leoni

MINISTRI BYTYQI NDAU ÇMIMIN “SHABAN JASHARI” PËR MËSIMDHËNËSIN E DALLUAR

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili çmim këtë vit i është ndarë mësueses Sevdije Vishi nga komuna e Ferizajt. Me këtë rast, ministri Bytyqi ka uruar të gjithë mësimdhënësit e Kosovës për këtë festë dhe i ka falënderuar ata për përkushtimin e tyre në edukimin e brezave të rinj. Pasi që theksoi rëndësinë e kësaj dite, ministri Bytyqi kujtoi përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për t’u arsimuar, shkollën e parë shqipe dhe ideatorin e organizuesin e saj Pandeli Sotiri dhe shumë patriotë të asaj kohe. Ndër të tjera, ministri Bytyqi theksoi se, kjo ditë feste, përveç që na e kujton të kaluarën, na bën të mendojmë edhe për përgjegjësitë që duhet t’i marrim për ta ngritur cilësinë në sistemin e arsimit. “Kjo nuk mund të bëhet vetëm duke ndërtuar politika, por barra kryesore iu bie juve, mësimdhënës të nderuar. Ne jemi të vendosur që të gjithë mësimdhënësit e dalluar t’i shpërblejmë dhe t’i duartrokasim për punën e tyre, por njëkohësisht t’i stimulojmë edhe të tjerët që të bëjnë po të njëjtat përpjekje, sepse kjo është një kauzë e jona e përbashkët”, tha Ministri. Ministri Bytyqi kërkoi nga mësimdhënësit që, së bashku të punohet për të kthyer në vendin e duhur meritokracinë e profesionit të mësimdhënësit në shoqërinë tonë, sepse theksoi se, kjo meritokraci do të sigurojë një edukim dhe arsimim cilësor për të rinjtë tanë, që është edhe garantues i zhvillimit në vendin tonë. Në këtë ceremoni janë ndarë edhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar nga secila komunë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …