, nga daja tek nipi; madje sa më i rreptë që të jetë mohimi, aq më të thella afëritë.

 (https://peizazhe.com/2007/07/09/ne-mbrojtje-te-bejtexhinjve, 2006)

Nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqipe me alfabet arab është Hasan Zyko Kamberi. Tematika që trajtoi ai në vjershat laike, paraqet interes të veçantë, sepse i bëri jehonë gjendjes shpirtërore dhe pakënaqësisë së masave fshatare mbi të cilat rëndonte pesha e vuajtjeve dhe shfrytëzimi i egër feudal. Për jetën e H.Z.Kamberit dihet pak. Ishte nga fshati Starje i Kolonjës. Siç del nga ndonjë vjershë e tij, ka kaluar një jetë të varfër e të vështirë. Ka të ngjarë të ketë mësuar në ndonjë medrese. Më 1789 mori pjesë në luftën turko-austriake mbi Danub. Në këtë fushatë jo vetëm që s’e rregulli dot gjendjen ekonomike, por edhe vuajti shumë, siç do e tregojë në vjershën “Seferi humajun„ (Lufta mbretërore). Vdiq në fillim të shekullit XIX. Nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit njihen 50-60 vjersha lirike. Shkroi edhe poezi fetare.

Rëndësi të veçantë kanë poezitë e tij me temë laike.

Ndryshe nga bejtexhinj të tjerë, të cilët shpesh poetizuan zakone e mendësi të jetës orientale të qyteteve e të mjediseve feudale, H.Z.Kamberi në këto poezi pasqyroi jetën e fshatit shqiptar të shekullit të XVIII, vuajtjet, pasigurinë dhe pakënaqësinë e fshatarëve. Me nota realiste gjejmë në të edhe një frymë të theksuar kritike e mospajtimi me realitetin, gjejmë dhembjen e poetit për gjendjen e njerëzve, që s’u ecën fati.

Një nga vjershat me tipike është “Bahti im„ , ku autori shpreh pakënaqësinë ndaj jetës dhe ankohet për fatin(bahtin), që s’e ndihmoi për të marrë prona e pozita, siç ndodhi me disa të tjerë.

Zu Hasani e zihet,

me baht e tij po prihet,

vallë, ku rri e fshihet,

që s’punon, more bahti im.

Edhe vjersha “Seferi humajun„ (Lufta mbretërore) shpreh po atë gjendje pakënaqësie e zhgënjimi. Vërtet kjo merr shkas nga përvoja e hidhur e vetë poetit në fushatën e vitit 1789, por, në të vërtetë, në të zë vend një shqetësim më i gjerë. Aty i bëhet jehonë pakënaqësisë së përgjithshme të vegjëlisë nga fushatat ushtarake të osmanëve, që njerëzve të thjeshtë u sillnin vetëm fatkeqësi dhe mjerim, kurse fitimet i përvetësonin feudalët e mëdhenj dhe komandantët ushtarakë.

Për jetën e varfër e të rëndë të vegjëlisë fshatare flet edhe vjersha “Trahani„. Duke e shkruar me ironi të hollë e humor therës për këtë gjellë të të varfërve, autori s’e fsheh dhembjen për mjerimin e tyre, për faktin brengosës se ishte lumturi kur arrinin të shuanin urinë me trahana.

Tetë muaj gjithë ç’janë

Që e zjejnë dhe e hanë

Fukarasë i mbanë hajanë(1)

Dritë kush gjeti trahanë

Notat e humorit, përzier me ankimin e poetit për fatin e të rinjve, përshkojnë edhe vjershën “Gjerdeku„. Në të cilën pasqyrohen çaste nga jeta dhe brengat e vajzave që janë gati për martesë e që s’e dinë ç’fat i pret, meqë i martojnë pa i pyetur. Por, veç kësaj, ato i mundon edhe varfëria, ashtu siç i detyron edhe djemtë të marrin rrugën e kurbetit për të siguruar të hollat e nevojshme për martesë. Gjejmë në të edhe përshkrime zakonesh të martesës, por më tepër shqetësimin e të rinjve dhe të autorit për fatin e tyre.

Cupat po bëjnë fiqiri(2)

“Vallë, ku e kemi takdir(3)?„

I martojnë me pahir

Se umur(4) ndë dorë s’kanë.

Edhe në vjersha të tjera, si “Gratë e va„ , “Hasani bën shiqajet„(ankohet), “Vasijetnameja„(Testamenti) H.Z.Kamberi vë gishtin në plagë të ndryshme të shoqërisë së atëhershme.

Por poezia e tij më e fuqishme, ku prirja realiste e fryma kritike kanë gjetur shprehjen më të plotë është “Paraja„ ,

ajo është një satirë e fuqishme e gjithë sistemit politik feudal, e korruptimit të tij të gjithanshëm, madje edhe vlera e njeriut matet jo me cilësinë e virtytet e tij, por me paratë që ka.

Këto ide poeti is hfaq nëpërmjet ironisë e sarkazmës therëse, që godasin pa mëshirë gjithë piramidën shtetërore e shoqërore, që nga mbreti e veziri e gjer tek nënpunësi më i thjeshtë.

Mbreti q’urdhëron dynjanë,

që ka vënë taraphanë(5)

e i presënë paranë,

ia di kimenë parasë.

Poeti nuk kursen as autoritetet më të larta të fesë. Me sarkazëm të guximshëm ai zbulon se prapa shenjtërisë së tyre të shtirur fshihet një shpirt i pangopur fitimi, që i shtyn të bëjnë padrejtësi më të mëdha; e kanë ujdisur me djallin, siç shprehet poeti.

Patosi satirizues e demaskues zgjerohet edhe më tej, kur poeti zbulon se në atë shoqëri të shthurrur nuk ekzistonte as drejtësia më e vogël, se njerëzit e ligjit, kadilerët, e shtrembëronin këtë në mënyrën më të paturpshme, vetëm për të shtënë në dorë sa më shumë para.

Kadiu, t’i rrëfesh paranë,

ters e vërtit sherihanë(6),

për para ç’e shet t’anë,

ia di kimenë parasë.

Funksion të dukshëm ideoartistik ka vargu “ia di kimenë parasë„. Që përsëritet si refren në fund të çdo strofe. Ai përforcon idenë se në atë shoqëri ku merret nëpër këmbë çdo virtyt, ku njerëzit robotizohen e vuajnë, paraja është epiqendra e jetës. Vjersha tingëllon si një satirë e fortë që shpreh zemërimin e fshatarësisë shqiptare kundër shfrytëzimit të saj në kushtet e sistemit feudal në shuarje e sipër. Kuptohet që protesta e poetit është spontane, nuk shkon larg dhe ai shpesh bie në fatalizëm.

Vjershat laike të H.Z.Kamberit patën përhapje të gjerë në popull, se ato prekën plagë shoqërore të kohës. Veç kësaj gjuha e tyre është më e pastër se e poetëve të tjerë bejtexhinj. Vargu që përdor, është tetërrokshi i poezisë popullore.

H.Z.Kamberi qe poet i talentuar. Krijimet e tij i njihnin dhe i çmonin edhe rilindësit: Naimi, Samiu, Vretoja. Naimi shkruante: “Në mes të vjershëtorëve të Shqipërisë ka zënë kryen Hasani i Zyko Kamberit„. Me poezinë e H.Z.Kamberit, Z.Bastarit e ndonje tjetri duken shenjat e para të realizmit në poezinë shqiptare… (www.letersia.fajtori.com)

Poeti i madh shqiptar i shekullit 18-të, bashkëkohës i Ali Pashë Tepelenës, Muhamet Çami, Kyçyku lindi në Konispol të Çamërisë në 9 korrik të vitit 1784, po nuk dimë shumë për fëmijërinë e tij të hershme. Pasi krue mësimet e para në vendlidnje në gjuhën turke  ai kishte vazhduar studimet në Egjipt, ku kishte studiuar  11 vjet ku edhe u njoh me një numër të madh bashkëkombësish, që punonin dhe jetonin atje. Me të kryer studimet fetare u kthye në fshatin e lindjes dhe u vu në shërbim të fesë si imam.

Vepra kryesore e Muhamet  Kyçykut është “Erveheja”, që është edhe hapi i parë voluminoz analog me “Jusufi dhe Zylihaja” është më e mbushur në pikëpamjen e përshkrimit të ngjarjes e sidomos pasqyrimi i pasioneve të Zylihasë.

Kyçyku u mor me përkthime dhe përmendet Mevludi i përkthyer nga arabishtja i shkrimtarit berber, Al Busiri.

Qëndrime letrare

Në letërsi, Kyçyku zë vendin e merituar të pikënisësit dhe pikëkaluesit nga letërsia klasike në poezinë e Rilindjes Kombëtare. Ai është gjithashtu i pari ndër shqiptarët të ketë shkruar poemë voluminoze. Sikur të gjithë bejtexhijtë, e që nga fillimi i këtij lloji letrar, shumë ide e tema merreshin nga librat fetarë dhe nga themelet e moralit dhe virtytit fetar islam. Kur bisedojmë për moralin e gruas dhe burrit, duhet vënë në dukje se është i famshëm respekti bashkëshortor ilir dhe para shqiptar që në kohërat pagane kështu që bejtexhinjtë, e në këtë rast,  Muhamet Çami vetëm ngrinte lart besnikërinë iliro-shqiptare të kurorës dhe natyrisht atë islame të relacioneve familjare.

Brendia e poemës Erveheja (në fillim Ravda) së Muhamet  Çamit duhet të ketë qenë e njohur në trojet tona sidomos pas pranimit të Islamit, nga shkaku se kjo temë, në variante të afërta, ka arritur në fillim nga Persia e më vonë edhe nga turqit si letërsi gojore dhe në raste më të rralla edhe në forma të shkruara së paku në gjuhën turke.

Nuk kemi dokumente të shkruara për të vërtetuar këto të dhëna, por nëse nisemi nga fakti se shumë shqiptarë, pas pranimit të fesë islame shkolloheshin në vise të ndryshme të perandorisë turke, bënë reale mundësitë e përhapjes së literaturës arabe, perse gjegjësisht asaj turke në Ballkan. Nga sanskritishtja kemi shkrimin “Shukasaptati” nga mori idenë dhe frymëzimin poeti Pers Zijauddin Nakshabi dhe shkroi Tutinamen e tij, prej nga, Kyçyku ndërtoi mjaft bukur, historinë me tipare të gruas luftëtare shqiptare në mbrojtje të nderit. Dhe Erveheja e mbrojti me guxim pa u trembur as nga vdekja. Në këtë mënyrë ajo arrin të lundrojë nëpër shtrëngatat që i sillte jeta gjer në momentin fatlum të ngadhënjimit mbi padrejtësitë dhe në ngadhënjimin e të vërtetës mbi dredhitë dhe pasionet e errëta të kunatit, pasanikut, shërbëtorit dhe hajnit.

Sa i përket veprës “Jusufi dhe Zelihaja”, dimë së është një ngjarje për të cilën flitet në librat e shenjtë : Teurat, Inxhil dhe Kur’an në suren “Jusuf”. Janë të njohura veprat e shkruara nga këto inspirime fetare në literaturën orientale e më gjerë. Në persisht, në një mënyrë shumë të bukur shkruajtën Firdeusi (935-1020) (persisht), mistiku Xha’ami, (1414-1492) dhe në turqisht Hamdullah Hamdi 1449-1508) e shumë të tjerë.

Kyçyku këtë ngjarje të vërtetë të treguar në librat e shenjtë që janë fjalë të Zotit, e rreshtoi në poemë, me një gjuhë edhe pse të rënduar me fjalë të huaja, të kuptueshme dhe në nivel më të lartë poetik se Erveheja.

Veprat tjera të Kyçykut janë poema me tematikë antialkoolike Bekriu (1824), ajo historike nga viti 1826 për Ibrahim Pashën, fushatat e lavdishme të mbretit të Egjiptit Muhamed Aliut kundër rebelimit grek dhe poemën që merret me hallet e atyre që detyroheshin të kërkojnë kafshatën e bukës dhe fitimin larg vendlindjes – Gurbetlitë.

Kyçyku u mor edhe me përkthime nga arabishtja dhe turqishtja e ndër përkthimet më të njohura është padyshim Mevludi i shqipëruar Kasidatu’l Burda nga Al Busiri (?-1296).

Më 1888 në Bukuresht, Jani Vreto (1822-1900) e botoi Ervehenë të adoptuer në si përrallë dhe të pastruar nga fjalët arabe, persishte dhe turke por megjithatë origjinali ngeli më i kuptueshëm dhe më lirik.

Ahmet Qirezi (1966) botoi në « Jehona » (Shkup, 1978 ; ribotuar më 2007) dramën « Erveheja » me motive nga poema e njëjtë e Kyçykut duke e përshtatur shumë bukur për skenë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …