leoni

Me homazhe Dëshmorëve të Kombit, Ferizaj përkujton 21 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Qindra qytetarë ishin mbledhur tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj në shënim të 21 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies sublime të kryekomandantit të UÇK-së, Legjendës së Kombit, Adem Jashari dhe Familjes së tij. Në nderim të sakrificës së Dëshmorëve të Kombit dhe përkujtuar ditët e 5, 6 dhe 7 marsit homazhe u bënë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mexhide Mjaku Topalli, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës Kristina Gashi Bytyçi. kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi si dhe përfaqësues institucional shtetëror të nivelit lokal dhe qendror, familjarë të dëshmorëve, organizata e veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se kjo ditë, ky përvjetor është i rëndësishëm për gjithë kombin, ku nuk ka asnjë rast në historinë e luftërave në botë që një familje të sakrifikohet tërësisht për lirinë, siç është rasti me familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. “Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Republikën e Kosovës, jo vetëm për ne, por është e rëndësishme për gjithë kombin. Është e rëndësishme për gjithë kombin sepse 21 vjet më parë, bën rënien sublime si asnjë familje në botë, si në asnjë rast në historitë e luftërave dhe përpjekjeve për liri, familja Jashari bëri aktin sublim. Përderisa shumë kombe të tjera, vuajnë sesi t’i gjejnë heronjtë e tyre, si t’i gjejnë legjendat e tyre, madje edhe duke improvizuar edhe histori, madje edhe duke bërë gënjeshtra nga më të ndryshmet, ne nuk kemi nevojë ta bëjmë atë, sepse heroi ynë, legjenda jonë dhe më vonë sigurisht edhe miti jonë u bë vet, pra ishte Adem Jashari, ishte familja Jashari që e bën legjendën dhe prandaj ne do të duhet të ndihemi krenar që jemi bijë të këtij kombi që ka dhënë Adem Jasharin dhe shumë heronj e dëshmorë të tjerë dhe sot përulemi me respekt dhe me nderim të madh për të gjithë ata. Sigurisht se kjo rënie sublime e heronjve tanë dhe kryekomandantit dhe legjendarit tonë, do të duhej dhe na bën më të përgjegjshëm në punët, angazhimet dhe përpjekjet tona të sotshme. Ne po e kalojmë një hark kohor tashme prej 21 vitesh por gjithmonë jemi gjeneratë me fat që i kemi takuar pikërisht kësaj kohe, kohës së ndërrimit të epokave dhe këtë epokë e ka ndërruar Adem Jashari, familja e tij dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe duhet të jemi krenar që i takojmë kësaj kohe. Por siç e thashë të njëjtën tonë ne duhet të ushtrojmë përgjegjësitë tona, përgjegjësitë shtetërore, institucionale dhe të punojmë çdo ditë në harmoni me këtë rënie dhe këtë ditë të sotit. Lavdi heronjve, lavdi Dëshmorëve të Kombit” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Në anën tjetër, me emocione për këtë ditë kujtese dhe sakrifice të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shpreh edhe Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi. Ai tha se këto ditë, janë java më madhështore e kombit shqiptar, java e Jasharajve, rënia sublime e tyre që nxiti shumë trima, djem e vajza të reja në Kosovë që të ndjekin rrugën e tij dhe për rrjedhojë të asaj rruge dhe asaj ndjeje kombëtare, ne jemi të lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …