Dr. Nusret Pllana: Gra që ju kanë bërë krahë ecjes sonë nëpër rrugët e historisë

Labinot Kunushevci: Intervistë me studiuesin dhe publicistin, Nusret Pllana

I nderuar profesor Nusret Pllana, fillimisht ju përshëndes. Kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj me ju një intervistë dhe ju falënderoj shumë që gjetët kohë të ndani me mua për t’i shpalosur disa nga përvojat dhe pikëpamjet tuaja.

Kunushevci: Jeni autor i dhjetëra veprave publicistike, filmave dokumentarë dhe ekspozitave, me anë të së cilave jeni përpjekur për të dokumentuar terrorin serb ndaj shqiptarëve dhe për ta sensibilizuar oponionin publik se viktima (570 mijë shqiptarë të pafajshëm në periudhën 1844 – 1999) dhe krimineli (shteti serb, Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe) nuk barazohen. Sipas jush të zezat e kësaj trioje fashiste; vuajtje, masakra, dhunime, vrasje, karbonizime, djegje, dëbime, masa të dhunshme, 24 elaborate për zhdukjen kolektive të shqiptarëve nën efektet e urrejtjes patologjike e fashiste ndaj shqiptarëve, të dokumentuara këtërcipërisht, duhet të trajtohen ndryshe nga elita vendore dhe ndërkombëtare. Si ju ka pritur dhe vlerësuar opinioni dhe institucionet vendore e ndërkombëtare për veprat tuaja?

 Pllana: Në radhë të parë përshëndetje dhe për Ty mik i nderuar Labinot, e faleminderit për respektin dhe gatishmërinë për një bashkëbisedim rreth veprimtarisë time publicistike-dokumentare. Edhe pse kam arritur të realizoj një bagazh jo të vogël të veprave të mia, dhjetra libra, më shumë se 30 filma dokumentarë dhe  7 ekspozita me fotografi dokumentare të luftës së fundit në Kosovë 1998/1999, sikur e kam një ndjenjë gatishmërie të flas më shumë për librin historik “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, libër ky, që siç e thatë edhe Ju, jo vetëm që e ka vërtetuar katërcipërisht gjenocidin gati dyshekullor serb mbi ne, por promovimi i tij në më tepër se 50 qendrat më të njohura evropiane dhë botërore ka arritë ta  sensibilizojë botën për masakrat, helmimet, burgosjet e vrasjet pa gjyq, djegiet, dëbimet, karbonizimet e tentim çfarosjen kolektive të popullit tonë, duke e dëshmuar kështu me fakte e fotografi vrasjen e më shumë se gjysmë milioni shqiptarëve të pafajshëm, vetëm e vetëm pse ishin shqipatrë, dhe vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin. Me një fjalë, çdo faqe e këtij libri është e shkruar me gjakun e nënave dhe baballarëve tanë, djemve dhe vajzave tona më të mira, andaj me plotë përgjegjësi mund të themi që ky është libri më tronditës në historinë botërore. Me përmbajtjen e këtij libri në nëntë gjuhë botërore (shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, japonisht, suedisht, serbisht e maqedonisht), opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar ka mbetë pa “frymë”, sa që, prej vitit 2001 kur është botuar për herë të parë ky libër, e deri më sot (31 janar 2016) kur po flasim për botimin e gjashtë të plotësuar të tij, të gjithë ata njerëz që kanë pasë rastin ta kenë në dorë këtë libër kanë mbetë të shokuar dhe nuk kanë mundur ta shfletojnë deri në fund. Sidomos vrasja e fëmijvë të të gjitha moshave dhe e nënave shtatzëna është tepër e dhimbshme dhe e parezistueshme. Vetëm në periudhën e viteve 1981/1999 janë vrarë dhe masakruar më shumë se 1600 fëmijë, të cilët në këtë libër janë me emra e mbiemra, sipas Komunave që iu përkisnin, por, në shumë raste janë edhe emrat e vrasësve, të cilët edhe pse janë denoncuar para drejtësisë ndërkombëtare, asnjëherë nuk janë akuzuar dhe dënuar për këto krime makabre.

Kunushevci:Përderisa të mos ulet Serbia në bankën e zezë të Tribunalit Ndërkombëtar të Gjykatës së Hagës për krimet, barbaritë dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve prej vitit 1844 – 1999, stërnipi i Pllanës së Toplicës së përgjakur, Nusret Pllana, nuk do të ndalet së rrugëtuari” – keni thënë në njërën nga intervistat tuaja. Në këtë rrugëtim, ju keni botuar librin TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT – 1844 – 1999, të përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe të promovuar në disa qendra evropiane. Si ka reflektuar ky libër deri tani?

  Pllana: Jo vetëm një herë, por e kam përsëritur shumë shpesh dhe vazhdoj të them me bindje të plotë se, përderisa të mos ulet Serbia fashiste si shtet, e të akuzohet në ‘bankën’ e drejtësisë ndërkombëtare të Tribunalit të Hagës për gjenocidin sistematik mbi shqiptarët për gati dy shekuj me radhë, konsideroj se drejtësia ndërkombëtare karshi shqiptarëve ka dështuar plotësisht, aq më parë kur e tërë bota e dinë që shqiptarët kanë deponuar miliona fakte në këtë Tribunal dhe për fatin tonë të keq, këto fakte edhe më tutje vazhdojnë të heshten pothuajse nga të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare,  dhe ndodhë absurdi tjetër, tentim barazimi i viktimës me kriminelin!!!?

 Kunushevci: A mund të ndani me ne diçka nga përvoja juaj gjatë procesit të mbledhjes, artikulimit dhe sistemimit të faktografive të librit TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT – 1844 – 1999? Si qëndron puna me autorësinë e fotografive të publikuara, disa prej të cilave janë marrë nga fotoreporterë të luftës, meqë janë shfaqur disa pakënaqësi dhe akuza në këtë drejtim?

  Pllana: Periudha e grumbullimit të gjithë këtyre fakteve, dëshmive e fotografive (me mijëra prej tyre) ka zgjatur gati dy dekada të plota, më saktësisht ka filluar më 1981 dhe është kurorëzuar me sukses në vitin 2001, kur edhe ka dalë në dritë botimi parë i këtij libri shokues, i ilustruar në këto gjuhë: shqip, anglisht, frengjisht e gjermanisht. Prandaj, jo rrallë herë e them se ky libër e ka ‘autorësinë’ prej më shumë se 570.000 shqiptarëve të vrarë nga barbaria serbe, ndërkaq Nusret Pllana me qindra bashkëpunëtorë është vetëm përgatitësi i këtij libri, i cili tashmë ka marrë përmasat e një libri “enciklopedik”, duke marrë mirënjohje nga Bibliotekat më të rëndësishme evropiane e botërore, bile, bile, dy herë edhe nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan, nga Biblioteka Botërore Victoria e Australisë, nga Biblioteka Botërore e Britanisë së Madhe në Londër, nga Akademia Ushtarake e Bundesverit gjerman, nga Instituti i Historisë së sotme e Mynihut të Gjermanisë, etj.

Absolutisht të veçantë dhe mund të themi ‘Unikat’ këtë libër e bënë përmbajtja e rreth njëmijë fotografive dokumentare, të cilat nuk durojnë shumë koment, apo më mirë të themi “një foto flet sa një mijë fjalë”, por që në rastin konkret, shumë foto flasin edhe më shumë se dhjetë mijë fjalë. Në fund të librit falënderohen të gjithë ata që kanë ndihmuar në grumbullimin e fakteve dhe fotografive të shumta, e që ky libër të bëhet aq cilësor dhe për të të flasin me kompetencë publicistë, gazetarë, shkrimtarë, historianë, deputetë, politikanë, diplomatë e shumë e shumë njerëz të artit, të shkencës e kulturës nga e gjithë bota, vlerësime këto të cilat janë të botuara në versionin e gjashtë të këtij libri historik. me një fjalë, askush deri më sot nuk është ankuar, së paku publikisht, për bërjen publike të këtyre fotografive, të cilat edhe si të tilla, ani pse tepër të dhimbshme dhe shokuese, sikur nuk mjaftuan për drejtësinë ndërkombëtare që Serbia fashiste të dënohet për gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët nga viti 1844-1999!!!

 Kunushevci: Çfarë mund të na thoni për kodin etik në librin tuaj TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT – 1844 – 1999? Po ju pyes për kodin etik nëse ekspozimi i disa fotografive tragjike mund të reflektojë edhe kundër-efekt duke ringjallë ndjenjën e traumës nga narrativi i luftës apo jo?! Cila është strategjia më e mirë për problemin shqiptaro-serb, përderisa rrëfimet ekzistojnë? Pse s’po ka efekt rrëfimi ynë para të huajve? Nuk po dimë të rrëfehemi apo çka?

 Pllana: Përderisa teknologjia elektronike ka avansuar aq shumë, sidomos në fund shekullin XX dhe fillim shekullin XXI, e po bëhen publike edhe storie të “gjalla” të luftrave të përditshme dhe shumë të përgjakshme nëpër vendet me konflikte të armatosura, e sidomos ato pamje janë përditshmëri dhe aktuale sidomos në vendet e Lindjes së Mesme – në të cilat terrorizmi i radikalizmit islamik ka “metastazuar” dhe ka marrë përmasa globale, dhe prap mediet e shkruara dhe elektronike nuk “kursehen” që ta përdorin një kod etik të ekspozimit të pamjeve të tilla, çfarë te themi ne shqiptarët, kur aq shpesh na u kanë përsëritë këto tmerre dhe dhimbje të papërballueshme që na i kanë shkaktuar regjimet e vazhdueshme barbare serbe, dhe aq shpejtë i harruam ato, sa që njeriu ka përshtypjen që ne na u ka bërë “defekt gjenetik” harresa e kujtesës historike, dhe prandaj të mençurit thonë “një popull që e harron të kaluarën e vetë historike, është i gjykuar t’i përsëritet”. Kjo ndoshta është një nga ‘arsyet’ pse ekipi redaksional i këtij libri ka marrë qëndrim të botohet si i tillë, duke shpresuar që të ndikojë sadopak në mbamendjen e të kaluarës së vet tepër te hidhur dhe tragjike, e që ajo të mos i përsëritet më asnjëherë, jo vetëm shqiptarëve, por asnjë populli në botë.

  Kunushevci: Departamenti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të lëndës Praktikumi sociologjik, nën drejtimin e profesorit Shemsi Krasniqi, çdo pesë vjet zhvillon hulumtimin “Kujtesa përballë harresës”. Hulumtimi bëhet me përjetuesit e eksodit kosovar të vitit 1999 dhe herën e parë është bërë në vitin 2009 me rastin e 10 vjetorit, kurse herën  e dytë në vitin 2014, me rastin e 15 vjetorit. Ky eksod ka qenë ngjarje e paparë në histori. Për nga përmasat dhe koha e shkurtë në të cilën ka ndodhë, është krahasuar me eksodin biblik. Përvojat dhe përjetimet e njerëzve në këtë ngjarje kanë qenë tragjike dhe dramatike. Situata kur papritmas detyrohesh ta lëshosh shtëpinë, pronën, vendin tënd dhe të nisesh nën qiellin e hapur pa ditë se ku po shkon, pa ditë se a po shpëton dhe se ku po përfundon, të shtien të mendosh se çka është jeta, çka është historia, çka është lufta, çka është fati i njeriut dhe në fund, çka është njeriu për njeriun. Situata kur përnjëherë detyrohesh t’ia kthesh shpinën krejt asaj që ke bërë, krejt asaj që ke ëndërruar dhe bjen në pikën zero të ekzistencës duke u bërë refugjat, njeri i humbur, viktimë e dhunës shtetërore, vetëm pse ke një përkatësi etnike, të shtien të mendosh se çka është shteti, çka është liria, çka është e drejta dhe çka padrejtësia. Pyetja e thjeshtë që del prej krejt asaj që e kemi provuar është: sa kemi marrë mësim prej eksodit të vitit 1999 dhe çka duhet të bëjmë që kujtesa për eksodin të ruhet për gjeneratat e ardhshme dhe mësimi i marrë të vlejë për të gjithë dhe për gjithmonë?

Pllana: Kjo pyetje e Juaja i nderuari Labinot është shumë e qëlluar dhe don elaborim të thellë. Duke e patur parasysh faktin që, ne si popull harresën e kemi pikë të “dobët”, bile, bile, tepër të dobët, për të mos thënë “defekt gjenetik”, unë aktivitetet e mia promovuese kohëve të fundit i kam titulluar “Mos-harresa në shërbim të kujtesës historike”. Me një fjalë, duhet të shkruajmë libra shumë më shumë e të realizojmë filma dokumentarë që kanë të bëjnë sidomos me eksodin e vitit 1999, dhe jo vetëm…, për vuajtjet tona aq të gjata e për gjithë ato tmerre e mizori që i kanë bërë mbi ne për gati dy shekuj me radhë regjimet e vazhdueshme barbare serbe, që t’ua  lëmë gjeneratave të reja e brezave që do të vijnë, e t’i kenë si një ‘amanet’ nga ne, që pësimet të na shërbejnë mësime të përjetshme, që të kaluarën të mos e harrojmë për jetë të jetës, sepse për ndryshe, do të na dënojë sërish historia dhe do të na mallkoj gjithë ai gjak i derdhur lum për çlirimin e trojeve tona etnike dhe bashkimin kombëtar.

Kunushevci: Mbi 50 luftëtarë të lirisë – veteranë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje pas luftës. A është në pyetje trajtimi i padrejtë dhe i pabarabartë nga institucionet e shtetit, mungesa e kushteve elementare për jetë apo diçka tjetër?

 Pllana: Kjo është definitivisht ana më e errët dhe tepër e dhimbshme që lejuam të na ndodhë një diçka e tillë, që të vetëvriten gjithë këta luftëtarë të lirisë, siç e thatë edhe Ju, në mungesë të kushteve elementare për jetë, gjë që ka pasë raste aq ekstreme, sa që atyre shpesh u ka munguar edhe një thes miell në magjen e tyre, dhe të dëshpruar me mospërkrahjen e institucioneve tona, ata (luftëtarët e lirisë pra) bënë vetëvrasje e vetëvarje, duke lënë edhe më keq familjet e tyre, për të cilat edhe sot e kësaj dite as që lodhet kush për to. Andaj, pashmangshëm shtrohet pyetja: Vallë, pse u treguam kaq të ligjë, kaq indiferentë e kaq të papërgjegjshëm karshi atyre që na e sollën këtë liri që po e gëzojmë sot?! Dhe prandaj, unë si bashkëluftëtar i tyre ndihem aq keq kur i kujtoj këto raste (e nuk ka ditë që nuk më kujtohen) sa që, shumë shpesh polemizoj edhe me vetveten dhe them: “O Zot, pse jemi kaq bukëpërmystë?! Pse i shkelim, i margjinalizojmë, i fyejmë e i ofendojmë në forma të ndryshme kategoritë më të ‘shenjta’ të kombit tonë, ata dhe ato që na e sollën lirinë pas kaq vuajtjesh robërie dyshekullore?!” Me vetë faktin që atyre nuk ua kemi dhënë hakun e merituar në baza ligjore e institucionale, siç do të vepronte çdo shtet demokratik në botë me çlirimtarët dhe çlirimtaret e popullit të vet, ne kemi rënë aq keq prej provimit, edhe si popull edhe si shtet, sa shpesh prej zemrës së “plastë” them: “Pus pushteti e pus mileti”. Prandaj edhe i kemi punët shumë keq, sepse kjo papërgjegjësi totale dhe ky keqmenaxhim që po i bëhet në vazhdimësi Kosovës, pas çlirimit po na kthehet për ditë e më shumë në bumerang, e ne sikur jemi verbuar dhe sikur nuk po shohim asgjë. Dhe, pashmangshëm më kujtohet ajo thënia e një filozofi francez, e që për momentin nuk po më kujtohet emri i tij, se: “Luftën e përgatisin idealistat, e bëjnë trimat dhe e shkrryejnë batakgjijtë”, e që fatkeqësisht kjo po ndodhë edhe me Kosovën e pasluftës, sepse, ate po e shkrryejnë pamëshirshëm të korruptuarit e matrapazët, kriminelët, prostitutkat e mafijozët e lloj-llojshëm, kullerat e kullericat, e që dalngadal po e sjellin në një situatë shpërthyese dhe ‘vetëvrasje kolektive’ këtë popull. Thjeshtë, është e pashpjegueshme, edhe e pabesueshme që ky popull kaq fisnik e kaq heroik, të bie në një situatë kaq dëshpëruese e të ‘vetëdorëzohet a’?!!! Dhe nga e gjithë kjo pastaj të vjen të bërtasësh në kup të kresë e të thuash “Ooooo ngjallu edhe një herë o Avni Rrustemi, e ua jep hakun tradhtarëve të kombit”, se e shkatërruan këtë vend dhe e kanë bërë plaçkë për kënaqjen e apetiteve të veta. Ata që u bënë milionera pas luftës gjenocidale në Kosovë, e në veçanti të ashtuquajturit komandantët e “luftës” e të “paqes”, në kurriz të gjakut të djemve dhe vajzave tona më të mira, nënave e baballarëve tanë që u flijuan për këtë tokë, madje edhe fëmijët me cucull në gojë, ata (milionerët pra) e meritojnë burgun e përjetshëm, kuptohet, nëse bëjmë shtet të mirëfilltë ndonjëherë e funksionon ligji e drejtësia në këtë vend.

 Kunushevci: Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve “Kosova Press” ishin institucione informative të luftës. A mund të ndani me ne diçka nga përvoja juaj në kuadër të këtyre dy mediumeve?

  Pllana: Ishte një përvojë që nuk harrohet sa të jemi gjallë, ngase ishim në shërbim të popullit tonë të shumëvuajtur e të Ushtrisë sonë të lavdishme – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kuadrin e së cilës vepronin suksesshëm dhe e ushtronin veprimtarinë e tyre profesionale me një disiplinë të rrallë dy institucionet e vetme informative nga vija e parë e frontit – Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencioni i Lajmeve “Kosovapress”, për themelimin e të cilave meritat krysore i takojnë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me vet faktin që shumica e agjencioneve më të njohura evropiane dhe botërore që e përcillnin luftën në Kosovë, ekskluzivisht thirreshin në këto dy mediume të luftës, e që jep të kuptohet se kanë qenë burimet më të besueshme për to, ne, pa modesti po e them, ndihemi krenarë që fillim  e mbarim (4 janar 1999 – 21 qershor 1999) e bëmë punën siç u ka hije luftëtarëve të lirisë, e përfunduam suksesshëm misionin tonë, siç përfundoi suksesshëm e gjithë lufta jonë çlirimtare, e ruajtëm dhe e arkivuam tërë materialin që e posedonim, edhe në letër edhe në celuloid, madje komplet edhe teknikën e Radios e kemi fut në objektin “Muzeu i Radios Kosova e Lirë”, në fshatin Berishë të Berishës, për ta pasë sot ndërgjegjën e pastër edhe pas 17 vitesh kur edhe po flasim për këtë pjesë të historisë sonë të dhimbshme, por pa dyshim edhe të lavdishme të popullit tonë e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për funksionimin kaq të suksesshëm të Radios “Kosova e Lirë” për gjashtë muaj rresht, meritat kryesore u takojnë mbi të gjitha dëshmorëve të kombit dhe luftëtarëve e luftëtareve të lirsisë, të cilët e lanë me gjakun e tyre të njomë çdo pëllëmbë të asaj toke të shenjtë arbërore, por nuk lejuan që këmba e kriminelëve serbë, e policisë dhe ushtrisë famëkeqe serbe të shkel mbi ato troje, ku ishin të vendosura këto dy institucione informative të luftës çlirimtare (në Malet e Berishës), ku ishte i instaluar edhe spitali ushtarak i UÇK-së në fshatin Divjak, e ku ishin të strehuar rreth 90.000 mijë shqiptarë civilë të atyre anëve, gjithnjë nën mbrojtjen e luftëtarëve të lirisë. Ndërkaq prej ne të gjallëve (anëtarëve të Radios “Kosova e Lirë”), meritat kryesore për funksionimin kaq të suksesshëm të saj i takojnë Profesorit të nderuar Ahmet Qeriqi dhe gazetarit Martin Çuni, pa e mohuar në asnjë mënyrë kontributin e tërë ekipës (Nezir Myrtaj, Valdet Hoti, Fatmir Dugolli, Rizë Berisha, Gazmend Elshani, Habib Zogaj, Ismet Sopi, etj.), por edhe të gjithë reporterëve të Zonave Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët raportonin pothuajse çdo ditë për këtë Radio. Do t’i mbetesha borgj sikur nuk do ta përmendja kontributin absolutisht të veçantë të familjes Berisha, e cila na ka mbajtë me bukë gjatë tërë kohës, duke e sakrifikuar jetën e tyre çdo ditë, në ato rrethana të granatimeve të përditshme që i hedhte armiku mbi ne dhe për rreth nesh. Edhe gjatë luftës, por edhe pas saj, Profesor Ahmet Qeriqi e ka udhëheqë dhe po vazhdon ta udhëheqë me sukses funksionimin e kësaj Radiojeje, edhe pse në kushte të vështira financiare dhe pa përkrahjen institucionale të Republikës së Kosovës.

 Kunushevci: Universiteti i Prishtinës ka hyrë në dekadën e vetë të pestë dhe jo vetëm se ka një histori, por edhe ka bërë histori. Universiteti i Prishtinës ka pasur periudha të vështira, si për studentët ashtu edhe për profesorët, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 dhe ndërhyrjes e represionit të regjimit jugosllav. Por sigurisht se ka pasur edhe prestigjin dhe suksesin e vetë. A mund të na përshkruani gjendjen në të cilën ndodhej Kosova dhe Universiteti i Prishtinës kur ju ishit student dhe të bëni një krahasim me sfidat aktuale?

 Pllana: Roli i Universitetit të Prishtinës, e që tash e bartë emrin e njërës prej figurave më të ndritshme të kombit tonë Hasan Prishtinës, që nga themelimi e deri më sot ka qenë dhe mbetet historik, sepse, nga ky Universitet kanë dalë kuadrat më të mira të rinisë tonë, të cilat e kanë bartur me dekada barrën e përgjegjësisë dhe ngritjes intelektuale e patriotike të popullit tonë në përgjithësi, e të rinisë studentore në veçanti, edhe pse në kushte të një okupimi klasik serb mbi ne. Studentët dhe studentet e dalluara kanë qenë prore nën vëzhgim të UDB-së serbe, shumë shpesh të maltretuar, të rrahur, të burgosur, të dënuar me shumë vite burg, të helmuar e të vrarë pa gjyq, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, dhe vetëm pse kërkonin të jenë të lirë e të barabartë me ish republikat e tjera të Federatës së atëhershme Jugosllave. Po nga ky Universitet dhe nga studentët e dalluar të tijë janë udhëhequr demonstratat gjithëpopullore të viteve 1968, 1981, 1989/90, 1997 e 1998, e deri te udhëheqja e Rezistences së armatosur, e cila pasoi me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me daljen publike të sajë më 28 nëntor 1997. Të pakta janë ato Universitete në Evropë dhe në botë që nuk e kanë së paku një ligjërues shqiptar, por që bazat i ka marrë nga Universiteti i Prishtinës. Kushtet në të cilat ka vepruar ky Universitet pra, jo vetëm që kanë qenë tepër të rënda, por shpesh herë edhe të padurueshme nën tutelën serbe. Unë jam vetëm njëri prej mijëra e mijëra studentëve që kanë dal të diplomuar prej  atij Universiteti, e që jam dënuar me 6 vite burg të rëndë për veprimtari ilegale, e që i kam vuajtur 5 vite. Por, me përgjegjësi të plotë e them se, niveli i cilësisë së studimeve tona ka qenë shumë më i lartë se sa është sot, ngase kjo kohë e teknologjisë moderne aq shumë e avansuar, ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e rinisë sonë studentore, sidomos e atyre të Kolegjeve të shumta private (të cilat pas luftës në Kosovë dolën si këpurdhat pas shiut) – të krijojnë varshmëri të plotë nga Interneti, dhe të humbasin shumicën e kohës nëpër facebook e rrjete të shumta sociale, dhe pastaj edhe nga pasojat e një niveli shumë të dobët të mësimdhënies e mësimnxënies të dalin çdo vit “analfabeta” të diplomuar, të cilëve kjo Kosovë do t’ua sheh, dhe sherrin minimumi edhe 100 më vonë, dhe pasojat do të jenë pariparueshme.

 12 Shkurt, 2016

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …