Ministri Gashi takoi Ministrin e Jashtëm të Maltës, Carmelo Abela, pritet marrëveshje mes dy vendeve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në zyrat e MKRS-së në Prizren ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Maltës, Carmelo Abela, me të cilin diskutoi rreth bashkëpunimit në fushat e interesit të dyanshëm të dy shteteve mike, Republikës së Kosovës dhe asaj të Maltës, me theks në kulturë e trashëgimi kulturore. Ndër çështjet e bisedës në këtë takim ishte edhe fokusimi në qytetin e Prizrenit, duke bashkëpunuar në projekte konkrete mes dy shteteve. Madje, ministri Gashi, i propozoi ministrit Abela që qyteti i Prizrenit të binjakëzohet me ndonjërin prej qyteteve të Maltës. Ministri Gashi e ka informuar ministrin Abela për punën dhe politikat që zhvillon MKRS-ja. Ndër të tjera, ministri e njoftoi ministrin maltez se MKRS ka themeluar edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore si një mekanizëm që funksionon në kuadër të Trashëgimisë dhe në këtë drejtim Republika e Maltës do të mund të ndihmonte me përvojën e saj. Ndërsa, ministri Abela shprehu kënaqësinë që ndodhet në një qytet të mrekullueshëm, siç e quajti ai qytetin e Prizrenit. Ai vlerësoi se është e rëndësishme që përpos marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve të ketë edhe bashkëpunim konkret në fusha të caktuara. Ministri Abela u shpreh se është i gatshëm që të nënshkruajë marrëveshje me MKRS-në në fushat që i mbulon ajo, në mënyrë që të strukturohet bashkëpunimi në këto fusha ashtu që dy popujt të përfitojnë sidomos në trashëgimi kulturore ngase të dy popujt kanë një histori të gjatë, vlerësoi ai. Të dy ministrat u pajtuan që të konkretizohen planet për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim mes dy vendeve, ashtu që historia e dy popujve të ruhet dhe të kujtohet ndër gjeneratat që vijnë pas.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot …