leoni

Nata e Zjarreve

Kadri Rexha: DËSHMORËT DHE VARREZAT

Përvjetorët e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, në mbrojtje të Atdheut nga okupatori serb, kudo në Kosovë dhe në mërgatë shënohen si ditë e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, duke përkujtuar 21-vjetorin e rënies heroike të Heroit Legjendar Adem Jashari, përfaqësuesit dhe simbolit të UÇK-së së lavdishme, sot po përulemi me respekt dhe krenari para të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, si dhe para të gjithë dëshmorëve tjerë të Kombit shqiptar që në vazhdimësi ranë për mbrojtjen dhe bashkimin e popullit shqiptar dhe të trojeve të Atdheut tonë të ndarë. Dhe, duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit ne nderojmë popullin tonë heroik dhe atdheun tonë të lavdishëm. Duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit, në radhë të parë, ne nderojmë vetveten, nderojmë të parët tanë dhe pasardhësit tanë. Duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit, mbi gjakun e të cilëve ngrihet dhe qëndron kalaja e pamposhtur e quajtur Atdhe, më në fund, ne si popull i lashtë dhe me tradita bujare dëshmojmë se jemi të denjë të marshojmë krah për krah edhe me popujt e tjerë të qytetëruar të kësaj bote. Duke nderuar kujtimin e paharruar të atyre që ranë për Popull dhe për Atdhe ne të gjallët në të njëjtën kohë i shpallim luftë të pa kompromis edhe harresës, armikes më të madhe të individit dhe të popujve. Sepse harresa ka tagër të lartë dhe të pakompensueshme. Sepse harresa bën që të përsëritet e keqja, të përsëritet historia. Kombet që harrojnë i nënshtrohen tjetërsimit. Popujt që harrojnë i nënshtrohen zhdukjes së pamëshirshme. Pra, kujtimi i të madhit Adem Jashari, si dhe kujtimi i të gjithë dëshmorëve të tjerë të rënë në altarin e Atdheut gjatë historisë sonë të vjetër dhe të re, nuk na lë të harrojmë se jemi shqiptar, nuk na lë të harrojmë idealin e lartë të bashkimit të Atdheut dhe të kombit, nuk na lë të harrojmë amanetin e tyre për të cilin ata u flijuan.

1.

Përvjetorët kanë diçka të ngjashme me varrezat. Përvjetorët, si edhe varrezat, të ngacmojnë, të nxisin për të medituar, për të evokuar, për të thënë gjithë atë që fle në kujtesë lidhur me një person apo ngjarje të rëndësishme të historisë. Gjatë përvjetorëve, si edhe në varreza, në mes të gjallëve dhe të vdekurve shkrihet kufiri, përzihen bisedat, amanetet, mesazhet, i gjalli dhe i vdekuri japin dhe marrin nga njëri-tjetri. Kështu po ngjanë sot mes nesh dhe dëshmorëve të UÇK-së. Përvjetorët e vrasjeve të dëshmorëve të UÇK-së janë bërë tribuna të gjalla dialogu midis popullit dhe bijve të tij martirë. Varrezat e dëshmorëve të Kombit janë kthyer në vende të shenjta prehjeje dhe ngushëllimi ku populli aq sa po merr forcë prej veprës dhe amanetit të tyre po aq po e qanë hallin me ta. Sepse populli shqiptar ende ka halle të mëdha. Sepse populli shqiptar ende nuk e ka realizuar aspiratën e tij sublime: bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet. Sepse populli shqiptar ende nuk ka arritur në nivelin kombëtar sa të flasë me një zë të fuqishëm. Sepse, ndonëse jemi popull i lashtë dhe autokton në trojet ku jetojmë, ne, si komb dhe si copa të atdheut, ende vazhdojmë të jetojmë të ndarë në gjashtë shtete. Fatkeqësisht, momentet vendimtare historike vazhdimisht na zunë të përçarë, fatkeqësisht në momentet vendimtare historike përherë na mungoi përkrahja e sinqertë e faktorit ndërkombëtar. Prandaj, fitoret e luftës gjithmonë na i rrëmbyen të tjerët, prandaj, fitoret e luftës gjithmonë i humbëm në tavolinë. Kështu ka ndodhur në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Kështu ka ndodhur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Kështu ka ndodhur në Mbledhjen e Prizrenit në vitin 1945. Kështu po ndodhë edhe në kohën tonë.

2.

Ashtu siç po flasim me krenari për dëshmorët në tubime përkujtimore, ashtu siç po bisedojmë në heshtje me dëshmorët gjatë homazheve mbi varrezat e tyre, po ashtu edhe dëshmorët kanë po të njëjtën të drejtë të na pyesin ne të gjallëve për gjendjen tonë, të na pyesin se ku jemi në këtë moment të historisë, sa kemi arritur t’i ruajmë fitoret e punës dhe të luftës së përbashkët dhe a kemi arritur t’i realizojmë aspiratat e popullit dhe amanetin e gjakut të tyre të derdhur në altarin e Atdheut. Dhe, ne të gjallët, aq sa kemi nevojë t’ia përsëritim vetvetes dhe njëri-tjetrit, po aq kemi obligim që edhe dëshmorëve të kombit t’ua themi të vërtetën e gjendjes sonë, të vërtetën e situatës në të cilën po kalojmë si komb dhe si tokë e Arbërit. Dhe, sado e hidhur që mund të jetë situata e momentit tonë historik, ne të gjallëve nuk na lejohet kurrsesi që këtë gjendje atyre t’ua mbulojmë me fjalë të mira dhe me shpresa të kota. Sepse, si me bashkëkohësit ashtu edhe me dëshmorët e kombit duhet të flitet hapur, sepse sikur ne që frymojmë, edhe ata duhet ta dinë të vërtetën. Prandaj, sikurse bashkëkohësve ashtu edhe dëshmorëve të kombit duhet t’u tregohet, ndonëse me keqardhje, se Kosova sot është para një rreziku të ri të copëtimit. Dhe, ky rrezik nuk është i shpifur. Këtë rrezik po e shohin qartë të gjithë ata që kanë sy dhe ata që kanë mend në kokë. Prandaj, edhe shqetësimi i popullit shqiptar, pas premtimeve të vazhdueshme që iu bënë, sot është shumë i arsyeshëm. Këtë radhë, populli shqiptar me plot të drejtë priti se vuajtjet dhe lufta e tij mbi njëshekullore, më në fund, u kuptuan nga fuqitë vendim marrëse. Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund vuajtjet dhe lufta e tij do të shpërblehen drejtë. Me plot të drejtë populli shqiptar priti se, më në fund, Evropës i erdhi rasti ta korrigjojë gabimin e vet të bërë në Londër në vitin 1913. Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund vuajtjeve të tij mbi njëqindvjeçare u erdhi fundi. Me plot të drejtë populli shqiptar priti se më në fund dhuna, shfrytëzimi i egër, burgosjet, vrasjet, shpërnguljet dhe robëria e shumëfishtë serbe, tashti e tutje do t’i takojnë të së kaluarës së hidhur të tij, historisë. Populli shqiptar me plot të drejt mendoi se në trojet e tij, edhe ashtu të zvogëluara tej mase, nuk do të përsëritët më fati i zi i mbi gjashtëqind fshatrave të Sanxhakut të Nishit dhe ai i Çamërisë fatmjerë, se nuk do të përsëritët më fati i mjerë i Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe i Medvegjës, se nuk do të përsëritet më kasaphana dhe eksodi biblik i viteve 1998 dhe 1999. Populli shqiptar është lodhur nga prapësitë që po bëhen në kurrizin e tij. Vetëm në këto dekadat e fundit u bënë copë e grimë të gjitha trevat shqiptare jashtë Shqipërisë londineze që lidheshin me trungun e Kosovës. Deri sa në njërën anë, në emër të decentralizimit, gjakësorja Serbi shpërblehet me territore të reja shqiptare si komuna, zona ekonomike, zona industriale, zona kulturore dhe zona historike, në anën tjetër, në emër të pa vlefshmërisë së kufijve të Evropës së Bashkuar, trojet shqiptare po ndahen me kufij të ri nga fqinjët tanë sllavë. Për këto padrejtësi historike të kohës sonë dëshmojnë Kosova Lindore, Maqedonia shqiptare,Veriu i Kosovës, Debëlldeja, Çakorri, Bjelluha, Rozhaja… Deri sa Serbia lufton edhe për një fshat ku banojnë dy-tri familje serbe udhëheqësit shqiptarë, qoftë në Kosovë qoftë në Shqipëri, luftojnë për pozita personale dhe për kolltukët e tyre të turpit.

3.

Nën maskën e demokracisë, me kombin tonë sot po eksperimentohet në mënyrë perfide. Nën kujdesin e ndërkombëtarëve dhe me përkrahjen inferiore të politikanëve tanë, diletantë dhe servil, substanca kombëtare po pjesëtohet dhe po shkapërderdhet pamëshirshëm. Kombi shqiptar sot po goditet nga të gjitha anët në gjërat më të shenjta, edhe aty ku nuk guxon të preket asnjë komb. Ndërkombëtarët, me qëllime të caktuara, luftën tonë e kualifikuan si konflikt ndëretnik dhe pati përpjekje që kësaj lufte t’i japin edhe ngjyra fetare. U heshtën krimet shekullore të Serbisë. U heshtën planet dhe programet shtetërore serbe për dëbimin e shqiptarëve dhe serbizimin e trojeve të tyre. U hesht, më në fund, “lufta e shenjtë serbe”, lufta e “tokës së djegur” për shfarosjen definitive të shqiptarëve! Sipas kësaj logjike, me ndihmën e politikanëve vasal shqipfolës, Kosovës iu shanë, iu njollosën, iu vranë dhe iu burgosën thuaja të gjithë komandantët e luftës çlirimtare. Gjithnjë sipas kësaj logjike ushtrisë sonë të dalë nga lufta iu morën armët dhe iu zhbë emri i saj i lavdishëm, një milion mërgimtarëve shqiptarë iu pamundësua riatdhesimi në kohën kur edhe refugjatëve serbë të ikur nga hapësirat jugosllave iu garantohej e drejta e qytetarit të Kosovës. Lehtësirat për importin e pa kontroll të mallrave nga Serbia e rrënuan bujqësinë dhe atë pak industri që shpëtoi nga lufta. Në emër të privatizimit të egër me mijëra punëtorë u hedhën në rrugë. Me qëllim të krijimit të pakënaqësisë në popull, me qëllim të shkatërrimit të ekonomisë vendase, si dhe me qëllim të hajnisë dhe pastrimit të parave, gjigantët ekonomik të Kosovës shërbyen si vende ku u luajtën lojërat më të ndyra dhe më misteriozet. Pastaj brenda disa viteve të pasluftës u arrit të bëhet fakt i kryer ndarja e Kosovës Veriore, zona kufitare me Maqedoninë dhe zona kufitare me Malin e Zi, ndërsa i njëjti problem po na troket në derë tash me rastin e demarkacionit me Serbinë. Gjatë kësaj kohe, edhe me bekimin e pushtetarëve shqiptarë, në hartën e Kosovës u krijuan enklava dhe komuna të reja të popullatës serbe si dhe u uzurpuan mijëra hektarë toke në emër të zonave mbrojtëse rreth kishave ortodokse. Gjatë administrimit të UNMIK-ut, në emër të një statuti të ri dhe ende të paqartë të Kosovës, shqiptarëve iu ndërrua përkatësia kombëtare, iu ndërrua flamuri dhe himni kombëtar, me një fjalë, zyrtarisht iu ndërrua identiteti mijëravjeçarë. Një shembull i këtillë nuk njihet kund në botën e qytetëruar. Dhe, më në fund, kërkesave të ligjshme të popullit për vetëvendosje me referendum, ndërkombëtarët dhe politika servile e pushtetarëve tanë, iu përgjigjen me dhunë policore duke skuqur rrugët me gjakun e dëshmorëve të ri.

4.

Nuk është për t’u çuditur, prandaj, se në mungesë të një programi kombëtar, në mungesë të një politike të pastër kombëtare, në mungesë të një udhëheqjeje të denjë kombëtare, populli ynë sot po gjen prehje dhe mbështetje vetëm në veprën e dëshmuar dhe të larë me gjakun e dëshmorëve të kombit, po gjen prehje vetëm në idealet e larta dhe shpresëdhënëse të porosisë së madhe të rilindësve tanë, të cilat premtojnë se në një të ardhme të afërt, me zgjimin dhe përpjekjen e rinisë, do të realizohen në tërësi. Sepse gjaku i dëshmorëve është gjaku i mbarë kombit, është dokument dhe tapi e tokave shqiptare. Sepse idealet e dëshmorëve tronditin vetëdijet e fjetura, të mbushin me frymëzim. Sepse porosia e veprave të tyre të mobilizojnë për të punuar dhe për të luftuar deri në flijim për të vërtetën, për të drejtën, për lirinë, për progresin shoqërorë dhe për progresin historik. Sepse ata me veprën e tyre e kanë dëshmuar shumëfish se ishin bijë të kësaj toke, se ishin bijë të baballarëve të thjeshtë dhe nënave të përvuajtura shqiptare. Sepse ata e kishin kuptuar me kohë se rruga e lirisë nuk ishte e lehtë dhe se ajo rrugë kalonte përmes vuajtjeve dhe flijimeve të mëdha, parmakëve të burgjeve të pushtuesit, përmes torturave çnjerëzore të pushtetit dhe përmes plumbave vdekjeprurës të armikut. Ata e kishin më së të qartë se lirinë nuk ta falë kush dhe se liria fitohet me shumë mundime të mëdha, me djersë dhe me gjak të pakursyer. Këtë mësim ata e kishin nxjerrë nga përvoja e madhe e popullit të vet si dhe nga përvoja e gjithë popujve liridashës të botës së qytetëruar. Në djepin e kësaj edukate ishte rritur edhe atdhetari demokrat Hasan Prishtina, i cili në altarin e atdheut kishte dhënë këtë betim: “Mue në idenë teme patriotike nuk ka muejt as nuk do të mundet me më mposhtë as ari i tanë botës, as mënia e tanë armiqve. Ka me më mposhtë vetëm vdekja”. Në djepin e kësaj edukate ishte formuar edhe Jusuf Gërvalla, i cili në themelet e veprimtarisë dhe të luftës së djalërisë patriotike të brezit të tij kishte vënë zotimin: “Në ballë të këtij populli dhe të këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.” Po në djepin e kësaj edukate është rritur, formuar dhe edukuar edhe Adem Jashari, i cili, në emër të ushtrisë së re çlirimtare, truallit dhe popullit të vet ia kishte dhënë fjalën: “Edhe njëqind jetë me i pas të gjitha do t’ia falsha atdheut”. Kësisoj, me mish e me shpirt, me zemrën plot për Kosovën dhe Shqipërinë, me shpresën e madhe për çlirimin dhe për bashkimin e Kombit dëshmorët e kombit u dogjën si qiriri për t’ia sjellë lirinë aq shumë të merituar popullit shqiptar, të ndarë dhe të pushtuar barbarisht nga armiku serb. Dhe, duke mos ndalur asgjë për vetveten, krejt çka patën të shenjtë, deri edhe jetën e tyre, ata ia falën popullit të vet të shumëvuajtur. Ndaj, nuk është e rastit as dashuria popullit për ta, as kujtimi dhe nderimi që po u bëhet sot dhe do t’u bëhet amshueshëm. Është konstatim i moçëm se secila kohë e madhe i ka edhe heronjtë e vet të mëdhenj. Të tillët pastaj, me kujdesin më të madh të popujve që u takojnë, vendosen në altarin e quajtur traditë për ta gëzuar kujtimin dhe respektin e thellë të brezit aktual dhe të brezave që do të vijnë. Në këtë drejtim edhe epopeja e kohës sonë, epopeja e UÇK-së së lavdishme, e mishëruar me lindjen e një heroizmi të ri, e mishëruar me sakrificat e bijve më të mirë të popullit, gjeti jehonë të denjë dhe të gjithanshme në krijimtarinë shpirtërore të popullit. Prandaj, figurat e dëshmorëve të kombit, me të gjitha tiparet njerëzore të bijve të thjeshtë të kësaj toke, me të gjitha karakteristikat e luftëtarëve sypatrembur që luftuan për çlirimin e atdheut nga okupatori serb, nga gjeniu popullor, me dashuri e respekt, u skalitën në poezi, në prozë, në pikturë, në skulpturë, në këngën popullore, në shkrimet përkujtimore, në dokumentarët televiziv, në kujtime, në deklarata të miqve të tyre, në monografi të veçanta, etj. Sipas traditës së vet kujtimin dhe respektin për Dëshmorët e Kombit populli do ta shprehë edhe me pagëzimin e fëmijëve me emrin e tyre, edhe me emërimin e shoqatave, klubeve, shtëpive të kulturës, shkollave, rrugëve, brigadave të UÇK-së, kazermave të ushtrisë, me organizimin e tubimeve popullore me rastin e vrasjes së tyre, me homazhet e organizuar në varrezat e dëshmorëve, e kështu me radhë.

5.

Jeta dhe vepra e dëshmorëve të lirisë duhet të bëhet pronë e popullit, sidomos pronë e brezit të ri. Ata u flijuan për ne, për lirinë tonë, ndaj ua kemi borxh t’ua ruajmë emrin, t’ua jetësojmë porosinë, t’ua përjetësojmë veprën. Dhe, më në fund, është detyrë e shkencës që sa më parë të dalë para popullit me studime të veçanta apo me monografi shkencore mbi jetën dhe veprën e dëshmorëve si dhe me historinë e plotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vepra e plotë dhe e ndritshme e UÇK-së duhet ta shohë dritën sa më parë. Ajo e tëra duhet të bëhet ushqim dhe pronë e mbarë kombit shqiptar. Sepse mesazhi i heshtur i dëshmorëve të atdheut që vjen me bukën e ëmbël, me ujin e ftohtë dhe me ajrin e pastër të tokës sonë, herë si dritë dielli e herë si gjëmë dheu, duhet të bëhet letërnjoftim, fletë testament dhe flamur i papërkulur në ballë të brezave të reja, në zemër të popullit mbarë. Sepse jeta që po e gëzojmë pas luftës së fundit Kosovës i kushtoi mbi 250 shekuj vajtje të rinisë shqiptare nëpër burgjet mesjetare serbe, mbi dy milion shqiptarë të shpërngulur në Turqi dhe në vise të tjera të botës, mbi gjysmë milioni shqiptarë të vrarë dhe të masakruar, mbi 30.000 vajza dhe gra të dhunuara, një eksod milionësh të popullit ndër më të përgjakurit gjatë historisë njerëzore, disa herë e djegur me themel dhe e ringjallur sërish nga hiri dhe thuaja një shekull eksploatim të egër kolonialist serb. Ky tagër i llahtarshëm le të mbetet vulë në vetëdijen shqiptare, kujtim dhe amanet brezave të ardhshëm. Ky det gjaku dhe këto male krimesh nga dora serbe le të bëhen gur në ndërgjegjen e Fuqive të Mëdha dhe në të njëjtën kohë akuzë ndaj tyre për paudhësinë që bënë në Londër në vitin 1913, duke e ndarë përgjysmë një komb dhe duke e lënë atë si qengjin në gojën e ujkut. Kjo gjëmë Kosove nuk guxon të falet, nuk guxon të shkelet dhe nuk guxon të harrohet. Natyrisht, fjalimet e rastit, artikujt e gazetave, këngët rapsodike, krijimet artistike letrare, pikturat dhe filmat dokumentarë në këtë drejtim veprojnë dhe nuk i lënë në harresë emrat e tyre, por brezat e rinj, të sotmit dhe të ardhshmit, kërkojnë më shumë, ata duan t’i njohin heronjtë nga afër, ata duan të dinë për prindërit e tyre, për fëmijërinë, edukimin, shkollimin, qëndresën, veprimtarinë, për luftën dhe për rënien e tyre heroike në altarin e lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …